• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KU JANË SOT BURRAT E KUVENDIT — NGA LIDHJA E PRIZRENIT TE ZËRI I RINISË SOT: NJË THIRRJE PËR BASHKIM E BASHKPUNIM NË HAPËSIRËN SHQIPTARE

June 8, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Më 10 qershor shqiptarët përkujtojnë themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngjarjen që shënoi zgjimin politik të Kombit dhe përpjekjen e organizuar për mbrojtjen e të drejtave kombëtare nga fundi i shekullit XIX. Frank Shkreli: Lidhja e Prizrenit një kthesë vendimtare për Kombin | Gazeta Telegraf. Sot, 148 vjet më vonë, mesazhi i saj nuk lexohet vetëm në faqet e historisë, por sot dëgjohet edhe në rrugët e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, ku të rinjtë shqiptarë po kërkojnë më shumë mundësi, më shumë drejtësi dhe më shumë perspektivë për të ardhmen e vet dhe të Kombit në gtrojet e veta shekullore.

Si delegatët e Lidhjes së Prizrenit, 148 vite më parë, të prirë nga Abdyl Frashëri — themelues i Lidhjes së Prizrenit dhe mund të thuhet edhe zëri i parë politik i Kombit — që u bashkuan mbi dallimet krahinore e fetare të kohës për të mbrojtur interesin kombëtar, ashtu sot rinia shqiptare po artikulon kërkesa që tejkalojnë kufijtë politikë shqiptaro-shqiptar. Në të tre qendrat kryesore të hapësirës shqiptare dëgjohet i njëjti shqetësim: largimi masiv i të rinjve, mungesa e meritokracisë, korrupsioni, papunësia, cilësia e arsimit dhe ndjenja se politika shpesh është më e përqendruar te interesat e saj personale, politike e partiake, sesa te e ardhmja e brezit të ri.

Kanë kaluar 148 vjet që nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, ngjarja më e rëndësishme politike e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në qershorin e vitit 1878, burrat më të shquar të kombit, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë, u mblodhën për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi dhe për të kërkuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Sot, pas gati një shekulli e gjysmë, rinia shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup po del në rrugë me kërkesa të tjera, por me të njëjtin shqetësim për fatin e kombit dhe të ardhmen e tij. Nëse Lidhja e Prizrenit luftonte për mbijetesën politike dhe territoriale të Shqipërisë, të rinjtë e sotëm kërkojnë mbijetesën morale, demokratike dhe shoqërore të shteteve ku jetojnë shqiptarët.

Atëherë kërkohej mbrojtja e tokës shqiptare, ndërsa sot kërkohet mbrojtja e së ardhmes shqiptare. Atëherë kundërshtohej copëtimi i trojeve nga të huajt, ndërsa sot kundërshtohen korrupsioni, padrejtësitë, kapja e institucioneve dhe mungesa e perspektivës që po detyron shumë të rinj e të reja shqiptare – më të mirët dhe më të edukuarit e Kombit në histori – të largohen nga vendi i tyre.

Megjithëse rrethanat historike kanë ndryshuar, fryma e Lidhjes së Prizrenit mbetet pothuaj e njëjtë me dëshirat e rinisë sot për dinjitet, përfaqësim, pjesëmarrje dhe të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen. Në këtë kuptim, protestat e rinisë shqiptare nuk janë thjesht reagime të çastit, por vazhdimësi e një tradite të gjatë angazhimi qytetar dhe kombëtar. Nëse Lidhja e Prizrenit ishte zëri i shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar në shekullin XIX, rinia shqiptare e shekullit XXI po përpiqet të bëhet zëri i një shoqërie që kërkon demokraci më të fortë, drejtësi dhe shpresë. Kjo është ura që lidh idealet e vitit 1878 me aspiratat e brezit të sotëm. Historia mëson se kombet ecin përpara kur dëgjojnë zërin e rinisë së tyre. Ashtu siç dëgjohet ende jehona e Lidhjes së Prizrenit e një shekulli e gjysëm më parë, edhe kërkesat e rinisë shqiptare sot, meritojnë vëmendje dhe respekt, sepse në to pasqyrohet Shqipëria dhe shqiptaria e nesërme.

Prandaj, siç e kam thënë edhe më heret, protestat dhe lëvizjet qytetare nuk duhet të shihen sot si shprehje pakënaqësie kalimtare, por si një sinjal që kërkon vëmendje kombëtare.

Sepse problemi i emigrimit të të rinjve nuk është vetëm problem i Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë së Veriut, por është një problem i gjithë kombit shqiptar. Çdo i ri që largohet nga Tirana, Prishtina apo Shkupi është një humbje për të gjithë hapësirën shqiptare. Në këtë kuptim, fryma e Lidhjes së Prizrenit në këtë përvjetor merr një domethënie të re. Në vitin 1878 sfida ishte mbrojtja e tokës dhe identitetit kombëtar. Në vitin 2026 sfida është mbajtja e rinisë në trojet e veta, krijimi i mundësive për zhvillim dhe ndërtimi i institucioneve shtetërore të drejta dhe të barabarta që u japin besim dhe shpresë të gjithë qytetarëve, pa dallim. Një komb nuk rrezikon vetëm kur humbet territore. Ai rrezikon edhe kur humbet brezin e tij më të ri, më energjik dhe më të përgatitur. Sot, ajo që duhet mbrojtur nuk është vetëm trashëgimia historike e Lidhjes së Prizrenit, por edhe e drejta e të rinjve për të ndërtuar jetën e vet në vendin e vet. Kjo kërkon më shumë bashkëpunim ndërshqiptar në arsim, ekonomi, kulturë dhe zhvillim teknologjik. Kërkon politika që e shohin rininë jo si elektorat, për përfitime partiake të pushtetit, por si partner në ndërtimin e së ardhmes.

