Nga Niko Kirka
Nga fundi i dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të kaluar, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë kishin arritur njëfarë organizimi. Kishin krijuar disa shoqëri, kishin botuar gazetën me emrin kuptimplotë “Kombi” dhe më vonë gazetën “Dielli”. Duke qenë në shumicë dërmuese të besimit ortodoks, ata ishin më të ndjejshem ndaj propagandës shoviniste greke dhe arritën një fitore të madhe me dorëzimin e Nolit prift dhe me krijimin e Kishës së tyre, që ishte guri i parë në themelin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Dhe të gjitha këto, kur nuk kishte ende një Shqipëri, kur Mëmëdheu vazhdonte të lëngonte ende nën pushtimin barbar aziatik pesëshekullor.
Kryengritjet kundër pushtuesit të atyre viteve, përgatitjet e fqinjëve për luftën ballkanike, që synonin grabitjen e trojeve shqiptare, shtronin nevojën e organizimit të mërgimtarëve në një shkallë më të lartë dhe më të përqëndruar. Le t’u referohemi dokumenteve të kohës.
Ideja e bashkimit të shoqërive shqiptare të Amerikës ishte e vjetër. U bisedua disa herë, por nuk u vu dot në punë. Më 24 Dhjetor 1911, u bë në Boston, pas thirjes së shoqërisë Besa-Besën, nën drejtimin e z. Kristo Floqi, redaktorit të “Diellit”, një mbledhje në Rathbone Hall, 724 Washington Street, ku u bisedua gjerë e gjatë çështja e bashkimit të shoqërive. Më në fund, pas propozimit të z. Marko Adams, u vendos të zgjidhet një Komision prej zz. Faik Be Konitza, At Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi, për t’u kujdesur për këtë punë.
MBLEDHJA E PARE E KOMISIONIT ORGANIZATOR
Pasi u bënë disa këmbime mendimesh, më 13 të shkurtit, komisioni i përbërë prej atdhetarëve të përmendur më sipër, bëri mbledhjen e par dhe zgjodhi si sekretar At Fan Nolin, i cili u ngarkua t’u bënte një thirje të gjithë shoqërive dhe kolonive. Më poshtë botojmë thirrjen dhe rekordin e mbledhjes së parë:
“Të nderçime Shoqëri dhe Kolloni Shqiptare,
Komisioni i zgjedhur ditën e 24 të Shen Endreut nga mbledhja kombëtare e Bashkimit prej zz. Faik Be Konitza, At Fan Noli, Kristo Floqi dhe Paskal Aleksi, dyke parë nevojat e kombit shqiptar e dyke marrë në sy kohën e kritikëshme në të cilën ndodhet atdheu ynë, u muar vesh me njërijatrin edhe u mblodhë që të katër e vendosnë atë që shihni më poshtë. Veçanërisht vendosnë që me anën e At Fan Nolit, zgjedhur si sekretar nga an’e këtyre për çkëmbim mendimesh e marëveshje midis Komisionit edhe juve, t’u dërgohet nga një letër gjithë Shoqërive si dhe kollonive shqiptare, të cilat s’partizojnë nonjë shoqëri, e t’ju shpjegohen hollësisht pikat e formës që do të ketë ky bashkim i filluar nga Komisioni edhe nga delegatët të ardhur në Boston nga an’e Shoqërive a e kollonive. Andaj, me që s’munt t’i dimë të gjitha shoqëritë dhe kollonitë shqiptare të Amerikës, u lutemi, ato që s’muarë të këtillë letre prej Komisionit dhe dëshërojnë të bashkohen si të tjerat, të merren vesh për çkoqitjet me Sekretarin e Komisionit:
Rev. At Fan Noli,
P.O. Box 2445, Boston, Mass.
“Me që koha ësht’e vlejtur sot dhe s’munt të lihet e sotmja për të nesërmen pa mos i ardhur një dëm i math atdheut nga një përtim i këtillë dhe panxetësi nga ana jonë, ju lutemi një or’e më parë të përgjigji për vendimin e delegatit tuaj e t’a bëni të njohur te Sekretari i Komisionit Rev. At Fan Noli, sepse më 3 të Marsit kemi mbledhjen e dytë, ku do t’i japim funt kësaj çeshtje.”
