NGA PROF. THANAS GJIKA*
Qyteti madhështor i Vlorës së sotme, Vlores së 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, përveç ambjentit natyror ka shumë pak gjëra të njëjtë me Vlorën e nëntorit 1912.
Vlorën, ashtu si Durrsin dhe qytete të tjera porte, që kishin qenë qytete të lulëzuara në kohët e lashta, pushtuesi osman i kishte katandisur në qendra të vogla banimi me një numër të kufizuar shtëpish e dyqanesh, me disa rrugica të ngushta dhe me porte pa veprimtari lundrimi1. Këtyre porteve Perandoria Osmane ua kishte frikën se mund të ktheheshin në urra lidhëse me Europën, prandaj i kishte mpakur e atrofizuar. Shkatërrimi, mpakja, atrofizimi i tyre bënte pjesë në politikën e përgjumjes dhe të shuarjes së popullit shqiptar. Por kjo gjendje e mpakur e qytetit të Vlorës, nuk i pengoi vlonjatët që ta kthenin atë në një qytezë mikpritëse ku u strehuan atdhetarët që erdhën gjatë nëntorit 1912 e më vonë. Vlora u mbush plot e përplot me të ardhur nga të gjitha krahinat shqiptare. Aty shkuan atdhetarë gati nga gjithë trojet e afërta dhe të largëta. Aty mbriti dhe Isa Boletini me trimat kosovarë, Muharem Rushitit me çetën e tij të Çamërisë, Sali Butka me kolonjarët e sa e sa të tjerë. Aty erdhën edhe shumë atdhetarë prej kolonive jashtë atdheut. Gati të gjitha familjet vlonjate morën për të strehuar nëpër shtëpitë e tyre prej këtyre mysafirëve të dëshiruar. Me gjithë ankthin dhe fukarallëkun e shkaktuar prej bllokadës së krijuar prej fllotës greke, në sytë e vonjatëve dhe të të ardhurve shihej shkëlqimi dhe optimizëmi.
Mihali u strehua në shtëpinë e vëllezërve Koli e Kristo Karbunara2. Kjo ishte një shtëpi dykatëshe, kati i parë i së cilës ishte përdhes. Me këta vëllezër Mihali ishte njohur disa vjet më parë kur ata, gjatë punës si tregtarë, merreshin dhe me blerje librash e gazetash shqipe në Korçë dhe shitjen e tyre në Vlorë. Shtëpia e vëllezërve Karbunara më 1913 u bë, si shprehej Gramenoja, një godinë e dytë qeveritare. Aty banonin ministrat Luigj Gurakuqi e Pandeli Cale dhe shumë patriotë të tjerë toskë e gegë. Më vonë M. Gramenoja do të mburrej që banoi në këtë shtëpi ku ishin mbledhur atdhetarë demokratë e jo bejlerë aristokratë si në shtëpi të Veli Bej Këlcyrës, ku bejlerët mbanin fjalime për aftësitë e Esat Pashë Toptanit e që më vonë shkuan nga Vlora në Durrës, ku krijuan klikën e Durrësit me Esatin në krye.
Ismail Qemali i donte fort atdhetarët e ndershëm dhe me kurajë civile, që e thoshin mendimin e tyre hapur, si Mihal Gramenoja, të cilin e kishte njohur gjatë takimeve në Stamboll në vitet 1909-1911. Shpesh me ftesën personale të Plakut të Vlorës, Gramenoja merrte pjesë në mbledhjet qeveritare. Që në dhjetor 1912, Mihali u bë një nga më të besuarit e Kryeministrit. Siç do të tregonte vetë më vonë, Mihali u ftua të merrte pjesë dhe në bisedat që organizonte I. Qemali me një rreth të ngushtë atdhetarësh për përkrahjen që u duhej dhënë forcave shqiptare të rrethuara në Janinë për të vijuar rezistencën kundër ushtrisë greke, ose për krijimin e komisioneve të ndryshme që duheshin dërguar në Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare, si dhe për botimiin e një gazete si organ zyrtar të Qeverisë së Vlorës, etj. Me gjithë respektin e madh që ushqente Gramenoja për Ismail Qemalin, ai pa e tepruar, kritikoi disa vendime e synime të udhëhesësit të qeverisë së parë shqiptare.
