“JETA NËN TINGUJ” TE HERMIRA GJONIT

July 29th, 2012


16 hermira-gjoni0001

Koncert-maestër Hermira Gjoni ka promovuar në fundin e qershorit në Tiranë albumin biografik “Jetë në tinguj”, shkruar nga kolegia e saj Takuina Adami, e cila ka shfrytëzuar shënimet e vetë artistes që prej 20 vitesh jeton dhe punon në New York.
      Fotografitë dhe materiali biografik që shoqëron cdo faqe të albumit janë një udhëtim kronologik i jetës artistike të pianistes që nisi në vitin 1947, kur ajo ishte 7 vjec dhe kur mori mësimet e para me profesor Tonin Gurziun për t’i vijuar më pas në Liceun Artistik në Tiranë, që ishte shkolla e parë e artit kombëtar. Ishin vitet 1952-1958 kur literatura pianistike shqiptare nuk ekzistonte dhe kur prof. Guraziu kompozoi pjesët e para për piano, si “Humoreska” “Fantazi Malësore”, “Skerco për piano”, “Vallja e Zanave”, etj, të cilat Hermira Gjoni i studio dhe i interpretoi në koncerte të ndryshme.
      Me profesor Guraziun do të niste studimet edhe në Konservatorin e Lartë të Tiranës për t’I përfunduar ato me profesorin kinez Çen Pin Gang, dy personalitet të cilat Hermira Gjoni i vecoi edhe në promovimin e albumit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, aty ku për shumë 25 vite interpretoi kompozitorët më në zë shqiptarë dhe të huaj.
     “Shpreh një mirënjohje të veçantë për profesor Guraziu dhe prof. Çen Pin Gang, të cilët ditën të hvillonin tek unë dashurinë për muzikën në përgjithësi dhe pianon në vecanti si dhe ditën të më inkurajojnë dhe të kultivojnë entuziazmin që është një nga gjërat e rëndësishme në jetë”,do të shprehej pianistja Gjoni.
      Një pjesë e mirë e karrierës së Hermira Gjonit lidhet me kompozitorin dhe dirigjentin Simon Gjoni, i cili ishte jo vetëm bashkëshorti, por edhe kolegu i saj më i mirë. Së bashku punuan për vënien në skenë të veprave, si operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliaci”, “Madam Batërflai”, “Pranvera”, “Laurencia”, baletin “Lola”, etj. Janë të shumta shënimet e ruajtura prej saj, një pjesë e të cilave kanë zënë vend dhe në album, si një memorie për kompozitorin e “Lule Bore”, por edhe si një thirrje se gjithë vepra e Simon Gjonit është ende e pavlerësuar sa duhet nga institucionet shqiptare.
     “Simoni ishte udhërrëfyesi im kryesor në jetë dhe në profesion. Ai ishte i veçantë jo vetëm si njeri, por edhe si muzikant. Ishte modeli i njeriut që çmonte jetën dhe artin dhe besonte se artet janë esenciale për një komb të zhvilluar edhe në periudhat e përmbysjeve sociale dhe të riorientimit shpirtëror. Ndihma e tij jo vetëm për mua, por për breza të tërë muzikantësh ka qenë e jashtëzakonshme”, kujtoi pianistja Gjoni, e cila vitet e fundit i është dedikuar me përkushtim mbledhjes, redaktimit dhe botimit të veprave të bashkëshortit të saj.
Vitet e punës si koncert-maestre në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, pozicion që ju besua për më shumë se 25 vjet, vijnë në këtë album si vitet më të bukura të jetës artistike, të rinisë, pasionit për muzikën dhe punën me dirigjentë, kompozitorë, këngëtarë e balerinë të talentuar.
Në ato vite ka kontribuar për vënien në skenë të premierave operistike G. Verdi “Traviata”, G,Rosini “Berberi i Seviljes”, G. Donixeti “Don Paskuale”, P. Maskanji “Kavaleria Rustikana”,Leonkavalo “Paljaci”, G. Pucini “Madame Baterflai”, Zh. Bize “Karmen” , V. Moxart “Dasma e Figaros”, G. Pucini “Bohema”, G. Verdi “Rigoleto”, S. Rahmaninov ‘~eko”, P.Jakova “Skëndërbeu”, N. Zoraqi “Komisari”, T. Harapi “Zgjimi”, T. Daija “Pranvera”, P. Gaci “Toka Jonë” P. Jakova “Mrika”. Baletet e Vasiljenko “Lola”, Krein “Laurencia”, A. Adam “Zhizel”, etj. Ka ekzekutuar pothuajse gjithë krijimtarinë për piano të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Daija,Gjoni, Zoraqi, Harapi, Lara si dhe ka zhvilluar një aktivitet të gjerë koncertal me këngetarë
klasikë, solistë, instrumentistë dhe balerinë në shumë vende të tjera të botës si, Hungari, Rumani, Finlande, Itali, France, SHBA.
Në këto më shumë se gjashtë dekada, Hermira Gjoni nuk është ndarë për asnjë moment nga instrumenti magjik, Piano, edhe në periudhën e komunizimit kur u përpoqën ta shmangnin nga skena për shkak të “biografisë së keqe” që trashëgonte nga i gjyshi Rauf Fico, deputet I Parlamentit Shqiptar në vitin 1924 dhe një nga diplomatët më në zë të asaj kohe. Sepse Hermira Gjoni, vec talentit kishte pasionin, forcën këmbëngulesë, vendosmërinë, ngulmimin, që sot e kanë bërë atë një personalitet të rëndësishëm në historinë e artit tonë muzikor.
