Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër./
Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
Ne shqiptarët dështuam në përçartjen tonë gjysmëshekullore për t’u bërë qendër botërore e ideologjisë komuniste. Mjerisht, në Tiranë, mjerisht, duket të ketë koka që ende, pas rreth një çerek shekulli nga ky dështim, të përçartin drejtpërdrejt para publikut idetë e tyre që ne shqiptarët të jemi qendër botërore e ideologjive fetare.
Ndryshe nuk mund të shpjegohet as mund të interpretohet kontributi i fundit i shpallur nga Ben Blushi, me titullin “Hëna e Shqipërisë”, në temën fort të njohur përgjatë këtij çerekshekulli të fundit.
Në shpalljen e tij, autori i “Hëna e Shqipërisë” kërkon defetarizimin e Shqipërisë, me sa kuptoj unë ende jo ateizimin e Shqipërisë. Pra, kërkon laicizimin e Shqipërisë, e cila, sipas tij, nga një vend ateist tashmë qenka shndërruar në vend fetarist me prirje për t’u shndërruar në një vend ku qiellin ideologjik fetar ta zaptojë Hëna dhe ku të eklipsohet Dielli.
Më mirë kishte qenë, gjithsesi, që kjo qarkore të punohej dhe të shpërndahej si material partiak para se t’i shërbehej publikut të gjerë, sepse Blushi nuk është pa pushtet, nuk është senza voce in capitolo.
Laicizimi i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, kudo që ndodhet ajo, nuk mund të bëhet pa defetarizimin e politikës sa dhe pa depolitizimin e fesë.
Në fillim të ‘pluralizmit politik’ në Shqipëri u bë zakon që liderët e vendit, politikë, shtetërorë, qeveritarë e tjerë, me rastin e festave fetare, t’iu bëjnë vizita selive të krerëve të komuniteteve fetare. Diçka të tillë e kërkonte në atë kohë krijimi i imazhit të ri të Shqipërisë si një vend deri atëherë ateist. Rreth njëzet e pesë vite rresht, katër seli qendrore në kryeqytet dhe kushedi sa seli të tjera nëpër qarqe, rrethe dhe njësi të tjera lokale vizitohen nga liderë qendrorë dhe lokalë. Dhe këto vizita janë gjithnjë e më të mediatizuara. Blushi, me sa kuptoj unë, nuk ka propozuar që të hiqet dorë nga kjo traditë. E shumta, këtë ritual mund të vazhdojë ta bëjë kryetari i Shtetit, por pa ndonjë mediatizim kushedi.Natyrisht, si persona privatë askush nuk ia ka për rëndë as nuk ka pse t’ia ketë për rëndë askujt pse rëndom apo edhe në festat fetare viziton tempullin në të ciln beson apo tempujt për të cilët ka respekt, por këtë ta bëjë në mënyrë private, si çdo qytetar tjetër, pa bujë, ashtu si e kërkojnë edhe librat e shenjtë dhe porositë e shenjta.
“Një laicizëm i drejtë e lejon lirinë fetare. Shteti nuk e imponon religjionin, por në vend të kësaj iu jep hapësirë religjioneve me një përgjegjësi ndaj shoqërisë civile, dhe kështu i lejon këto religjione të jenë faktorë në ndërtimin e shoqërisë,” thotë Papa Benedikti XVI, i cili gjithashtu është teologu katolik aktualisht ndër më kompetentët në mos më kompetenti.
A e ka bërë dhe e a e bën këtë që thotë Joseph Ratzinger shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, politika shqiptare në Shqipëri dhe jashtë saj në këto rreth njëzet e pesë vitet e fundit. A kanë qenë të paanshëm këta faktorë në krijimin e hapësirës ndaj religjioneve, a kanë ndërhyrë në punët e religjioneve, a kanë përdorur mjete joligjore në raportet dhe marrëdhëniet me këto religjione. Rezervoj bindjen time të plotë se këta faktorë nuk e kanë kryer as më së paku këtë që kërkon Ratzinger, pra nuk kanë bërë asgjë për laicizmin e drejtë. Kjo sjellje në mos deri tashti, më vonë, sigurisht, ka për të rezultuar kundërproduktive.
Në një shoqëri demokratike pluraliste, ku kultivohet edhe pluralizmi fetar, nuk mund të ketë komunitete fetare të nënës apo të njerkës. Në Shqipëri, në shoqërinë shqiptare, në politikën shqiptare, rezervoj bindjen time se ekziston kjo mendësi dhe kjo praktikë. Dhe kjo është e vërtetuar katërcipërisht në Tiranë, në Prishtinë e gjithandej ndër ne.
Kam gjithashtu bindjen se Blushi, kur nga pozita politike ngre shqetësimet e tij fetare, ka në kokë kryesisht modelin e një vendi dhe një shoqërie të caktuar që ende nuk e kanë pranuar pluralizmin fetar. Do të ishte me pasoja të pandreqshme që ne shqiptarët të shkojmë drejt kësaj. Oksigjeni për shqiptarët është pranimi i njëri tjetrit pavarësisht se janë apo nuk janë besimtarë, pavarësisht se cilës praktikë fetare i përkasin.