Mihali i përçmonte servilët që i afroheshin kryeministrit me fjalët: Të puthim dorë e këmbë bej, se neve jemi duvaxhinj të zotërisë sate. Gramenoja ndërhyri me një herë dhe i qortoi këta servilë në sy të Ismail Qemalit duke këshilluar që të ishin duvaxhinj të Shqipërisë e jo të beut3.
Jeta në Vlorë deri më 26 mars 1913, kur u ça bllokada, bëhej gjithnjë e më e vështirë. Ushtritë osmane që kishin dyndur në Myzeqe nuk lejonin furnizimin e Vlorës me drithëra buke, po ashtu dhe ushtria mbretërore greke që kishte rrethuar Janinën (të cilën mundi ta merrte më 7 mars) nuk lejonte furnizimin e Vlorës me drithëra buke nga fusha pjellore e Çamërisë dhe as nga deti. Duke e ditur gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej Vlora, qeveria serbe dërgoi me ngut Fehim Bej Zavalanin me propozimin që Shqipëria e Sërbiatë bashkoheshin në një konfederatë nën fronin e mbretit të Serbisë. Po ashtu edhe qeveria greke dërgoi një komision të përbërë prej Teki bej Rusit etj. me anën e të cilit propozoi bashkimin e Shqipërisë me Greqinë. Por diplomati largpamës I. Qemali, sa mori vesh qëllimet e këtyre misionarëve i përzuri, pa pranuar as të bisedonte me ta4.
Të pranoje të tilla propozime, gjoja të sinqerta për të mirën e popullit shqiptar, donte të thoshte të shkelmoje pavarësinë e sapofituar me aq gjak e sakrifica, donte të thoshte t’i varrje në qafë Shqipërisë një gur të rëndë që do ta mbyste së shpejti. Edhe Gramenoja ishte i një mendimi me Plakun, ndaj e përgëzoi për përgjigjen e prerë që u dha këtyre lloj delegatëve. Mëlçitë e qingjit nuk mund të ruheshin duke i varur në qafën e ujkut.
Në trevat shqiptare ku jeta ishte tepër e ngarkuar me fatkeqësira: vdekje nga uria, ndjekje e persekutime, e mbi të gjitha, kur çështja e caktimit të kufijve qëndronte si shpata e Demokleut mbi kokë, koha ecte ngadalë, tepër ngadalë, orët e ditës zvarriteshin si të ishin muaj. Kurse në oborret e Evropës koha ecte shumë shpejt, aty gati çdo ditë kurdiseshin plane e intriga, skena e prapaskena që bënin të dështonin njëra pas tjetrës seancat e Konferencës së Londrës.
