DITA NDERKOMBETARE E BAMIRESISE MERR EMRIN”NENE TEREZA”

December 18th, 2012


TIRANE- Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 5 shtatorin, ditën kur u shua e lumnuara Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikes se shqiperise përmes një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me te cilin, sipas saj, vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë.
“Rezoluta, duke inkurajuar aktet e bamirësisë, bën thirrje që më 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë. Shqipëria ishte një nga vendet kryesore sponsorizues të kësaj rezolute dhe Misioni ynë në Kombet e Bashkuara pati një rol kyç në miratimin me konsensus të saj. Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkësponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,- thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Tags: , , ,

Leave a Reply