Përvjetori i Lidhjes së Prizrenit është një kujtesë se shqiptarët kanë ditur të bashkohen kur rrezikohej e ardhmja e tyre. Sot nuk ka nevojë për kuvende lufte, por për shkëmbim idesh, projektesh dhe bashkëpunimi. Kërkesat e rinisë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup nuk janë të ndara. Ato janë pjesë e së njëjtës aspiratë për dinjitet, mundësi dhe drejtësi, nga shqiptarët për shqiptarët.

Mesazhi, pra që vjen nga Prizreni i vitit 1878 dhe nga rrugët e qyteteve shqiptare të sotme është i njëjtë: e ardhmja ndërtohet përmes bashkimit, jo përçarjes. Përmes bashkëpunimit, jo rivalitetit dhe përmes dëgjimit të zërit të rinisë, jo shpërfilljes së tij. Përvjetori i Lidhjes së Prizrenit duhet të shërbejë si një kujtesë se sfidat e kohës sonë nuk mund të përballohen me përçarje në radhët e shqiptarëve. Ashtu si në vitin 1878, edhe sot kërkohet nga të gjithë — përfshir rininë, por sidomos klasën politke shqiptare — vizion, përgjegjësi dhe besim në forcën e bashkimit. Kombet që ecin përpara janë ato që dinë të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe jo mure ndarjeje. Në këtë përvjetor të madh historik, mesazhi për shqiptarët kudo në trojet e tyre është i qartë. Është OK, të ruajnë dallimet politike si pjesë të demokracisë, por të forcojmë, njëkohsisht, unitetin kombëtar për çështjet që prekin të ardhmen e përbashkët. Ky ishte mësimi i Lidhjes së Prizrenit dhe kjo mbetet detyra e shqiptarëve sot. Sepse bashkimi në mendje, besë e zemër, nuk është vetëm një ideal historik. Ai ai është kushti themelor për zhvillimin, dinjitetin dhe fuqinë e shqiptarëve në shekullin XXI.

Edhe njëherë pra, nëse Lidhja e Prizrenit ishte projekti i mbijetesës kombëtare të shqiptarëve në shekullin XIX, atëherë investimi te rinia dhe bashkëpunimi mbarëshqiptar, duhet të jetë sot projekti kombëtar i të gjithë shqiptarëve pa dallim në shekullin XXI. Vetëm kështu do të nderohet vërtetë trashëgimia e atyre që, më 10 qershor 1878, hodhën themelet e vetëdijes politike dhe kombëtare shqiptare. Abdyl Frashëri dhe bashkëluftëtarët e tij u kanë lënë pasardhësve të tyre një mësim dhe porosi që nuk e ka humbur vlerën deri në ditët e sotëme. Se është normale në një demokraci të mirëfilltë, se shqiptarët mund dhe duhet të kenë bindje të ndryshme politike, por kur bëhet fjalë për interesat madhore kombëtare, ndër të tjera, luftën kundër korrupsionit, për arsimin, kulturën, gjuhën dhe të ardhmen e Kombit, ata duhet të flasin me një zë. Ky ishte mesazhi i Lidhjes së Prizrenit në vitin 1878. Ky është mesazhi i saj edhe në vitin 2026, nepërmjet zërit të rinisë shqiptare dhe protestave të tyre ditët e fundit në hapësirën shqiptare.

Filed Under: Interviste

Nëse disidenca ka shumë mungesa, ka ndonjëherë privilegjin e tirazhit

June 6, 2026 by s p

Viola Isufaj/

Në Shqipërinë komuniste midis viteve 1945 dhe 1990, nuk ka asnjë hapësirë për shprehje kundërshtuese ose për disidencë, ndryshe nga vende të tjera të kampit socialist. E ashpër dhe e ftohtë, censura shtetërore nuk ka krahasim as me atë në Jugosllavi. Nuk ekziston këtu vetëpublikimi ilegal, forma e vetme e qarkullimit të letërsisë disidente në Rusi, samizdati, (Vetë e krijoj, vetë e botoj, vetë e censuroj, vetë e publikoj, vetë e shpërndaj dhe vetë e vuaj burgun-siç e ka shprehur Bukovski). Megjithatë, në realitetin shtypës dhe përndjekës, ajo është e pranishme, në mënyrë të kufizuar dhe shpesh të fshehur. Dukuritë bëhen prandaj relative, një numër çështjesh vendosen në diskutim.