Në Vlorën e izoluar nga toka e deti, suksesi i arritur me shpalljen e pavarësisë përjetohej së bashku me një ndjenjë ankthi për të ardhmen e vendit mbi atë çka po gatuanin Fuqitë e Mëdha në kurriz të Shqipërisë. Pas hyrjes së jahtit të dukës Monpensiere më 26 mars 1913 në skelën e Vlorës, u ça bllokada detare dhe I. Qemali së bashku me I. Boletinin, L. Gurakuqin, Mehmet Konica, etj. u nis për në disa oborre të Evropës për të mbrojtur njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, tërësinë tokësore të saj dhe për çështjen e princit që do të trashëgonte fronin e Shqipërisë. Për qëllime të përafërta u dërgua dhe M. Gramenoja në Milano, kurse Pandeli Caleja në Gjenevë të Zvicrës. Në Milano Mihali, siç njofton shtypi i kohës, arriti më 5 prill 1913. Në këtë qytet të rëndësishëm të Italisë së Veriut u ndal dhe grupi i I. Qemalit, i cili pas Romës do të shkonte në Vjenë, Paris dhe Londër. Në Milano u krijua një komitet shqiptar ku u ftuan të merrnin pjesë dhe disa arbëreshë si dhe Kristo Floqi e Hil Mosi që ndodheshin në Itali. Në mbledhjen e parë të këtij komiteti asistoi dhe Luigj Gurakuqi i cili u nis me vonesë për në Vjenë ku shkoi I. Qemali. Së bashku me Kristo Floqin, anëtar i këtij komiteti, Mihali hartoi një varg telegramesh të cilët ua dërguan Fuqive të Mëdha për zgjidhjen e problemit shqiptar sa më drejt, si dhe disa telegrame që ua dërguan shoqërive atdhetare shqiptare të kolonive për të dërguar dhe ato protesta e qarje lidhur me pazarllëqet që bëheshin nga diplomatët e huaj mbi kurriz të tokave shqiptare5. Sipas një shënimi në gazetën Liri e Shqipërisë të datës11 qershor 1913, del se Gramenoja me shokët e vet që ndodheshin në Itali hartuan e dërguan edhe një varg telegramesh që i dërguan drejtpërdrejt Konferencës së Londrës si dhe disa gazetave të rëndësishme të Evropës për të përkrahur problemin shqiptar. Aty nga fundi i muajit maj të atij vitit Mihali u kthye sërish në Vlorë.
Ndonëse kishin kaluar vetëm disa muaj nga shpallja e pavarësisë dhe kjo ende nuk ishte siguruar, shumë nëpunës, madje e ministra të Qeverisë së parë shqiptare, nga radhët e bejlerëve, kishin filluar të shfaqnin shenja të një burokratizmi të sëmurë. Ata shfrytëzonin postet zyrtare për interesat e ngushta personale e të farefisit, nuk afronin njerëzit e zotë e atdhetarë nëpër punëra të ndryshme; akraballëku dhe hatërllëku sundonin në punët e tyre zyrtare. Gramenoja ndjente rezerva e mërzi ndaj këtyre nëpunësve që interesoheshin për rrogat e tyre më tepër se për çdo gjë, në një kohë kur shteti shqiptar ishte aq i varfër, ndërsa qypat e tyre i kishin plot me florinj. Ndonëse për shkak të momentit historik Gramenoja nuk mund të hapte luftë kundër tyre, ai nuk nguroi t’ia vinte në dukje kryetarit të Qeverisë së Vlorës rezervat e tij ndaj këtyre nëpunësve turkoshakë. Në gusht të vitit 1913 ai botoi artikullin Organizimi i Shqipërisë, ku, pasi vlerësonte vështirësitë e kohës dhe punën e mirë që kishte bërë qeveria e I. Qemalit për vendosjen e qetësisë, etj, kërkonte: duhet të zihemi nga puna sic duhet, ndaj qeveria të vrapojë në organizimin e Shqipërisë, duke i dhënë frymë e ngjyrën evropiane dhe jo aziatike, që të mundim të hyjmë në rrugë të qytetërimit6. Ky shkrim tregon se Gramenoja nuk ishte i kënaqur me punën e ministrave të cilët me sjelljet dhe punën e tyre i jepnin Shqipërisë pamjen e një Turqie të vogël, kurse talljet e sulmet kundër tyre ai do t’i botonte në gazetën e vet në vitet e më vonshme.
