Loni Kristo Patriot dhe Demokrat i Shquar (1886-1961)

April 28th, 2012


Komisioni i Vatres

Nga Dr. Arben Harito

Me përjashtim të disa botimeve dhe studimeve në lidhje me figurën e Nolit apo Konicës, veprimtaria dhe veprimtarët e shquar të organizatës “Vatra” në Amerikë janë lënë kryesisht në heshtje. Kështu për shembull, shumë pak, për të mos thënë aspak, është shkruar për figura si ajo e Loni Kristos, patriot i shquar, i cili gjatë gjithë jetës së tij punoi dhe mendoi për Shqipërinë. Vetëm rreth vitevet ‘90 u shfaq interesim për këtë devolli dhe për veprimtarinë e tij. Atë kohë, kur Arkivi i Shtetit në Tiranë organizoi një ekspozitë me dokumenta, letra e fotografi të Shoqërisë “Vatra”, me rastin e përvjetorit të saj, binte në sy fakti që një pjesë e mirë e materialeve të paraqitura lidheshin drejtpërdrejt me veprimtarinë e Loni Kristos.

Materialet dhe dokumentat në të cilat është bazuar ky artikull (autobiografia e Loni Kristos, korrespondenca e tij me Fan Nolin dhe miqtë e tij të “Vatrës”, përkthimet, shënimet e ndryshme, fotografitë, letrat, gazetat etj.) kanë kaluar në tre breza. Është e kuptueshme që një pjesë e tyre, veçanërisht përkthimet nuk i kanë rezistuar kohës e kanë humbur. Fill pas vdekjes së Loni Kristos, në vitin 1961, dokumentat u ruajtën nga e bija, Keti Harito (Kristo), Bashkëpunëtore e Vjetër Shkencore dhe një nga themelueset e Institutit të Folklorit. Pas vdekjes së saj, në vitin 1969, ato i kaluan të birit të Lonit, Doktor Profesor Tomi Kristos. Pas vdekjes së këtij të fundit, në vitin 1979, pata fatin t’i trashëgojë këto dokumenta si i nipi i tij, dhe vazhdoj t’i ruaj edhe sot origjinalet e tyre. Plot 42 vjet pas vdekjes së Loni Kristos dhe 92 vjet pas imigrimit të tij në Amerikë m’u dha rasti t’ia dhuroja fotokopjet e këtyre dokumentave At Artur Liolinit, Kryetar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, i cili i arkivoi ato në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, në këtë qytet ku filloi edhe veprimtaria e vërtetë patriotike e Loni Kristos.

Loni Pandeli Kristo lindi më 21 gusht të vitit 1886, në një nga familjet më të vjetra të fshatit Hoçisht të rethit të Devollit, i cili atë kohë përfshihej në nënprefekturën e Bilishtit. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e tij të lindjes, ku mbaroi edhe shkollën fillore. Si mësues kishte patriotin dhe demokratin e njohur Isak Eski, për të cilin Loni në autobiografinë e tij flet me admirim dhe me të cilin më vonë do ta lidhte një miqësi e gjatë. Kur Loni ishte ende fëmijë, i ati mori rrugën e kurbetit duke e lënë atë me nënën, e cila tashmë duhej të kujdesej për 6 fëmijë, ndër të cilët Loni ishte më i vogli.

Mbas mbarimit të shkollës fillore ai u largua nga Hoçishti dhe për tre vjet vazhdoi shkollën në Greqi. Më pas u kthye në Shqipëri dhe u regjistrua në gjimnazin e Korçës. Në vitin 1905, Lonin e gjejmë përsëri në Selanik, këtë herë në liceun tregëtar greko-frëng “Nauca”, të cilin e përfundoi në vitin 1909. Gjatë viteve të qëndrimit në Selanik, Loni mësoi shumë mirë greqishten, por edhe u përball me propagandën antishqiptare greke, e cila në atë kohë ishte shumë e fuqishme. Tani tek djaloshi 23 vjeçar kishin filluar të lindnin ndjenjat e para atdhetare. Një pyetje e tij, (në një klasë ku kishte vetëm dy nxënës shqiptarë) nëse Shqipëria me 4 vilajete mund të ishte ekonomikisht e pavarur, krijoi një atmosferë të rëndë dhe shtyu mësuesin e ekonomise politike të përgjigjej negativisht. Pas mbarimit të liceut në Selanik, Loni punoi për 2 vjet në punë të ndryshme në këtë qytet.

