EKSPOZITA “LAHUTA E EPOSIT SHQIPTAR”

May 25th, 2012


Nga: Prof. Murat Gecaj-

Marrin një njoftim ose një ftesë dhe njerëzit e interesuar shpejtojnë të shkojnë në vendin e një përurimi. Ata mund të jenë të ndryshëm: për libra të rinj, ekspozita me krijime në pikturë a skulpturë e tjerë. Por kjo e sotmja ishte e një lloji të veçantë. Pra, i kushtohej pikerisht Lahutës, një vegël e moçme shqiptare. Ajo e ka origjinën, sidomos, në trevat e Veriut të Shqipërisë e më gjerë, në Kosovë dhe te shqiptarët në Malin e Zi etj.

Për këtë qëllim, sot paradite, ne mjediset e Muzut Historik Kombëtar të kryeqytetit,  në kuadrin e veprimtarive për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, u çel ekspozita me tematikë “Lahuta e Eposit Shqiptar”. Këtë skepozitë etnografike me objeket unikale të Eposit dhe Mitologjisë Shqiptare e organizonin Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Instituti Shqiptar i Shkencave. Kishin ardhur artistë popullorë, nga Tirana e rrethe të ndryshme të vendit, krijues në pikturë e skulpturë, shkrimtarë e poetë, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj.

Me këtë rast, foli drejtori i Muazut Historik Kombëtar, Prof. Luan Malltezi. Pastaj, ministri i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Aldo Bumçi nënvizoi vlerat e kësaj eskpozite, e cila dëshmon për pasuritë shumë të çmuara dhe mjaft të lashta të popullit tonë artist.

2.

Lahuta është vegël karakteristike popullore, e cila i ka shoqëeuar që në lashtësi këngët e Eposit të Kreshnikëve. Ajo vlerësohet kryevepër e trashëgimisë shpirtërore e Kombit Shqiptar dhe përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark, në Europë. Ka vetëm një “tel”, i përgatitur më shumë qime të bishtit ose jelës së kalit dhe mbi të luhet me një hark druri të përkulur. Ndërsa në krye gdhendet koka e dhisë.Interesin e të pranishmëve e terhoqën rreth 30 vegla të tilla muzikore, të vjetra dhe nga më unikalet, duke marrë parasyshë mjeshtërinë e punimit dhe simbolikën e tyre. Secili objekt përfaqësonte nga një simbol ose qenie mitologjike. Për herë të parë, u ekspozuan aty lahuta të gdhendura me figura mitologjike: të “orëve të bjeshkëve”, “kreshnikut të bjeshkëve”, “gjarëprit shërues”, “zanave të malit”, “diellit e hënës”, “brirët e bollekut” etj.

3.

Duke kaluar nga një objekt në tjetrin, bashkë me kolegun Marash Mëhilli, punonjës i vjetër i kulturës në trevat e Veriut të vendit tonë, na tërhoqi vëmendjen edhe një lahutar. Ai qendronte ulur mbi një stol dhe në duar mbante këtë vegël karakteristike të krahinës, nga vinte. Ai ishte interpreteusi i talentuar Tonin Haxhia, i cili na tregoi se ajo lahutë trashëgohej nga Ndue Dedë Alia, i fshatit Mëzi të Pukës dhe ishte ruajtur me kujdes, që në vitin 1910, pra më shumë se një shekull.

Për t’u dhënë bukuri e shprehje sa më të plotë lahutave të eskpozuara, ato shoqëroheshin edhe me piktura të ndryshme, që ishin vendosur në mure dhe me veshje karakteristike popullore të krahinave të Veriut të Shqipërisë e tjerë.

Kur e viziton këtë ekspozitë, të rrallë në llojin e vet, menjëherë të shkon mendja te pasuritë e pafundme të shpirtit, mendjes dhe dorës së popullit tonë artist. Prandaj vlerat e kësaj trashëgimie kulturore duhet të bëhen sa më të njohura, si me ekspozita të tilla, duke u vizituar sidomos nga rinia shkollore, por edhe me botime të llojeve të ndryshme, si fletë-palosje, albume, libra studimorë etj. Mendoj se, në këtë këndvështrim, duhet ta shohin këtë pasuri të madhe kombëtare, institucionet kërkimore e studimore dhe organet përgjegjëse shtetërore.

Tiranë, 25 maj 2012

 

 

Leave a Reply