Në fokus të këtij punimi do të jetë cilësia estetike e letërsisë shqipe me prirje disidente përballë fenomenit ideologjiko-politik që e lindi. Këtu orvatemi të ndërtojmë një shkallare letrare të vlerave të përftuara, me qëllim studimin e dukurive shkrimore që dukshëm rrezatojnë përmbi të tjera. Raste të njohura dhe të panjohura të shkrimit në zhanre të poezisë e të prozës përbëjnë një lëndë të gjerë, brenda së cilës lindin krahasime dhe kërkohen argumentime.

Studimi ndjek konkretisht se si zhvillohet udhëtimi drejt qendrës së qenies; në cilat mënyra Zef Zorba, Mihal Hanxhari, Robert Prifti, po edhe Arshi Pipa, Kasëm Trebeshina dhe të tjerë mund të zbulojnë disa aspekte të karakterit, personalitetit dhe ekzistencës.

1.a. Tirazhet mbrojtëse: Shkrimtarët disidentë shpesh kanë pasur një ndikim të madh në shoqëritë e tyre dhe përtej tyre, duke iu kundërvënë regjimeve totalitare dhe duke u përballur me represionin. Disa prej këtyre autorëve kanë arritur të publikojnë vepra që kanë arritur te marrësi përmes një numri të lartë kopjesh, duke ndihmuar në ndërgjegjësimin për çështjet politike dhe sociale në vendet përkatëse si dhe jashtë tyre. Josif Brodski, e të tjerë, në forma të ndryshme e kundërshtuan komunizmin, të vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte qëndrimi i tyre. Disa shkrimtarë të tillë që kanë arritur të kenë tirazh po i rendisim më poshtë:

-Doktor Zhivago i Paternakut u bë një fenomen botëror – me ndihmë, sigurisht, nga shtypshkronjat e CIA-s dhe taktikat guerile të shpërndarjes së romanit. Lidhja e Shkrimtarëve Rusë refuzoi botimin e këtij libri të konsideruar autobiografik e me tone negative ndaj Revolucionit të Tetorit të shkruar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Kopjet e veprës u sekuestruan nga qeveria komuniste ruse, çka u bë shkaku i një persekutimi intelektual të shkrimtarit. Por dorëshkrimi origjinal i Doktor Zhivagos që i shpëtoi sekuestrimit, kaloi kufijtë rusë. Feltrinelli, shtëpia botuese italiane realizoi në vitin 1957 botimin e parë të këtij libri. Ai përkthye në disa gjuhë duke e kthyer veten në simbol të realitetit rus, vuajtjeve e dhimbjeve që derivonin nga idealizmi Bolshevik.

-A. Sollzhenicin, fituesi i çmimit Nobel, figurë e njohur e disidencës nën regjimin sovjetik, ishte i pari që i zbuloi botës realitetin e sistemit të kampeve sovjetike në veprat: Një ditë nga Ivan Denisoviç, Rrethi i parë dhe Arkipelagu Gulag, që dokumentuan represionin në Bashkimin Sovjetik. Ai ishte një kritik i njohur i regjimit sovjetik dhe sidomos me Arkipelagun Gulag arriti lexueshmëri të madhe dhe ndikoi në mënyrën se si bota e perceptonte Bashkimin Sovjetik.

Sollzhenicini është cilësuar si rrëfimtari i të vërtetës, ai rrezikoi gjithçka, për të goditur në zemër besueshmërinë e shtetit sovjetik. Doris Lesing, romancierja dhe dramaturgia britanike, për kryeveprën e Aleksandër Solzhenicinit Arkipelagu Gulag u shpreh: “…ajo ndihmoi për të rrëzuar një perandori. Rëndësia e saj vështirë se mund të ekzagjerohet”.

– Të dyja veprat e G. Orwell: 1984 dhe Ferma e kafshëve të bëra të njohura në mbarë botën që trajtojnë përkatësisht temën e mbikëqyrjes dhe të totalitarizmit, dhe, përmes një satire temën mbi revolucionet dhe pabarazitë- kanë pasur një ndikim të madh dhe janë shitur në miliona kopje.

-Vaclav Havel, si disident në Çekosllovaki dhe më vonë president i saj post-komunist, shkroi shumë vepra që reflektonin mbi situatën politike dhe sociale. Shkrimet e tij janë botuar gjerësisht dhe kanë arritur të kenë një ndikim të madh. E kemi fjalën sidomos për The Garden Party/Festa në kopsht dhe Open Letters/Letrat e hapura.

-Herta Müller. The Hunger Angel-i saj është e njohur për kritikën ndaj regjimit komunist dhe për përvojat si disidente. Vepra e saj ka arritur në sytë e shumë lexuesve në mbarë botën.

-Autorë shqiptarë. At Zef Pllumbi. Brenda asaj që mund të quhet disidenca letrare shqipe, At Zef Pllumbi ka arritur të ketë një marrës kaq të gjerë, ndihmuar, sigurisht, nga përmbajtja e fortë dhe mesazhet e fuqishme që kanë dalë nga përvojat e tij në burg. Ai vjen jo vetëm si dëshmitar i një epoke të errët, por si një figurë e lartë morale, që i qëndroi një “sistemi përbindësh” – një regjimi antinjerëzor, të egër dhe shkatërrues.