Në vitin 1911, ai vendosi të emigrojë në Amerikë, ku filloi edhe veprimtarinë e vërtetë atdhetare. Këto vite ishin një kohë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm një vit më vonë, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali do të ngrinte flamurin shqiptar në Vlorë dhe do ta shpallte Shqipërinë vend të pavarur.

Fillimisht Loni u vendos në qytetin Lyn pranë Bostonit, ku punoi në një fabrikë për prodhimin e syzeve. Aty shkonte rregullisht në bibliotekën e qytetit dhe indinjohej me lajmet e rreme që sillnin disa gazeta në lidhje me gjendjen në Shqipëri, veçanërisht gazeta franceze “Curie des Etats Unis”, e dominuar nga propaganda greko-frënge. Loni i shkroi disa herë redaksisë së gazetës. Në këtë kohë ai filloi të njihet nga pranë me figurat më të njohura atdhetare dhe patriotike të komunitetit shqiptar të Amerikës si Fan Noli, Faik Konica, Qerim Panariti, Loni Katundi etj.

Më 1912, dy krerët kryesorë të shqiptarëve të Amerikës, Fan Noli dhe Faik Konica u nisën për në Konferencën e Londrës për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe kuvendi i përgjithshëm i “Vatrës” zgjodhi Loni Kriston si sekretar të përgjithshëm.

Një nga detyrat kryesore të “Vatrës” në periudhën e fillimit të Luftës së Parë Botërore ishte të mbante gjallë dhe të përhapte idetë kombëtare te shqiptarët e Amerikës. Gjatë kësaj lufte,Vatra”ishte edhe shoqata më e gjallë dhe më aktive për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botë. Ajo organizoi një seri tubimesh, ndërkohë që me dhjetra letra i dërgoheshin Konferencës së Londrës dhe Presidentit të Amerikës, Zotit W. Wilson. Në gjithë këtë veprimtari kishte rolin e tij të rëndësishëm si sekretar i përgjithshëm i “Vatrës” edhe Loni Kristo. Me shkrimet e tij atdhetare në gazetën “Dielli”, botim i Federatës Panshqiptare Vatra, Loni shprehte aspiratat dhe dëshirat më të mira të popullit shqiptar dhe të shqiptarve të Amerikës për liri e pavarësi. Për një periudhë kohe, Loni ishte edhe kryeredaktor i gazetës “Dielli”. Veçanërisht në këtë kohë “Vatra “ dhe “Dielli” bënin luftë të hapur kundër propagandës greke të kryesuar nga Shoqata Pan-Epiriote nën udhëheqjen e Pantazis.

Me përkushtimin dhe qëndrimin e tij në drejtim të çështjes shqiptare, Loni fitoi besimin dhe përkrahjen e shqiptarëve të Amerikës e veçanërisht të Fan Nolit, me të cilin filloi ta lidhte një miqësi e gjatë dhe e veçantë. Ai udhëtoi në të gjithë Amerikën, kryesisht për të mbledhur ndihma në të holla, të cilat ishin të domosdoshme për mbarëvajtjen e shoqatës. Jehonë bëri qëndrimi i Lonit në një mbledhje në Konsullatën Italiane të Bostonit. Gjatë mbledhjes konsulli italian, Konti De La Rosa i ofroi ndihmë financiare gazetës “Dielli”. Loni me shumë kujdes e refuzoi këtë ndihmë dhe në kuvendin e “Vatrës” të kryesuar nga Fan Noli mori lavdërimet më të mira nga të gjithë anëtarët për qëndrimin e tij dinjitoz. Ishte koha kur “Vatra”, me anë të një memorandumi, protestonte pranë qeverisë amerikane dhe kundërshtonte protektoriatin italian mbi Shqipërinë.

