Të dielën e 2 korrikut të vitit 1961, Ernest Hemingway (1899-1961), kreu vetëvrasje: qëlloi kokën me armë. Autori i “Dhe dielli lind”, “Për kë bien kambanat”, “Plaku dhe deti”,”Lamtumirë armë” etj., ndodhej në shtëpinë e tij në Kei Uest. Vetëvrasja e shkrimtarit amerikan, e këtij klasiku dhe nobelisti të shekullit të njëzetë, vazhdon të diskutohet sot e kësaj dite. Më 22 të këtij muaji është 110-vjetori i lindjes së tij.
Duke kërkuar rrënjët e këtij akti, gjithnjë merret e rimerret në diskutim origjina e tij “biologjike”, lidhja e gjakut. Kështu, në katër breza të familjes Heminguej, kanë ndodhur katër vetëvrasje: i ati i shkrimtarit, Klarensi; një motër nga babai, Ursula; vëllai i tij i vetëm, Leicester dhe e mbesa, Margo, një yll kinemaje e vetëvrarë më 1996-ën.
I vëllai, Leicester, kishte bërë dikur një interpretim heroik: “Ashtu si një samuraj i fyer prej fjalës apo gjestit të dikujt, Ernesti ndjeu se trupi e tij e kishte tradhtuar.” Në gjueti me të vëllanë e madh, e kishte dëgjuar Ernestin të thoshte se ai u jepte kafshëve që gjuante “dhuratën e vdekjes”, dhe Leicester beson që Heminguej zgjodhi për veten të njëjtën gjë. Vëllai i vetëm i shkrimtarit vrau veten me armë më 1982-shin.
Nga bijë, nipër dhe mbesa të lindur nga martesat me katër gra që pati në harkun e dyzet viteve, gra pak më të mëdha se ai në moshë, në kohë të ndryshme kanë ardhur dëshmi e rrëfime në vepra autobiografike për marrëdhëniet prindërore, për dëmin që kanë shkaktuar tek Heminguejtë, alkooli dhe lufta për mposhtur vetëvrasjen.
I fundmi i fëmijëve të Heminguejt, Patriku, do të vazhdonte të mbante gjallë kujtimin e të atit dhe të shërbente në bordin e “Fondacionit Hemingway” të Oak Park, në Ilinois, aty ku shkrimtari u lind më 22 korrik 1899.
Po ashtu, edhe gratë e tij kanë vdekur. Gruaja e tij e tretë, Martha Gellhorn, vdiq më 1998-ën. Përballjen me opinionin publik për vetëvrasjen e shkrimtarit do ta kishte gruaja e tij, Meri (dikur Mary Welch). Më 3 korrik 1961, një ditë më pas, disa gazeta botonin deklaratën e saj: “Po pastronte armën.”
Por, më vonë do të pohonte se bashkëshorti i saj ishte mendërisht i sëmurë dhe gjendja e tij para se të kryente aktin, ishte keqësuar. Këtij pohimi do t’i mëshohej përherë e më shumë, si për të theksuar mitin e një shkrimtari të madh, por që mendërisht nuk ishte si të tjerët, shkurt, i madh dhe i marrë.
Kështu, para se të kryente vetëvrasje, Ernest Heminguej kishte pak ditë që kishte lënë klinikën, psikiatrinë, trajtimin intensiv me elektroshok.
Kishte gati njëzetë vjet që kusuret e famës po ecnin mbi të. Para se të binte në këtë gjendje, kishte shkruar pothuajse gjithë librat e tij më të rëndësishëm. E kishin quajtur përfaqësues të “brezit të humbur”, por sigurisht ai vetë si shkrimtar nuk do ta ndjente veten krejtësisht të “brezit të humbur”.
Ai do të shkruante “Lamtumirë armë” më 1929-ën, duke trajtuar një pjesë autobiografike nga Lufta e Parë Botërore. Ishte reporter nëpër Evropë, e njihnin kudo që shkonte, mi i legjendave të gjalla të epokës së shkrimtarëve dhe mendjeve të ndritura si Ezra Pound, Gertrude Stein, Sylvia Beach, James Joyce, Max Eastman, apo piktorëve si Miro dhe Pikaso.
Në vitet ’30-’40, do të mbulonte si korrespondent Luftën Civile të Spanjës; ishte një model për shkrimtarët e rinj, të cilët mundoheshin të imitonin stilin e jetës së tij dhe vetë letërsinë, prozën e tij të rrallë. Kishte shkruar “very short story” dhe romane e vepra që lexohen sot e gjithë ditën: “Vdekje pasdite” (1932), “Të kesh a të mos kesh” (1937), “Për kë bien kambanat” (1940), “Plaku dhe deti” (fitues i çmimit “Pulitzer”, më 1953-shin). Një vit më pas, më 1954-ën, do të fitonte çmimin “Nobel”.
Ai kishte qenë gjithë jetës gjahtar, peshkatar, i dashuruar, i martuar, la trashëgimtarë. E pra, e gëzoi jetën me gjithë ngjyrat e saj. Këtu, në këtë pikë, të gjithë ata që duan t’i shkojnë deri në fund interpretimit të motiveve të vetëvrasjes së Heminguejit, ndalen dhe shtojnë: Por, atëherë kur nuk mundej ta gëzonte më jetën, kur trupi po e tradhtonte dhe dhuntia për të shkruar po ashtu, ai i dha fund jetës. Dhe ky akt i fundit, sikur i ngjan asaj që Ernesti thoshte për kafshët që gjuante, se po u bënte “dhuratën e vdekjes”. Edhe ai po i bënte vetes dhuratën e fundit në jetë.
Tags: Ernest Heminguei, korrik, vetvrasja

