DEKLERATA ORIGJINALE E PAVARESISE

August 18th, 2012


Ismail_Kemal_shpall e pav

Historiani i njohur shqiptar Kristo Frasheri e vleresoi si te panevojshme thirrjen e autoriteteve per te rishikuar historine. Profesori 92-vjecar tha se historianet jane vete te kujdesshem per kete ceshtje dhe te gjithe kane reflektuar, vecanerisht tani ne 100-vjetorin e Pavaresise. Ne kete interviste me rastin e ketij pervjetori te Shtetit Shqiptar, prof. Frasheri foli edhe per fatin e deklarates origjinale te Pavaresise, te nenshkruar ne Vlore nga themeluesit. Ai thote qe shpreson shume qe poseduesit ta dorezojne nje dite ne Tirane ne nje muze dinjitoz.

Profesor Frasheri! Ky eshte viti i njeqindte i shtetit te pavarur shqiptar. Cilat jane perjetimet tuaja dhe krijimtaria juaj per kete ngjarje historike te Shqiperise?

Nga jeta ime e gjate kam patur fatin te kremtoj 25-vjetorin e pavaresise me 1937, 50-vjetorin e pavaresise me 1962, 75-vjetorin e pavaresise me 1987, dhe tani 100-vjetorin. Shpresoj qe ta arrij edhe sivjet… Duke i hedhur nje sy te kaluares se ketyre kremtimeve shoh se pervjetori i pavaresise eshte kremtuar per meritat e medha qe ka patur. Natyrisht 25-vjetori me pak, 50-vjetori me teper, e me radhe; sa me shume kalon koha, aq me shume i rritet vlera pervjetoreve te pavaresise. Shpallja e pavaresise eshte nje ngjarje e rendesishme historike, madje mund te them si historian se ajo eshte ngjarja me e rendesishme ne historine e Shqiperise. Shpallja e pavaresise eshte si lindja e nje femije, eshte rezultat i nje procesi te gjate ekonomik, politik, shoqeror dhe kulturor. Eshte dalja e nje populli ne arenen e historise si nje popull i pavarur me vlerat, meritat edhe me dobesite e veta.

Cilat jane studimet tuaja dhe botimet tuaja per kete ngjarje?

Une per cdo pervjetor jubilar kam botuar studime per pavaresine. Edhe ne 1937 kam botuar nje artikull, edhe ne 1962 kam botuar nje album per pavaresine, edhe ne 75-vjetor po ashtu. Edhe tani per 100-vjetor, nga frika se a do te jetoj dot me gjate, kam botuar dy libra per pavaresine. Njeri liber titullohet “Shpallja e Pavaresise se Shqiperise”, qe e botova dy vjet me pare dhe kete vit sapo kam botuar nje album per Ismail Qemalin. Ky album me titull emrin e tij pershkruan jeten e tij, pikepamjet e tij ashtu sic i ka shkruar vetw ai, jo sic i thone historianet. Ky album ne cdo faqe ka nga nje fotografi dhe prane saj, ka nga nje citim nga veprat e tij. Te gjitha jane citime te shkruara nga Ismail Qemali per veten e tij, jeten dhe vlerat e punes se tij, per ato aksione qe ka bere.

Profesor Frasheri! Ju permendet edhe festimet ne vitin 1937 per 25-vjetorin e pavaresise. Ate vit eshte publikuar edhe dokumenti i pavaresise, nje riprodhim qe ju shpernda popullit atehere ne shume kopje…

Nuk ishte kartoline, as fletepalosje. Ishte vete deklarata e pavaresise e riprodhuar ne zinkografine e asaj kohe, shume e paster, shume e qarte, vecse me nje mungese. Nuk e di per c’arsye ndodhi ajo mungese. Akti i shpalljes se pavaresise mbushi dy faqet e letres, perpara dhe prapashpinen e saj. Firmataret nuk i nxuri te gjithe faqja e pare. Nje pjese e tyre kane firmosur ne prapashpinen e dokumentit. Kete faqe nuk e botoi Lef Nosi. Per c’arsye nuk e di. Ndoshta e ka gjykuar te pamundur, apo te panevojshme. Nuk besoj se ka patur motive politike, sepse ata persona qe nenshkruan prapa aktit jane miqte e tij.

Ndoshta ka ndodhur per pamundesi te shtypshkronjave te kohes?

Ndoshta per pamundesine e shtypshkronjave te kohes, ose ndoshta qe te mos zinte vendin, se donte qe te botonte prane deklarates se pavaresise edhe fotografine e pjesemarresve ne mbledhje. Prane tekstit ne nje foto te madhe eshte kolektivi i gjithe personave qe shpallen pavaresine. Ne foto jane edhe ata persona qe nenshkruan prapa letres, ndersa ne riprodhimin fotografik te faqes se pare te dokumentit firmat natyrisht nuk jane. Ne ate publikim mungon pra, faqja e prapme qe mban nje pjese te firmave te burrave te pavaresise. Prandaj une kam patur kujdes qe ne kete punimin tim te ve ne dukje te gjithe ata qe ishin pjesemarres. Aty ka dy lloj pjesemarresish; pjesemarres qe arriten diten e shpalljes dhe qe firmosen. Se dyti, ka edhe pjesemarres qe erdhen disa dite me vonese, sepse qe situata shume e nderlikuar. Lufta ballkanike ishte akoma ne vlagen e saj. Dhe se treti; nje 2-3 veta nuk deshen ta firmosnin, sepse nuk ishin dakord me shpalljen e pavaresise. Ata kane marre pjese ne mbledhjen e shpalljes se pavaresise, por nuk e kane firmosur. Ai eshte nje dokument themeltar i shtetit shqiptar; permban 2-3 rreshta te shkruara me doren e Ismail Qemalit ne gjuhen shqipe dhe ne turqishte me penen e Qemal Karaosmanit. Keto une i di ngaqe kam patur fatin, dhe prirjen time si historian, te interesohem, si historian, qysh ne ate kohe per keto dokumente.