Krahas detyrës si sekretar i përgjithshëm i “Vatres”, të cilën e kreu me përkushtim deri në vitin 1920, Loni nuk la asnjë çast pas dore arsimimin e tij. Ai filloi Universitetin e Harvardit të cilin e përfundoi në vitin 1919, në moshën 33 vjeçare.

Në moshë të pjekur, me përvojë të mirë dhe arsim të përfunduar, si shumë shqiptarë të tjerë Loni vendosi të kthehet në vendlindje duke menduar se në atdhe do të mund të ndihmonte më shumë çështjen kombëtare. Tashmë ai zotëronte anglishten, italishten, greqishten, frengjishten si edhe njihte turqishten. Së bashku me një grup atdhetarësh të tjerë të bandës muzikore “Vatra”, ndër të cilët edhe Petro Ilia Tërpini, Loni u kthye në Shqipëri në vitin 1921 me shpresa dhe plane të mëdha, por koha dhe jeta do t’i rezervonin supriza të tjera, shpesh herë të pakëndshme.

Pas 17 vjetësh, Loni u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Hoçisht, prej nga ishte larguar në moshë të re. Menjëherë pas kthimit në atdhe, ai u zgjodh deputet në Parlamentin Kombëtar Shqiptar si përfaqësues i Prefekturës së Korçës për Partinë Liberale, të kryesuar nga kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë Fan S. Noli. Ndërkohë ai filloi botimin e “ Bota e Re”, një gazetë përparimtare për kohën, në të cilën ishte edhe kryeredaktor. Me shkrimet e tij të botuara në këtë gazetë dhe me fjalimet e tij në Parlamentin Shqiptar, Loni Kristo dha një kontribut të rëndësishëm në ardhjen në pushtet të Qeverisë Demokratike të Fan Nolit, e para Qeveri Demokratike në historinë e Shqipërisë.

Loni kishte ndikim të madh te njerëzit në qarkun e Korçës dhe veçanërisht në zonën e Bilishtit. Ai qëndroi si deputet i Prefekturës për 4 vjet. Në vitin 1922, ai u martua me zonjushën Eftimia Kristo (Sina), një grua intelektuale nga familja e njohur e Sinallarëve të Leskovikut. Eftimia ishte bashkëshorte shembullore dhe u bë nje mbështetje e sigurt në jetën e tij . Në dasmën që u bë në fshatin e lindjes, në Hoçisht, ishte i pranishëm edhe Fan Noli.

Me rrëzimin e Qeverisë Demokratike të Nolit dhe me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, Loni u vendos në Greqi si refugjat politik, ndërsa shumë nga miqtë dhe kolegët e tij u larguan nga Shqipëria, kryesisht për në Amerikë. Në këtë kohë, Loni merr ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij dhe vendos të kthehet në Shqipëri. Ai u kthye në vitin 1926 dhe, me interesimin e disa miqve të tij, u emërua mësues i gjuhës angleze në Liceun e Korçës, ku punoi deri në dhjetor të vitit 1939. Ndërkohë ai nuk e ndërpreu për asnjë çast propagandën në përkrahje të qeverisë së përmbysur të Nolit. Në jetëshkrimin e tij lexojmë: “Gjatë viteve 1926-1939, unë isha në listën me ngjyrë të kuqe dhe nën vërejtje të vazhdueshme nga organet e qeverisë së Zogut. Vazhdimisht vinin raporte kundër meje”. Një vit pas kthimit nga Greqia, Lonin e thirri komandanti i xhandarmërisë së Bilishtit, Q. Bokshi, i cili e paralajmëroi se kundër tij po vinin vazhdimisht raporte që e cilësonin si Fanolist dhe kundërshtar të qeverisë. Bokshi e këshilloi të shmangte daljet në publik. Në këtë periudhë Loni filloi t’i kushtojë më shumë kohë përkthimeve dhe gjuetisë, sport të cilin e ushtroi deri në fund të jetës se tij.

