Tregim nga Italo Kalvino/
Punëtori Artur Masolari po bënte turnin e natës, atë që mbaron në orën 06.00. Që të kthehej në shtëpi, kishte rrugë të gjatë dhe që e përshkonte me biçikletë në stinën e bukur, me tram në muajt me shi dhe në dimër. Mbërrinte në shtëpi rreth orës 06.45 – 07.00, d.m.th, ndonjëherë pak më parë dhe herë tjetër pak më vonë se të binte zilja e Elidas, gruas së tij. Shpesh të dy zhurmat, zilja e orës dhe hapi i tij tek hynte, mbivendoseshin në mendjen e Elidas, duke e kapur në thellësi të gjumit, gjumi kompakt herët në mëngjes që ajo përpiqej ta shtrydhte ende për disa sekonda me fytyrën e zhytur në jastëk. Pastaj ngrihej nga shtarti shpejt dhe i fuste krahët verbërisht në rrobdëshambër, me flokët mbi sy. I shfaqej kështu në kuzhinë, ku Arturi po nxirrte jashtë prej çantës enët bosh që merrte me vete në punë: tenxherja, termusi dhe i vendoste në lavaman. E kishte tashmë ndezur furnelën dhe e kishte vënë sipër kafenë. Sapo ai e shihte, Elidas i vinte që ta kalonte një dorë në flokë, t’i shqyente sytë me forcë, sikur çdo herë të turpëroheshe disi nga kjo pamje e parë që burri kishte për të, tek hynte në shtëpi, gjithmonë e çrregullt me fytyrën gjysmë të përgjumur. Kur dy persona kanë fjetur bashkë është krej ndryshe, në mëngjes lulëzojnë që të dy nga i njëjti gjumë, janë njëlloj. Ndonjëherë ishte ai që hynte në dhomë ta zgjonte, me filxhanin e kafesë, një minutë para se zilja të binte; atëherë gjithçka ishte më e natyrshme, grimasë për të dalë nga gjumi merrte një lloj ëmbëlsie dembele, krahët lakuriq që ngriheshin për tu shtrirë, zgjateshin që ta pushtonin qafën e tij. Përqafoheshin. Arturi kishte veshur xhaketën kundra shiut; tek e ndjente pranë, ajo e kuptonte se çfarë kohe bënte; nese binte shi ose kishte mjegull apo kishte borë, sipas gjendjes që ishte e lagur apo e ftohtë. Por prapë i thoshte atij : si është koha? – dhe ai zinte me mërmëritjen e tij të zakonshme gjysëmironike, duke i renditur tersllëqet që i kishin dalë, duke filluar nga fundi: rruga me biçikletë, motin që gjente kur dilte nga fabrika, ndryshe nga ajo kur ishte kthyer një natë më parë, telashet në punë, zërat që qarkullonin në repart e kështu me radhë. Në atë orë shtëpia nuk ishte shumë e ngrohtë, por Elida ishte krejt e zhveshur, duke u dridhur pak dhe lahej në banjën e vogël. Ai i shkonte pas, më i qetë, zhvishej dhe lahej edhe ai ngadalë, hiqte pluhurin dhe grason e ofiçinës. Kështu që të dy rreth të njëjtit lavaman, gjysmë të zhveshur, pak të plevitosur, herë pas herë duke u shtyrë, duke hequr nga dora sapunin, pastën e dhëmbëve dhe duke vazhduar që të thoshin gjërat që kishin për të thënë, mbërrinte çasti i konfidencës dhe ndonjëherë, edhe duke ndihmuar njëri-tjetrin që ta fërkonin kurrizin, provonin të përkëdheleshin dhe gjendeshin të përqafuar.
Por papritur Elida : O zot! Sa shkoi ora! Dhe vraponte të vishte korsenë, fundin nxitimthi në këmbë dhe me krërin që ngjitej e zbriste nëpër flokë, e shikonte fytyrën në pasqyrën e komosë, me mashkat e forta mes buzëve. Arturi i shkonte nga pas, e kishte ndezur një cigare dhe e shihte tek qëndronte në këmbë, duke pirë duhan dhe çdo herë dukej në siklet që qëndronte aty i
detyruar, pa mundur të bënte gjë. Elida ishte gati, vishte pallton në korridor, putheshin, hapte derën dhe tashmë e dëgjonte tek vraponte poshtë nëpër shkallë. Arturi mbetej vetëm. Ndiqte zhurmën e takave të Elidas poshtë nëpër shkallore dhe kur nuk e dëgjonte më, vazhdonte ta ndiqte me mendim atë kërcitje të shpejtë nëpër oborr, tek dera e hyrjes, në trotuar, deri tek stacioni i tramit. Përkundrazi tramin e dëgjonte mirë: të zhurmonte, të ndalej dhe përplasjen e pedanës për çdo njeri që ngjitej.