Profesor Frasheri! C’mund te thoni dicka me teper mbi fatin e dokumentit origjinal te pavaresise, pra te deklarates origjinale te pavaresise?

Ky dokument doli ne drite edhe ne vitin 1962. Ai qe e kishte, pronari i saj, tha se ia kishte dorezuar Ismail Qemali me doren e vet. Ai kishte edhe nje leter te Ismail Qemalit qe i thoshte: “Ta kesh kujdes. Ky eshte dokument i madh, me rendesi te jashtezakonshme”. Ai e mbajti dhe nuk donte ta jepte. Me 1962 ndoshta kishte frike se mund ta perdhunonin ate dokument, mund ta shfrytezonin per emrat qe kishte atje brenda. Nuk e di per c’arsye. Une kam folur vete me ate pronar, dhe jam munduar qe ai t’ia dhuronte muzeumit kundrejt nje shperblimi. Pastaj u kalua ajo, dhe ai dorezoi vetem disa dokumente. Kjo eshte historia e origjinalit. Une nuk mund te them me shume. Nuk mund te them me shume. Ai dokument ndoshta ekziston edhe sot, ndoshta ekziston edhe sot. Kushedi, ndonje dite mund te dale befas, sepse eshte nje dokument me vlera te rralla. Kushdo qe e ka marre, nuk ka mundesi ta kete prishur. Do ta kete ruajtur. Edhe nga ana materiale ai ka vlera kolosale.

Per kete person, ose per familjaret dhe pasardhesit e tij, a keni ju nje mesazh, nje thirrje qe ata ta dhurojne, ose se paku ta shfaqin ne kete 100-vjetor? Ky eshte casti me i mire qe ky dokument origjinal te dale.

Nuk jane ketu ne Shqiperi. Nuk jane ne Shqiperi. Me duket se nuk jane. Nuk e di mire. Problemi eshte ky; qe neve dokumentin, nese nuk e kemi ne origjinal, e kemi te riprodhuar njesoj si originali. Eshte shume mire. Une kam pare ne Vjene aktin e shpalljes se pavaresise se Austrise. Me ate hapej. Ishte krenaria e muzeumit. Kjo do te bente krenari edhe ne muzeumin tone. Por muzeu tone nuk eshte akoma ne nivelin e muzeut te Vienes. Ketu sapo iken drejtori ndryshojne edhe kriteret. Iken njeri, vjen nje drejtor tjeter ndryshon edhe vleresimin e personave historike. Nga kjo ane, me mire qe akoma nuk ka ardhur. Inshallah nje dite vjen edhe te futet ne nje muze qe te jete i qendrueshem, qe te mos jete me njerez politike ne krye, me njerez partiake ne krye. Nuk e kam fjalen vetem per sot, por edhe per dje, edhe per pardje. Ne cdo kohe keshtu ka qene ketu tek ne. Une uroj te vije ajo dite kur historine dhe vlerat historike, qofte edhe arkivi i shtetit, qofte edhe muzeu historik, qofte edhe institucione te tjera te mos jene te lidhura me politiken, sepse nuk jane akoma te cliruara nga politika.

Cili eshte komenti juaj lidhur me debatet dhe kerkesat qe degjohen ne qarqet shteterore, politike dhe akademike per nevojen e nje rishikimi te historise, vecanerisht per disa ngjarje dhe figura te caktuara ne historine e Shqiperise?

Qe ne fillim po them se thirrja per te rishikuar historine eshte krejt pa vend. Historia qysh kur ka lindur ka ndjere nevojen e rishikimit. Jo sot, por qysh ne kohen antike gjenden tekste qe e rishikojne historine. Aq me teper sot kur historiografia, si mjeshteri e te shkruarit, ka edhe kerkesat e veta qe ndryshojne sipas kohes. Prandaj, kerkesa apo thirrja per te rishikuar historine nuk me duket e drejte. Ose me mire te them, eshte pa vend. Historine e shkruajne historianet ne te njejten kohe ne menyra te ndryshme. Tjeter pune eshte historia qe mesohet ne shkolle. Ajo eshte unike. Ate duhet ta miratoje jo qeveria, por duhet ta miratoje akademia, e cila supozohet qe te jete jashte politikes. Sepse edhe qeveria ka preferencat e veta per te kaluaren, per partite, per njerezit. Nuk eshte nevoja qe t’u behen thirrje historianeve. Une e kam rishikuar historine pa me thirrur kurrkush. Edhe koleget e mi e rishikojne historine pa i thirrur kurrkush. Prandaj, do te beje mire politika, dhe e ka per detyre, te mos nderhyje ne shkrimet historike; te mos thote kjo vlen, ajo s’vlen. Qeveria nuk ka per detyre ky vlen dhe ai nuk vlen; se per shembull Fan Noli eshte figure e madhe, ose eshte nje figure jo e madhe. Kjo nuk i takon nje qeveria demokratike. Qeverite qe flasin per keto dhe nderhyjne, e shkelin parimin demokratik te paanesise se historise si shkence. (Kortezi Zeri i Amerikes. Intervistoi: Ilirian Agolli)

Tags: , , ,

Leave a Reply