Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri dhe përshkallëzimin e tensioneve në këtë pjesë të vendit gjatë vitit të kaluar.
Këto komente zoti Ban i bëri me të arritur në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, në kuadër të turneut të tij ballkanik.
“Është thelbësore që çështja e ndjeshme dhe komplekse në raport me veriun e Kosovës të zgjidhet përmjet një dialogu paqësor”.
“Pikëpamjet e komuniteteve, të cilat ndikohen drejtëpërsëdrejti nga këto tensione janë thelbësore. Zërat e tyre duhet të dëgjohen. Nevojat dhe të drejtat e tyre azë duhet të përfaqësohen në mënyrë demokratike”, ka thënë zoti Ban, gjatë një adresimi të shkurtër para gazetarëve të mbledhur në aeroport.
Ai ka thënë gjithashtu se gjatë vizitës së sotme, do të njihet gjerësisht me situatën, veçanërisht me statusin e marrëdhënieve midis komuniteteve, me të drejtat e pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Por, tema kyçe e vizitës, ka thënë ai, është rëndësia e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në gjithë rajonin.
“Ua kam thënë të gjithë liderëve me të cilët po takohem se ndërmarrja e hapave të mëtejmë në arritjen e një mirëkuptimi edhe më të madh është e një rëndësie thelbësore”, ka thënë Ban Ki-mun, duke nënvizuar se të njejtin mesazh e ka sjellë edhe për liderët e Kosovës, për popullin e Kosovës.
Në veçanti, tha sekretari i përgjithshëm, “pres përpjekje më të fuqishme drejt normalizimit të raporteve me Beogradin, përfshirë këtu edhe një përkushtim serioz dhe të sinqertë karshi dialogut – gjënë e njejtë të cilën e kam kërkuar edhe nga lidershipi serb”.
Zoti Ban ka rikujtuar se është Bashkimi Evropian ai që ka marrë rolin udhëheqës në përpjekjet ndërkombëtare në rajon.
“Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me të gjithë partnerët ndërkombëtarë në arritjen e synimeve tona të përbashkëta për popullin e Kosovës dhe rajonin në përgjithësi”, ka thënë sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon.
Me këtë rast, zoti Ban ka kërkuar nga të gjitha palët që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjen e personave që vazhdojnë të llogariten si të zhdukur, duke thënë se “kjo çështje është një çështje e të drejtave thelbësore të njeriut dhe kyçe për pajtim dhe respektim të ndërsjellë”.
Zoti Ban ka shfrytëzuar këtë paraqitje para mediave në Prishtinë, për të shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, trupi i pajetë i të cilit u gjet në Francë të shtunën më 21 korrik.
Në kuadër të agjendës zyrtare, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara është takuar me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Në orët e pasdites ai pritet të vizitojë edhe manastirin e Deçanit dhe të Prizrenit, për t’i dhënë kështu fund vizitës në Kosovë dhe për të vazhduar tutje për në Maqedoni.
Tags: Ban Ki-Mun, Kosove, presidenten jahjaga, takohet
