U nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë në moshën 83-vjeçare një ndër emrat e spikatur të letërsisë shqiptare, Pano Taçi. Jeta dhe vepra e Pano Taçit, ka qenë një kalvar i pafund vuajtjesh, burgimesh dhe internimesh. Ai mbetet një ndër ata poetë, që për një periudhë të gjatë ka qenë i privuar nga liria e fjalës dhe mendimit. Ndonëse Pano Taçi ishte pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, ai u burgos që në vitin 1947 dhe deri në vitet ’90, dhe e kaloi jetën nëpër burgje dhe internime, i përndjekur dhe i persekutuar nga diktatura komuniste.
Vetëm pas viteve ’90, ai nisi të botojë serinë e veprave të tij poetike, të cilat u vlerësuan lart nga lexuesi dhe kritika letrare.
Krijimtaria e tij poetike zë një vend të nderuar në vlerat më përfaqësuese të letërsisë shqipe, duke i dhënë kësaj të fundit më shumë identitet dhe fizionomi artistike dhe kombëtare.
Edhe pse në poezinë e tij spikatin motivet e mbijetesës nën regjimin totalitar komunist, fryma humaniste është një dër ato veçori kryesore që përshkon krejt korpusin e tij letrar.
Me vdekjen e tij, kultura shqiptare humbi një ndër penat më të talentuara dhe letërisa shqiptare një ndër zërat më të veçantë të saj. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Instituti i të Përndjekurve Politikë, i shprehin ngushëllimet më të sinqerta të afërmve, miqve dhe kolegëve për humbjen e poetit Pano Taçi.
Pato Taçi u bashkua në amëshim me poetët e tjerë, me shokët e idealeve, me bashkëvuajtësit e tij që luftuan tiraninë e kuqe. Ata ikën një nga një. Bilal Xhaferrin e vrau dora e zezë e sigurimit në Çikago të Amerikës pa iu realizuar ëndrra e tij, pa parë edhe një herë Çamërinë e tij martire. Pastaj vranë poetin Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmin e Genc Lekën, Avzi Nelën etj. Pastaj u shuan me radhë ata që përjetuan privimin e lirisë në gulakët e ferrit komunist: Frederik Rreshpja, Jorgo Bllaci, Pirro Kuqi, Sadri Ahmeti, Zyhdi Morava e tani sëfundi u bashkua me ta edhe poeti bohem Pano Taçi. Pano Taçi që në adoleshencë rroku armët e luftoi për lirinë e atdheu nga okupatorët fashistë. Por ëndrra e Panos për liri nuk u realizua, se vendi i tij u uzurpua nga diktatura komuniste, por Pano Taçi nuk u pajtua asnjëherë me diktaturën. Që në moshë të re, Pano Taçi iu kushtua poezisë me vargjet e tij goditi kuçedrën e kuqe. Panon e lidhën me hekura, e degdisën galerive të errëta, por ai asnjëherë nuk u nënshtrua dhe nuk u pajtua me diktaturën. Ai vuajti një jetë tërë burgjeve e kampeve, por mbeti i apepur dhe me shpirt të pastër. Ai i këndoi lirisë, dashurisë e dhembjes njerëzore.
Rexhep POLISI
Merreni zemrën time
- kushtuar Pano Taçit-
BEDRI MYFTARI
Ti zog i vogël që ke humbur rrugën,
Në këtë natë të errët thëllimi,
Eja strehohu në zemrën time,
Nesër në agim,
Ylli i shpresës do të ndriçojë rrugën tënde.
Ti vogëlush i uritur me duar të mardhura,
Futu në zemrën time
Fantazia do të bëhet,
Shehrezadja e bukur do të tregojë
Përrallat e njëmijë e një netëve,
Do të shtrojë sofrën me gjellët e zgjedhura
Të Shehlerëve të Teheranit.
Ti vajzë e brishtë,
Që s’ke veshur fustan të ri
Në kurmin tënd të bukur,
Eja, tregoji zemrës sime,
Ajo do të thërrasë alkimistët
Që me gurin e Sizifit
Ta kthejë në gur rubini.
Merre zemrën time,
Bejë varëze, byzylyk,
Shite,
E blej fustan të bardhë nusërije.
Njerëz të të gjithë rruzullit,
Merreni zemrën time,
Mbyllni laboratorët atomikë,
Çernobilët,
Të mos ketë më
Hiroshimë, Nagasaki…
Poezi nga Pano Taçi
Në mall të saj
Edhe pse si gur i rëndë,
Për ç’na merr frymë në gji,
Nëpër mall të shpirtit tënd,
Jam e s’jam, dal e hy.