Ai shkoi te shumë lexues për shkak të narracionit të tij të rrjedhshëm, të gjallë dhe të vërtetë por edhe për shkak se nuk u përgjigj me urrejtje– cilësi e thellë e krishtërimit dhe e qytetërimit perëndimor, që i kundërvihet padijes dhe mizorisë. Kjo kontrast i fortë thekson përplasjen midis dy botëve: njëra bazuar në dhunë dhe padije të thellë, tjetra në dije, moral dhe besim. Simbol i integritetit moral, At Zef Pllumbi e shndërron veten dhe historinë në një mësim më vete, një dritë që sfidon errësirën. Ai e kthen veten në institucion.

-Ismail Kadare. Thënia që u vendos si titull i kësaj trajtese u përdor në revistën Le Point me titullin Lexoni Kadarenë ku thuhet se: Nëse gjithçka do shkojë keq, ai më në fund do të lexohet në Perëndim, siç e meriton… Sepse, nëse disidenca ka shumë mungesa, duhet ditur se, ajo, ka privilegjin e tirazhit… Tani, do të duheshin, ndoshta, peticione, mbledhje, ose një manifestim, por gjithë ky agjitacion do të duhej të përmblidhej në një parullë të vetme politike: lexoni Kadarenë.” (Jean-Francois Fogel, Lisez Kadare, Le Point, 7-13 juin, 1982).

Studiuesi Kuçuku thekson se nxitja e mbrojtja e Kadaresë, më shpesh e pashkruar në gazeta dhe e pashqiptuar në forume institucionesh, është mishëruar në tirazhet e botimeve.

Shembulli i romanit Pallati i Ëndrrave është domethënës: përveç një reagimi zyrtar të ashpër – përfshirë një Referat kritik në plenum– nuk pati asnjë kritikë të shkruar në Shqipëri deri në fund të viteve ’90, kaq e mbyllur dhe e shtypur ishte mundësia e debatit letrar.

Nga ana tjetër: shtypi francez për herë të parë mbrojti shkrimtarin nga kritikat institucionale në Shqipëri. Gazeta “Le Monde” me titullin “Sulme të ashpra kundër Ismail Kadaresë’ dha njoftimin dhe shpjegoi arsyet e sulmit. “Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i dëgjuar është sulmuar me zemërim dhe për një kohë të gjatë në punimet e plenumit të fundit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë… veçanërisht për ‘trajtim subjektivist të elementeve historike dhe përdorimin arbitrar të legjendave të vjetra shqiptare…”.

Disidenca, ndonëse e karakterizuar nga mungesa të thella në liri, në mbështetje dhe shprehje të hapur, ka herë pas here privilegjin e tirazhit, siç dëshmohet dhe më lart nga rasti i Ismail Kadaresë.

Vepra e Kadaresë është një prej më të lexuarave e duket sikur tirazhi erdhi si shpërblim për qëndresën estetike dhe për mprehtësinë e strategjive krijuese.

Kadare përdori mjete të tjera për të shprehur kundërshtinë: simbolikën, mitin, legjendën, strukturat metaforike. Përmes tyre, ai mundi të ndërtonte një fabul të tiranisë, një formë e brishtë dhe inteligjente e mendimit ndryshe, pa arritur asnjëherë formën klasike të fenomenit të disidencës letrare.

Pa qenë disident, zëri i tij është kompleks, i thellë dhe i vlerësuar. I shprehur përmes artit të koduar, ky zë u përkrah ndërkombëtarisht, duke e kthyer në një zë me ndikim të gjerë.

Mbrojtja e pashkruar u manifestua më vonë në përkrahjen ndërkombëtare dhe në tirazhe të mëdha, çka nënkuptonte se mungesat (heshtja, izolimi, censura) e bëjnë leximin e tij një akt politik dhe moral. Domethënë, përpos talentit të lindur, mungesa e përkrahjes brenda vendit i dha jehonën – privilegjin e tirazhit, suksesin ndërkombëtar. Është një rast i ndryshëm nga ai i Trebeshinës.

Pjesa 1.

Filed Under: Interviste

“Emri i Trëndafilit” dhe “E Kuqja”, kur arti dhe libri bëhen kërcënim për pushtetin

June 5, 2026 by s p

Eneida Jacaj/

Në çdo shoqëri, pavarësisht kohës apo zhvillimit teknologjik, ekziston një tension i vazhdueshëm mes asaj që lejohet të thuhet dhe asaj që duhet të mbetet e heshtur. Historia tregon se pushteti rrallë është mjaftuar vetëm me kontrollin fizik të njerëzve, shpesh mënyra më efektive për të ruajtur rendin ka qenë kontrolli mbi mendimin. Edhe sot, në një epokë që shpesh quhet “epoka e informacionit të lirë”, kjo përplasje nuk është zhdukur, ajo ka marrë forma më të sofistikuara, ku censura nuk është gjithmonë e dukshme, por vepron përmes filtrimit, presionit social dhe kufizimit të zërave kritikë.

Kjo mënyrë e kontrollit mbi idetë nuk është thjesht një fenomen i së kaluarës, por një mekanizëm që përsëritet në forma të ndryshme gjatë historisë njerëzore, pikërisht këtë realitet, ku mendimi i lirë përplaset me frikën nga ndryshimi, e trajtojnë në mënyrë të thellë edhe dy nga romanet më të njohura të letërsisë bashkëkohore, “Emri i Trëndafilit” i Umberto Ecos dhe “E Kuqja” i Orhan Pamukut.