Ismail Qemali, duke vlerësuar aftësitë gazetareske të Gramenos i propozoi këtij të bëhej drejtor i organit zyrtar të qeverisë, i gazetës Përlindja e Shqipëniës, por Mihali nuk pranoi, duke sqaruar se, po të ishte drejtor i organit qeveritar, nuk mund t’i kritikonte zyrtarët e ministrat e qeverisë, prandaj kërkoi që të ishte redaktor i thjeshtë i kësaj gazete, për të qenë më i lirë në shprehjen e mendimeve të veta kritike7. Zemërimi i Gramenos ndaj disa zyrtarëve arriti kulmin kur këta arrestuan patriotin e njohur Idriz Guri, sepse ky pati kurajën të shprehej kundër një beu ministër.
Plot zemërim Gramenoja qortoi disa nëpunës të Qeverisë së Vlorës që përdornin gjuhën turke nëpër zyra. Mos pandehin se Shqipëria do të bëhet ndonjë Turqi e vogël e do të shkojnë të vjetrat? – shpallte ai plot duf , e më tej përgjigjej vetë: Jo kurrë! Duhet ta dinë njëherë e përgjithnjë që Shqipëria ka atdhetarë kombëtarë, të cilët do ta mbrojnë Shqipërinë nga çdo rrezik e nga çdo udhë prapësimi8. Pakënaqësia e kritikat ndaj nëpunësve në ato momente historike nuk mund të zgjateshin, prandaj ai e përmbajti penën dhe nuk shfreu shpesh herë.
Më 29 korrik 1913 Konferenca e Londrës vendosi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, por siç dihet, duke përfshirë brenda saj vetëm gjysmën e territoreve shqiptare e më pak se gjysmën e popullit shqiptar. Vilajeti më i rëndësishëm me popullsi shqiptare, vilajeti i Kosovës me kryeqendër Shkupin dhe pjesë të tjera të rëndësishme me popullsi shqiptare të vilajeteve të Janinës, të Shkodrës e të Manastirit, si Çamëria, Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Dibra, Tetova, Struga, Manastiri, Prilepi, etj. liheshin jashtë territorit të shtetit shqiptar. Siç thuhet dhe në Historinë e Shqipërisë, gati një milion shqiptarë u lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar e rreth 800 000 u përfshinë brenda tyre. Pra pjesa më e madhe e popullit tonë lihej jashtë, kurse pakica formonte shtetin. U krijua një shtet në Europë, i cili do të rrethohej prej bashkëkombasve të vet nga të gjitha anët tokësore. Një ndarje kaq e padrejtë nuk kishte si të mos krijonte vështirësi të mëdha për krijimin e marrëdhënieve miqësore midis këtij shteti të brishtë e gjysmak me fqinjët e vet. Një padrejtësi e tillë nuk i ishte bërë asnjë populli të Evropës.
Kështu borgjezia e shteteve ballkanike e ktheu lëvizjen nacionaliste nga një lëvizje përparimtare për çlirimimin e territoreve të mbetura nën zgjedhën osmane, në një lëvizje shoviniste për zgjerimin e territoreve të shtetit të vet me territore ku populli i saj nuk përbënte shumicën, madje dhe aty ku nuk kishte bij të kombit të vet, si ishin Ohri, Manastiri, Prilepi, pa asnjv këmbë sërbi, por që iu dhanë Sërbisë..
Ndarja e territoreve shqiptare në hartë në tavolinat diplomatike si të ishte një byrek, për të kënaqur lakmitë e shteteve fqinjë dhe të aleatëve të tyre, pa marrë parasysh gjendjen e popollit në terren, tregon se në ç’rrugë të gabuar e futi diplonmacinë europiane presioni i diplomacisë ruse të asaj kohe. Këto gabime, si dihet u korrigjuan deri diku prej ushtrisë naziste gjermane në vitet 1942-1944, dhe disi më mirë më 1999 prej ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Më 1999 u lirua vetëm Kosova prej pushtimit sërb, kurse popullsi të shumta shqiptare mbetën ende si minoritet në Maqedoni, Sërbi e Mal të Zi.