Edhe pse bëra ta gdhend,
Pikën e lotit në sy,
Jam e s’jam në mallin tënd,
Ashik dal e si murg hy
Gjunjë të bje duke të lutur,
Nga që bëj të kërkoj dorën,
Në pëllëmbë do mbaj një flutur,
Në çastin kur vë kurorën,
Të bekuar prej perëndisë,
Fluturën elb të lirë,
T’mi thotë beqarisë:
Lamtumirë!
Hape derën
Zgjohu zemër e drobitur,
Ç’fle e kyçur nga vetmia,
Hape derën, ka trokitur,
Le të hyjë dashuria.
Nga ç’qiell ra
Të jetë vegim apo ëndërr,
ç’më rri gjallë thellë në sy,
nga qielli ra ajo femër,
që më shkoi pranë si perri?!
Bëra që t’i flas me emër,
Por ç’i thonë nuk e di,
dëgjova një zë në zemër,
më tha i thonë dashuri.
Zot më bëj kurbat
Rrëzëllijnë sytë e prushtë,
Ajo gushë e ata gjinj,
ai bel jelek i ngushtë,
janë tharm për poezi.
Në fushë mëzi e ndal vrapin
Kur shikon në valle sutën,
këmbëzbathur e hedh vrapin,
me mall bari i puth shputën.
Romi bën hapa ta marrë,
T’i puthë gjinjtë pas një gëmushe,
Ata gjinj për ç’kanë nektar,
E nishani i asaj gushe.
Oh, o Zot, më bëj kurbat,
si gaxho nuk jam qibar,
them se do të jem me fat,
kur romen për shpirt ta marr.
Fluturidhë
Bëj ta zë belkëputurën,
hidhet dridhet teksa shkon,
për shoqe na ka fluturën,
ndaj larg meje fluturon.
S’di ç’të bëj, dora s’ma kap,
ç’dorë mund ta bëj zap erën?
Sa bëj ta zë miken vrap,
thashë ta lë të qetë mëshqerrën.
Tek përndrit si hënë e plotë,
shpirtin krejt ma hënëzon,
Me mua pse qesh e lot,
nga gjumi ëndrrën ma zgjon.
Gjakut prush mi kall në vena,
Ç’i rashë pas më kot u lodha,
Ç’ka që mi kursen belholla,
Ç’i erëmojnë pa sutjena,
Cicat si dy kokrra molla.
Ruspa
Vjen e ikën si një hije,
Pres, Rruspa se ma qan hallin,
E gatuara me shije,
në shpirt zgjuar ma lë mallin.
Për ato dy kokrra pjeshka,
në gji, lëng më lëshon goja,
Të më blinte arixheshka
dashnor, më shumë ç’i doja.
Jo që s’do t’ia dijë femra,
Më huton tek shkon si ngjalë,
ç’na lë të na dridhet zemra,
ç’na i ngrin buzës çdo fjalë.
Vjen e ikën si një si një hije,
ç’është me ty a nuk më thua?
Ai hap tek hedh plot shije,
Më bëhet se më shkel mua.
Ethe vejusheje
Tek rrjedh lumi buzë bregut,
Hëna kuvendon me lisat,
Romen shoh që pushton shelgun,
Të shuaj zjarrin që i hanë sisat.
S’e zë gjumi, akull shtrati,
Për ç’u bë romja vejushë,
Me që s’vjen ta joshë kurbati
Pushton shelgun, ç’digjet prush.
Aromë
I shikoj si ngasin,
Çiftet dy nga dy,
Në pyll të humbasin,
Pa i parë njeri.
I shikoj tek kthehen,
Për ç’u shtrinë mbi bar,
Puthen prapë të dehen,
Buzët me nektar
Tek më shkojnë pranë,
Erëmojnë zambak,
Mu bë se më thanë:
-Erëmon për plak.
Ç’erë kam e di,
S’jam siç qesh një herë,
Oh, kjo pleqëri,
Si dimër i zi,
nuk kam ç’bje erë
Si pranverë.
Qeni i stanit
Trupzeshkania në lumë,
Hyn cullak trupin ta lajë,
Romi pret ta shtijë mbi kum,
Për kalorës ajo ta mbajë,
Tek i merr erë fustanit,
Për ç’i djeg shpirti ciganit,
Mendon t’i hyjë në shtëpi,
Ç’fle cullak brenda jorganit.