Vendimi i Komisionit është ky:
“REKORD
Të katër të nënëshkruarit, të zgjedhur si Komision i Bashkimit në një miting që u mbajt në Boston, më 24 të Shen Endreut, për të gjetur udhën e një bashkimi të Shoqërive Shqiptare t’Amerikës, u mblothnë dhe i dhanë funt.
Artikull 1- 1) Të pyeten gjithë Shoqëritë e kollonitë e mëdha, ku s’ka shoqërira, në u pëlqen një bashkim; 2) Në ç’formë e duan, në formë federale apo qendrale; 3) Me ç’qëllim, politik, edukatoral, letrar apo propagande popullore; 4) edhe në u pëlqen Bashkimi, kur do të kenë zgjedhur një delegat, për të ardhur në Boston për të themeluar Bashkimin.
Artikull II Për sekretar të këti çkëmbimi mendimesh zgjothmë At Fan Nolin.
Artikull III Do të mblidhen për herën e dytë më 3 të Marsit që të bisedojnë përgjigjet e Shoqërive.
Komisioni i Bashkimit
Faik Konitza
Kristo Floqi
Paskal Aleksi
At Fan Noli
Boston, Mass., 13 Shkurt 1912”
MBLEDHJA E 3 MARSIT E KOMISIONIT TE BASHKIMIT
“REKORD II
Komisioni i Bashkimit të Shoqërive në mbledhjen që mbajti më 3 të Marsit, 1912, këndoj letrat e dërguara të Shoqërive që u përgjegjqnë në thirrjen për bashkimin, dhe pa që 8 Shoqërira e pëlqyen Bashkimin dhe zgjodhë delegatët e tyre, të cilët janë gati të vijnë në Boston për të themeluar Bashkimin.
“Që të 8 Shoqëritë janë me një mendje që Shoqëria e Bashkuar duhet të organizohet pas sistemit federal. Sa për qëllimin që do të ketë, 2 Shoqërira bashkohen pa kondicje, 4 bashkohen me qëllim politik e propagande popullore edhe 2 me qëllim edukatoral. Pas një bisedimi mi të gjitha letrat Komisioni vendosi këto:
I-Mbledhja e delegatëve për të themeluar Bashkimin do të mbahet të Dielë, më 17 Mars, 1912, që më 1 të orës pas dreke gjer më 6 në sallën e Kishës Shen Gjergji, 227 Tremont St.Boston, Mass.
II- Shoqëritë që s’u përgjegjnë gjer më tani munt të dërgojnë dhe ato delegatët e tyre me porosi të çkoqur sa për formën si dhe qëllimin që duan Bashkimin, dyke e bërë të njohur te Sekretari i Komisionit Rev. At Fan Noli, P.O. Box 2445, Boston, Mass., jo më vonë se 15 Mars.
III- Delegatët të sjellin nga Shoqëria e tyre kartëra që të provojnë cilësin’ e tyre (që vërtet janë delegatë të dërguar prej Shoqërive të tyre).
IV- Me që shumic’e Shoqërive e dëshërojnë Bashkimin me qëllim politik e propagande popullore, të ftohen ato dy Shoqërira që e duan me qëllim edukatoral t’a mejtojnë prapë përfundimin, që Bashkimi të ketë gjithë një qëllim.
V- Komisioni i Bashkimit, përpara se të mblidhen delegatët, do të mbanjë një mbledhje më 10 të Marsit, për të pregatitur një pllan a më mirë një Kanunore Provizore, të cilën t’ua shtronjë delegatëve kur të mblidhen për lehtësi. Komisioni i Bashkimit
Faik Konitza
Kristo Floqi
At Fan Noli
Paskal Aleksi
Boston, Mass., 3 Mars, 1912”
REKORD III I KOMISIONIT TE BASHKIMIT
Neve të nënëshkruarit, pas zotimit që botuam më përpara, u mblothme të Dielën më 10 të Marsit dhe biseduam këto:
I-Biseduam pikat e një Kanunoreje preliminare, të cilat pika do t’ua shtrojmë delegatëve të Shoqërive më 17 të Marsit pas programit.
II-Delegatët duhet të mblidhen bashkë me Komisionin e Bashkimit të Dielën që vjen më 17 të Marsit në sallë të Kishës, 227 Tremont St. Boston, që më 2-6 pas dreke. Mbledhja do të hapet më 2 të orës pas dreke prerë.