Padrejtësia që iu bë popullit shqiptar në Konferencën e Londërs u njoh që në atë kohë prej vetë diplomatëve të Fuqive të Mëdha. Eduart Grei (ang Edward Grey), ministër i Jashtëm i Anglisë, më 12 gusht 1913, deklaroi në Dhomën e Komuneve lidhur me caktimin e kufijve të Shqipërisë: Unë e dij fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të jetë shkas për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin dhe e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë lokale9. Por ai “shfajësohej” se këtë Fuqitë e Mëdha e bënë në dobi të paqes në Evropë.
Diplomatët e Rusisë cariste e të Francës e ndalën luftën e tyre për coptimin e trojeve shqiptare deri në madhësinë e Shqipërizës që kemi dhe sot, jo nga dëshira e tyre. Ata nuk e shpunë dot luftën e tyre deri në realizimin e krijimit të një shteti edhe më të vogël shqiptar, mbasi u ndodhën para presioneve të shumta që iu bëheshin nga atdhetarët shqiptarë nga të gjitha anët e botës, si dhe para këmbënguljes së diplomatëve austro-hungarezë e italianë. Vlen të përmendim këtu këmbënguljen e përfaqësuesit të Austro-Hungarisë, i cili i bindi diskutantët për të hequr dorë nga dhënia e Korçës Greqisë dhe e Shkodrës Malit të Zi, me fjalët e Perandorit Franc Jozef (gjer Franz Joseph): Pa Korçën dhe Shkodrën nuk mund të jetoje një shtet shqiptar, sepse këto qytete i dhanë lëvizjes Shqiptare ideologjinë e saj.
Kështu u krijua Shqipëria londineze, shteti që kemi dhe sot, së cilës iu lanë zonat malore e kënetore dhe pak fusha; kurse territoret më pjellore, si fusha e Kosovës, Rrafshi i Dukagjinit, Pollogu, fusha e Manastirit dhe fusha e Çamërisë, që përbënin hambarët e drithit, që kishin mbajtur me bukë ndër shekuj popullin shqiptar, iu dhanë shteteve fqinjë. U krijua pra një shtet që do të vuante për shumë e shumë vjet nga uria e bukës…
Në mënyrë sintetike kjo padrejtësi u karakterizua nga atdhetari gjinokastrit At Panoja me fjalët: Shqipëria u bë, që të pëlcasin shqipëtarët!10 Por patriotët shqiptarë, nuk plasën, sepse gjatë luftërave çlirimtare ata kishin kalitur një karakter të tillë që as pëlciste nga inati, as thahej nga uria, as kalbej nga lagështia e kënetave. Ata e kuptuan se në fund të fundit shpallja e pavarësisë dhe formimi i shtetit shqiptar të pavarur ishte sukses i madh për mbarë kombin shqiptar edhe për atë pjesë që ra nën zgjedhën e re serbo-malazeze e greke, mbasi krijimi i këtij shteti do të ishte mbështetje e madhe morale, shpirtërore e psikologjike për mbarë popullin shqiptar, brenda e jashtë kufijve. Ekzistenca e tij do të ishte pjesë e asaj force magjike që do t’i ndihmonte shqiptarët e përtej kufirit, të mos asimiloheshin dhe të mos ndërprisnin luftën e tyre për liri. Këtë dukuri e vërtetoi lëvizja kombëtare shqiptare mbas krijimit të shtetit shqiptar. Kjo lëvizje nuk u shua në Kosovë, Maqedoni e Greqi deri në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, madje ajo vijon ende në ditët tona në trojet shqiptare që mbetën në Maqedoni e Sërbi. Kjo lëvizje dëshmon se sa të drejtë pati lufëtari i madh kosovar Isa Boletini, kur e ngushëlloi Ismail Qemalin në Londër pasi dolën nga takimi me ministrin e jashtëm anglez E. Grey: Ani s’ka gja, gurët e kufinit vihen e hiqen, por Kosova ka me mbet gjithmonë shqiptare.
