Kronikë nga Komuniteti në Nju Jork/
Ditën e dielë me 2 gusht 2014, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, NY, u lidhën me nye ari dy të rinjet, Tonini i biri i të ndjemit Marash dhe Trashe Buçajt, me zojushën Lena, e bija e Vasel dhe Age Ivezajt.
Kunorën shejte e celebroi i Përndershmi Dom Pjeter Popaj, në praninë e të dy familjevet dhe të farefisit të shumtë nga të dy palët. Të gjithë ishin veshë bukur si ka hije për këso rasah gëzimi dhe Kisha ishte zbukurue me lule si për ditë feste.
Gjatë predikimit Dom Pjetri foli për vlerën e martësës dhe për randësinë e lidhjes së përjetshme të dy të rijvet, me porosinë e besnikisë dhe të respektit reciprok. Ai foli me levdata për dy të rijt që kishte pasë rasë me i njoftë mirë gjatë ditëve të pergaditjes para kunorës dhe shprehi besimin se ata do të kenë nji jetë të lumtun në hirin e Zotit dhe në traditat e mira shqiptare të trashigueme prej prindëvet dhe se gjuhën e traditat e mira do t’ua kalojnë fëmijvet, sikurse prindët ua kanë mësue këtyne. Mbasi i thanë PO njenitjetrit tue ndërrue unazat, Dom Pjetri u dha bekimin, i shpalli burrë e grue dhe u bani urimet, duertrokitjet e të pranishëmvet kumbuen tue mbushë Kishën bashkë me tonet e muzikës allegro që përciellte hapat e gëzueshëm të qiftit, i cili drejtohej me gëzim kah jeta e përbashkët.
Darka me rreth 400 mysafirë u shtrue në restorantin “Eastwood Manor”. I përndershmi Dom Pjetër erdhi për të bekue darkën dhe përsëriti urimet qiftit të ri për lumtuni në jetë, përgëzoi familjarët dhe përshëndeti të pranishmit, mandej u largue për të shërbye familje tjera.
Në emën të familjes së dhandrit, të pranishmit i përshëndeti dr. Gjon Buçaj, i cili uroj qiftin e ri që të kenë jetë të lumtun dhe të plaken bashkë. Ai tha se familja Buçaj ishte dyfish e gëzueme, për nusen e mirë, por edhe pse kishte nxanë mikun e mirë. Në emën të familjes së nuses përshëndeti z. Gjon Fran Ivezaj, i cili uroi Lenës e Toninit jetë të gjatë e të lumtun dhe i porositi që të mbajnë gjuhën dhe traditat shqiptare, si u ka hije të dy krahinave të prejardhjes së prindëvet, “ku me shekuj janë rritë sokolana e sokolesha të malevet tona kreshnike”, u shpreh ai. Për këtë gëzim, përveç farefisit të këtushëm nga ana e dhandrit, kishin ardhë nga Europa dajët, vëllaznit Kolaj, Çuni me zojën Tereze dhe Kola. Nga ana e nuses kishin ardhë shumë farefis; binte në sy daja, z. Ded Kol Miri Dedvukaj me zojën dhe z. Kanto Dushaj, Drejtor i “Radio Maria” nga Michigan-i e shumë të tjerë.
Kangë e valle, me muzikë nga Lindon Gjelaj me grupin, vazhduen deri vonë. Të gjithë përjetuen nji mbramje të kandshme dhe u shpërndanë të kënaqun që të dy familjet me rrethin e tyne kishin festue së bashku gëzimin e martesës së dy të rijve.
Redaksia e “Diellit” uron çiftit të ri lumturi në jetë dhe trashëgim.(Korrespondenti i DIELLIT)