Nga Kastriot Dervishi
Ai u nis nga Bostoni drejt Shqipërisë më 1 gusht 1908 me anijen “Republika”. Fillimisht ndaloi në Liverpul, pastja në Londër, Paris e Marsejë, e prej këtu për në Stamoll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, ku bordi amerikan kishte zyrën kryesore për Lindjen e Afërme. Bashkë me të ishin gruaja e tij, djali 9 vjeçar Erli, vajza 8 vjeçare Liza dhe djali i vogël 5 vjeçar Poli, duke u bërë pas pak kohe, rezidenti i parë amerikan që do të vendosej në Shqipëri bashkë me familjen e tij. Ishte prift protestan dhe quhej Charls Tellfort Ericson.
“Ne qemë nisur për të ngritur një mision në Shqipëri, kështu sipas ditarit tim, të piktuar në atë kohë, e vetmja gjë që shihja, përsiatja dhe flisja, ishte Shqipëria. Veprimtaritë e tjera, si t’i kisha të paralizuara” (Charls Tellfort Ericson “Pesë vjet në Shqipëri”, faqe 12) shkruan ai në kujtimet e tij, për çastin kur i qe drejtuar tokës shqiptare.
Pas mbërritjes në Selanik, së bashku me familjen ai ka udhëtuar me tren drejt Manastirit, ku gjendej një qendër e misionit për vajza. Më 5 shtator 1908 është vendosur në Korçë, për të cilën në kujtimet e tij shprehet:
“Sa u befasuam me Korçën! Shtëpiat të dukeshin si ato që kishim parë në rrugët më të mira të qyteteve amerikane, ndërsa banorët e saj, me të arritur ne, na uruan mirëseardhjen dhe na folën në gjuhën amerikane. Korça i ngjante së tepërmi disa qyteteve gjermane apo skandinave të Amerikës” (faqe 14).
Në Korçë zhvillonte veprimtarinë e tij Misioni Shqiptaro Amerikan i prirë prej anëtarëve të familjes Qiriazi.
Charls Tellfort Ericson ka qëndruar vetëm tri javë në Korçë, për të udhëtuar sërish drejt një qyteti tjetër të Shqipërisë, Tiranës. Rrugën për këtu e bëri duke u nisur nga Saranda për në Durrës. Në Tiranë, Ericson u vendos në një shtëpi në rrugën e Dibrës, për të lëvizur sërish në drejtim të Elbasanit, për të cilin në kujtimet e tij shkruan: “Vendasit më kishin pritur me përzemërsi, madje më kishin lutur që të rrija e të hapja një shkollë shqipe” (faqe 38).
Për transferimin e misionit nga Korça për në Elbasan, ai shkruan se këtu kërkohej blerja e një trualli dhe ndërtimi i dy shtëpive dhe i një shkolle për vajza. Fillimisht u hap një shkollë për djem me drejtor Kristo Dakon, e cila u mbyll pas martesës së tij me drejtoreshën e shkollës së vajzave në Korçë, Sevasti Qiriazi.
Ericson dhe misioni i tij
Charls Tellfort Ericson ka lindur më 15 korrik 1867 në shtetin Ilinois. U diplomua në Universitetin De Paux. Më vonë studioi edhe në Fakultetin e Teologjisë në Univeristetin e Bostonit dhe pastaj në Universitetin “Yale” ku u bë doktor në teologji.
U dërgua si misionar në Shqipëri. Nga qëndrimi i gjatë sidomos në Elbasan mësoi mjaft mirë dhe gjuhën shqipe si dhe mund të thuhet se është rezidenti i parë amerikan në Shqipëri.
Kur më 2 9 shtator 1909, në Elbasan u mblodh kongresi që vendosi ndër të tjera edhe ngritjen e shkollës Normale, ai ndodhej në këtë qytet. Në kongres merrnin pjesë edhe misionarët Sevasti Qiriazi (Dako), Katerina Cilka (për Korçën) dhe Kristo Dako (për Tiranën, ndonëse në atë kohë banonte në Elbasan).