Pas vendimeve të Konferencës së Londrës, M. Gramenoja, L. Gurakuqi e shumë veprimtarë të tjerë të penës, shkruan në faqet e shtypit përparimtar shqiptar kundër kësaj padrejtësie makabre. Duke kritikuar rëndë Fuqitë e Mëdha evropiane që shkelën në mënyre flagrante parimin e kombësisë, duke masakruar trojet shqiptare, Gramenoja me pjekurinë e tij politike shpalli në artikullin Ballkani Vullkan, se ndarja e padrejtë e kufijve në Ballkan do të bëjë që në këtë gadishull të mos ketë kurrë qetësi, por gjithmonë të ketë trazira e luftëra11.
Pikërisht në të tilla momente të ngarkuara plot tension, kur uniteti i brendshëm ishte më i nevojshëm se kurrë, Esat Toptani dhe elementë të tjerë tradhtarë pasi u larguan nga Vlora formuan klikën e Durrësit për shkëputjen e Shqipërisë së Mesme nga pushteti i Qeverisë së I. Qemalit. Kundër këtyre veprimeve me synime antikombëtare, më 9 shtator u organizua në Vlorë një miting proteste ku M. Gramenoja mbajti një ligjëratë të zjarrtë për demaskimin e qëllimeve djallëzore të Esat Pashë Toptanit. Disa ditë më vonë ky fjalim u botua në gazetën Përlindja e Shqipëniës me titullin Kini kohë! Gramenoja i drejtohej pashait tiranas: Shqipëria, pasha do të bëhet për shqiptarët gjithë, të krishterë e muhamedanë, dhe e di fort bukur që s’bëhet Turqi e vogël. Më tej ai theksonte se Shqipëria do të bëhej një shtet demokratik, ku do të mbretërojë vllazëria, drejtësia edhe njëjësia, dhejoçiflig i disa bejlerëve.
Përveç Esat Pashës me klikën e tij, brenda në Vlorë një grup jo i vogël intelektualësh e nëpunësish flisnin poshtë e lart kundër qeveritarëve dhe kundër I. Qemalit vetë, disa të tjerë ngrinin nevojën e krijimit të një partie politike opozitare. M. Gramenoja në faqet e organit qeveritar të Vlorës e hapi çështjen e kritikave të pabaza e të pasinqerta që i bëheshin I. Qemalit, si dhe problemin e krijimit të një partie opozitare. Ai dënoi gjithë llomotitjet, të quajturat kritika, që bëheshin nga pozita të gabuara politike dhe që niseshin thjeshtë nga egoizmi ose interesi personal. Lidhur me idenë e formimit të një partie politike opozitare, Gramenoja ndonëse e pranonte si diçka më të mirë se kritikat e pabaza, përsëri këshillonte që, në një kohë kur ende nuk ishin përcaktuar kufijtë e shtetit shqiptar dhe kur rreziku i jashtëm vijonte të ishte shumë kërcënues, nuk ishte koha për formimin e një partie të tillë. Momenti historik, sipas tij, kërkonte unitet mendimi e veprimi deri në konsolidimin e pavarësisë së saposhpallur.
Në një situatë të tillë, kur Qeveria e Vlorës kishte nën juridiksionin e vet vetëm prefekturën e Vlorës, të Beratit, të Elbasanit, me gjithë nënprefekturën e Pogradecit dhe prefekturën e Shkodrës të ndërprerë tokësorisht nga Shqipëria e Mesme nën Esatin, shumë elemente feudale shfaqën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë së I. Qemalit. Ata mbetën të pakënaqur së pari nga vendet e pakta që zunë në këtë qeveri, si dhe nga deklarata që bëri kryetari i kësaj qeverie më 22 tetor 1913, se qeveria e tij mendonte që shqiptari të bëhej zot i tokës. Këta elementë u bashkuan shpejt në një grupim me tendenca prapavajtëse e antikombëtare në Durrës. Në Vlorë, mbas tetorit 1913, mbetën elementët atdhetarë e demokratë të vendosur për t’ia nënshtruar interesat e veta çështjes kombëtare.
