GAZETA”KOMBI”, E PARA GAZETE E SHQIPTREVE TE AMERIKES, I PARAPRIU “DIELLIT”

July 6th, 2012


1 S Peci 1.JPG

-Sotir Peci Dhe Gazeta “Kombi”-

Gazeta Dielli që vazhdon të botohet gati prej 104 vitesh në SHBA, pat si pararendëse të parën gazetë të Shqiptarëve të Amerikës’Kombi” të Sotir pecit, një atdhetar i dorës së parë.

-Nga Sotir Laço- Gazeta “Kombi” ishte gazetë përjavshme politike, shoqerore e letrare në gjuhën shqipe, pjesërisht edhe frëngjisht, italisht, e anglisht. Ajo filloj botimin e saj më 15 Qershor 1906 në Boston Ma. të SHBA dhe vijoi deri më 1909. U botua në 110 numura.Gazeta “KOMBI” ishte lidhur ngushtë me Rilindjen Kombëtare Shqiptare dhe mbante qëndrim kritik ndaj pushtesve turq, qëndrimeve shoviniste të shteteve ballkanike dhe fuqive imperialiste të kohës. Përkrahte autonominë e Shqipërisë dha ndihmesë për bashkimin e shoqërive politike të kolonive shqiptare në SHBA në një organizatë të vetme(siç do të ishte “VATRA”). Kjo gazetë numuri i parë doli më 15 Qershor 1906. Njëqind vjet përpara.

Gazetën ”Kombi” e botoi patrioti madh dhe i pa lodhur prej Shqipërie Sotir Peci.

Sotir Peci lindi më 13 Korrik 1873 në Dardhë të Korçës, ishte një fshat malor në lindje të Korçës reth 19km. fshati Sotirit i kishte lënë mbresa të thella për këto cilësi:klimë të mirë, ajër të pastër i situr nga borigat e mali të Lofkës, uji i pastër dhe i ftohtë që rridhte me ujësjellës dhe vendosur në çezma në gjith rrugët e fshatit,shtëpitë e fshatit me lule shumë ngjyrëshe të mbuluara me plloça (rrasa) prej guri dhe të lartësuara për bukuri në faqen e tatëpjetë të kodrës së Shën Thanasit, koria e Shën Pjetrit që ngrihet si shalë vigane kali me bukrinë e saj në verë gjelbërim, në vjeshtë verdhëzim dhe në dimër zbardhim nga dëbor dhe okita. Veç natyrës përshtypje i lane dhe njerëzit me mënyrën e jetës së tyre të lirë, vetë admnistroheshin dhe s’deshin njeri mbi kokë. Kur erdhi dhespoti i Kosturit dhe u foli dardharëve në kishë e u tha “Që të hiqni dorë nga gjuha barbare shqipe që nuk e shkruani, dhe të flisni greqishten, që e mësoni dhe në shkollë. Ndërsa kryeplaku i fshatit me një ironi të hollë i tha “Mirë thua hirësi…Por si t’ia bëjmë që ëndrat e natës i shohim shqip? Kjo ironi e hollë e pat pezmatuar dhespotin dhe në vizitat e përvitshme nuk e përsiriti më kërkesën.

          Dhe Sotir Peci bëri shkollën fillore greke në fshat, gjimnazin grek në Korçë dhe universitetin në Athinë, por ato nuk influencuan në jetën e tij; ai mbeti shqiptar i flaktë dhe i kulluar.

          Kur mbaroi universitetin gjatë qëndrimi në Greqi demaskoj shoqërinë “OELLENISMOS” se gjoja kjo kishte degë dhe për Shqipërinë, ai nuk pranoi thënjet e tyre dhe e demaskoi dhe ja çori maskën se brenda saj punonin pseudopatriotë dhe për Shqiprinë e kishin vetëm me emër.