Duhet vratë qeni i stanit,
Te dera roje ç’irri.
Ai sy kurbateje
Po këndoj siç ma do xhani,
Me të qarë e me oi,
Ma mbani, shokë, ma mbani,
Për ç’u dogjsh nga ai sy.
Jam bërë si Omar Khajami,
Në tavern tek pi
Më rrotullohet tavani,
Sa herë kujtoj syno e zi.
Në ma njokeni mos ma shani,
Packa se me sy më vret,
Hallin tim, o shokë, ma qani,
Bëj t’i flas asaj që s’flet.
Ai sy me ngjyrë katrani,
Të më dojë sërish e thënë,
Që s’më do, oh mos ma shani,
Ma mban zemra për hënë.
Puthja kurbate
Te ky terr i kësaj nate,
Malli buzët mi zhurit,
Veç për një puthje kurbate,
Ç’gëzon zemra, bëhet dritë.
Nëpër erëmim lofate,
Malli ditët mi ronit,
Veç për një puthje kurbate
Me gaz do të jepja shpirt.
I shpëtoj kësaj lëngate,
Të mallit për ç’më sfilit,
Veç për një puthje kurbate,
Do mallkoja perënditë.
Racat
Paçka se jemi gatuar
Ca të bardhë e ca ezmerë,
Çka Zoti ka shenjtëruar,
Njësoj malli ne na merr.
Njësoj përgjërohen racat,
Për të shkretën grykë pusi,
Kur në gjak na ndizen gacat,
Veç për një kodër Venusi.
U shua Pano Taçi, ëngjëlli plak, siç i thoshim ne…
- Mozaik i portretit të tij me gurë të përzishëm -
Nga Visar ZHITI
Është shuar Njeriu-Poet Pano Taçi, miku i mrekullueshëm, që luftoi për jetën, të ishte ajo sa më e bukur, me kuptim të shenjtë. Pano Taçi luftoi me armë në dorë, kur u desh dhe kur erdhi liria për të cilën doli malit kundër pushtuesit, e burgosën ata që mundin e një populli e shndërruan në tirani të përditshme. Vuajti si një martir brenda telave me gjemba e qelive dhe shkruante poezi dhe në ferr, për të cilën veç dënohej. Por duhej të binte diktatura që të njihnim Pano Taçin dhe poezinë e tij, kaq shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, poezi e vërtetë si ai dhe ai aq poetik. I dashur, mirëbesues, i qeshur deri në hokatar, i menduar deri në vetmi filozofike, me të gjithë dhe fillikat, familjar që i pëlqente rruga, udhëtimet, i mundur, por jo i mposhtur, fitimtar së brendshmi, por pa fyerjen e fitimtarëve, i natyrshëm, i vobektë, i përndritur. Pani plak, i thoshim, engjëlli i moçëm desha të shtoja, pinte, dehej, jo nga vera, nga akti i të pirit si poet.
Më pëlqenin orët pranë tij, optimist i trishtë, që gënjehej kollaj, në kuptimin e mirë të fjalës, por nuk zhgënjehej mbase kurrë, dinte të donte dhe nuk përgjërohej. Më merrte malli dhe përlotej ai, e ftoja dhe nuk vinte, nuk e takoje dhe të kërkonte. Eja, i thosha, më ka thënë dhe im bir, fëmijët janë të sinqertë, dinë të duan. Prandaj nuk vij, më thoshte, se nuk kam t’i ble një dhuratë djalit. Je ti dhurata më e çmuar, i thosha. Qeshte si djall i së mirës. Po ti ke dhe pensionin e posaçëm, prej shkrimtari dhe luftëtari. Të ka vlerësur shteti, dikur me burg, sot me lavdi. Qeshte prapë…
Sot ai s’është më. Ku është Panoja, – pyeta mbrëmë. Në spital, rëndë, më thanë në Kafe “Europa”. Dhe u shua menjëherë, që të mos mundonte miqtë e shumtë, ata që e donin, që t’i vinin në spital.