Heroi ynë nuk iu nda Vlorës dhe I. Qemalit, edhe pse ndonjë veprim të tij e të Qeverisë së Përkohshme, nuk e aprovoi, siç ishte rasti i koncesionit që donte t‘u jepte kjo qeveri Italisë e Austro-Hungarisë për krijimin e një banke me kapitale austro-italiane. Gramenoja dhe disa aktivistë të tjerë këtë lëshim që bënte Qeveria e Përkohshme e Vlorës, duke mos e ndjerë gjendjen tepër kritike të kësaj qeverie, nuk e menduan si të keqen më te vogël, si e quante I. Qemali, i cili synonte që pas këtij lëshimi të siguronte një përkrahje më të vendosur të Italisë e të Austro-Hungarisë për zhvillimin ekonomik të vendit. Për të kundërshtuar dhënien e këtij koncesioni pranë përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha që ndodheshin në Shkodër, Mihali, Çerçiz Topulli, Pandeli Caleja e një grup veprimtarësh të tjerë, në fund të shtatorit shkuan në qytetin e Teutës; ku dorëzuan tek përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha një memorandum, me anën e të cilit kërkonin që Fuqitë e Mëdha të mos lejonin krijimin e një banke të tillë, sepse atëherë Shqipëria do të tërhiqej për hunde prej Italisë e Austro-Hungarisë. Kjo bankë, jo thjeshtë për shkak të kundërshtimit të Gramenos me shokë, por për shumë arsye të tjera, nuk u krijua.
Gjatë ditëve që Mihali qëndroi në Shkodër u mrekullua. Ai u mbrekullua nga madhështia e kalasë dhe e shumë objekteve të lashta që dëshmonin të kaluarën heroike e të begatshme të atij qyteti e të mbarë krahinës. U mbrekullua duke njohur burra të gjatë e të pashëm, mikpritës e krenarë, në sytë e të cilëve lexohej heroizmi që kishin treguar ndaj ushtrisë malazeze në rrethimin e fundit që kishte vijuar mbi 5 muaj, deri më 26 prill 1913. Hil Mosi, miku i tij shkodran që kish bujtur shpesh në shtëpinë e Gramenove gjatë viteve 1908-1910, këtë rast të shumëpritur, nuk mund ta linte të kalonte pa treguar mikpritjen e bujarinë karakteristike shkodrane. Me këmbënguljen e Hilës e familjes së tij treshja Grameno, Topulli e Cale u detyrua të qëndronte në Shkodër shumë më tepër nga sa kishte parashikuar. Bazën kryesore këta miq e patën në shtëpinë e Hil Mosit, ku patën rast të dëgjonin këngë nga cikli i kreshnikëve shoqëruar me lahutë prej këngëtarësh të talentuar. Në shumë biseda e oda miqsh, u ftuan ata dhe toskët e tjerë. Boshti i bisedave qëndronte në ngjarjet që zhvilloheshin në Kosovë e Dibër. Deri në javën e parë të tetorit kryengritja shqiptare që kishte shpërthyer përtej kufirit, ishte në ngritje dhe populli i Dibrës, i Luginës së Pollogut e i gjithë Kosovës po tregonte me armë se nuk ishte dakord me vendimet e Konferencës së Londrës për të mbetur nën zgjedhën e re serbe. U ngjallën shumë shpresa për çlirimin e atyre krahinave. Por qeveria serbe e errësuar nga shovinizmi serbomadh nuk vonoi të tregonte forcën e saj brutale, e të shtronte me zjarr e hekur popullsinë e këtyre krahinave, duke mos kursyer as pleqtë e as foshnjat e djepit.