          Në këtë atmosferë mosbesimi dhe zhgënjimesh nga pseudoshoqëritë, Peci përpiqet vetë të formojë në fshehtesi një komitet për çlirimin e Shqipërisë. Për këtë patrioti dhe shoku i tij Goni Katundi pre fshatrave të Vakëfeve shkruan:

          “Sotir Peci studimet e larta i ka bërë në Athinë, ku njohu shumë Grekë të kulturuar dhe u lidh shumë ngushtë me ta, shumica ishin barbaçes, me këta filloi të punonte për idenë kombëtare, për permbysjen e zgjedhës turke dhe vetëqeverimin e Shqipërisë. Për një qëllim të tillë u bashkua me ta shume ballkanas që deshën një çlirim të tërë gadishullit. Për këtë qëllim do të krijohej një shoqëri kombtare, ku Sotir Peci do ishte figurë kryesore.

          Por hafijet e Sulltanit e lajmëruan Stambollin dhe qeveria turke ndërhyr pranë qeverisë greke, dhe kështu u kundrmorën masa të forta kundër tij.

Por Sotir Peci, me ndihmën e miqve të shumtë që kishte në Greqi, mundi të hipte fshehurazi vaporin në limanin e Pireut në drejtim për në Amerikë.”

           Këtu do të fillonte aktivitetin e tij patriotik.

 

        Sotir Peci në Amerikë

 

          Në Shtator të vitit 1905, Sotir Peci zbret në Amerikë. Nuk e priste njeri. Ishte vetëm një i pa njohur, që kishte marrë arratinë. Ja si e kallzon Kostë Demo mbërritjen e tij:”Në faqet e historisë sonë mësojmë se mbërriti në Boston, papritur e pa ceremoni, një shqiptar që se dinte njeri, Sotir Peci. Personi në fjalë erdhi nga Greqia dhe mbante diplomën nga shkolla “Panepistimion” të Athinës. Me fjalë të tjera ishte burri më i mësuar në mesin tonë. Brenda disa javëve Sotir Pecin e mbanin në gojë të gjithë, mbasi ai bëri mundur për anën tonë kombëtare të marrë ofensivën për çështjen tonë kombëtare. Me ardhjen e tij menjëherë pushuan argumentat, grindjet e shamatat, që bëheshin gjithnjë midis shqiptarëve e grekomanëve.

          Por Kostë Demoja, mjerisht gabohej, sepse “grindjet e shamatat” nuk mbaruan aq shpejt sa dëshëronte ai dhe të tjerët. Propaganda e Megalidhesë në SHBA ishte e organizuar dhe pershtatur mirë, duke rekrutuar figura politike dhe nga bota e kulturës. Kolonia e Bostonit ku vendosi të qëndrojë Sotir Peci, ishte më e madhja dhe perbëhej me së shumti nga fshatarët e zonës së Korçës dhe të Vakëfeve, siç quhej një zonë e  ndermjetme malore në Jugëperëndim të Vithkuqit, në kufi midis Korçës, Kolonjës, dhe Skraparit (Trebickë,Treskë,Panari Katund Stratobërdhë etj) shumica ishin atdhetarë të flaktë, por midis tyre kishte dhe indiferentë ndaj fatit të Atdheut, si dhe të gabuar nga propaganda Greke. Këtë gjendje na e bën të njohur gazeta “DRITA nr. 73 dt. 1/2/1906, kur shkruante: Kur shkeli Peci në SHBA, shqiptarët kishin filluar të organizoheshin nëpër shoqëritë e para, me karakter të gjërë ose krahinor. Të parën shoqëri e krijoi Petro Nini Luarasi, më 1905 në Buffalo dhe Jamestaun të New Yorkut dhe u pagëzua me emrin kuptimplot “Malli i Mëmëdheut.” Ndërkohë, shoqërinë në bazë fshati, e krijuan pikërisht bashkëfshatarët e Pecit, dardharët, po atë vit, dhe e quajtën “Vëllazëria mirbërëse Dhardhare.”

          Formimi shoqërive ishte një punë e mirë, si për çështjen kombëtare, ashtu dhe për solidaritetin e komuniteteve të ndryshme, por nuk mjaftonte. Sotir Peci me shumë se të tjerët që ishin pa shkollë (në ato vite 10% e emigrantëve dinte shkrim e këndim), e kuptonte rëndësinë e botimit të një gazete që do to ishte zëdhënëse idealeve dhe qëndrimeve, por edhe do të nxiste arsimimin.