Librat janë ndaluar, idetë janë etiketuar si të rrezikshme, ndërsa format e reja të artit apo të shprehjes janë parë si kërcënim ndaj traditës dhe autoritetit. Në pamje të parë, një manastir mesjetar në Evropë dhe oborri i Perandorisë Osmane në shekullin XVI duken si botë krejt të largëta nga njëra-tjetra, megjithatë në thelb të dy romanet ndërtojnë një realitet të përbashkët, një shoqëri ku dija dhe arti nuk janë të lira, por të mbikëqyrura, të kufizuara dhe shpesh të rrezikuara nga pushteti ose tradita. Në këtë hapësirë të mbyllur, çdo ide e re shihet si kërcënim, dhe çdo përpjekje për ta shprehur atë mund të ketë pasoja të rënda.

Te “Emri i Trëndafilit”, një libër i fshehur bëhet shkaku i një serie vrasjesh misterioze, sepse përmbajtja e tij shihet si e rrezikshme për rendin fetar dhe intelektual të kohës. Hetimi i këtyre ngjarjeve zbulon një sistem ku dija ruhet me fanatizëm dhe ku kontrolli mbi informacionin bëhet mjet pushteti. Në këtë mënyrë, libri nuk është thjesht objekt, por simbol i frikës që pushteti ka nga mendimi i lirë.

Në mënyrë të ngjashme, në “E Kuqja”, një projekt sekret pikturash në oborrin osman kthehet në burim konflikti, sepse sfidon mënyrën tradicionale të të shprehurit artistik. Ndërthurja e stilit lindor me ndikime perëndimore nuk shihet vetëm si risi, por si rrezik për identitetin kulturor. Kjo përplasje mes së resë dhe së vjetrës çon në tensione që përshkallëzohen deri në dhunë, duke treguar se edhe arti mund të bëhet fushë beteje për ideologjitë.

Në këtë mënyrë, dy romanet lidhen natyrshëm me një realitet më të gjerë, idetë e reja shpesh nuk përballen vetëm me debat, por me përpjekje për t’u heshtur. Qoftë përmes një libri të ndaluar apo një forme të re arti, mesazhi mbetet i njëjtë, kur një shoqëri frikësohet nga ndryshimi, ajo tenton ta kontrollojë atë duke kontrolluar mendimin vetë.

Filed Under: Interviste

Një reflektim mbi temat historike në filatelinë shqiptare

June 4, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Kur të tjerët na kujtojnë mbretërit tanë.

Më 20 maj 2026, Posta e Bosnjë-Hercegovinës emetoi një pullë postare kushtuar mbretëreshës ilire Teuta, një prej figurave më të njohura të historisë së lashtë të Ballkanit. Teuta sundoi Mbretërinë Ilire në shekullin III para erës sonë dhe mbetet simbol i një periudhe kur ilirët kishin organizim shtetëror, fuqi detare dhe një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të rajonit. Ky emetim është për t’u përshëndetur, por njëkohësisht ngjall një reflektim të natyrshëm: si është e mundur që pas më shumë se një shekulli filateli shqiptare, figura të tilla ne ende na mungojnë, ndersa te tjeret i pasqyrojne ne programet e tyre filatelike?

Në pamje të parë mund të duket se filatelia shqiptare ka trajtuar pothuajse çdo fushë të jetës kombëtare: historinë, kulturën, florën, faunën, sportin, shkencën, arsimin dhe personalitetet e shquara te fushave te ndryshme. Megjithatë, kur ndalemi te lashtësia, vërejmë një boshllëk të dukshëm. Në emisionet tona filatelike mungojnë figura themelore të shtetformimit ilir, si Bardhyli, Agroni, Teuta, Genti e te tjere sundimtarë që krijuan, zgjeruan dhe forcuan mbretëri ilire, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e Ballkanit para pushtimit romak. Historia e mbretërive ilire përbën një nga kapitujt më të rëndësishëm të antikitetit në Europën Juglindore. Bardhyli arriti të bashkojë disa fise ilire në një formacion të fuqishëm politik; Agroni e çoi Mbretërinë Ilire në kulmin e fuqisë së saj; Teuta u bë një nga gratë më të njohura të botës antike; ndërsa Genti mbeti simbol i përpjekjes për të ruajtur pavarësinë përballë ekspansionit romak.

Këto nuk janë figura periferike të historisë, por personazhe që përfaqësojnë kulmin e organizimit politik të ilirëve. Mungesa e tyre në filatelinë shqiptare bëhet edhe më e habitshme kur kujtojmë se Posta Shqiptare i ka kushtuar disa emisione perandorëve romakë me origjinë ilire. Keshtu me 2003 (me imazhet e Dioklecianit,Justinianit i pare, Klaudi i dyte dhe Kontadini i madh); me 2007(me imazhet e Galerio Maksimiliani dhe Flavio Anastasi) dhe me 2008(Deci dhe Maksimiani i Trakes). Këta perandorë, pa dyshim, kanë rëndësinë e tyre në historinë europiane dhe dëshmojnë edhe për rolin që popullsitë ilire luajtën në Perandorinë Romake. Megjithatë, ata ishin para së gjithash drejtues të një perandorie të huaj, të lidhur me institucionet dhe interesat e saj.

