ÇAMËRIA, PLAGA QË RRJEDH ENDE LOT

June 23rd, 2012


Shqiptaret ne pazarin e Paramithis, 1913

Në përkujtim të shqiptarëve të dëbuar nga Çamëria-

 -Nga Arben LLALLA-

 Në vitin 1994, Kryetari i Republikës së Shqipërisë i atëhershëm Prof.Sali Berisha ka shpallur 27 qershorin si ditën e gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptarë të Çamërisë, (Dita e Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga Shovinizmi Grek).

Gjenocidi i tmerrshëm i filluar më 27 qershor 1944, ka rezultuar me 10,000 mijë të vrarë (8.000 mijë të masakruar në vend dhe rreth 3.000 të vdekur maleve e luginave nga vështirësitë e rrugës për në shtetin shqiptar) si dhe rreth 50,000 mijë të dëbuar të cilët u larguan nga vatrat e veta për të mos u kthyer kurrë më atje. Përfundimi i operacioneve të ushtrisë greke ndaj elementit etnik shqiptar në Çamëri e spastroi përfundimisht zonën veriperëndimore të Greqisë nga shqiptarët autoktonë. Kështu u çuan në vend porositë e etërve themelues të shtetit grek për të siguruar kufinjt e veriut me Shqipërinë dhe për të pasur dorë të lirë për të depërtuar më lehtë në vetë Shqipërinë e vogël të 1912, në një fazë të re të marrëdhënieve kuptohet.

Çdo vit organizohen aktivitete përkujtimore si dhe ndërmerret një marshim masiv deri në kufi me Greqinë në Qafë Botë për të përkujtuar viktimat e terrorizmit grek. Por ende çështja çame vajton dhe është në rrugën e Tunelit pa dritë. Por si janë zhvilluar ngjarjet rreth problemit të shqiptarëve nga Çamëria.

Më 16 tetorin e vitit 2008 ish-Kryeministri i Greqisë Kosta Karamalis vendosi afatin e fundit për hipotekimet nga e para të gjitha pronat në Greqi. Kjo çështje prekte në mënyrë direkt titujt e pronësisë të shqiptarëve. Bëhet fjalë për pasuritë e popullsisë çame, të cilëve shteti grek ua mban peng pasuritë e patundshme me të ashtuquajturën “sekuestro konservative”.

Udhëzimi i miratuar me shpejtësi në këtë fund viti nga qeveria greke me afat deri më 16 tetor 2008, për të dorëzuar dokumentet për hipotekimin e pronave nga e para më shumë duket si thikë pas shpine për pengimin e dy vendeve fqinje me Greqinë, Shqipërisë vetëm pak kohë që Shqipëria të anëtarësohej në NATO. Vendimi i qeverisë greke duket tendencioz, duke u nisur nga fakti që shteti grek u ndalon çamëve për të hyrë në Greqi dhe kështu nuk do të mund të hipotekojnë pasuritë e tyre.

Një shqiptar, të afërmit e të cilit janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre prej qeverisë greke pas Luftës së Dytë Botërore, për të nisë procedurat për kthimin e pronës në Greqi, për të cilën ai pretendon se është pronar i saj, në radhë të parë duhet të hapë një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë të qytetit ku kjo pronë ndodhet e regjistruar. Në mënyrë absurde dhe qesharake, kërkohet që pretenduesi të përfaqësohet nga një avokat, i cili të jetë grek. Në rast se e drejta nuk zgjidhet në Gjykatën e Shkallës së Parë, çështja kalon në Shkallën e Dytë dhe në Gjykatën e Lartë.

Duke ditur pengesat e shumta si burokracitë e ambasadës greke që pengojnë lëshimin e vizave për këtë kategori qytetarësh, zgjatja e proceseve gjyqësore atëherë pasuritë dhe shqiptarëve dhe maqedonasve u përvetësuan përgjithmonë nga shteti grek pasi nuk u mundën të regjistroheshin në afatin e 16 tetorit 2008.

Pra, edhe njëherë Greqia anëtare e Bashkimin Evropian, NATO-s dhe e shumë organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut tregoji se është një shtet që shkel këto të drejtat. Historia e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Greqi është e dhimbshme dhe i ka fillimet që në vitet e para të pavarësisë së saj në shekullin e XIX.