III-Do të zgjidhet një chairman i përkohëshëm për të rregulluar bisedimet e mbledhjeve gjersa të votohet kanunorja e përgjithëshme e Bashkimit të Shoqërive.
KOMISIONI I BASHKIMIT
“Mbledhja e 17 Marsit e Komisionit të Bashkimit bashkë me delegatët e dërguar.
“Pas botimit nër numërat e shkuara të Diellit, njëditëzaj të Dielë, më 17 të Marsit pas dreke, u mbluadhë në sallën e Kishës Shen Gjergji, 227 Tremont St., Komisioni i Bashkimit bashkë me delegatët e dërguar të Shoqërive që deshin të bashkohen. Mbledhjen e hapi sekretari i Komisionit At Fan Noli, i cili u emërua nga an’e mbledhjes si chairman. U ndodhë të ardhur të 4 vetat e Komisionit dhe nga Shoqëritë që duan Bashkimin ardhë e treguan cilësinë e tyre Z. Kristo Kirka, si delegat i Shoqërisë “Mall’i Mëmëdheut dhe Perlindja” në Jamestown N.Y., si dhe të Shoqërisë “Dallëndyshja” të N. Y., Z. Llambi Cikozi si delegat i Shoqërisë “Besa-Besën”, Z. Elia Tromara si delegat i Komitetit “Flamuri i Krujës”, Dr. Kostaq Kotta si delegat i Shoqërisë “Mirëbërëse” të Syracusesit, në vent të At Naum Çeres, i cili ish emëruar delegat më parë, edhe Z. Kostika Treska si delegat i Shoqërisë “Kombëtare” të Worcesterit.
“Z. Kristo Kirka s’mori pjesë si delegat i Shoqërisë “Arsimi” siç ish deklaruar më parë, nga shkake të veçanta, të cilat kish arrsye të mos ia tregonje mbledhjes edhe më fort që Shoqëria Korçare ‘Arsimi’ si Shoqëri kulturale edhe me program edukatoral letrar, s’munt të përzjehet me shoqëritë e tjera, të cilat të gjitha kishin qëllim Politik, a Propagande Popullore.
“Dr, Kostaq Kotta ish i emëruar si delegat nga an’e At Naum Çeres me lejen e plotë të Shoqërisë “Mirëbërëse” të Syracuseçit, të cilën e përfaqësonte. Delegati i Shoqërisë “Mbarësi e Luarasit” të Tautonçit s’dimë përse s’u ndodh në mbledhjen, ndonëse Shoqëria e Tauntonçit e kish emëruar dhe dekllaruar pas programit te Sekretari i Komisionit. Përveç Shoqërisë “Arsimi”, e cila s’mori pjesë në mbledhjen për shkake të përmendura më lart, po pas një vendimi të mbledhjes u diskartua dhe Shoqëria e Jamestown-it “M. i M. e Perlindja” me qenë që s’desh të bashkohej me qëllim Politik Propagandor, me të cilin njësisht u bashkuan Shoqërit’ e tjera. Këtë gjë jo vetëm e kish dekllaruar kjo Shoqëri te Sekretari i Komisionit, por edhe kur u pyet të dytën herë nga Sekretari Rev. At Noli u përgjeq që s’ndron dhe s’heq dorë nga programi edukatoral.
Pas shumë bisedimesh midis Komisionit dhe delegatëve edhe pasi të gjithë delegatët e Shoqërive me qëllim politik propagandor, thanë që bashkohen, u komposua ky rekord i përposhmë, e bisedim i dytë u la për të dielën që vjen, 24 Mars, 1912, gjith n’atë Hall, që më orën 2 gjer më 6 pas dreke.
Ja dhe vendimi i mbledhjes:
REKORD IV
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e Shoqërive Komiteti “Flamuri i Krujes” i New Englandit, “Kombetarja” e Worcester-it, “Mirëbërëse” e Syracuseçit, “Mall’i Mëmëdheut e Perlindja “ e Jamestown-it, “Dallëndyshja” e New York-ut dhe “Besa-Besen” e Amerikës në mbledhjen që mbajtën të djelën më 17 Mars 1912, kënduan letrat e shoqërive per çështjen e bashkimit dhe panë që shoqëria “Arsimi” e Korçës u hoq e nuk dërgoj delegat pa thënë shkaqet e heqjes. Po për së dyti që edhe delegati i Shoqërisë “Mbarësi e Luarasit” nuk u ndodh në mbledhje ndonëse ish deklaruar dhe pas bisedimeve të zakonëshme përfundon kështu:
I-Shoqëria e Jamestown-it “M. i M. e Perlindja” mbeti jashtë Bashkimit me që nuk bashkohej me mendjen e shumicës së delegatëve.