Natyrisht, kjo nuk nënkupton se ata nuk duhej të përfaqësoheshin në filatelinë shqiptare. Por lind pyetja nëse përparësia duhej t’u ishte dhënë figurave që mishërojnë drejtpërdrejt historinë shtetformuese të trojeve tona? Nëse do të ndiqnim vetëm kriterin e origjinës, atëherë filatelia shqiptare do të duhej të përfshinte në mënyrë të gjerë edhe vezirët e mëdhenj shqiptarë të Perandorisë Osmane, gjeneralë apo personalitete të tjera që bënë karrierë në shërbim të shteteve të huaja. Kontributi i tyre mund të jetë i rëndësishëm, por ai i përket kryesisht historisë së atyre shteteve. Ndërsa mbretërit ilirë dhe princërit arbërorë përfaqësojnë drejtpërdrejt traditën politike dhe shtetformuese të këtyre trojeve, ndaj do të ishte e natyrshme që ata të zinin një vend më të dukshëm në filatelinë shqiptare.

Pra konstatohet qe mungesat nuk kufizohen vetëm te lashtësia ilire. Edhe periudha e Arbërisë mesjetare mbetet e papërfaqësuar. Historia shqiptare njeh princër, principata, familje fisnike, diplomatë dhe luftëtarë që luajtën rol vendimtar në ruajtjen e identitetit politik e kulturor ndër shekuj. Edhe pse heraldika princerore shqiptare është pasqyruar në disa emisione filatelike përmes stemave të familjeve fisnike, ende mungojnë trajtime më të plota kushtuar figurave dhe ngjarjeve të kësaj periudhe. Familje si Topiajt, Muzakajt, Balshajt, Dukagjinët, Kastriotët dhe Arianitët përbëjnë një trashëgimi historike që meriton më shumë vëmendje.

Emetimi pullës i Mbretereshes Teutë nga Bosnjë-Hercegovina shërben si një kujtesë e dobishme. Ai na tregon se vendet e tjera nuk hezitojnë të promovojnë edhe figurat më të hershme të historisë së tyre, madje shpesh figura me ndikim shumë më të kufizuar sesa ato që gjejmë në historinë ilire dhe arbërore. Ndërkohë, Shqipëria disponon një trashëgimi historike jashtëzakonisht të pasur, e cila ende nuk është pasqyruar në mënyrë të plotë në filateli.

Kjo çështje nuk lidhet vetëm me filatelinë, por me faktin qe pulla postare eshte dokument kulturor dhe historik unik. Ajo shpreh mënyrën se si një komb zgjedh të përfaqësojë veten dhe të transmetojë kujtesën e tij. Për këtë arsye, temat filatelike nuk duhet të pasqyrojnë vetëm figura te shekujve te fundit, por edhe rrenjet dhe vazhdimësinë historike të identitetit kombëtar.

Në fund të fundit, një komb nuk e ndërton kujtesën e tij vetëm mbi historinë e afërt. Ai forcon identitetin duke nderuar edhe kohen më të hershme të ekzistencës së vet. Për këtë arsye, pasqyrimi filatelik i mbretërive ilire dhe i Arbërisë mesjetare nuk duhet parë thjesht si plotësim i disa mungesave tematike, por si një detyrim kulturor ndaj historisë sonë. Vetëm kështu filatelia shqiptare mund të japë një pamje më të plotë të rrugëtimit historik të popullit shqiptar, nga lashtësia e deri në ditët tona, pa na u dashur që mbretërit tanë të na i kujtojnë të tjerët.

Filed Under: Interviste

Megi Xhemali: Një Rozafë në Staten Island…

May 30, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Zonja Xhemali si lindi projekti “Biblioteka e Megit”? Cilët ishin mbështetësit, bashkëpunëtorët, si u bë realizimi i ptojektit kulturor?

1. Pasi u bëra nënë, kalova një periudhë shumë të vështirë depresioni pas lindjes. Për ta nxjerrë veten nga ajo gjendje, fillova të lexoja shumë libra. Vetëm vitin e parë lexova 53 libra dhe ata libra më ndihmuan jashtë mase. Një ditë po dëgjoja një vajzë, Leolida Xhufi, drejtuese e Pink Movement, që fliste për libra dhe mendova: “Nëse këta libra po më ndihmojnë mua kaq shumë, pse të mos ndihmojnë edhe vajza të tjera?” I dërgova lekë për të blerë disa libra që më kishin frymëzuar shumë, me idenë që t’i falnim.

Por ajo më tha diçka që më ndryshoi mendimin: “Nëse i falim 10 libra, ndihmojmë 10 persona. Nëse i huazojmë, mund të ndihmojmë qindra.” Dhe kështu lindi ideja.

Fillimisht, librat shpërndaheshin nga bagazhi i një Smart-i dhe Leolida e shpalli “Biblioteka e Megit”. Unë dhe shoqja ime, Saranda Haxhijaj, ishim disa nëna të reja, me fëmijët në krah, duke mbledhur libra dhe duke i çuar atje ku kishte nevojë.

