Shoqata “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi I Patriotëve të Rinj çelën sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ekspozitën fotografike “Kultura dhe Historia e Çamërisë”. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues nga të gjitha forcat politike në Shqipëri, nga Kosova, si edhe nga trupi diplomatik, ndër të cilët, deputeti i Kuvendit të Kosovës, z. Fatmir Limaj, kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama, i shoqëruar nga deputeti Blendi Klosi, deputetë të Partisë Demokratike, z. Dashnor Sula, Mesila Doda etj., ministri i Mjedisit, z. Fatmir Mediu, Naltësia e Tij Mbretërore Leka II, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, zëvendësministri Ekrem Spahia, zëvendësministri i Brendshëm, z. Ferdinand Poni etj.Në këtë ekspozitë, e cila u zhvillua pikërisht në 68 vjetorin e nisjes së genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më 27 qershor 1944, u shfaqën dokumente origjinale të sekuestrimit të pasurive të shqiptarëve të Çamërisë, vërtetime të lëshuara nga shteti grek, protestat origjinale të dërguara nga Shqipëria, si edhe fotografi të vjetra të krahinës, krahas personaliteteve të shquara të Çamërisë. Po ashtu, u prezantua vepra “Monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, një punë dyzetvjeçare e prof. dr. Selman Sheme.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi, vlerësoi nevojën e një kohezioni mbarëkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame. Duke falenderuar të ftuarit për pjesëmarrjen në një datë kaq të rëndësishme për këtë trevë të kombit shqiptar, Idrizi theksoi se bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim ngjyrimeve krahinore, politike dhe fetare është pikënisja e zgjidhjes së çështjes çame.
“Ndodhemi në sallën e Muzeut Kombëtar, ku ruhen trashëgimitë kryesore historike të kombit, nga rrugët kryesore të Tiranës, zbukuruar me shprehje të ndryshme vizuale të motos “Unë e dua Camërinë”. Camëria është dheu i të parëve tanë, ku janë varret e gjyshërve, stërgjyshërve, katragjyshërve tanë, atje janë gjurmët më të vjetra të ekzistencës sonë njerëzore, janë themelet e autoktonisë sonë, domethënë pse ne kemi qenë dhe jemi gjithmonë aty, në ato vise të mrekullueshme, është qytetërimi i pestë në botë, Nikopoja. Në Çamëri janë gjurmët e vijimësisë sonë etnike, kulturore, fetare dhe gjeografike, e pse jo dhe kanunore, domethënë të ligjit zakonor shqiptar, atje ka lindur dhe është rritur folklori ynë i mrekullueshëm. Në Camëri kanë lindur mitet më të rëndësishme të Europës. Atje në Camëri, dy kombet më të vjetër të Europës, shqiptarët dhe grekët, pretendojnë pronësinë e këtyre miteve. Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Camëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë. Ndoshta sic thotë Aristidh Kolia, patriarku i madh kombëtar shqiptar, dy kombet s’kanë arsye pse të grinden, por të bashkëjetojnë, duke nderuar rrënjët e tyre të përbashkëta. Ndaj ka ardhur koha që Greqia përfundimisht, të kuptojë se asnjë e keqe, nuk i vjen prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar, dhe ku duhet të jetojnë!” – tha z. Idrizi.
Duke folur për librin e prof. Selman Shemes, në të cilin paraqiten veçoritë e gjithë Çamërisë në fotografi, z. Idrizi theksoi se “brenda këtij libri do të kuptoni pse dashuria për Camërinë ka kaluar brez pas brezi, dhe s’do të vdesë kurrë. Do të kuptoni se kjo dashuri i ka themelet në një gjeografi unike, në peizazhe ku perënditë dhe njerëzit kanë jetuar bashkë, apo kanë marrë formën e njeri tjetrit. Do të kuptoni se kjo dashuri s’vdes dhe për shkak të këngëve, dhe valleve tona, ndoshta më të bukurat në botë. Ja pse, unë jam i nderuar që ju përgjigja modestisht si individ, por dhe si politikan, si kreu i PDIU-së, si bir i një çami, që dy vjeç e shkulën prej tokës së të parëve, thirrjes së profesor Shemes, për ta mbështetur botimin e këtij libri.” – tha z. Idrizi, duke shtuar se “sot të gjithë ne, e duam më shumë sesa dje Camërinë!”
Në këtë aktivitet përshëndeti edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherazi hero i luftës çlirimtare dhe epopesë së UÇK-së, i emërtuar gjatë luftës si Komandant Çeliku, z. Fatmir Limaj.
Në fjalën e tij z. Limaj theksoi se çështja çame është e pandashme nga çështjet e tjera kombëtare dhe ashtu sikurse edhe Kosova, edhe Çamëria u përket të gjithë shqiptarëve. Në këtë kuptim, z. Limaj u bëri thirrje të gjithë patriotëve që të bashkohen rreth kauzës së madhe të shqiptarëve të Çamërisë dhe të kontribuojnë aq sa munden, për ta çuar përpara këtë çështje. Z. Limaj vendosi theksin edhe mbi vuajtjet që popullsia martire e Çamërisë ka kaluar duke i paralelizuar me masakrat e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre kombëtare e duke nënvizuar se genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë ishte më i egri në rajonin tonë.
“Më lejoni të huazoj një shprehje të një udhëheqësi të madh amerikan” – tha z. Limaj – “i cili thoshte ‘Më ndihmo o Zot të them gjithmonë të vërtetën dhe jo të rremen. Më ndihmo o Zot të kryej gjithnjë veprime të drejta dhe jo të padrejta. E mbi të gjitha, më ndihmo o Zot të dalloj të vërtetën dhe të drejtën nga e pavërteta dhe e padreta’. Këtu të gjithë ne e dimë cila është e vërteta dhe e drejta për Çamërinë, e na mbetet që të veprojmë për të”.
Në aktivitet përshëndeti edhe kyretari i shoqatës Çamëria, z. Ardian Tana, ndërsa për librin referoi prof. Dr. Sokol Axhemi.
Tags: Fatmir Limaj, Leka II, Muzeu Historik, Shoqata Cameria, Shpetim Idrizi

Çameria dhe çamet kane hitori dhe tradita te shkelqyera, por çamet e pas vitit 1991 jane bastarduar. Atyre ju pelqen grabitja. Deputetet e komunitetit çam ne Kuvendin e Shqiperise dhe shoqata Çameria ka shume te drejte qe kerkon qe çameve te ndjekur nga trojet e tyre , shteti grek tu ktheje pronat e tyre. Po si mund te kerkosh respektimin e te drejtes se prones nga shteti grek kur nuk e kerkon ate nga shteti shqiptar brenda kufijve te Shqiperise. Asnjehete deputetet e Partise per Drejtesi dhe Unitet nuk kane mbeshtetur kerkesat e drejta te pronareve te shpronesuar nga komunizmi qe shteti postkomunist te ju theje pronat e grabitura nga diktatura e Enver Hoxhes.Eshte koha qe perfaqesuesit e Komunitetit Çam te tregojne se jane te ndershem.Albani