 

Dhuna ndaj minoritetit shqiptar 1913-1945

 

Me një mjeshtëri raciste shteti grek që nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 19913 ka ditur të përzërë sistematikisht shqiptarët e Greqisë. Bëhet fjalë në përgjithësi për shqiptarët e fesë islame. Por edhe ata shqiptar ortodoks që nuk pranuan të deklaroheshin me kombësi greke u masakruan ose u përzunë nga shtëpitë e tyre për të jetuar në qytetet në thellësi të Greqisë për tu asimiluar më shpejtë. Shqiptarët që u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe ishin shtetas grek në fillim ju hoq shtetësia greke dhe i deklaruan të humbur, njerëz pa adresë. Më tej ju përvetësuan pasuritë dhe ua ndanë të tjerëve. Një pjesë e mirë e kësaj pasurie u vendosën emigrantët ortodoksë të ardhur nga Azia e vogël. Shqiptarëve që ju janë përvetësuar pasuritë nga shteti grek ndahen në dy kategori:

a). Shqiptarët që ju përvetësuar pasuria me marrëveshjen e Lozanës si popullsi e shkëmbyeshme islame me ortodoksit.

b). Popullsia shqiptare nga Çamëria që u quajt nga grekët bashkëpunëtore e pushtuesve gjermanë.

 

Me dekret ligji të viteve 1923-1932, Greqia përvetësoi të tërë pasuritë e shqiptarëve islamik me pretekstin e Marrëveshjes së Lozanës si popullsi shkëmbyese midis turqve islamik dhe ortodoksëve grekë. Kjo ide gjente mbështetje në qarkoren e Ministrisë së Bujqësisë Greke, të 1 tetor 1922, e cila urdhëronte administratën e përgjithshme të Epirit, që”… familjet e refugjatëve të stabilizoheshin në pronat e myslimanëve shqiptarë”, (AYE/A/5 (9). (Guvernatori i Përgjithshëm i Epirit, MPJ Greke, Janinë 2 mars 1923). Në qendrat kryesore të Çamërisë, si në Filat, Paramithis e Margelliç u krijuan enkas zyra për të shtetëzuar pronat e myslimanëve shqiptarë, (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923).

Në fillim të vitit 1926 në Gjenevë Kryetari i Greqisë Teodoros Pangallos bëri një deklaratë zyrtare para Lidhjes së Kombeve me të cilën Greqia njihte minoritetin shqiptar dhe nuk i quante më shqiptarët muhamedanë që jetonin në territorin e saj si popullsi turke. Ai ndër të tjera deklaroi: “Pavarësia dhe statukuoja e Shqipërisë përbëjnë interes të madh për Greqinë, sepse politika e saj është bazë për ruajtjen e paqes në Ballkan…

Teza që është mbajtur nga ne deri sot se ortodoksit shqiptar janë grekë është e gabuar dhe e shkelmuar nga të gjithë. Me që ajo ka marrë të tatëpjetën dhe arriti pikën e rraskapitjes, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë vorioepiriote që mëshironin skaje më ekstreme të këtij mendimi të sëmurë”.

Më 18 janar, ambasadori shqiptar në Athinë, Mit’hat Frashëri mori premtimin nga ministri grek i Jashtëm se do të merrej ai personalisht me çështjen e shkëmbimit të çamëve, ndërkohe që vetë z.Pangallos i deklaroi se çamët myslimanë do të përjashtoheshin nga procesi i shkëmbimit. Një muaj më vonë, në shkurt të të njëjtit vit, u shpall dhe zyrtarisht vendimi për përjashtimin e të gjithë shqiptarëve të Epirit nga masa e shkëmbimit të detyruar dhe amnistinë e çamëve që akuzoheshin për kryerjen e propagandës politike, duke i dhënë në këtë mënyrë një zgjidhje përfundimtare çështjes, zgjidhje e cila sigurisht kënaqte në mënyrë absolute palën shqiptare.

Deklarimi i Kryetarit të Republikës Greke gjenerali Teodor Pangallos për të përjashtuar shqiptarët çamë të Epirit nga masa e shkëmbimit midis popullsisë turke myslimane me popullsinë kristiane greke ishte vendimtar për ecurinë e të gjithë çështjeve. Përmbajtja e çështjes u zhvendos nga përcaktimi i prejardhjes dhe identiteti kombëtar të popullsisë myslimane të Epirit dhe nga përfshirja ose jo në masën e shkëmbimit të detyruar, në procesin e përfshirjes së saj në shtetin grek dhe respektin ose jo të të drejtave të saj nga autoritetet greke. Por çështja e shqiptarëve në Çamëri nuk do të zgjidhej edhe pse diplomatët dhe politikanët grek premtonin. Vitet në vazhdim shteti grek në emër të reformës agrare 1925-1927 u ndaloji të gjithë atyre njerëzve që nuk kishin kombësi greke të drejtën e tokës bujqësore. Italianët, francezët, gjermanët, turqit që kishin prona në Greqi u dëmshpërblyen, vetëm shqiptarët nuk u dëmshpërblyen. Pas pak vitesh do të fillonte lufta e dytë botërore. Me kapitullimin e Gjermanisë grekët rinisën masakrat mbi popullsinë shqiptare në Çamëri.

Shqiptarët çam që u përzunë në vitet 1944-1945 shteti grek i quajti bashkëpunëtor të gjermanëve dhe në mënyrë kolektive u hoqi shtetësinë greke, u përvetësojë dhe pasuritë. Me disa ligje primitive Greqia u mohoji çdo të drejtë njerëzore të gjithë atyre shtetasve grekë që nuk kishin pranuar kombësinë greke të rikthehen ndonjëherë edhe si vizitor në Greqi.