II-Mbledhja e dytë e Komisionit dhe e delegatëve do të bëhet të Dielën që vjen, 24 Mars 1912, që me 2-6 pas dreke gjithë n’atë Hall te Kishës për të pasuar bisedimet.
III-Çështjet që do të rrihen të Dielën që vjen janë: 1)Disa pika ëe kanunores të Shoqërisë së Re edhe në mes të tjerave 2) ne duhet që Shoqëria federale që do formohet të mbanjë gazetën Dielli.
IV-Gjithë sa shoqëri bashkohen të çojnë me anë të delegatëve edhe nga 10$ për harxhet e hëpërhëshme. Komisionit i Bashkimit
Faik Konitza
Kristo Floqi
At Fan Noli
Paskal Aleksi
DELEGATET
Kristo Kirka
Elia Tromara
Dr. Kost. Kotta
Kostika Treska
Boston 17 Mars 1912 Lambi Çikozi
MBLEDHJA E 24 MARSIT E KOMISIONIT TE BASHKIMIT
Pas programit, Komisioni me delegatët e Bashkimit u ndodhën në vendin e bisedimeve të Dielën e 24 Marsit. Të dy çështjet që do të rriheshin, u rrahnë e u biseduan me kaqë hollësi sa s’mbet asnjë dyshim që si u-zgjidhë këto ashtu edhe çdo pikë tjetër pas kësaj gjer sa të formohet do të zgjidhen gjithë me atë gjakftohtësi, paanësi dhe kthjellësi që u zgjidhnë dhe dy çështjet e para. Mi ato e sipër chairmani Rev. At Fan Noli këndoj para mbledhjes një letër të Shoqërisë “G. Skënderbeu” Gary, Ind., e cila deklaron që bashkohet edhe ajo me shoqëritë e tjera, gjithë me atë qëllim që bashkohen dhe këto, dyke iu lutur sekretarit të Bashkimit At Fan Nolit t’i tregonjë zyrtarët e Shoqërisë “Besa-Besën” nga të cilët të zgjedhin një delegat t’i përfaqësonjë. Po edhe në martë funt bashkimi thonë, (para se të zgjedhin delegatin) Shoqërinë e tyre t’a quajnë të bashkuar Komisioni me delegatët. Kështu mbledhja përfundoi në këtë vendim:
“REKORD V
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e Shoqërive në mbledhjen që mbajtën ditën e Dielë më 24 të Marsit, pasi biseduan çështjen e gazetës Dielli e të kanunores, dhanë funt:
I-ShoqËria federale që do të formohet do të ketë nënë hijen e saj gazetën Dielli me konditë që gazeta do të mbahet vetëm me të ardhurat e saja nënë kontroll moral të Shoqërisë.
II-Zotërinjtë Faik Konitza dhe Kristo Floqi muarrë përsipër të bëjnë një kanunore provizore inglisht te një avukat nga më të dëgjuarit në Boston.
III-U votua njës sumë 25 dollarësh për harxhet e para të kanunores.
IV-Te mbledhja tjetër do të vihet në votë kanunorja dhe do të pagëzohet Shoqëria e Re.
V-Mbledhja e tretë do të mbahet të dielën që vjen që më 2-6 pas dreke, në sallë të Kishës. Komisioni i Bashkimit
Faik Konitza
Kristo Floqi
At Fan Noli
Paskal Aleksi
DELEGATET
Elia Tromara
Kristo Kirka
Dr. Kost. Kotta
Lambi Çikozi
Kostika Treska
Boston, 24 Mars, 1912
MBLEDHJA E 31 MARSIT PER BASHKIM
Edhe kjo mbledhje u bë me gjithë kanunet e hollësit’e nevojshme. Komisioni bashkë me delegatët u ndodhë të gjithë tok në sallën e Kishës Shën Gjergjit më orën e shënuar.