Në Elbasan u mendua të ngrihej një kolegj i madh amerikan, kolegj i cili ishte menduar më parë të ngrihej në Korçë. Ndoshta shkaku i ndërrimit të kursit nga Korça për në Elbasan është mbajtja më këtë kohë e Kongresit të Elbasanit.
Çifti Kenedi që kishte ndihmuar në Korçë për rihapjen e mësonjtores së qytetit, vjen në Elbasan dhe së bashku me Eriksonin, me fondet e Misionit Amerikan të Ballkanit, në periudhën maj qershor 1909, blejnë një truall në zonën e Krastës në lindje të qytetit, me qëllimin e ngritjes së një kolegji në vitin 1910. Në atë kohë korçari Grigor Cilka shkruajti në gazetën “Dielli” të datës 18 qershor 1909: “Shumë mirë dhe fort e pëlqyer do të jetë në u bëftë kjo shkollë në Elbasan….Sido që vetë jam korçar, nuk e kam për turp të them se elbasanasit janë më tepër mirënjohës…Njoh nga afër atdhetarë elbasanas dhe kam të madhen shpresë se Elbasani do arrijë më të lartën shkallë se çdo qytet tjetër i Shqipërisë” (shih “Normalja në fokus të bashkohësisë” në pjesën “Mjedisi arsimor, kulturor e më gjerë në Elbasan, në prag të çeljes së Normales dhe prania amerikane në të gjatë vitit 1908 1920″, të autorit prof. i asocuar dr. Kujtim Bevapi, faqe 53).
Mirëpo shumë shpejt trualli i blerë tek tre pronarë elbasanas, u shpronësua nga qeveria e kohës “për nevojat e saj”, duke prerë në mes ëndrrën e Ericsonit për të ndërtuar një shkollë model në zemër të Shqipërisë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, në mesin e vitit 1910, në Elbasan erdhi vetë gjenerali i hekurt Shefqet Turgut Pasha (me të cilin pati probleme deri në arratisje edhe Shefqet Vërlaci). Shtëpia e Ericsonit kontrollohet nga forcat e tij, më 16 qershor 1910, dhe ai detyrohet të shpërngulet për në Manastir, për t’u kthyer sërish në Elbasan, më 11 tetor 1911. U bë dëshmitar edhe i pushtimit serb të Durrësit dhe Elbasanit. Komandanti i trupave serbe e akuzoi si antiserb. Sipas vetë Ericsonit “ai kishte marrë vendimin të më dëbonte aty për aty”.
Në pranverën e viti 1913, Erikson rikthehet sërish në Shqipëri dhe bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, duke u vendosur edhe këtë herë në qytetin e Elbasanit. Mirëpo edhe këtë herë detyrohet të largohet nga Shqipëria pas djegies që iu bë shtëpisë së tij nga forcat ushtarake serbe që kishin pushtuar Elbasanin. Largimi i kësaj here ishte edhe më i dhimbshëm pasi Eriksonit i kishte vdekur në Lozanë të Zvicrës edhe djali i madh Erli (shih Iliaz Gogaj “Shkollat amerikane në Shqipëri”, Tiranë 1995, faqe 143 144).
Në vitin 1913 ai do të largohej nga Shqipëria për t’u rikthyer në pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Gazeta “Dielli” e datës 14 tetor 1913, boton fjalën e Eriksonit në një miting të mbajtur në SHBA, ku ai ndër të tjera thotë në lidhje me Shqipërinë: “Dijeni se ky komb është si një zambak i bukur por i rrethuar prej ferrash dhe nuk e lenë të lëshojë erën e tij të ëmbël. Le të vrapojmë e të ç’rrënjosim që ka mbi kurriz të tij dhe atëherë do të shohë bota e qytetëruar se sa i mirë është ky zambak”.
Në vitin 1919 Ericson rikthehet në Shqipëri dhe sërish shkon në Elbasanit. Këtë herë ai ndikoi në ngritjen e qendrës spitalore në Elbasan, ku ngriti degën e tij Kryqi i Kuq Amerikan (KKA).
