DIELLI, DEKAN I SHTYPIT SHQIPTAR

May 3rd, 2013


“Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij./
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Shqiptarët kanë patur gjithmonë apostuj në Shqipëri dhe diasporë. Jeronim de Rada, Nikolla Naço, Faik Konica, Josif Bageri, Mithat Frashëri, (Lumo Skendo), Visar Dodani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Omer Nishani, Dhimitër Berati, Gjergj Bubani, ishin disa nga veteranët e shtypit të shtypur shqiptar. “Janë mjaft me interes gazetat e vjetra shqiptare që janë botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpresojmë se autori i këtij shkrimi (B. Y.) do t i publikojë artikujt e gazetave të vjetra /pjesë-pjesë/ në mediumet elektronike, sepse janë shumë shkrime të panjohura për publikun”, thekson me fjalë identike në kuadrin e një komenti, znj. Edibe, në Gazeta Kritika. Po këtë mendim e shprehin edhe lexuesit e panumërt të Zemrës Shqiptare dhe Bota sot në kuadrin e disa komenteve të ngarkuara me energji pozitive. Numri i gazetave të shtypura është i panumërt. Për to kanë shkruar me admirim: Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Xhelku Maksuti, Sabile Basha etj. Për një kronologji të mirëfilltë shkencore, që nga botimi i gazetës së parë shqipe, për momentin nuk kemi kohë, por kjo nuk don të thotë se nuk kemi kohë për t’i prezantuar disa sosh, duke i dhënë prioritet atdheut, nderit, dinjitetit dhe dimensionit të tyre kombëtar.
Qëllimi elementar është ta mbajmë gjallë dashurinë ndërshqiptare si një dhuratë e bekuar e Zotit. Sipas Muharem Dezhgiut, “Gjatë gjithë historisë së vet 100-vjeçare (1909-2009-Kumtese me rastin e 100 vjetorit te Diellit) gazeta “Dielli” realizoi një mision historik në shërbim të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e “Diellit” është ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar “Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit. Duke luftuar me çdo mjet (me memorandume, me protesta, me shkrime, me të holla) “Dielli” shkëlqeu në mbrojtje të kufijve etnikë të kombit shqiptar. Ai e ngriti zërin kundër rreziqeve që i kërcënoheshin ekzistencës së shqiptarëve si komb e si shtet. “Dielli”, si shprehëse e mendimit dhe e veprimtarisë së “Vatrës”, e lartësoi atë si vatër të shqiptarizmës. Me plot të drejtë “Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij.” Sipas Karl Gurakuqit, “Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture…”Vatra” na mësoi me dashtë Atdhenë. Manastiri çeli rrugën e zhvillimit sistematik të letrave (germave) tona. Këto dy institute (“Vatra” dhe “Kongresi i Manastirit”) na mësuan se kur shqiptari bashkëpunon me shqiptarin, nuk del gjë që t’ua ngatërrojë lamshat që t’ua pengojë rrugën”.
“Dielli” është organ i shqiptarëve kombëtarë që kërkojnë një Mbretëri Shqiptare të Lirë. Para nesh kemi numrin 10, tetor, 1919, me 4 faqe të formatit të madh, dhe me artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze. Ndër to shquhen “Gjermanët fshehin topat e mëdhenj”, “Ukranianët u goditnë me rusët”, “Shqipëria dhe imperialisma” e autorit Loni Kristo që thote: “Pozita jonë si një shtet i Evropës nuk favorizon imperializmën, dhe dashuria jonë për atdhenë do t’i prishë pllanet dhe ëndërrat e bukura të mirëdashësve tanë. Po nuk duhet të flemë se rastet janë ashtu siç na i do dëshira e zemrës. Duhet të zgjojmë popullin. T’i tregojmë që duhet të ruhet dhe të jetë i ndrojtur në marrëdhëniet e tij tregtare me të huajtë. Nëqoftëse ndodhet në shtrëngim për para, mallin e tij duhet t’i shesë një Shqiptari dhe kurrë ndonjë herë një të huaji, qoftë se i jep më tepër para… Në mos ngjaftë kjo, qeveria e huaj do të hynjë në punërat tona të brendshme kurdoherë që do të ngjitet nonjë nga subjektet e saj: kështu do të jemi një shtet me nam independent, po në fakt nën kontrollin e një shteti tjatër, sikundër është Greqia sot nën kontrollin e FrankoInglizëve (…). Këta zotërinj do t’i bëjnë një të keqe të madhe Shqipërisë me veprën e tyre antipatriotike, se me këtë mënyrë do të shtojnë shpresat e imperialistëve, po do të fitojnë sigurisht urrejtjen e të gjithë Shqiptarëve dhe mallkimin e të gjithë bijve të tyre. Shqipëria ka shkuar nëpoër tërë zhvillimet e pacënuara dhe këtë rradhë do të dalë si dielli pas shiut, e shkëlyqer dhe e bukur që të trashëgohet prej bijve të saj që s’e harrojnë nga çdo çip i botës an’e mbanë që të ndodhen.”
Mendimet e Loni Kristos janë aktuale sot e kësaj dite, kur disa politikanë tanë me biografi ateiste, rrëshqasin si thiu në akull. Pse? Sepse në vend të fabrikave, për të përfituar vota politike, janë duke e mbushur Kosovën dhe Shqipërinë me faltore islamike për inkurajimin e fanatizmit fetar. Në faqet e “Diellit” pasojnë artikuj tjerë si “Teqetë kombëtare” (Mihal Grameno), “Edukata e Qytetarëve dhe Qëllimi i Shkollave Publike Amerikane”, “Mesha Peshkopale në Philadelphia”, lajme të shkurta, si “Meshë (shqiptare) në Boston”, “Një lutje këndonjësve të Diellit”, “Tiketa vapërësh për atdhe”, “Ndihni dhe përkrahni Kryekishën Kombëtare “Shën Gjergji”, “Kisha Orthodokse Shqiptare “Fjetja e Shën Marisë”. Pason “Libraria e Diellit” me vepra si: Abetare Toskërisht, Abetare Gegënisht, Ëndërr e Vërtetë (Spiridon Ilo), Dëshirat e Zemrës (Spiridon Ilo), Kalendari i Shoqërisë “Dija”, Cili është Ay (Carmen Sylva), Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve (përkth. Kristo Floqi), Kalendari Populli Nacionalist, Barbaritë Greke (K. P. Tomori), Psherëtima (Kasem Daut), Libra Ushtëriake (Akif I, Përmeti), Fjalor Inglisht-Shqip (Dennis Kambury), Othello (Wiliam Shakespeare), Skenderbeu i Longfellow-it, Imzot Fan S. Noli, Kalendari i Vatrës, Libra e Shërbesave të Shenjta, etj.

Tags: , ,

Leave a Reply