          Në ato vite progogandohej futja në vathë e “deleve të humbura”, bashkim pa dallim feje etj, por bashkimi nëpër shoqëri s’mund te arrihej pa një gazette. Në takimet e përditshme me shqiptarët me aktivë të kolonisë, që nga Luarasi deri tek Goni Katundi, Kostë Demoja, Paskal Aleksi, Josif Pani, Harri Kacka, Eftim Naçi, Kostë Isaaku, Illo Balli, etj, nëpër konakët ku jetonin apo nëpër kafene, Sotir Peci nuk rreshti së biseduari për gazetën.

          Ai thoshte: “Se gazeta do të ishte një “kobure” e vogël në duart e shqiptarëve, por koburja e vogël shpesh herë bën shumë punë të mëdha, kur është në duar idealisti dhe mbushur me fishekët e shenjtë të atdhedashurisë.” Këto mendime përhapte Sotir Peci reth e rrotull, me një këmbëngulje fanatike, deri sa kjo nevojë u kuptua nga të gjithë. Kur u vendos botimi i gazetës, dy rivalët e vetëm për ta drejtuar ishin: Petro Nini dhe Sotir Peci, u vendos qe drejtor të ishte Peci. U ble dhe një shtypshkronjë gjysëmprimitive, e cila u instalua ne një qilar të errët që shërbente dhe si zyrë pune në Hudson Street të Boston MA.

 

“Kombi” dhe jehona që pati tek shqiptarët

 

 Më 6 Qershor 1906 doli e përjavshmja 

“KOMBI” e para gazetë shqiptare në SHBA. Në fillim Peci i kryente vetë të gjithat punët: Ishte drejtor, redaktor, korrektor, tipograf, paloses. Por pak më vonë tri veta kujdeseshin për botimin e “KOMBIT” Peci, Noli, dhe një person i domosdoshëm, Eftim Naçi.

          “Si kjo shtypshkronjë s’kishte gjëkundi, mbasi punohej më këmbë. Pikturo me mendjen tënde ketë skenë: Në të djathte Noli vinte kartën në shtypshkronjë, në mes Thimaqi (Eftimi), i cili punonte shtypshkronjën, me të mëngjër (majtas) Peci që kujdesohej për gazetat që të delnin të shtypura. “Këtë skenë na e jepte Kostë Demoja në veprën “Shqiptarët e Amerikës.” Përveç tre nëpunësve kishte dhe “vullnetarë” që vinin dendur të ndihmonin në vërtitjen e rrotës së shtypshkronjës vogël të “KOMBIT.” Le të përmendim K. Tonën, Illo Ballin, Kostë Isaakun, Harri Kacka dhe vetë Kostë Demon “Shqipëria e Re N.500 22 Maj 1932 Kostancë Rumani.”

          Le të nënvizojmë se tre të përmendur ne krye, janë nga Dardha!

Gazeta u prit mirë nga shtypi, si nga shtypi shqiptarë i kohës, ashtu dhe nga patriotët shqiptarë.

          Ja si shkruan “DRITA” 15/6/1906 “Shqiptarët e Amerikës kanë zënë udhë të mbarë, si për veten e tyre, ashtu dhe për kombin mëmëdhen; ka shumë shpresa që shqiptarët e Amerikës do të bëjnë ato më të larta shërbime për lirinë e Shqipërisë. Tashti zu të dalë dhe një gazetë shqip në Boston Ma. me emrin “KOMBI.” Muarëm numurin e parë e kënduam me shumë gëzim e pëlqim. Direktor është Sotir Peci nga Dardha e Korçës. Pas të shkruajturave që ka numuri i parë, merret vesh që është fjesht kombiar dhe kundër qëllimeve intrigave t’armiqve. Gazeta është shtypur me shkronja latine……I urojmë jetë të gjatë e përparim “KOMBI”………