       Në promovimin e albumit “Jetë në tinguj” ishin të shumë kolegët që vlerësuan kontributin e saj në zhvillimin e muzikës në Shqipëri. “Mira Gjoni bënë pjesë në brezin e artistëve që krijuan institucionet artistike në Shqipëri. Ajo diti t’i përgjigjet kërkesave të kohës, diti të bashkëpunojë me artistë, të cilët kishin ardhur edhe nga konservatorët më të mira të vendeve lindore dhe krahas tyre u shqua si koncert maestre, si pianiste”, tha Drejtori i TKOB, Zhani Ciko, për të cilin pianistja Hermira Gjoni është një personalitet i padiskutueshëm në zhvillimin e muzikës shqiptare dhe në progresin e brezave të rinj të artistëve.
Si koleg dhe mik i pianistes Hermira Gjoni, Ciko nxori në pah dimesionin artistik të ndërthurur me atë njerëzor tek artistja Gjoni. “Mira ka një karakteristikë krejtësisht të veçantë. Në çdo rrethanë, pozitive ose jo shumë pozitive, përpara dhe pas njohjes e lidhjes me profesorin, dirigjentin dhe kompozoitorin Simon Gjoni ajo ka ndërtuar gjithmonë mikrokozmosin e saj.
Ka ditur gjithmonë të kapë diçka pozitive me qëllim që atë ta çojë përpara. Mira, një pianist me talent dhe veti shumë të mira në atë kohë, me ato pak kushte, diti të ecë përpara e të kontribuojë në muzikën shqiptarë, të jetë e palodhur”, cilësoi Ciko. Ai vlerësoi albumin biografik të pianistes Gjoni, si një album të punuar me kujdes dhe me cilësi, sikurse është dhe vetë artistja. “Është një album që të mbush me krenari, që ia vlen të publikohet për artistë si Mira Gjoni”, cilësoi Ciko, i cili përmendi me këtë rast dhe kontributin që japin pasardhësit e pianistes, si djali Andis Gjoni, piktor dhe skenograf, të cilët siç u shpreh ai jetojnë me zhvillimet e artiti shqiptar.
     Takuina Adami, kolegia dhe bashkëpunëtorja e pianistes Gjoni në realizimin e albumit “Jetë në tinguj” beson se në të ardhmen do të ketë botime të tjera për jetën dhe vepritmarinë artistike të artistes Ermira Gjoni, pasi siç u shpreh ajo “jo e gjithë veprimtaria e Mirës në Shqipëri është pasqyruar në këtë album”. “Mbetet që në të ardhmen të flitet për kontributin e jashtëzakonshëm që Mira ka dhënë në fushën e pedagogjisë shqiptare, si një ndër muzikantët e brezit të parë të arsimuar në Shqipëri”, tha ajo.
      Si dimplomantja e klasës së parë Akademinë e Arteve, Mira Gjonit iu dha shansi që të bënte historinë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në skenën e të cilit ka interpretuar që 15 vjeç, kur ishte në shkollën e mesme Jordan Misja.
“Kjo përvojë që pati e bëri që edhe më pas, kur ishte student, të përfaqësonte vendin në aktivitete ndërkombëtare Është një aktivitet i nisur shumë shpejt, që përfaqësohet jo vetëm si koncert-maestro, por edhe si pianiste, promovuese e shumë veprave të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj, të sa e sa operave dhe baleteve”, tha zonja Adami.
      Tashmë, prej vitesh, Hermira Gjoni jeton dhe punon në New York, ku eksperienca ka qenë e çmuar, pasi atje në Amerikë çlirohesh nga ndikimi i opinionit të të tjerëve, nga paragjykimet,nga frika e rrëzimit ose dështimit. “Kjo të bënë të jesh vetvetja, të ndjekësh piksynimet e tua dhe njeriu arrin potencialin e tij më të lartë dhe vazhdimisht shikon dhe mendon se çfarë mund të arrish në të ardhmen”, tregoi pianistja Gjoni.
        Koncertet që ka dhënë në shtetet e Amerikës, por sidomos në New York, solo me këngëtarë dhe instrumentistë klasik, kanë qenë të një bashkëpunimi të frytshëm dhe mbresat e koncerteve të një kënaqësie të veçantë për pianisten Hermira Gjoni. Suksesi dhe vlerësimi nga muzikologë, pedagogë të nderuar e specialistë të muzikës kanë qënë për të satisfaksioni më i madh që ka patur. Gjithë jetën e saj nuk kishte guxuar, as kishte ëndërruar njohjen me personalitete aq të larta të artit dhe kulturës botërore, e jo më miqësinë e tyre. “Takimet dhe bisedat me ta janë një vlerë e madhe që më kanë pasuruar nga ana intelektuale, muzikore dhe shpirtërore”, tha Gjoni në promovimin e albumit të saj biografik.
      E vetmja keqardhje e koncert-maestër, Hermira Gjoni, është se nuk mundi ta përjetonte këtë eksperiencë që në fillim të veprimtarisë së artistike në Shqipërinë e izoluar nga komunizimi dhe ku lufta e hidhur e klasave e mënjanoi atë për 15 vite.(F Nikolla)

Tags: , ,

Leave a Reply