KRYEPARLAMENTARI I KOSOVES U TAKUA ME BASHKATDHETARE NE NEW YORK

June 22nd, 2012


foto me kryeparlam Krasniqi 075

Nga BEQIR SINA, New York- Krasniqi:”Disapora shqiptare në Amerikë, është ajo që ka krijuar urat e lidhjes dhe të miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe shqipëtarve”-

NEW YORK : Në vijim të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës zoti Adrian Gjini dhe delegacioni që ai udhëheq, ka zhvilluar dje në ditën e fundit të qëndrimit këtu, edhe një takim falemnderimi me një grup veprimtarësh shqiptarë, përfaqësues këta të disa organizatave dhe shoqatave të komunitetit.

 Pritja u dha në Restorantin e njohur “Club A Steakhouse” – Manhattan – New York, me pronar, bashkatdhetarin tonë, Bruno Selimaj.

  Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, u tha bashkëatdhetarëve se ai ka zhvilluar këto ditë një vizitë të suksesshme mbasi ai dhe delegacioni që e shoqëronë atë kanë pasur takime me ligjvënësit amerikanë, zyrtarë të Departmentit të Shtetit, të USAID-së dhe të institucioneve demokratike, miq të dëshmuar të shqiptarëve në Senat dhe Kongresin amerikan.

 ”Kjo vizitë, tha kryekuvendari i Kosovës u zhvillua me ftesë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, dhe ishte pasqyrë e qartë e lidhjeve të mira që kan SHBA me Kosovën”.

     Kryetari Krasniqi duke folur në detaje mbi këtë vizitë, shtoi se ai ka takuar njeriun e tretë të pushtetit amerikan, homolugun e tij John Boehner, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, që është takimi i parë dhe shumë i rëndësishëm i një udhëheqësi të Kosovës me z. Boehner.

   Z. Krasniqi, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq, dhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, deputeti Ardian Gjini,gjatë kësaj vizite ka takuar edhe disa anëtarë të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, një komision dypartiakë prej njëzetë kongresistësh, që bashkëpunon drejtpërdrejt me 16 vende të tjera partnere në botë, përfshi edhe Kosovën, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të institucioneve ligjdhënëse të pavarura, të efektshme dhe të përgjegjshme.

    Gjatë këtyre takimeve u shpreh  kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ai dhe delegacioni që ai udhëheq, kan zhvilluar një takim të rëndësishëm edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit, me zëvendës-ndihmës sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euro-Azisë, ambasadorin Philip Reeker.

  Ai tha se zyrtari i lartë amerikan, duke konfirmuar serish mbështetjen amerikane për Kosovën, theksoi se bashkërisht me institucionet e Kosovës do të punohet në përmbylljen me sukses të procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Sipas tij Ambasadori Reeker ka shprehur kënaqësinë që Kuvendi i Kosovës ka bashkëpunim të mirë me Kongresin amerikan, por edhe me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë. Lidhur me angazhimet e Kuvendit të Kosovës për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë, zyrtari i lartë amerikan ka thën se miratimi në parim i projektligjit lidhur me përfundimin e kësaj mbikëqyrjeje, është një veprim i mirë, që ndihmon fundin e këtij procesi.

   Reeker,  theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve për Kosovën, duke u fokusuar në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. 

     Kryeparlamentari Krasniqi më pasë i njohu bashkëatdhetarët edhe për zhvillimet më fundit në Kosovë, duke filluar nga puna e Kuvendit dhe e Qeverisë në procesin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, zhvillimet në veri, dialogun me Beogradin dhe mos zbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë, procesin e liberalizimit te vizave dhe marrjen e dokumentit për studimin e fizibilitetit.

“Ne, tha ai e dimë që Serbia nuk e njeh Kosovën, por kërkojmë nga ajo që të mos na pengojë dhe të mos ndërhyjë në punët e brendëshme të Kosovës”

     Në fjalën e tij  z. Krasniqi theksoi se pavarësia e Kosovës do të jetë mbështetje e vlerave liridashëse të një populli dhe kontribut paqes dhe stabilitetit, për të cilin zotohen institucionet dhe populli i Kosovës. Pavarësia u shpreh ai është një ëndërr që u bë realitet .

      Krasniqi në fund të fjalës së tij nuk la pa përmendur me këtë rastë edhe kontributin e çmuar të diasporës shqiptare në Amerikë , dhe falemnderuar shqiptarët në diasporë.

     “Disapora shqiptare në Amerikë, tha Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi,  është ajo që ka krijuar urat e lidhjes dhe miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe shqipëtarve. Atë që keni bërë ju theksoi ai për çështjen shqiptare dhe veçanërishtë dekadën e fundit për Kosovën, populli i Kosovës nuk ka për t’ja haruar kurrë. -  Kështu që edhe unë po shfrytëzojë këtë rastë të kësaj vizite të shpreh edhe një herë falenderimin tim dhe të vlersojë atë çfarë keni bërë ju për Kosovën., mbasi ju keni një rol dhe kontribut të madh dhe të çmuar në ndërtimin e kësaj miqësie me SHBA”.

      Kreu i Kuvendit të Kosovës zoti Krasniqi, në fund shprehu hidhërimin e tij mbi vdekjen tragjike të  të shqiptaro amerikanit Dino Asanaj – kryetari i Bordit të Agjencisë së Privatizimit të Kosovës (AKP),  i cili u vra javën e kaluar në rrethana misterioze në një fshat afër Prishtinës dhe u përcolli me këtë rastë familjes së tij, shokëve dhe miqve të tij të ngushtë, në SHBA, ngushëllimet e thella dhe më të sinqerta.

     Bashkëatdhetarët që morën fjalën pasi vlersuan rolin e zotit Krasniqi në luftën për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj – gjetën rastin t’a falemnderojnë dhe përshendesin me fjalë miradie Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi.

Tags: , ,

Leave a Reply