          Gjithashtu foli dhe Konica, i cili rallë i pëlqejnë punët e të tjerëve, foli mirë në “Albania” viti X nr. 1 1906 faqe 21-22. “Kur ish gati te dalë “Albania” patëm gëzimin të marrim numuri e parë të “KOMBI”, fletë e përjavëshme që nisi të botohet në Boston Ma. me zotin Sotir Petsi për drejtuar……..”KOMBI” i cili pëlqen ABC e Bashkimit ka shtyptografien e tij. Drejtori, zoti Sotir Petsi, ka mësuar ca kohë, dëgjova, matematikat e larta në Universitet të Athinës, por më mirë se këtë është një njeri që mendohet me trutë e tija, jo me trutë e botës, si atdhetar e njohim dhe e lavdërojnë gjithë kombëtarët e vërtetë. A doni të keni n’Amerikë një fletë luftonjëse, e cila ka për të bërë punë të vërtetë? Atëhere ndihni!

          Atdhesia nuk shfaqet me fjalë!!!

Sipas Kostë Demos shqiptarët e atyshëm e pritën “KOMBIN” me entusiazëm kur doli “KOMBI” ne u hodhëm përpjetë nga gëzimi; “KOMBIN” e lexoni dhe këndonin shumë veta, të cilin e shpinim në konakë a në fabrika, korrierat vullentarë si Goni Katundi, Kostë Isaaku e djem të tjerë.”

          Ndërkohë kundërveprimi i qarqeve shoviniste me ndikim të madh në SHBA, ishte i menjëhershëm, i fortë dhe me disa forma. Gazeta qëlloi mbi ta si një këmbanë alarmi, prandaj filluan te përdorin kundër saj shpifjen, diskreditimin, frikësimin e drejtorit. Thonë se gazeta nuk e nxjerrin shqiptarët por një njeri prej tyre Sotir Peci, bile konsulli Grek në Boston Dhimosten Thinogjensi u mundua të bindte Pecin të hiqte dorë nga botimi i “KOMBI” dhe të nxirte gazetë tjetër (nënkupto një pltformë tjetër) shqip ose shqip-greqisht, e mundësisht në Korfuz. Për këtë qeveria greke do t’i njihte të drejtën e çifligut të gjyshit në Gavrolimint, te konfiskuar tashmë pronë e gjyshit e tij. Peci nuk paranoi. Ateherë kërkuan që së paku, ta ndalte polemikën me Greqinë. Natyrisht nuk do ta linin të mbante atë kostum të vjetër, të hante natë për natë bukë e ullinj e të mos kish pallto dimri. Flitej se Peci, Noli dhe Naçi kishin një pallto dhe e përdornin me radhë kur dilnin. Peci vazhdonte të refuzonte dhe ndërkaq, gazeta dilte rregullish çdo javë.

 

Rreziku i mbylljes së gazetës

 

Si edhe të gjitha gazetat që mbaheshin me ndihma edhe “KOMBI” u gjend shpejt në vështirësi finananciare. Duhej paguar qeraja e qilarit-shtypshkronjë dhe zyrë, kësti i shtypshkronjës, madje dhe drutë që digjte ai; por oxhaku i vjetër lëshonte më shumë tym se sa të nxehte, në atë qilar të ftohtë me lagështirë. Brenda një viti gazeta hyri borxh 485 dollarë një shumë e madhe për atë kohë. Për të larë borxhin Noli e Peci vajtën në Natik ku jetonin e punonin majft shqiptarë dhe e kaluan këtë fazë. Por rreziku i mbylljes u qëndronte mbi kryet e tyre; ishte një kërcënim i vazhdueshëm. Peci dhe Noli vendosën të bëjnë shpenzime me kursim të madh, aq sa pleqtë e mbetur gjallë nga ajo kohë tregonin anekdoda të ndryshme për varfërinë tyre. Në këtë kohë Noli vendos të largohet nga gazeta. Për arsye të vështirësive financiare, dhe rasti që ju hap për t’u veshu pruft, por dhe karakteri i ndryshëm nga ai i Pecit, e çuan në marrjen e këtij vendimi, që me sa duket Pecin e zemëroi fort. Këtë e ka vënë vetë në dukje Noli në letërkëmbimet me Thanas Tashkon. Ku i thotë: “Përpiqemi me sa mundet, por, ç’të bëjmë kundër asaj që s’bëhet? Pra dhe për mendime të tjera u largua përfundimisht.