Kisha qenë me të në takime poezie, në Durrës, Tetovë, Ulqin, Përmet, etj., në tryeza pune vetëm me të, duke hartuar listën e shkrimtarëve të dënuar, dëgjo dhe këtë vjershë, thoshte, sapo e mbarova. Hë, do e marrim dëmshpërblimin? Besonte si fëmijë dhe donte t’ua jepte fëmijëve. Më mbysin kujtimet për të. Shfletoj librat e tij, autografet, një letër, seç do t’i botohej: “…kam lindur më 13.10.1928 në qytetin e Gjirokastrës… kam marrë pjesë me armë në dorë në luftën antifashiste… kam vuajtur në kampe pune të detyruar e burgje për 24 vjet…” Ja një foto me Lasgushin, edhe një tjetër, e nxora unë në fotografi së bashku me poetin e njohur italian Eduarto Sanguineti, kur mori Kurorën e Artë në Strugë. U magjeps ai me Panon tonë, kur i tregova për jetën e tij. Kthehesha nga Akademia, kishim festuar zyrtarisht datëlindjen e Dritëroit, 80 trëndafilë i erdhën nga Kryeministri mes duartrokitjeve. Atë ditë ishte dhe ditëlindja e Migjenit, “por dhe imja është sot”, qeshte Panoja pranë shishes së birrës. Ulu, mos e lër vetëm. I kishim harruar ditëlindjet e tij. Dhe mbërriti ditëvdekja.
Nuk më besohet që s’është më Pano Taçi. U rikthehem librave ku kam shkruar për të. Pak fletë janë, por do të ketë më shumë patjetër. Engjëjt kthehen, gjithmonë e më të rinj.
Për Pano Taçin nëpër libra
- nga “Ferri i çarë” -
Vetëvrasja në qeli:
… dhe të lindi dëshira të merrje një copë prej xhamave të asaj dritareje dyshe, të një qelqnaje hutuese, ta thyeje, të nxirrje një si kamë prej hëne ngricash dhe të çaje damarët, të vdisje! Si poeti Pano Taçi në birucë, që e gërreu krahun me bishtin e lugës; ajo s’priste, por ai vazhdonte si i çmendur, e theri krahun e vet. U shtri mbi gjak, oh, ç’gëzim, po mbushej dyshemeja si me verë të derdhur, si me dritë dielli në perëndim! Po perëndonte jeta jote, po vdiste burgu. Gjaku rrodhi nga poshtë derës dhe doli tej, në korridor. Roja dha alarmin. Erdhën me ngut oficerë, mjek. Poeti dergjej pa ndjenja mbi pellgun e gjakut të vet, kurse vena e çarë, e shkulur, pikonte ende pikë-pikë… kishte mbetur dhe ca robëri… Vdekje artistësh, përsëritet… derisa të mos ketë më… çfarë? Robëri, pra… Jo, mos vdis…
Me pegasin e Panos:
Edhe buzëqeshja sfiduese e Halil Lazez befas u venit. Ra si një flutur e helmuar. Shkrimtari, sa shumë që prisnim! Në një nga tryezat në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, teksa pinte diçka me një mik, i pushoi zemra. Kishte kaluar tri infarkte, por ndihej mirë tani, kështu thoshte. Dhe pinte, me shokët e burgut sidomos, me Jamarbrin, djalin e Petro Markos, me Lincin, me mua… Sapo i qe botuar libri “Në korridoret e paravarrit”. Po pimë para vdekjes, pas vdekjes… Ai tallej me çdo porosi mjeku si me komandën atje. Ndërkohë asnjë lajmërim vdekjeje shtyllave a vendeve të caktuara, një adresë mortore. As në shtëpi, as në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ku të vemi? Nuk do të bëheshin homazhe? A s’ishte ai kryeredaktori i gazetës së tyre dhe një ndër gazetarët më të njohur?
Vërtiteshim me motorin e Pano Taçit, me pegasin e tij, kërkonim funeralin rrugëve dhe s’e gjenim gjëkundi. Hë, mo Pano, i thosha unë, te cila varrezë të vemi? – teksa mbahesha pas shpatullave të tij të drobitura. Flokët e bardhë, të gjatë dhe të rrallë, ashtu të mëndafshtë, ia merrte era. Poeti plak, sa vjet burg kishte bërë 20, 24, gjithë jetën?
- I përçmuan jetët tona dhe tani na nënvleftësojnë vdekjet, – po qahej ai, duke kthyer kokën paksa nga unë dhe e mbante timonin fort. – Më duhet të bëj një fotografi… të bukur, se s’kam asnjë… për vdekjen time”, – po më thoshte.
Po ia ledhatoja supet.
- Ç’ka qenë motori yt më parë, kalë varrezash dhe i dolën flatrat? – e pyeta.
- Ma fali një i huaj, një grek, kur mësoi për jetën time. Nga të ikim tani?