Chairman-i hapi mbledhjen me rregull si herët e para, dyke lajmëruar mbledhjen që Shoqëria ‘Kombëtare” e Worcester-it, e cila është lidhur në bashkim me shoqëritë e tjera, pas një letre që i dërgoj emëron për delegatin e saj Z. Kosta Vasil, në vënt të Z. Kostikë Treska, i cili nga shkaqe të papandehura s’mundi të vinje në mbledhjen. Mbledhja si mori në sy letrën e Shoqërisë “Kombëtare” si dhe letrën e përfaqësonjësit të delegatit të ri, pranoj Z. Kosta Vasil për delegat në vënt të Z. Kostika Treska. Pas kësaj mbledhja hyri në bisedime. Zotërinjtë Faik Konitza dhe Kr. Floqi, të ngarkuar nga mbledhja të bëjnë kanunoren e shoqërisë, pas marëveshjes që bënë me ata që lypej, prunë kanunoren edhe një notë për të njohur kanunoren e Shoqërisë së Re nga an’e guvernës zyrtarisht duhen 70$ të cilat mbledhja votoj t’i sjellin pas pjesës gjithkush delegatët e shoqërive në mbledhjen që vjen.
Si u biseduan dhe u vendosnë të gjitha ato që përmban rekordi i 6-të më poshtë, u proponuan nga cilido prej të mbledhjes disa emra për të emëruar shoqërin’e re dhe midis të cilave u pëlqye përgjithërisht me një zë emri Vatra, i cili ka kuptim të thellë e të lartër dhe përmbleth shumë gjëra. Ky emërim u prit me gëzim të math dhe me kërcëllime duarsh të zjarrta. Shoqëria e Re u qojt Federata Pan-Shqiptare e Amerikes Vatra
Vul’e shoqërisë së re federale do të tregohet hollësisht me kanunoren e re dhe do të porositet në më të mirën mjeshtërore që të bëhet nga më të bukurat e më të mirat. Ashtu dhe kopsa e Shoqërisë. Kanunorja do të bëjë fjale për kordhelën e shoqërisë për festa dhe për ditë të shënuara.
Si të njihet dhe të votohet kanunorja do vihet në vepër e do të zgjidhet pleqësi e hëpërhëshme prej Komisionit dhe prej delegatëve për pak kohë gjer sa Bashkimi të marë udhën, dyke formuar më çdo degë pleqësi e veçantë pas kanunores dhe pas dëshirës së shqiptarëve. Kështu mbledhja vendosi këto:
REKORDI VI
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e Shoqërive në mbledhjen që mbajtën të Dielë më 31 Mars, pasi biseduan çështjen e kanunores, të emrit dhe të pagesës së shoqërisë federale që do të formohet i dhanë funt:
I-U votua një sumë 70 dollarësh për të njohur Shoqërinë nga guverna.
II-Shoqëria u qojt Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra.
III-Pagimi do të jetë 3$ në mot dhe 1$ për të hyrë për çdo anëtar të ri.
IV-Mbledhja tjetër do të bëhet të Marten më 9 të Prillit, në Hall të Kishës më 6 pas dreke
V-Çeshtja që do të bisedohet në mbledhjen që vjen do jetë votimi i kanunores. Komisioni i Bashkimit
At Fan Noli
Kristo Floqi
Faik Konitza
Paskal Aleksi
DELEGATET
Kristo Kirka
Dr. Kost. Kotta
Lambi Çikozi
Elia Tromara
Kosta Vasil
Boston, 31 Mars, 1912
MBLEDHJA E 9 PRILLIT
Pas vendimit të mbledhjes më së parë Komisioni i Bashkimit bashkë me delegatët u mblodhë prapë të Martën që shkoj më 9 Prill, në sallën e Kishës Shen Gjergji. At Fan Noli si chairman hapi mbledhjen, tek u këndua kanunor’e Shoqërisë së re federale inglisht dhe pastaj u përkthye shqip dhe u këndua para gjithëve shumë herë me radhë nyje për nyje.
Pas shume bisedimeve në nyjat, u vendos dhe u votua një pjesë e kanunores, e cila përmbleth fillimin, qëndrimin e qëllimin e Federatës Vatra, sikundër edhe detyrat e komisionit qëndror, i cili do formohet nga një sekretar i përgjithëshëm, një arkëtar i përgjithëshëm dhe 3 kontrollorë, gjithësej 5 veta.
Pa fjalë që në këtë kanunore Shqiptarët do të gjejnë gjith’ato gjëra e sende që kanë ëndëruar, të cilat dhëntë Zoti i pafshim edhe të efekta edhe të kurorëzuara me një përfundje të shenjtë.