Më pas, fjala u përhap në komunitet. Gra që punonin në shkolla na telefononin sepse shkollat po zëvendësonin fondet e librave. Silva Foto na ndihmoi të mblidhnim shumicën, rreth 3000 libra. Këta ishin libra shumë të mirë — histori, matematikë, informatikë, Shakespeare. Pastaj nisëm edhe me mjete shkollore. Shkonim nga një Target te tjetri, nga një Walmart te tjetri, duke blerë crayons, fletore e lapsa. Edhe nëna të tjera të komunitetit ndihmonin me aq sa kishin mundësi.

Kjo nismë është falë grave shqiptare, nënave tona që bëjnë sakrifica në heshtje. Një nga momentet që më ka prekur më shumë ishte kur një djalë i vogël pa crayons dhe pyeti nëse mund të merrte vetëm një. Zgjodhi ngjyrën blu dhe u gëzua jashtë mase vetëm për atë. Aty kuptova sa shumë vlerë mund të ketë një gjë e vogël për një fëmijë. Dërgimi i librave ishte falë Burim Fides, që na përkrahu dhe na ndihmoi për t’i nisur.

2. “Perk Up Coffee House” apo “Kafja e Grave” si e quani, çfarë ka sjellë në komunitet si ide biznesi dhe nismë sociale?

2. Perk Up Coffee House lindi sepse unë dhe motra ime, Dorina Dashi, gjithmonë kemi dashur një kafene që të ishte edhe për ne. Një hapësirë e sigurt për të shkëmbyer ide, për t’u takuar, për të ndarë libra, për të promovuar njëra-tjetrën, për të organizuar pop-ups dhe për të krijuar komunitet. Diku ku mund t’i sillnin edhe fëmijët.

Të dyja jemi nëna dhe kishim nevojë për një vend ku fëmijët janë të mirëpritur. Më pëlqen të bëj shaka dhe ta quaj “Kafja e Grave”, por në të vërtetë është një kafene familjare. Është një vend ku festohet familja dhe ku mundohemi të krijojmë një ambient që bëhet si ngjitës për familjet — një vend ku mund të vish si familje, ku takon familje të tjera ose njerëz që ende besojnë te struktura familjare dhe te komuniteti. Ne nuk jemi krijuar për të jetuar vetëm, për të punuar vetëm apo për t’i kaluar sfidat vetëm. Jemi krijuar për të qenë bashkë dhe për të punuar bashkë që të ecim përpara.

3. Si lindi projekti për muralen e Rozafës në Statën Island? Pse e zgjodhët dhe cila është historia?

3. Ditën e parë që pashë atë mur vetëm me flamurin amerikan, mendova me vete: “Si ka mundësi që një dyqan shqiptar, i mbajtur gjallë me djersë shqiptare për dekada, të mos ketë asnjë gjurmë të vetën në mur?” Kjo është pronë shqiptare. Kanë kaluar breza shqiptarësh aty. Është mbajtur hapur me punë, sakrificë dhe shumë net pa gjumë. Dhe unë ndjeva që ai mur kishte nevojë të tregonte edhe historinë tonë.

Për dy vite e mbajta atë ide brenda vetes, derisa një ditë nuk e mbajta më. I kërkova leje familjes Çela — dhe jam shumë mirënjohëse që ma besuan atë mur.

Fillimisht nisi me Rozafën. Kur artisti italian pa figurën e saj, më tha: “Kjo nuk është thjesht pikturë. Kjo është histori.” Dhe dita-ditës e shikoja Rozafën duke marrë formë. Sa më shumë formohej ajo, aq më shumë më merrte malli për Shkodrën.

Pastaj vendosëm edhe flamurin shqiptar pranë atij amerikan. Dhe aty pati reagime. Disa njerëz menduan se po hiqnim flamurin amerikan. Por jo — ne nuk po zëvendësonim asgjë. Ne thjesht po i jepnim vetes leje të ekzistonim edhe vizualisht.

Ne jemi shqiptaro-amerikanë. Respektojmë flamurin amerikan, sepse kjo është shtëpia jonë. Por respektojmë edhe rrënjët tona, kulturën tonë dhe sakrificën e familjeve tona. Unë kam ardhur këtu në vitin 1996, por stërgjyshi im ka ardhur në Amerikë në vitin 1913. Historia jonë këtu është e vjetër. Është reale.

Dhe ishte shumë e rëndësishme për mua që fëmijët shqiptarë në dy shkollat përballë, apo çdo shqiptar që kalon aty çdo ditë, ta shikojë atë mur dhe të ndiejë: “Edhe unë përkas këtu.”

Sepse Rozafa, për mua, nuk është vetëm legjendë. Rozafa është çdo nënë që sakrifikon qetësinë e saj për t’u dhënë fëmijëve një jetë më të mirë. Rozafa jam unë, duke mbyllur dyqanin natën me fëmijët në krah dhe duke e hapur prapë në mëngjes. Rozafa është sakrifica jonë për të ardhmen.