Në periudhën e kryengritjeve të Vlorës dhe të Fierit, Loni ishte përsëri në prag të arrestimit, por këtë herë atë e ndihmoi zëvendësprefekti i Vlorës, zoti Kosta Marko, të cilin Loni në autobiografinë e tij e përshkruan si njeri të ndershëm. Ndërkohë, xhandarmëria e Hoçishtit kishte marrë urdhër të veçantë për të mbikqyrur të gjitha lëvizjet e tij.

Duke parë se qëndrimi në Hoçisht po bëhej i padurueshëm dhe i rrezikshëm, Loni u shpërngul në qytetin e Korçës. Megjithëse nuk u kthye më kurrë për të jetuar në fshatin e tij të lindjes, Loni nuk e harroi asnjëherë Hoçishtin e bukur dhe më vonë vazhdoi ta kujtojë me shumë dashuri dhe përmallim. Shtëpia ku jetoi Loni ishte një nga shtëpitë më të bukura të fshatit dhe vazhdon edhe sot të qëndrojë në hyrje të Hoçishtit.

Në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, Loni filloi pa hezitim veprimtarinë antifashiste dhe për këtë arsye u pushua nga puna dhe u internua në Ventotene të Italisë, së bashku me Safet Butkën, Zef Malën, Selman Rizën, Faslli Frashërin, Llazo Fundon, Jan Gorguzin etj. Në letrën që kuestori italian i dërgonte drejtorisë së tij në Ventotene, Loni Kristo dhe 19 persona të tjerë cilësoheshin si “veçanërisht të rezikshëm”. Ai u mbajt në internim rreth një vit dhe pas kësaj periudhe u kthye përsëri në Shqipëri. Pas afro dy vjetësh pa punë, në vitin 1942, ai nuk pranoi të hyjë në shërbim të pushtuesve dhe vendosi të dalë në pension. Evropa dhe bota ishin përfshirë nga valët e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1943, Loni dhe familja e tij u larguan përfundimisht nga qyteti i Korçës dhe u vendosën në Tiranë. Po atë vit, ai u internua për të dytën herë nga italianët, këtë herë në Porto-Romano, po me të njëjtën akuzë, “antifashist”.

U lirua nga internimi në vitin 1944. Si shumë bashkatdhetarë të tij, ai ishte për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një front të vetëm kundër pushtuesve të huaj. Megjithëse në internim, Loni mbajti letërkëmbim të rregullt me miqtë e tij si Kol Tromara, Koço Tashko, Pandi Qeleshi etj. Pas Luftës së Dytë Botërore ai filloi përsëri punë, këtë herë si përkthyes i anglishtes në organizatën e UNRRA-s, e cila merrej me mbikqyrjen dhe ndarjen e ndihmave në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe vazhdoi përkthimin e një numri autorësh si Wild, Longfellow, Ohmar Khajami, Defoe, Heminguej etj. Në vitin 1946, pas një ndërprerjeje të gjatë, Loni filloi përsëri letërkëmbimin me mikun e tij Fan Nolin. Në një letër që Fan Noli i drejton, më15 nëntor 1945, zonjës Simmons, punonjëse e UNRRA-s në Tiranë, ai shkruan se është shumë i gëzuar që miku i tij i vjetër Loni Kristo dhe familja e tij dolën gjallë nga lufta e tmerrshme botërore dhe tani janë mirë në Tiranë. Njëkohësisht ai i lutet zonjës Simmons t’i përcjellë Lonit lajmin se ai vetë është mirë dhe pret t’i shkruajë sa më shpejt dhe ta njoftojë edhe për miqtë e tjerë. Në këtë letër Noli shkruan se Shqipëria duhet ndihmuar më shumë.