Mbledhja qëllonte t’a votonte tërë kanunoren, por ora kapërxeu nga 10 të natës dhe delegatët e larkmë s’arrinin dot trenin.
Kështu u përfundua të pasonjë bisedimi për të Dielën që vjen, më 14 të Prillit, dhe u komposat rekordi i poshtmë:
“ REKORD VII
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët e Shoqërive, në mbledhjen që u mbajt më 9 të Prillit, biseduan dhe dhanë funt kështu:
I-Biseduan nyje për nyje dhe votuan një pjesë të kanunores.
II-Mbledhja tjetër do të bëhet të Dielën që vjen më 14 Prill pas dreke më orën 3 P.M. Komisioni i Bashkimit
At Fan Noli
Kristo Floqi
Faik Konitza
Paskal Aleksi
DELEGATET
Kristo Kirka
Dr. Kost. Kotta
Lambi Çikozi
Elia Tromara
Kosta Vasil
Boston, 9 Prill, 1912
MBLEDHJA E 14 PRILLIT
U mbloth përsëri Komisioni i me delegatët në vendin e mbledhjeve të Bashkimit. Zoti Kr. Floqi si anëtar i Komisionit dhe Dr. Kost. Kotta si delegat i Shoq. “Mirëbërëse” të Syracuse-it s’u ndodhnë dot në këtë mbledhje. I pari s’arriu dot në Boston në orën e mbledhjes dyke shetitur fshatrave për ndihma dhe pajtime të Diellit’ i cili ndodhej në rrezik po të mos mbahej lendarisht. I dyti u thirr në Southbridge, ku atdhetarët e atjeshmë qëllojnë me anën e Z-it Kottes të çelin një shkollë shqip atje. Që të dy lajmëruan sekretarin e Bashkimit At Fan Nolin për shkakun që s’u ndodhë.
Kështu Komisioni me delegatët u ndodhë në aparti (kishte shumicën e votës) me ata që u mblodhë dhe vendosi këto:
“REKORD VIII
Komisioni dhe delegatët e Shoqërive në mbledhjen që mbajten më 14 të Prillit dhanë funt:
I-Votuan tërë kanunoren e Federatës (Shoqëria Federale Vatra)
II-Porositnë çdo delegat të sjellë në mbledhjen tjetër që vjen një raport të plotë në të cilin të rrëfehen: a)Numëri dhe emrat e anëtarëve të Shoqërisë që përfaqëson, b) kapitali i thatë që ka c) plaçkat e plengët e tjerë që ka
III-Mbledhja tjatër do të bëhet më 28 të Prillit, më 3 P.M., gjithë në sallën e Kisëes Shen Gjergjit.
IV-Në këtë mbledhje do të zgjidhet Komisioni i Përkohëshëm i Federatës, i cili do të veprojë gjer sa të organizohen plotësisht degët.
KOMISIONI I BASHKIMIT
At Fan Noli
Paskal Aleksi
Faik Konitza
DELEGATET
Elia Tromara
Kosta Vasil
Lambi Çikozi
Kristo Kirka
Boston, 14 Prill, 1912
BASHKIMI I SHOQERIVE MORI FUNT
FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKES “VATRA”
Mbledhja me 28 Prill 1912
REKORD IX
Komisioni i Bashkimit dhe delegatët në mbledhjen që mbajtin të Dielën më 28 Prill, 1912, pasi panë raportet e Shoqërive që bashkohen dhanë funt:
I-E quajmë të formuar Federatën Pan-Shqiptare Vatra të Amerikës, prej Shoqërive “Besa-Besen”, “Flamur’i Krujës”, “Kombëtare” dhe “Dallandyshja”.
II-Emërohen Pleqësi e Përkohëshme këta zotërinj: Sekretar At Fan Noli, arkëtar Lambi Çikozi, Manager i Diellit Z. Kristo Kirka. Organizatorë të degëve të Federatës: Faik Konizta, Kristo Floqi. Mbikqyrës të Diellit: Paskal Aleksi, Elia Tromara, Kosta Vasil.
III-Konferenc’e parë për të filluar degën e Bostonit do të bëhet të Dielë, me 12 të Majit, 1912, dhe për fshatrat e tjera do të bëhet sipas programit që do botohet në Dielli.