Ja hipi, mendonte dhe e shihte gruan e tij, kapur tek doreza, në mes të turmës së punëtorëve dhe punëtoreve tek “11” që e çonte në fabrikë si çdo ditë. E fikte bishtin e cigares, i mbyllte kanatat e dritares, e bënte ërrësirë, futej në shtart. Shtrati ishte siç e kishte lënë Elida kur ngrihej, por nga ana e vet, e Arturit, ishte gati i paprekur, sikur të ishte sistemuar kohë më parë. Ai shtrihej në anën e vet, rëndë, por më pas zgjaste një këmbë tej, ku kishte mbetur ende ngrohtësia e gruas së vet, pastaj e zgjaste edhe këmbën tjetër dhe kështu pak nga pak spostohej i gjithi në anën e Elidas, në atë fole ngrohtësie që e ruante ende formëne trupit të saj dhe e zhyste fytyrën në jastëkun e saj, në aromën e saj dhe e zinte gjumi. Kur Elida kthehej në mbrëmje Arturi endej prej pak kohësh nëpër dhoma : e kishte ndezur stofën, kishte vënë diçka të gatuante. Disa punë i bënte ai në ato orët para darkës, si sistemimi i shtratit, një fshesë shtëpisë edhe robat në banjo për t’i larë. Elida e gjente gjithçka të bërë keq, por ai me thënë të drejtën as nuk impenjohej më shumë : atë që ai e bënte, ishte vetëm një lloj rituali që ta priste atë, gati një ndihmë, edhe pse duke qëndruar midis mureve të shtëpisë, ndërsa përjashta ndizeshin dritat dhe ajo kalonte nëpër dyqanet në mes të asaj gjallërie të pazakontë të lagjeve, ku ka shumë gra që bëjnë pazar në mbrëmje. Më në fund e dëgjonte hapin nëpër shkallë, krejt të ndryshëm nga ai i mëngjesit, tashmë të rëndë, sepse Elida ngjitej e lodhur nga dita e punës dhe pesha e pazarit. Arturi dilte në korridor, ia merrte trasta nga dora, hynin duke biseduar. Ajo plasej në një karrike në kuzhinë pa e hequr pallton, ndërsa ai zbraste çantat nga pazari. Më pas : hajde, të rregullohemi – thoshte ajo dhe ngrihej, e hiqte pallton dhe vishte rrobat që përdorte në shtëpi. Fillonin të përgatisnin për të ngrënë : darkë për të dy, pastaj bukën që merrte ai në fabrikë për pushimin e orës një të natës, mëngjesin që duhej të merrte ajo në fabrikë të nesërmen dhe atë që linte gati, kur të nesërmen ai do të zgjohej. Ajo shpejtonte pak, ulej në karriken prej kashte dhe i thoshte atij se çfarë duhet të bënte. Përkundrazi për të ishte ora kur ishte çlodhur, nxitonte, bile dëshironte ta bënte gjithçka ai, por gjithmonë si i hutuar, me mendjen tashmë tek diçka tjetër. Në ato çaste aty, ndonjëherë arrinin në atë pikë sa të ziheshin, të thoshin ndonjë fjalë të keqe, sepse ajo e deshte më të vëmendshëm ndaj asaj që bënte, që të impenjoheshe më shumë. Ose që të ishte më i dhënë pas asaj, t’i qëndronte më afër, ta ngushëllonte më shumë. Por ai pas entuziazmit të parë, sepse ajo ishte kthyer tashmë në shtëpi, e kishte mendjen përjashta, të fiksuar tek mendimi që të nxitonte, sepse i duhej të shkonte. Pasi ishte shtruar tryeza dhe rrobat ishin vënë në vend që të mos çoheshin më, atëherë trokiste çasti i vuajtjes që i kapte që të dy, se kishin kaq pak kohë për të qëndruar bashkë dhe gati nuk arrinin ta futnin lugën në gojë, nga dëshira që kishin që të rrinin të kapur përdore. Por kafeja nuk kishte zënë vend dhe ai ishte tashmë prapa biçikletës tek shihte nëse gjithçka ishte në rregull. Përqafoheshin. Arturi dukej se vetëm atëherë e kuptonte sa e butë dhe e ngrohtë ishte nusja e tij. Hidhte në shpatulla tubin e biçikletës dhe i zbriste shkallët me kujdes. Elida lante pjatat, i hidhte përsëri shtëpisë një shikim nga fillimi në fund, punët që kishte bërë burri dhe tundte kokën. Tani ai vraponte nëpër rrugët terr, mes dritave të rralla, ndoshta ishte pas gazometrit. Elida shtrihej në shtrat, fikte dritën. E shtrirë në anën e vet, zvarriste një këmbë drejt anës së burrit të vet që të kërkonte ngrohtësinë e tij, por çdo herë e vinte re se ku flinte ajo ishte më e ngrohtë, shenjë që edhe Arturi kishte fjetur aty dhe i dhimbsej shumë.
Përktheu: Arjan Th. Kallço
Tags: Arjan Kallco, Aventura, Italo Calvino, perktheu