Muralja u hap një ditë para ditëlindjes sime dhe për mua ishte një rikujtim: të mos e jetojmë jetën bosh. Të mos presim gjithmonë nga të tjerët për të bërë diçka. Sepse ndonjëherë një murale, një libër apo edhe një ide e vogël… mund ta bëjë dikë të ndihet se përket.

4. Për çfarë ka më shumë nevojë komuniteti ynë në aspektin social Megi? Cilat janë sfidat me të cilat ndeshemi çdo ditë?

4. Mendoj se komuniteti ynë shqiptar ka nevojë të flasë më hapur për sfidat reale që po kalojnë familjet tona. Duhet të flasim për autizmin, shëndetin mendor, problemet shëndetësore dhe vështirësitë që shumë prindër përjetojnë çdo ditë. Nuk duhet të kemi turp nga këto tema — përkundrazi, duhet të krijojmë më shumë mirëkuptim dhe mbështetje për njëri-tjetrin.

Një tjetër nevojë shumë e madhe është mungesa e programeve verore dhe aktiviteteve për fëmijët tanë. Ne kemi shumë shoqata shqiptare në New York dhe besoj se ato mund të bëjnë edhe më shumë në nivel praktik për familjet. Për shembull, mësuesit shqiptarë, të cilët gjatë verës kanë më shumë kohë të lirë, mund të organizojnë programe edukative, kulturore ose sportive për fëmijët në bashkëpunim me shoqatat tona. Gjithashtu, nxënësit e shkollave të mesme që kanë nevojë për orë vullnetare mund të përfshihen si ndihmës. Kështu krijohet një zinxhir ndihme dhe bashkëpunimi brenda komunitetit.

Për mua, kjo është mënyra si mbahet gjallë “Besa-Besë” — jo vetëm me fjalë apo flamuj, por me vepra konkrete, me përkujdesje dhe me mbështetje reale për njerëzit tanë.

5. A keni një falenderim të veçantë dhe dedikim për mbështetjen ndaj nismave tuaja?

5. Dua të falënderoj çdo person që kontribuon me zemër për komunitetin shqiptar, sepse çdo ndihmë, çdo këshillë dhe çdo mbështetje ka vlerë. Shpresoj që përmes më shumë bashkëpunimi, respekti dhe uniteti, të ndërtojmë një komunitet edhe më të fortë për brezat që vijnë. Mendoj gjithashtu se komuniteti ynë duhet të flasë më hapur edhe për sfidat që po kalojnë të rinjtë dhe familjet e reja sot. Bota ka ndryshuar shumë dhe shpesh ekziston një hendek mes pritshmërive tradicionale dhe realitetit modern që jetojnë burrat dhe gratë e brezit tonë. Kjo ka krijuar vështirësi në komunikim, partneritet dhe krijimin e familjeve të shëndetshme.

Ndoshta kemi nevojë për më shumë dialog, mirëkuptim dhe mbështetje reciproke — jo për të fajësuar njëri-tjetrin, por për të kuptuar më mirë sfidat që secili po përjeton në këtë kohë.

Fundimisht, besoj se forca e një komuniteti nuk matet vetëm me sukseset që tregon, por me mënyrën si kujdeset për njerëzit e vet. Nëse mbështesim familjet, fëmijët, të rinjtë dhe njëri-tjetrin me më shumë mirëkuptim e bashkëpunim, atëherë po ndërtojmë diçka që ka vërtet vlerë për brezat që vijnë. Shpresoj që komuniteti ynë të vazhdojë të ecë përpara me më shumë unitet, më shumë vepra konkrete dhe me frymën e vërtetë të “Besa-Besë” — jo vetëm në fjalë, por në jetën e përditshme.

Filed Under: Interviste

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 221
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • One Nation. One Language. One Flag
  • KU JANË SOT BURRAT E KUVENDIT — NGA LIDHJA E PRIZRENIT TE ZËRI I RINISË SOT: NJË THIRRJE PËR BASHKIM E BASHKPUNIM NË HAPËSIRËN SHQIPTARE
  • DELIRANTËT, SHARLATANËT DHE HONXHO-BONXHOT
  • Albania at a Crossroads: The Voice of a New Generation
  • “Gjenerali” i fasadave…
  • Kushtrimi i Lidhjes së Prizrenit…
  • Festivali i Shkollave Shqipe “Alba Life” kurorëzoi me plot sukses vitin akademik 2025-2026
  • George Orwell, “Nineteen Eighty-Four”
  • STUDENT MOVEMENT – ALBANIA 2035 MOVEMENT
  • Festivali Shqiptar në Waterbury solli dy ditë krenarie, tradite dhe bashkimi komunitar
  • Shqiptarët e Amerikës protestuan në New York kundër korrupsionit, vjedhjes, babëzisë, qeverisë…
  • Gjykatësi Federal rrëzon vendimet e Administratës Trump për ndalimim e udhëtimit drejt SHBA-ve për qytetarë të 39 vendeve të botës
  • KOSOVA, ASNJË KOMPROMIS MBI SHTETËSINË PA NJOHJE TË PLOTË NGA SERBIA DHE GARANCI TË PAKTHYESHME PËR ULËSEN NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA
  • Hetim dhe mbrojtje të pasurive publike në Shqipëri
  • BEYOND THE NOISE: TO WHOM SHOULD ALBANIANS LISTEN?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT