ARRESTOHEN TATIMORET, 2 TE ARRESTUAR, 7 NE KERKIM

November 8th, 2013


Zbulohen shkeljet ligjore me 11 kompani kineze u blenë me falsifikim. Dy zyrtarë në pranga, ish-kreu i Tatimeve të Tiranës dhe 6 vartës shpallen në kërkim./

Gjykata urdhëron arrestimet e para në lidhje me vjedhjen e 5.2 milionë dollarëve me anë të skemës abuzive të rimbursimit të TVSH-së nga Drejtoria e Tatimeve në Tiranë.

Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në këtë institucion, Afërdita Hysa dhe Tahir Kuka, inspektor i Procedurave të Rimbursimeve, kanë rënë në pranga. Në kërkim janë shpallur Ismail Muça, ish-drejtor i Tatimeve të Tiranës, Lauren Vata, ish-përgjegjës sektori dhe tre inspektorë të Drejtorisë së Tatimeve. Masa e arrestit në mungesë është marrë edhe ndaj dy biznesmenëve, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe, të cilët kanë përfituar paratë e rimbursuara dhe më pas i kanë rishpërndarë ato, siç dyshohet, te të gjithë të akuzuarit dhe persona të tjerë.
Pesë abuzimet
Prokuroria deklaroi dje se nuk mund të japë të dhëna për hetimin për sa kohë nuk janë ekzekutuar masat e arrestit të vendosura nga gjykata më 6 nëntor 2013. Megjithatë, gazeta “Panorama” ka mësuar dje pesë shkeljet për të cilat janë ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, “vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale” ndaj shtatë zyrtarëve të Tatimeve dhe dy biznesmenëve. Sipas hetimeve, shuma prej 5.2 milionë dollarësh është nxjerrë nga buxheti i shtetit dhe është paguar në llogaritë e 11 kompanive me anë të pagesave në 11 kësteve në gusht-shtator 2013. Kompanitë të cilave u është bërë pagesa deri në qershor-korrik 2013 kanë pasur pronarë kinezë. Në verën e këtij viti, për 11 subjektet në QKR janë paraqitur dokumentet e blerjes së tyre dhe si pronarë janë regjistruar shtetasit Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe. Menjëherë ata kanë aplikuar për rimbursimin e TVSH-së së këtyre kompanive (tepricë kreditore e krijuar në vitet 2004-2005). Këtu ka ndodhur shkelja e parë, pasi dokumentet e blerjes së 11 kompanive rezultojnë se janë tërësisht false. Megjithatë, “pronarët e rinj” të 11 kompanive kanë aplikuar për faliment në QKR dhe kanë kërkuar që shteti t’u shlyejë rimbursimin e TVSH-së (në total 5.2 milionë dollarë). Procedura ka vazhduar pa pengesa edhe pse pas aplikimit, ligji detyronte Tatimet të verifikonin me imtësi. “Shkelja e dytë është kontrolli financiar i munguar. Ligji kërkon që Tatimet të bëjnë kontroll të thelluar për pesë vitet e fundit dhe vitet për të cilat kërkohet rimbursimi. Zyrtarët e akuzuar të Tatimeve kanë bërë verifikim formal, pasi kompanitë nuk kanë pasur aktivitet në pesë vitet e fundit. Sipas hetimit, verifikimi është bërë vetëm për vitet 2008-2013 dhe është thënë se “kompanitë nuk kanë aktivitet” duke mos u kryer asnjë verifikim për vitet kur ishte krijuar “teprica kreditore”. Shkelja e tretë ka ndodhur në faktin se e gjithë procedura ka zgjatur më pak se një javë, nga aplikimi deri në derdhjen e parave gjithçka ka ndodhur në pak ditë. Abuzimi i katërt është se të gjitha vlerat e kërkuara nga kompanitë në aplikimin/kërkesën për rimbursim vetëm sa janë lënë në fuqi nga Tatimet. Në shumat që pretendonin kompanitë nuk janë verifikuar faturat e blerjes dhe shitjes, nga të cilat buron shifra e rimbursimit, e cila zakonisht “korrigjohet” nga Tatimet, nëse bizneset tentojnë të fryjnë shifrat apo të përfitojnë. Abuzimi i pestë është se hedhja e parave në llogaritë e 11 kompanive është bërë fiktivisht. Hetimi ka zbuluar se paratë janë tërhequr pak ditë pas pagesës. Ato mësohet se nuk janë në llogaritë bankare të bizneseve që duhej t’i përfitonin, ndërsa dyshohet se shumat janë ndarë mes të akuzuarve dhe disa personave të tjerë që po hetohen.                           t.s/e.d

Operacioni
Të arrestuar
1. Afërdita Hysa
45 vjeçe, ish-drejtoreshë e Kontrollit Tatimor, Tiranë
2. Tahir Kuka
57 vjeç, ish-inspektor i Procedurave të Rimbursimeve.

Në kërkim
1. Ismail Muça
44 vjeç, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë;
2. Lauren Vata
32 vjeç, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit Tatimor
3. Edmond Osmani
34 vjeç, ish-inspektor i Kontrollit Tatimor
4. Gramos Milushi
29 vjeç, Inspektor
i Kontrollit Tatimor
5. Kujtim Metaliaj
53 vjeç, ish-Inspektor
i Kontrollit Tatimor
6. Mirjan Beneja
33 vjeç, biznesmen
7. Gjergji Tupe
54 vjeç, biznesmen

(Kortezi:Panorama)

Tags:

Leave a Reply