IV-Mbledhja e përgjithëshme e kryetarëve të degëve të Federatës për të zgjedhur Komisionin e Rregullshmë (Pleqësinë e qendrës) për mot mot do të bëhet të dytën të Dielë të Korrikut (kur do jenë formuar degët).
V-Hëpërhë gazeta Kombëtare Dielli do e mbanjë titullin dhe programin që ka gjer sa të zgjidhet Komisioni i Rregullshmë i Federatës.
VI- Komisioni i Përkohëshëm fton Shoqëritë që u bashkuan, sipas kanunores që votoj, të dërgojnë kapitalet e tyre te arkëtar’i përgjithshëm Z. L. ,Çikozi. Komisioni i Bashkimit
At Fan Noli
Kristo Floqi
Faik Konitza
Paskal Aleksi
DELEGATET
Kristo Kirka
Lambi Çikozi
Elia Tromara
Kosta Vasil
Boston, Mass., 28 Prill, 1912
Të Dielën, 12 Maj, u-themelua në Boston Mass., dega e parë e Vatrës. Mbledhja u mbajt nënë chairmanësin’e At Fan Nolit në Phoenix Hall, 724 Washington Street. Folë Z.Z. Faik Be Konitza dhe Kristo Floqi. Pleqësia e Degës No 1 Boston Mass., u-zgjoth kështu: Kryetar Z. Kristo Kirka, arkëtar Z. Kristo Aristidi, sekretar Z. Elia Zografi, pleq Z.Z. Kosta Ratska, Efthim Natsi, Nikolla Caknaqi dhe Petro Lazar.
Pra me energjinë që i karakterizonte ata burra, brenda dy javësh, krijuan degën e parë të Bostonit që do të ishte shtylla kryesore e “Vatrës” dhe më pas vazhduan me degët e tjera, duke i shtrirë gati në çdo vend ku kish shqiptarë.
Kështu u krijua “Vatra” zulmëmadhe që me veprimtarinë e saj shkroi nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare, ajo “Vater” që në disa raste u quajt me të drejtë një “qeveri shqiptare në mërgim”, ajo “Vatër që e mposhti kryeministrin shovinist grek Venizellos, gjë që ai e pranoi botërisht.
Duke lexuar këto faqe dokumentash nuk mund të mos arrijsh në disa përfundime vlerësuese. Ata burra e kishin të zhvilluar në shkallën më të lartë ndjenjën e atdhedashurisë, ata kishin një përkushtim të tillë ndaj shqiptarizmës sa arrijtën të mposhtin në vetvete tiparet negative të natyrës së shqiptarit, si individualizmin, bajraktarizmin e kapadaillëkun. Ata i karakterizon një mendësi thellësisht demokratike në veprimet e tyre, një transparencë dhe korektesë e habitshme në përpilimin e procesverbaleve të mbledhjeve dhe të vendimeve. Edhe sot mbas 90 vjetëve, ata janë një shembull i shkëlqyer për ne dhe nderimi më i madh që mund t’u bëjmë është që të përpiqemi të punojmë si ata për të mirën e Kombit tonë, në kushtet e sotme kur kemi këtu një komunitet më të madh në numër, më të arsimuar dhe më të fortë ekonomikisht se ai i atëhershmi.
*Kumtesë e mbajtur me rastin e 90 vjetorit të Vatres. Autori, është i biri i Kristo Kirkës, delgat në aktin themelues të Vatrës. Kristo Kirka u zgjodh menaxher i parë i Diellit, ku u bë pronë e Vatrës. Kur u themelua dega Nr 1 e Vatrës në Boston, Kristo Kirka ishte kryetari i degës. Ai kishte qenë edhe kryetar i Besa Besë; i Shoqërisë Arsimi etj. Ishte një ndër mbështetësit kryesor të Imzot Nolit, jo vetëm kur u dorëzua prift, por gjatë të gjithë aktivitetit të tij. Ishte deputet i Korcës në Parlamentin shqiptar, Konsull nderi në Boston, nënprefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar bashkie në Korcë. Regjimi komunist e mbylli në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku vdiq pa u përkulur.


ne shoqerine vatra ne 1912 ka qene dhe zoti Galip Shuaip Polovina pozicioni qe ka pasur mblidhte kuotat e anetareve te shoqerise ka qene me origjine nga berati