          Siç duket maturia e njerit nuk përputhet me vrullet e tjetrit. Në qoftë se redaktori I ri nuk e ka kollaj të pranojë këshillat dhe të udhëhiqet, drejtori “KOMBI” e ka të vështirë të përballoje qëndrimet dhe gjykimet radikale te djaloshit. Në këtë mes, Noli është I vendosur të mos jepet “dhe në vdektë do t’i vdiste vdesë më parë trupi dhe pastaj kurajua.” Ai nuk e ka për gjë të pohojë se “KOMBI” mbahet në këmbë në sajë të tij në radhë të parë! Edhe e di se Peci është patriot dhe njeri i ndershëm, po redaktori nuk pajtohet me ngathësinë e tij, dhe mungesën e inisiativës, me faktin se qëndron larg njerëzve. Pse duhet të shkojë ai (Noli) tek dardharët për të mbledhur ndihma e jo Peci që është dhe vetë dardhar? Pra te gjitha këto e të tjera e bënë Nolin të lërë gazetën.

          Në këtë kohë më 1907 vijnë nga Dardha emigrantë të rinj rreth 20 djem të moshës 18-20 vjeç që i solli një kompani engleze emigracioni dhe i udhëhiqni dy bashkëfshatarët  e tyre për në Amerikë Misto Millona e Dhamo Ceku që e kishin shkelur Amerikën qysh në vitin 1892. Këta djem të rinjë përkrahën bashkëfshatarin e tyre Sotir Pecin i cili kishte marrë këtë inisiativë kaq të madhe për nxjerrjen e kësaj gazete. Ata me gjith zemër e ndihmuan finaciarisht, moralisht, vellnetarisht per gjithë problemet e shtypit daljes dhe shpërndarjes së gazetës. Dhe Peci u futi në shpirt dashurinë për Atdhe u mësoji gjuhën shqipe aty në qilarin e shtypshkronjës pas pune sipas gërmave të shtypjes së gazetës. I pajisi me një methodë për të mësuar anglishten. Kjo metodë, siç shkruante “Albania” e mbushi fare mirë qëllimin e saj, e ndihmoj që të përvetësojnë shpejt gjuhën engleze që të merren vesh si në punë ku punojnë, ashtu dhe në jetën e përditshme.

 

Platforma e gazetës “Kombi”

 

          Duke hedhur një vështrim të shpejtë mbi publicitetin e Pecit në ato vite, vemë re disa tipare të stilit të tij. Ai ishte gazetar i drejtpërdrejtë, polemist i qartë dhe shpesh herë dhe ironik. Mbi të gjitha spikat vizioni i tij politik.

          Që në fillim në numrin e parë, ai i dha gazetës një drejtim antiosman dhe antishovinist. Për të nxitur luftën e armatosur kundër robërisë Osmane.

          Ai besonte se populli shqiptar kishte forca të bredshme, që mund ta shporte vetë zgjedhën Osmane.

          Në kryeartikullin e nr. 3 ai bën thirrjen:

“Që të humbasë a të dëgjohet emëri shqiptar, është në dorën tonë….

Dhe ai duke njohur dëmin që sillnin çështjet Kombëtare armiqtë e bredshëm të saj, ai nuk nguronte të këshillonte kundër tyre kërbaçin dhe dhunën “Asnjeri nuk mundet të na qortojë po të punojmë për qëllimet tona dhe t’u thyejmë hundët armiqve tanë” (Mjaft me urtësi e durim! Kombi 7 korrik 1906).

          Edhe më tej Peci mbetet partizan i kryengritjes armatosur, duke përkrahur çetat e para të armatosura për liri.

          “Turqia kurrë s’dëgjon zënë e drejtësisë-shkruan më 4 Prill 1908- kjo bindet dhe unjet përpara forcës dhe përpara pallës. I a vlen të nënvizohet se Sotir Peci ishte nga të parët, që paralajmëron Lëvizjen Kombëtare për demagogjinë e propogandës xhonturke dhe për rrezikun që i kanosej së ardhmes nga platforma e tyre për Shqipërinë……….