“Unë kurrë nuk e kam marrë një ndryshim mendimi në politikë, religjion, filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik,” thoshte dikur Thomas Jefferson, politikan, diplomat, intelektual, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky është njeriu i emancipuar dhe iluminist të cilin e kemi të domosdoshme për ta pasur në mesin tonë në Shekullin XXI. Është krejt e kundërta e realitetit që ne shikojmë rrotull në këto njëzet e pesë vite.
Oksigjen për shoqërinë shqiptare të kohës është edhe njeriu për të cilin fliste dikur në vetën e parë i madhi Abraham Lincoln, tek thoshte: “Kur unë bëj mirë, ndjehem mirë. Kur unë bëj keq, ndjehem keq. Ky është religjioni im.” Në mesin tonë, shpreh bindjen, po kultivohet i kundërti i tij, ai që thotë: “Kur unë bëj mirë, ndjehem keq. Kur unë bëj keq, ndjehem mirë. Ky është religjioni im.” Ky religjion, mjerisht, po bashkon përherë e më shumë njerëz në Shqipëri dhe në shoqërinë shqiptare.
Shpallja e Blushit, e bërë prejt tij nga pozita të pasinqerta, më forcon bindjen se në Shqipëri dhe ndër ne shqiptarët nuk është kuptuar aspak globalizmi, nuk është kuptuar aspak çfarë sfide përbën globalizmi për shoqëritë, vendet, kulturat, qytetërimet. Aq më shumë për vendet, shoqëritë, kulturat me ato veçanësi të rralla si tonat. Do menduar, do punuar, do bashkuar forcat, energjitë mendimet që një shoqëri e tillë të shndërrohet në faktor dhe të dalë faqebardhë përballë sfidave të globalizmit. Në mënyrë monopartiake, monofetare e tjerë ne do të dilnim me faqe të zezë përballë tyre dhe do të bëheshim kafshatë e kollajshme e të tjerëve. Dhe dukuritë përherë e më atipike që lulëzojnë ndër ne, janë pikërisht pasojë e moskuptimit të sfidave që sjell globalizmi.
Zgjidhja ndaj kësaj nuk është një kthim në vetizolim, siç e propozon sado tërthorazi e me nostalgji Blushi, nuk është marrja e ndonjë modeli që kanë në kokë ata si puna e Blushit. Ne shqiptarët nuk kemi nga t’ia mbajmë – ose do të sillemi, të veprojmë, të mendojmë në kuadrin e sfidave globale, ose do të marrim fund. Mbetet vetëm çështje kohe.
Feja në Shqipëri dhe ndër shqiptarët, në pluralizmin e saj, iu nënshtrohet patjetër ligjeve të një vendi demokratik. Shteti demokratik i përmbush detyrimet ndaj fesë si ndaj çdo fushe tjetër të jetës së vendit e të shoqërisë. Detyrim i shtetit në këto njëzet e pesë vite është që komuniteteve t’ua kthejë, t’ua kompensojë pronat që ua ka marrë shteti monist ateist. Ky detyrim do përmbushur sa më urgjent. Nga ana tjetër, kleri në shtetet tona, në Shqipëri dhe Kosovë, ka të drejtat dhe detyrat e tij si çdo pjesë e shoqërisë sonë, në përballje absolute me ligjet. Informaliteti në komunitetet fetare është i mbarsur me pasoja. Aq më tepër në një realitet të pushtuar nga informaliteti. Vendosja në kuadër ligjor e sa më shumë hapësirave në jetën e një vendi, shoqërie është masa më e shëndetshme që ndërmerr dhe kryen një shtet i përgjegjshëm demokratik. Një shtet i përgjegjshëm është ai që merr përgjegjësi mbi vete, nuk është ai që ua ngarkon përgjegjësitë të tjerëve. Të metat, dobësitë, mbrapshtitë janë, në radhë të parë, për faj të shtetit. Nëse nuk funksionon shteti, atëherë do riparë (riparuar) sistemi. Prandaj sistemet reformohen pa pushim në vendet dhe shoqëritë demokratike të konsoliduara apo në konsolidim e sipër.
Nga koka e Blushit dhe nga koka e çdokujt tjetër ndër ne të hiqet përfundimisht ideja apo mendimi se ne mund të bëhemi qendër botërore e islamit, e krishterimit lindor, krishterimit perëndimor apo të çfarëdo ideologjie tjetër.
Këtë shënim me temën e fesë do ta përmbyll me një mendim të Muhamet Aliut, boksierit legjendar të të gjitha epokave: “Lumenjtë, pellgjet, liqenet, përrenjtë – të gjithë kanë emra të ndryshëm, por të gjithë përmbajnë ujë. Ashtu si dhe religjionet – ato të gjitha përmbajnë të vërtetat.”