Në përgjigjen e tij me letrën që mban datën 7 janar 1946 drejtuar Nolit, Loni shkruan me entusiazëm për luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe për rindërtimin e vendit. Ai flet gjatë edhe për miqtë e tjerë si At Vasil Marko, Kol Rodhe, Loni Nini, Kristo Qirka, Goni Katundi, Koço Tashko, Andon Frashëri, Kol Kuqali, Sadik Durro etj. Për Vangjel Turtullin, Nasi Aristidhin dhe Peshkop çamçen e njofton që ata nuk rrojnë më. Në përgjigjen e tij, 2 Prill 1946, Noli shkruan se është i gëzuar që disa nga miqtë e vjetër dolën shëndoshë nga “rrëmuja botërore” dhe se letrën e Lonit ia kishte dhënë për botim gazetës “Dielli”. Bashkëngjitur me këtë letër, Noli kishte dërguar edhe dizertacionin e tij mbi Skënderbeun dhe shkruan se dëshiron të vijë në Shqipëri brenda vitit. Dizertacioni iu dha gazetës “Bashkimi”. Fatkeqësisht Noli nuk erdhi më në Shqipëri dhe nuk pati rast të takohet përsëri me miqtë e tij. Në një letër të tij drejtuar Fan Nolit dhe që mban datën 15 qershor 1946, Loni Kristo ankohet për trajtimin që i bëhet Shqipërisë në lidhje me ndihmat. Në një letër tjetër të datës 12 Shtator 1947, Noli ankohet që punët e “Vatrës” nuk po ecin mirë, ndonëse nuk mungon të shprehet optimist për të ardhmen.

Ndërkohë, Loni vazhdonte të ruante letërkëmbim të rregullt edhe me miq të tjerë të “Vatrës”, kryesisht me Qerim Panaritin. Ishte pikërisht koha kur UNRRA u largua nga Shqipëria dhe Loni u gjend përsëri pa punë. Disa vjet më vonë, Lonin e akuzojnë si simpatizant të Ballit Kombëtar, i ndërpresin pensionin, por nuk e arrestojnë. Pas disa vjetësh, pensioni i ndërprerë i rifillon përsëri. Tashmë ai ishte 65 vjeç dhe të gjithë ata që e njihnin e thërrisnin “Babi Loni”. Shkëputet nga jeta aktive dhe merret kryesisht me përkthime e gjah, ku del së bashku me mikun e tij Koço Tashkon. Krahas kësaj ndihmon dhe shoqëron vajzën e tij, Ketin, në mbledhjen dhe përzgjedhjen e folklorit shqiptar. Në vitin 1960, Loni pësoi një goditje të rëndë, të cilën nuk e përballoi dot për një kohë të gjatë. Bashkëshortja e tij e dashur dhe shoqja e pandarë e jetës, Eftimia vdiq pa pritur në moshen 60 vjeçare. Në të njëjtën kohë internohet edhe një nga miqtë e pakët që i kishte mbetur, Koço Tashko.

Në letrën e fundit që i shkruan Nolit, disa muaj para se te vdiste, dhe që mban datën 3 nëntor 1960, Loni përshkruan humbjen e gruas dhe sëmundjen e tij. Letra rëndohet nga nota të zymta dhe ai nuk shpreh asnjë keqardhje nëse së shpejti do të bashkohet me bashkëshorten e tij, ndonëse nuk mungon krenaria që ai ndjen për atë që ka bërë për Shqipërinë dhe vënien e gjithë jetës së tij në shërbim të atdheut. Loni Kristo vdiq në janar të vitit 1961, në moshën 75 vjeçare, nga kanceri i mushkërive dhe sot prehet në varrezat e Tiranës.

 

Leave a Reply