          Me pjekuri e largpamësi drejtoi Sotir Peci gazetën e vet kundër synimeve shovinisteve fqinj. I tillë është rasti kur ai shpreu me trimëri, por dhe me tallje kundër artikullit të gazetës “Pyrros” te Athinës, i cili i rekomandonte Komitetit Maqedonas, që të vriste drejtorin e gazetës “KOMBI”. Neve vetëm një lutje i bejmë të dashurit “Pyrros” tallej Peci: Nja dy ditë përpara se të na vrasin, të na apin zë që të bëjmë dhjatat tona dhe të vemë të kungohemi, se s’kemi ndërmend të vemë në skëterrë. Jemi njerëz të rehatit dhe na pëlqen “ Parajsa” (Kombi nr. 26 Shkurt 1907).

          Ai nuhaste dhe nuhancat më të holla të politikanëve antishqiptarë. Në artikullin “Shqiperia në rrezik” (13 Tetor 1906) ai thotë se fuqitë e mëdha nuk I peshonin fare fatet e popujve të vegjël, si populli shqiptar, do ta bënin këtë “jo për të dhënë të drejtën, por për të bërë tregeti me vendin tonë, për ta shitur e për ta blerë”.

          Por si konkluzion:

*“KOMBI” përhapi nxiti dhe edukoi mërgimtarët në SHBA me frymën e patriotizmit dhe atdhedashurisë. U përpoq për të themeluar shoqeri dhe për bashkimin e tyre me një të vetme, duke hapur rrugën e shoqërisë më të madhe dhe më jetëgjatë në SHBA “Vatra”.

          *U doli zot të drejtave të shqiptarëve për vetëqeverisje, duke luftuar pertendimet tokesore të shovinistëve fqinj.

          *Nxiti e përkrahu lëvizjen e armatosur antiosmane, dhe demaskoi manovrat e demagogjinë e xhonturqëve.

          *Luftoi për një kishë të pa varur ortodokse dhe për predikim shqip.

          *Informonte për ngjarjet në atdhe dhe në botë.

          *U mundua të nxiste letërsinë, nëpërmjet ndonjë konkursi lerar dhe ndonjë shtylle letrare, kohë më kohë.

    ***

          Më 1908 në Boston Mass organizohet një tubim patriotik. Nga ky tubim zgjidhet Sotir Peci, me detyrë që të shkojë e t’i paraqesë qeverisë turke kërkesat e shqiptarëve të Amerikës dhe në Kongresin e Alfabetit shqip në Manastirit, të përfaqësonte edhe shqiptarët e Amerikës. Në nëntor Peci u nis për në Shqipëri. Përcjellja ishte madhështore me një manifestim patriotik. Ishin qindra shqiptarë dhe tok me ta dhe Noli, që u mblodhën, mbajtën fjalime, brohoritën për liderin e tyre duke e shoqëruar deri në stacionin e trenit.

          Sotir Peci i mallëngjyer përshëndetej me shokë, me bashkëadhetarët dhe në castin e ndarjes nga dritarja e vagonit të trenit thërriste:

          – “Amanet KOMBIN”!

Ky amanet i drejtohej në radhë të parë Nolit. Ai duhet të merte përsipër tani e tutje barrën e gazetës. Dhe në fakt ai do ta bënte së bashku me Eftim Naçin. Po me sa dukej, koha e “KOMBIT” po merret fund. Kjo kish bërë shumë për zgjimim kombtar të shqiptarëve në Amerikë, e kish kryer misionin e saj dhe po vinte koha e “Diellit”..

          Megjithatë, Noli do ta nxirte deri në fund të vitit “Kombin”, duke u përpjekur të pasqyrojë drejt pozitat luftarake e problemet e ditës.

          Ndërsa Peci do luftonte për alfabetin shqip në Manastir me të drejtën e tre votave. Dhe qëllimi në kongres u arrit u zgjidh problemi shkronjave me të cilat shkruajmë dhe sot.

Gazeta Dielli që vazhdon të botohet gati prej 104 vitesh në SHBA, pat si pararendëse të parën gazetë të Shqiptarëve të Amerikës’Kombi” të Sotir pecit, një atdhetar i dorës së parë.

Tags: , , ,

Leave a Reply