- Ku të duash, hidhe motorin në ndonjë humnerë, bashkë me ne…
Skrib në internim:
Donte të ishte shkrimtar kryetari i Degës së Punëve të Brendshme në Lushnjë, në qytetin e baltës, do të më tregonte një ditë poeti plak Pano Taçi, kisha dalë nga burgu dhe isha në internim. Hallall balta, po duhej të shkruaja dhe kujtimet e atij, kryetarit, Nuçi Tirës, kishte qenë partizan edhe ai, edhe unë. Ai i rrëfente nëpër shkolla heroizmat e tij, unë duhej t’ia ndreqja, bëja dhe poezitë e mia fshehurazi. Librat e tij kishin dhe “sigurim”, si kapeshin diversantët, sabotatorët etj., etj. I rishkruaja netëve në një barakë të ftohtë për shefin e arrestimeve. Çudi për t’u çuditur…
- Hë, Pano, ç’kemi?
- Ja, si pleq të rinj. Po ti?
- Si të rinj pleq…
Tani rrinte klubeve me goca të reja, me poeteshka. Sidomos mbas botimit të një libri me poezi pornografike, por me pseudonim, se i vinte turp nga mbesa. Gruaja me djalin i kishin ikur përgjithmonë në Greqi. Vetëvrasja duhej shtyrë për herë tjetër.
* * *
…ata që shtypën revoltat tona atëherë, shefa policie, hetues, operativë, ushtarë… zëvendësministra, ministra, anëtarë të Komitetit Qendror, në mos ata, fëmijët e tyre, tani kanë zënë vende kyçe në administratën e shtetit demokratik? Edhe fëmijët e diktatorëve komunistë, që ishin kundër kapitalizmit dhe pronës private, janë bërë kapitalistë e kanë prona, televizione të fuqishme dhe… Mashtruesit e rrethit të tetë të ferrit.
Të vjen keq kur sheh poetin Pano Taçi, që ka bërë nja njëzet vjet burg dhe pi kafe te kafe “Europa” falas, ia ka caktuar pronari. Po kështu dhe shkrimtarit çam Bedri Myftari, një herë e dogji greku, erdhën këtej, ishte ende fëmijë, me flokët të përzhitur, pastaj e futën në burg dhe tani edhe ai e ka mëngjesin falas në restorantin e 15-katëshit, hotel “Tirana Internacional”. Po pse të mos i jepej të burgosurve ai hotel si dëmshpërblim…?
Pusho, se, edhe në s’ka më burgje politike, ka forma të tjera dënimesh.
Panoja me Lasgushin, Camajn, Hekuranin:
…Hekuran Zhiti guxonte dhe rrinte me të internuarit, ndjehej si ata gjithmonë, me studiuesin dhe shkrimtarin Lazër Radi, me piktorin Lek Pervizi, me poetin Pano Taçi. Më kërkonte skeçe, tregon ky i fundit, për t’i vënë në skenë, pa emrin tim natyrisht, por që të merrja ndonjë honorar. Një herë pritëm Lasgushin qiellor, më donte, dhe në burg më kishte sjellë cigare dhe kafe, dëshmon Panua, nejse, pimë nga një gotë dhallë në klub dhe “u grindëm” se kush do të paguante. Më takon mua, kishte thënë Hekurani, jam më vendas… këtu e bëj unë pazarin…
- nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë”-
Martin Camaj ka qenë në burg, dëshmon poeti Pano Taçi.
Vërtet?
E dënuan, se kishte marrë pjesë në kryengritjen e Postribës, dhe e liruan shpejt si moshë e re dhe ai u arratis fill.
Mbase vërtet është kështu a mbase ndonjë homonimi. Por te çdo poet duhet të gjesh gjurmë të burgut dhe s’dihet në është e tij apo e të tjerëve. Të jesh apo të mos jesh?…
Kurse Pano Taçi vetë qysh fëmijë luftoi në front të kundërt, me “debatikasit” dhe pas luftës e burgosën ata, fitimtarët e tij.
Në njërën nga kopertinat e pasme të librave të tij të shumtë me poezi, të botuar pas rënies së komunizmit, është dhe një fotografi: ai me lirikun qiellor, Lasgush Poradeci… njiheshin.
Gjatë 24 vjetëve burg e internime, Lasgushi do të ishte ai që do t’i dërgonte në ferr ndonjë paketë cigaresh a pako me kafe – dhe kur? – në atë kohë fatkeqe, varfërie e krizë morale dhe pashpirtmërie, me denoncime poetësh ndaj poetëve, njëlloj kjo sikur ta hidhje tjetrin të dërrmuar, jo në arenë, por kufomë në bodrum mes bishave të uritura.
