Ushtarët e Lëvizjes të Shtetit Islam po përhapin edhe foto për mizoritë barbare, e cila gjë garanton një kërcënim të besueshëm në atë rajon.-Qëllimi xhihadist është që Kalifati Islamik të këtë shtrirje në pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë e ndërtuar në një interpretim shtazarak të Sheriatit
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Kur Lëvizja ekstremiste sunite, Shteti Islam, pas një ofensive rrufe në qershor mori kontrollin në qytetin Mosul, mijëra banorë ikën në panik. Terroristët e kësaj lëvizjeje kanë pushtuar edhe disa qendra të krishtera dhe etnitetit Jezid i është dhënë ultimatum që ose të konvertohet në fenë Islame ose duhet të zhduket apo të vdes. Për t’iu ikur, ndoshta, përkohësisht sulmeve të hordhive gjakatare të IS mijëra njerëz të dëshpruar po qëndrojnë në malet e Sinjarit pa ushqim dhe pa asnjë shpresë se do të mund t’i shpëtojnë kësaj tragjedie që po iu kanoset nga çasti në çast. Kryetari i SHBA-ve Barack Obama këtë që po ndodh në veri të Irakut e quan gjenocid, por edhe kërcenim global. Ky shtet i fuqishëm ka filluar t’iu dalë në ndihmë popullsisë së kërcënuar duke iu hedhur ushqime nga ajri, por edhe duke i sulmuar caqet ushtarake të IS.
Cili është qëllimi xhihadist?
Qëllimi xhihadist është që Kalifati Islamik të këtë shtrirje në pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë e ndërtuar në një interpretim shtazarak të Sheriatit. Në cilën pjesë të Sheriatit flitet e shkruhet që fëmijës t’i hiqet koka pa bërë asgjë apo për të bërë aso masakra makabre që me forcë po i dënon i gjithë opinioni botëror. ICE është vetëm një mile larg Erbilit, kryeqytetit të Kurdistanit në Irak. Përveç kësaj ajo ka pushtuar edhe digën më të madhe të Irakut dhe në këtë mënyrë kontrollon furnizimin me ujë të një zone të madhe. Sipas informatave që vijnë nga terreni IS nuk ka ushtri aq të madhe pavarësisht fluksit të ekstremistëve të huaj, përfshirë këtu edhe shqiptar, dhe besohet se kjo nuk do të jetë në gjendje për të zotëruar një territor të gjerë me kalimin e kohës. Përkundër terrorit që po zhvillon, Lëvizja IS po ka mbështetje nga popullsia sunite në disa rajone, pjesë këto që ishin të margjinalizuara nga qeveria e Nuri al- Malik në Bagdad.
Propaganda me prerje kokosh po fut tmerr
Ushtarët e IS kanë përvojë luftarake nga atentatët e përgjakshme terroriste, por edhe nga lufta në Siri dhe Afganistan. Ata po përhapin edhe foto për mizoritë barbare, e cila gjë garanton një kërcënim të besueshëm në atë rajon. Ushtarët e IS, po ashtu, janë shumë mirë të armatosur, sepse ata janë pajisur me armë të sofistikuara amerikane, të cilat i lanë ushtarët irakian në fushën e betejës nga sulmi që IS bëri në qershor.
Ushtria irakiane nuk është një forcë që mund të përballet me këtë Lëvizje pavarësisht paisjeve të sofistikuara dhe të shumë viteve të arsimit nga amerikanët në fushën luftarake. Nuri al- Malik bartë një pjesë të përgjegjësisë dhe fajit për shkak të përçarjes dhe fragmentarizmit të vendit dhe shi për këtë është ca problematike që SHBA-të të dalin në “ anën” shiite si forcë ajërore. Ndërkaq, Obama ka kushtëzuar ndihmën ushtarake me formimin e një qeverie të Unitetit Kombëtar.
Si mund të ndalet turri i IS
Në veri të Irakut po zhvillohet një dramë e tmerrshme dhe nga i gjithë opinioni botëror po shtrohet pyetja se si do të mund të ndalet turri i IS. Ndërhyrja eventuale e SHBA-ve në këtë konflikt do të mund të shpjegohet si një intervenim humanitar, plus që diplomatët dhe këshilltarët amerikan duhet doemos të mbrohen. Në anën tjetër kundërshtaret politik të Obamas e kanë akuzuar atë se e ka lënë rrugën e lirë për ekstremistët në Irak dhe Siri pa paraqitur alternativa të besueshme. Mirëpo, çfarë ndodh nëse triumfalisht IS avancon më tutje. Shteti i lirë i udhëhequr nga talebanet në Afganistan mbëtet edhe më tej në kujtesë. Përpjekja e fundit për të sjell rendin me forcën e armëve është një dështim masiv dhe opinioni amerikan është thellësisht skeptik në aventurat e reja në Lindjen e Mesme. Ndërhyrja, për fat të keq, edhe e kufizuar ushtarake gjithmonë ka sjell një përshkallëzim të situatës.
Megjithatë, sunitët në Irak duhet ta dinë dhe të jenë të bindur se IS është edhe armiku i tyre më i keq, ndaj edhe ata duhet të inkorporohen dhe të kenë rol në të ardhmen e vendit. Po ashtu, edhe ndihma ushtarake, sidomos ajo amerikane, duhet të vijë në shprehje ja sot ja kurrë pavarësisht interpretimeve, nganjëherë edhe të gabuara, që vijnë qoftë nga kundërshtarët politik apo nga qarqet tjera, sepse ajo çka po ndodh sot në veri të Irakut, por edhe në Siri është një kërcënim global. S’do mend se në këtë betejë aspak të lehtë duhet të inkuadrohen edhe organet kompetente të Republikës së Kosovës në ndaljen e përhapjes së radikalizmit ekstremist islam në vendin tonë. Edhe qytetarët duhet të marrin pjesë në pengimin e përhapjes së kësaj të keqeje.