NGA RESHAT KRIPA/
U vranë poetët. Po përse u vranë? Kanë kaluar tridhjet vjet nga ajo kohë e kobshme dhe asnjë nuk di të përgjigjet. Çfarë bënë. A mos vranë ndonjë të pafajshëm? Apo mos vallë shkelën normat e moralit njerëzor dhe duheshin dënuar? Jo. Ata shkruan vetëm vargje, vargje të pavdekshme. Shkruan për lirinë, për atdheun, për luftën e popullit të tyre, për dashurinë. A mund të vritet njeriu pse shkruan vargje?
Fatosit i dilnin para syve vargjet e poetit të madh rus Mihail Lermontov:
U vra poeti! – rob i nderit –
Ndër shpifje e thashetheme u shtri,
Me etje hakmarrjeje prej vrerit,
U mposht krenar me plumb në gji.
Në shpirt poetit s’iu durua,
Dhunimin e turpshëm kur e pa,
Përkundër fyerjes u çua,
I vetëm si më parë…dhe ra!
Kështu ranë atë ditë korriku të vitit 1977 Vilsoni dhe Genci, rrëzë një përroi në Librazhd. Miku im sheh filmin kushtuar atyre dhe i mbushen sytë me lot. Nuk kishte qarë kurrë në jetën e tij. Edhe kur i vdiqën nëna dhe babai, të cilët i donte aq shumë, sepse nuk i ishin ndarë kur përplasej shkrepave dhe gërxheve të errëta të komunizmit, nuk derdhi lot. Ato i ishin tharë. Kurse sot për çudi kishin filluan të rridhnin përsëri. I dhembi zemra për ata dy të rinj, për ata dy poetë që Atroposi u kishte prerë fijen e jetës.
Dëgjonte hapin e rëndë të gardianit që kontrollonte qelitë dhe para syve i dilnin qindra intelektualë të shquar, që edhe më parë kishin provuar fatin e poetëve. Shihte mijra të burgosur që i kishin provuar mbi shpinat e tyre tmerret e atyre qelive. Vështronte dhe para syve i dilnin dy vizione: djajtë dhe engjëjt, vampirët dhe preja, xhelatët dhe viktimat dhe bënte krahasimin midis tyre. Nga njëra anë ishte terri, ndërsa nga ana tjetër drita. Nga njëra anë ferri, ndërsa nga ana tjeter parajsa.
Shihte heronjtë me duart e prangosura dhe i dukej sikur ato hekura prangosnin zemrën e tij. Poetët ecnin me kokat lart. Përballë tyre një togë ushtarësh gati për zjarr. Dëgjohet një urdhër. Armët zbrazen. Mos vallë ishte ky urdhër dhe këto armë që u morën jetën poetëve? Jo! Atë ua morën djajtë që përgatitën këtë krim, si dhe
veglat e tyre që i ndihmuan për realizimin e tij.
Lexonte një poezi të Vilsonit :
Saharaja s’di të ëndërrojë,
Ajo bluan gurrë me mëndt e saj,
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot që të qajë!
Më thoni, të nderuar zotërinj, a mund të vritet poeti për vargje të tillë? Megjithatë “ekspertët” e dërguar për këtë qëllim, zbuluan në këto vargje punën armiqësore që “do të rrëzonte pushtetin”.
Ja si shkruan njeri nga “ekspertët” në akt-ekspertizën e tij:
Këto si dhe vjersha të ndryshme, fragmente të shkëputura nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen. Mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme.
Ndërsa “eksperti” tjetër vazhdonte:
Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bënë atë një alegori me një përmbajtje reaksionare.
Lexonte edhe një poezi të Gencit:
E sa gjurmë mbetën kësaj ane,
(E sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rrodhën këngë partizane,
Diku rrodhën disa pika gjak!
Por për “eksperten” këto vargje tingëllonin ndryshe:
Oxhaku ruan diçka të shtrenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu vargu: “Diku rrodhën disa pika gjak”, është i errët, sepse autori nëse e ka fjalën për kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në atë kohë nuk
kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak.
Dhe këto fjalë i thoshte një poete që më vonë do të fitonte famë, ndoshta edhe për “meritë” të kësaj ekspertize.
Një luftë e brëndëshme sundonte shpirtin e mikut. Si ishte e mundur që në kohën kur në vend diktatura ishte përmbysur dhe instaluar shteti i së drejtës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e drejtuar nga një ish-bashkëvuajtës i tij, të kishte kurajon të propozonte për çmimin Nobel në letërsi pikërisht këtë “eksperte vdekjeje”? Një ish i burgosur politikë propozonte për një titull të lartë një nga shkaktaret e ekzekutimit të një poeti. Por paradokset në Shqipëri do të vazhdonin. “Ekspertja” e Gencit, më vonë, do të zgjidhej deputete në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa dy “ekspertët” e Vilsonit do të nderoheshin dhe himnizoheshin për këto “merita”, madje njëri prej tyre do të dekorohej nga Presidenti i Republikës.
Revolta kishte pushtuar zemrën e mikut. Donte të thërriste, donte të bërtiste, por askush nuk e dëgjonte. Si mund të ndodhnin gjëra të tilla? Kur do të vendosej drejtësia? Kur…?
Tags: A vriten, dielli, poetet, reshat kripa