Gjatë luftës qytetare greke për pushtet 1946-1949 midis forcave të djathta dhe komuniste përmenden edhe shqiptarët e Greqisë që ishin përzënë me dhuna në vitin 1945 nga forcat e djathta që udhëhiqeshin nga Napolon Zerva. Nga dokumentat historike veçojmë kërkesat e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Greke, Marko Vafiadhis i cili i parashtroji midis shumë kërkesave Enver Hoxhës për të mundësuar çamët e përzënë të rreshtohen në ushtrinë Demokratike Greke që udhëhiqeshin nga komunistët. Në 24.09.194, Marko Vafiadhis vjen në Tiranë me nxitim për mes Korçës si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike për të kërkuar ndihmë. Markoja kërkon nga Enver Hoxha që të dërgoje çamë të dëbuar prej Greqisë në malin Gramoz, që të luftojnë përkrah kryengritësve greke…

Për sa u përket çamëve, pala shqiptare e konsideronte që tani nuk mund të përbëjnë faktor ndihmë. Shqiptarët nga Çamëria nuk donin të shkonin në luftë.

          Sipas të dhënave politikanët grekë të kohës e pranonin që çamët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat e Napolon Zervës. Në kërkesën e qeverisë demokratike greke pranohet se janë përzënë rreth 18 mijë çamë, por në fakt ky numër ka qenë më i madh. Me rëndësi është se pranohen dëbimet masive. Marko Vafiadhis ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik dhe u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet në Kuvendin e Greqisë i partisë së PASOK-ut.

Në vitet 1972- 1982, qeveritë greke nxorën ligje që u lejohej çdo shtetasi grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose kompensim. Nga këto ligje për tu rikthyer u përjashtuan shqiptarët çam edhe maqedonasit e Egjeut pasi ligji përcaktonte se i faluri duhej të kishte kombësinë greke dhe në mërgim të kishte mbajtur qëndrim kombëtar grek.

 

A ka ende në Çamëri shqiptar, shtetas të Greqisë?

 

Mendoj që nuk duhet të lind pyetja a ka çamë në Çamëri sepse pas masakrave të vitit 19945, shumë familje shqiptare nga Çamëria depërtuan thellë në Greqi për ti shpëtuat njëherë e përgjithmonë persekutimit shtetëror. Shqiptar autokton që kanë shtetësi greke jo vetëm ka në Çamëri por edhe në të tërë Greqinë.

Gjatë kërkimeve të mia kam takuar disa shtetas grekë që ishin me origjinë shqiptare në Epir. Në qytezën e Konicës të cilën e kam vizituar disa herë kam takuar grekë me origjinë shqiptare. Mbaj mend se kishte edhe të fesë islame dhe quhej Ibrahim. Ai kishte një kafene në qendër të qytezës dhe gruan e kishte nga Leskoviku i Shqipërisë. Këta grek me origjinë shqiptare nuk shiheshin mirë me sy nga pushteti vendor. Në krahinën e Çamërisë ka shumë grekë që kanë krijuar familje me vajza nga Shqipëria. Shumë prej këtyre grekëve me origjinë shqiptare për ta ruajtur origjinën janë martuar me shqiptare. Fshati Aidonta dikur quhej Ftini dhe ndodhet në Prefekturën e Prevezës së Çamërisë. Nga ky fshat është studiuesi i njohur Nikos Stylos i cili jeton prej shumë vitesh në Gjermani. Ai e pohon origjinën e tij shqiptare dhe e flet shumë mirë gjuhën e mëmës, shqipen. Niko Stylos ka shkruar për racizmin grek ndaj fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare në vitet 1950-1960 dhe ndiqnin shkollën greke. Ai është shprehur për një gazetë shqiptare: “Mësuesi na godiste me shkop, sa herë që flisnim arvanitisht (shqip, shën.A.Llalla), një shkop për një fjalë”.

Gjithnjë prindërit e fëmijëve që vinin nga familjet shqiptare thirreshin në shkollë nga mësuesit për ecurinë e fëmijëve të tyre. Ata këshilloheshin që mos të flisnin përpara fëmijëve në gjuhën shqipe, por të bisedonin vetëm greqisht. Edhe pse nën një presion të tillë çamët që u shpëtuan masakrave të ushtrisë së Zervës e ruajtën gjuhën shqipe. Shumica e shqiptarëve nga Çamëria që i përkisnin besimit fetar ortodoks pas përzënies në çamëve të fesë islame u larguan për në qytetet larg krahinës së Çamërisë.

Këto janë vetëm disa dëshmi që tregojnë se ende në Çamëri ka shqiptar që u kanë mbijetuar rrebeshëve të kohës me sakrifica të mëdha duke frymuar shqip

Tags: ,

Leave a Reply