Në fund të shkurtit 1919, ishte formuar në Itali njësia e parë e Kryqit të Kuq Amerikan (KKA) për Shqipërinë, mbi bazë të informacioneve që ai kishte dërguar për Shqipërinë (shih Harris Silajxhiç “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, faqe 12). Ai shprehu mendimin se për Shqipërinë, ndihma e KKAsë duhej të ishte në këto fusha: në industri, bujqsësi, shëndetësi dhe në shërbimet e tjera publike. Për këtë gjë sipas tij do të ishte e domosdoshme ngritja e një universiteti të madh për Ballkanin të organizuar në SHBA. Mbi bazë të propozimeve të tij, më 1 mars 1919, filloi nga puna njësia e parë e KKAsë në Durrës, ku u ngrit edhe magazina qëndrore e materialeve shëndetësore, veshjeve dhe ushqimeve. Nuk u lënë pas dore as dispanseritë, të cilat u ngritën në Durrës, Elbasan dhe Shkodër.
Më 1923 në kuadrin e marrëveshjeve të para koncesionare që kishte filluar të nënshkruante shteti shqiptar, Ericson arriti të nënshkruajë me ministrin e Punëve Botore Sejfi Vllamasi, koncesionin për 300 hektarët pronë shtetërore, ku parashikohej edhe ngritja e një shkolle. Marrëveshja u ratifikua pa vërejtje nga Këshilli Kombëtar.
Në fillim të vitit 1924, Charls Tellfort Ericson propozoi themelimin e kolegjit shqiptaro amerikan për bujqësinë, e cila pas shumë diskutimeve u ngrit në Kavajë.
Më 1929 ngre Komitetin e Shoqërisë Bamirëse të Bostinit. Pas një takimi me Ahmet Zogun ngre shkollën e Kavajës (shih Iliaz Gogaj, vepër e cituar faqe 148).
Më 2 prill 1933 u përuruan edhe godinat e reja të institutit shqiptaro amerikan të Kavajës. Ndërsa fjalimet e rastit u mbajtën nga Aleksandër Xhuvani, Xhaferr Vila dhe ministri amerikan në Tiranë Herman Bernshtein (shih “Besa” 3 prill 1933).
Roli i Eriksonit në Konferencën e Paqes në Paris
Fedetata Shqiptare Vatra, e përfshiu me entuziazëm në gjirin e saj në dërgatën që do të shkonte në Paris për të biseduar për fatin e mëtejshëm të Shqipërisë, në kohën kur vendi kërcënohej nga zbatimi i traktatit të fshehtë të Londrës i 26 prillit 1915.
“Vatra” u bë nismëtare e thirrjes së Konventës së Jashtëzakonshme të emigracionit shqiptar në SHBA, më 29 dhjetor 1918, ku morën pjesë 70 organizata të emigracionit shqiptar. Në këtë konventë u zgjërua delegacioni i “Vatrës”s në Paris. Krahas Fan Nolit, Anselmo Loreccio-s, Nikolla Kasnecit e Rasih Dinos, u zgjodhën edhe Charls Tellfort Ericson dhe Aubreu Herbert (shih Beqir Meta “Federata Panshqiptare “Vatra”, faqe 192).
Kuvendi i jashtëzakonshëm i “Vatrës”s, vendosi miratimin e një fondi të përbërë prej 5 mijë dhe 120 mijë dollarësh, respektivisht për propagandën në SHBA dhe për mbarëvajtjen e delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris (shih “Dielli”, 8 janar 1919), shumë e cila u tejkalua nga kontributet e mëdha të grumbulluara. Charls Tellfort Ericson kryesoi fushatën e zhvilluar në SHBA, që do të luante një rol jo të vogël në Konferencën e Paqes ku ishte zgjedhur delegat nderi i delegacionit shqiptar që vinte nga Amerika.
Ericson paraqiti në Konferencën e Paqes në Paris projektin e një mandati amerikan mbi Shqipërinë. Në fjalën e tij, ai denoncoi Traktatin e Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, duke kujtuar se shqiptarët nëse dëmtohen mund ta përmbysin gjithë “godinën ballkanike”. Si zgjidhje të mundshme ai propozonte në emër të delegacionit shqiptar, akordimin nga Lidhja e Kombeve e një mandati amerikan mbi Shqipërinë, duke shprehur bindjen se Amerika nuk mund ta refuzonte një gjë të tillë. Charls Tellfort Ericson kujtonte se ky mandat do të vendosej edhe mbi territoret kufitare që ishin “objekt sherri”. Sipas pikëpamjes së tij, vetëm në këtët mënyrë SHBA do të mund të “amerikanizonte” Ballkanin, duke zhdukur në këtë mënyrë konflikte gjithnjë të pritshme për të shpërthyer. Sipas tij, qeveria shqiptare, do të ishte plotësisht e lirë dhe e pavaruar nën flamurin e Lidhjes së Kombeve me Amerikën tutor, duke arritur kështu edhe pavarësinë ekonomike (shih B. Meta, vepër e cituar, faqe 234).
Veç kësaj Ericson me anë të një propozimi të dytë, në rast të moszbatimit të të parit, parashikonte funksionimin e një komisaritati të lartë administrartiv amerikan.
Charls Tellfort Ericson, projektin e tij (në bashkëpunim me Mehmet Konicën) e paraqiti në formë memorandumi me titullin “6 arsyet për të cilat Amerika duhet të bëhet mandatore ndaj Shqipërisë”. Ai vinte në dukje se SHBA hyri në luftë për arsye morale dhe se parimi i mbrojtjes së popujve të vegjël ishte nga parimet bazë të shpallura nga presidenti Willson. Sipas Ericsonit, detyra e Amerikës ishte mbetja në Europë dhe të ndihmojë çlirimin e popullit shqiptar “me bekimin e gjithë botës” (shih Harris Silajxhiç “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, faqe 91). Jehona e memorandumit nuk ishte e vogël, saqë një gazetë e Nju Jorkut shkruajti se mund të krijohej një “Republikë Amerikane në Shqipëri” (po aty, faqe 92). Zyrtarisht delegacioni shqiptar e paraqiti kërkesën e tij më 7 mars 1919. Mirëpo kjo kërkesë u refuzua nga Këshilli i Lartë i Konferencës së Paqes, duke përfshirë këtu mundësinë e mbajtjes së një plebishiti në lidhje me këtë çështje.
Arritja më e dukshme e delegacionit shqiptar në Paris, e “Vatrës” dhe personalisht e Ericsonit, mbeti sigurimi i territorit të Shqipërisë, të njohur në vitin 1913 dhe pengimi në këtë mënyrë i zbatimit të Traktatiti të Fshehtë të Londrës së vitit 1915.
4 gusht 1931: Mbreti Zog dekoron profesorin Erikson
Duke i njohur meritat e shquara të profesorit Erikson për kontributin e tij në çështjen shqiptare, më 4 gusht 1931, Mbreti Zog e dekoroi atë me urdhërin “Kumandar i Urdhnit të Skënderbeut”, një tjetër mirënjohje kjo e shqiptarëve për miqtë e ditëve të vështira.
Deri më sot ky mbetet vlerësimi më i lartë për këtë personalitet dhe mik të vërtetë të kombit shqiptar. Nuk dimë ndonjë rast tjetër të vlerësimit të tij në vitet e tjera apo në ato të tranzicionit. Me siguri që Ericson meriton shumë herë më tepër.
Është për t’u kujtuar që në vitet kur marrëdhëniet shqiptaro amerikane ishin në konsolidimin e tyre, pra në kohën e Mbretërisë, Herman Bernshtein ministër i SHBAsë në Shqipëri, celebroi në Tiranë martesën e vajzës së tij me Arpad Vilhem, më 7 qershor 1932 (“Besa” 8 qershor 1932).
Meritë në konsolidimin e kësaj miqësie midis dy popujve dhe dy shteteve kishte sigurisht edhe profesori Ericson, i ndarë nga jeta në vitin 1968 në moshën 101 vjeçare.