Megjithatë, poezia e Pano Taçit ruan ngrohtësinë e duarve në të ftohtin akull, plot me plasa e vezullime të unazave cigane, me porosinë për të urryer sa më pak e për të dashuruar sa më shumë. Pra, për vetëpërsosje.
- nga libri “Panteoni i nëndheshëm”
Të mbushësh të plasurat e qiellit tënd
-nga pasthënia e librit “Poezi të zgjedhura” të Pano Taçit
Nëse do të shkoni në Kafe “Europa”, në cilëndo ditë, paraditeve dhe në prag të mbrëmjeve do të shihni në një nga tavolinat jashtë një burrë të vetmuar, në moshë të thyer tashmë, me borsalinë, teksa pi një gotë birrë a kafe e, ndërkaq seç shkruan i përqendruar dhe pandërprerje në ca fletë të vogla e të bardha si leshrat e tij, ta dini, është poeti Pano Taçi.
Shkruan dhe shkruan dhe pret miqtë e tij të përhershëm. Edhe gjatë bisedës me ta nuk do ta ndëpresë të shkruarit. Natyrisht, që pranon me zemër të hapur humorin e miqve, bën vetë humor, me një buzëqeshje njerëzore, të padhëmbë, sikur t’i kenë hequr asaj përgjithmonë cinizmin, gjithë dritë të butë, por që në brendësi ka dhëmbje dhe një dëshpërim të përmbajtur, vetëm të tijin. Në sytë e picërruar i ninëzohet një si djallëzi e padjallëzuar, gjithë mençuri të mirë. Të përgjigjet, është dhe me ne, të tjerët, por vazhdon dhe vetminë e tij, shkruan dhe shkruan, duhet ta mbarojë patjetër atë që ka nisur, medoemos tani. Pastaj u tregon miqve vargje, rima, zhgarravina si të ishte një faksimile e lashtë, e lexon me zë, ku ndjehet një si lagështi qelish dhe shurdhëri rrënojash të katakombeve…
Duke shfletuar librin më të fundit të Pano Taçit “sa pak qiell”, poezi 2003, i porsadalë, na mrekullon dëshira e tij e pashterrur për të shkruar, një burim freskie i moshës së vet, që është i bukur në çdo kohë te njeriu, ajo natyrshmëri e ngrohtë, prushi i brendshëm dhe ngricat, acari, dëshpërimi prej dheu, mugëllime e ëndrrave të tanishme, myshk në një mur kështjelle, – e përdorur për burg, bari i florinjtë i shkelur nga këmbë zonjash.
P. T. ka botuar dhe dy përmbledhje me poezi “pornografike”, (ndoshta është i pari poet i tillë, një Khajam “cipëplasur”, ha-ha-ha…), ndërkohë ai bën monologun e vet që i ngjan heshtjes folëse të pemëve me degë rimash, plot me fruta epitetesh, metaforash dhe krahasimesh. Por, Pano Taçi e jeton intensivisht realitetin, prandaj dhe s’duron dhe shpërthen në sarkazëm, me humor të dëshpëruar, ku banalja bëhet efikase si më e gjetura për ditët që kalojmë.
Ndërkohë poezia e tij është përhapur dhe është bërë e njohur në hapësirën mbarëshqiptare, madje dhe në diasporë, përtej oqeanit, jo vetëm nëpërmjet botimeve në Tiranë, por edhe prej pranisë së poetit në veprimtari të ndryshme poetike në Shkup e Tetovë e Strugë, në qytete të Kosovës dhe në qytete shqiptare në Mal të Zi. Ai është i përfshirë në Antologjinë e Poezisë Shqipe të gjysmëshekullit të artë, përgatitur nga studiuesi dhe kritiku i njohur Ali Aliu…
* * *
Pas homazheve në nderim të Pano Taçit në hollin e Teatrit Kombëtar, (Ai ka shkruar dhe drama, ndërsa aktorët kanë recituar me sukses poema të tij), sot do të hidhen dhé dhe lule mbi arkëmortin e tij.
Lamtumirë, Pani plak, këngëtar i tokës dhe i luleve, të fundit që do të rrinë me Ty, këgëtar i njeriut dhe i lirisë së tij, me kurorë telash me gjemba mbi krye, por dhe me rrëketë e dritës e me kurorë dafinash tani. Shpirti yt endet si shpend i bukur mbi kryet tona dhe do të ndalë në degë të blerta poezish.(Kortezi- Rilindja Demokratike)