Pas shtypjes çnjerëzore të kësaj kryengritjeje, Shkodra u mbush me refugjatë. Shumë familje luftëtarësh, për t’u shpëtuar vdekjes së sigurt, u detyruan të kalonin kufirin për të kërkuar strehim në pjesën e lirë të atdheut. Familjet e luftëtarëve kosovarë u strehuan në Shkodër, kurse familjet e luftëtarëve dibranë e gostivaras në Elbasan e sidomos në Tiranë. Mihali ndjeu një dhimbje të thellë për këtë disfatë, por ai nuk këshilloi pesimizëm e nënshtrim. Në artikullin Vajto e ngrata Shqipëri! që botoi në Përlindja e Shqipëniës ai shpallte “…një komb trim e liridashës nuk shuhet kurrë, edhe në është që ky komb… nuk u shua gjer më sot ndër sa të shkelura që pati, nga kombe të mëdhenj, pa fjalë që nuk ka për me humbur nga barbari serb! Nga gjaku që po derdhet edhe po ujit dhenë do të dalë filizi i ri, i cili ka për të marrë gjakun dhe t’i japë dërmën Sërbisë.
Ky besim për vitalitetin e popullit shqiptar të mbetur nën zgjedhën serbe, në mendjen e Gramenos ishte ngjizur gjatë bisedave me trimat kosovarë që ai njohu në Shkodër mbas shtypjes së kryengritjes së verës 1913, sidomos nga fjalët që kishte dëgjuar prej Isa Boletinit. Nga fundi i tetorit 1913, Hil Mosi, Gramenoja, Çerçizi e Nikollë Ivanai, shkuan e i bënë një vizitë Isa Boletinit e grupit kryesor të refugjatëve kosovarë tek shtëpia e atdhetarit Riza Dani. Midis tjerash Isa tha: Neve nuk na shojti dot as Turguti, as Xhavit Pasha, as gjithë turqit e jo të na shuajnë këlyshët e Nikollës e të Pjetrit. Dhe pasi shtriu dorën e tij të djathtë mbi të cilën vunë duart dhe Bajram Curri, N. Ivanaj, Hila, Mihali e Çerçizi, kryetrimi i Kosovës shtoi me solemnitet: Po të jena të lidhun të gjithë, s’ka ç’na bajnë këlyshët e Nikollës e të Pjetrit. Kosova ka me u bashkue me nanën Shqipni!12 Ky ishte betim burrash luftëtarë, betim që ua mbushi njerëzve zemrat me vendosmëri edhe më të madhe për të vijuar luftrat e tyre në të ardhmen.
1 Atdhetari Goni Katundi në librin e tij Kujtime nga Lëvizja për Clirimin Kombëtar, mbledhur dhe përgatitur nga P. Pepo, botim i USHT Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë. Tiranë 1962, f.37, tregon se mbeti i pakënaqur kur pa Vlorën me pamjen e saj si fshat.
2 Koli Sotir Karbunara (1854-1941) dhe vëllai i tij Kristo (1860-1949), ishin aktivistë të lëvizjes atdhetare në Vlorë. Ata ishin ndër themeluesit e klubit Labëria që u krijua aty pas shpalljes së kushtetutës xhonturke. Në shtëpinë e tyre ishte hapur dhe shkolla e parë shqipe e Vlorës.
5 Në një telegram firmosur nga M. Gramenoja e K. Floqi dërguar Pandeli Vangjeli, kryetari i shoqërisë shqiptare të Bukureshtit, shkruhet: Protestoni të gjithë sa mundni, të shpëtojmë Korçën! AQSH, Fondi Pandeli Vangjeli, Dosja: Korrespondencë e pasistemuar.
9 Grey, Edward. Speecher on foreign affairs, London 1913, f. 212. Sipas: Puto, Arben. Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë 1978.


