Mehmet Konica, një ndër dëshmitarët e ndarjes së kufijve

August 9th, 2013


Ne Foto: Londer 1913. Mehmet Konica, një ndër dëshmitarët e ndarjes së kufijve /
*Më 15 janar 1913, mbi tryezën e Eduard Greit, kryetarit të konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai austro-hungarez dhe tri ndihmës. Projekti shqiptar, serbo-malazez dhe projekti grek.
* Konica i premtoi Greit një minierë floriri, projekti austro-hungarez me Kosovë e Çamëri. 
Shkruan Hyqmet ZANE/

Nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër deri tek vrasja e Gjeneral Telinit. Aventura për vendosjen e kufijve të Shqipërisë dhe humbja e gjysmës së territoreve. Historia e konsullit Haven dhe e mbështetjes që SHBA vendosi t’i japë qeverisë së Tiranës.
Eduard Grei, ministri i Jashtëm i Mbretërisë Britanike dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte caktuar vetëm 15 minuta kohë për takimin me përfaqësuesin shqiptar në Londër, Mehmet Konicën. Mbi tryezën e tij qe shtrirë harta e madhe e Ballkanit dhe ministri e dinte fare mirë se Shqipëria e dobët ishte e humbura e madhe.
Kishte pak vullnet për të diskutuar me një shqiptar edhe pse, ndërmjetës të takimit ishin disa miq të përbashkët, aristokratë të vjetër, që kishin ruajtur gjithmonë lidhje me Orientin e largët.
Me fytyrë nga dritarja, Grei nuk denjoi të kthehej, kur ambasadori shqiptar hyri në sallë. I kërkoi atij vetëm të fliste, duke ndenjur gjithmonë me shpinë dhe duke ndjekur lëvizjet në rrugë. Një njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa prej lordëve më të fuqishëm në vend, Konica nuk përmendi asgjë për kufijtë. Me një zë të shtruar i tregoi ministrit që qëndronte me kurriz se, në Shqipëri ishte zbuluar një minierë e pasur floriri dhe se qeveria shqiptare e Ismail Qemalit kërkonte që mbretëria britanike të merrte koncesionin e saj. Grei u kthye dhe me mjaft delikatesë e ftoi të uleshin së bashku në tavolinë. Një minutë më vonë, me po aq elegancë, Mehmet Konica, i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte, se si do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë. Askush nuk e ka përshkruar më tej bisedën e tyre, por një gjë është e qartë. Grei i ka pranuar Konicës se Shqipëria do të dilte më e humbura në këtë histori, sepse kjo ishte një çështje interesash. Interesa nga ato që përcaktonin politikën afatgjatë të Fuqive të Mëdha dhe balancat midis tyre. Në fakt, ata biseduan gjatë dhe Mehmet Konica, vëllai i Faik Konicës, nuk foli më kurrë për këtë bisedë. Ai e përmendi vetëm vite më vonë, më 1949, në Firence, ndërsa kishte filluar t’i diktonte kujtimet e tij një gazetari italian. Vdekja ia la kujtimet përgjysmë dhe libri nuk u publikua kurrë. Familja e tij mori një kopje për kujtim dhe dorëshkrimi ndodhet sot në Siri, ku gjenden edhe trashëgimtarët e tij.
Mehmet Konica ishte, padyshim, një ndër të paktët dëshmitarë të tragjedisë shqiptare të kufijve. Ai e ndoqi atë nëpër disa etapa. Që nga viti 1913 deri më 1923, kur më së fundi, një delegacion ndërkombëtar, i kryesuar nga një gjeneral italian, vendosi në Shqipërinë e Jugut gurët që shënonin kufijtë shqiptaro-grekë. Gjenerali quhej Telini dhe ai nuk u kthye kurrë në Itali. E vranë bandat greke në afërsi të Delvinës dhe trupi i tij, i përcjellë çuditërisht nga Mehmet Konica, në emër të qeverisë shqiptare, u dërgua në Romë me nderimet ushtarake. Bashkë me të mori fund edhe aventura e kufijve. Një aventurë e gjatë, e cila ka sunduar vazhdimisht gjatë këtij shekulli gjithë mosmarrëveshjet në këtë anë të Ballkanit.
Konferenca e Ambasadorëve 1913
Kufijtë e Ballkanit ruajtën pothuajse gjatë këtij shekulli trajtën që iu dha atyre Konferenca e Ambasadorëve më 1912-1913, në Londër. Në të gjitha ndërmarrjet për ndryshimin e kufijve ballkanikë, ajo e Londrës, mbetet padyshim me deçizivja. Në të vërtetë, tek kjo flitet për Konferencën e Londrës pa folur më parë për kontekstin në të cilin zhvillohej ajo. Më 1912, perandoria turke, thuajse i kishte humbur të gjitha zonat e saj evropiane. Me përjashtim të Shqipërisë, ajo ruante ende sundimin në disa territore greke, mbi Selanik, të cilat i siguronin një lidhje tokësore me zonat e saj në Shqipëri. Por, nëse ekzistenca e mëtejshme e Turqisë ishte këtu vetëm çështje kohe, ndarja e këtyre territoreve nga fuqitë e reja ballkanike kishte vite që komentohej. Në të vërtetë, të gjitha fuqitë e reja ballkanike: Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, reflektonin në atë kohë interesat e Fuqive të Mëdha. Interesa, që bëheshin edhe më të mprehta, në prag të luftës së re botërore, që pritej të shpërthente. Vrulli i shteteve të rinj me orientim kryesisht pro rus, ishte ndalur vetëm nga interesat e Austro-Hungarisë dhe më pas të perandorisë gjermane, që nuk ishin dakord me një zgjerim të mëtejshëm të sllavëve në Ballkan. Pikërisht, këtij objektivi Austro-Hungarez ia dedikon ekzistencën e tij shteti i ri shqiptar, i cili pritej të shpallte pavarësinë në vitin 1912. Vendosmëria e Austro-Hungarisë dhe aleatëve të saj, krijoi kushtet për një pavarësi të mundshme shqiptare. Nuk është aspak e rastit, që Ismail Qemali në udhëtimin e tij drejt Vlorës, mori fillimisht bekimin dhe ndihmën e qeverisë rumune dhe më pas atë të Vjenës. Takimi i tij me ministrin e Jashtëm Berthold, qe akti i fundit që sanksionoi pavarësinë shqiptare. Por, ndërsa Ismail Qemali, lëvizte me vështirësi drejt Durrësit, Fuqitë Ballkanike të lidhura në një aleancë i shpallën luftë Turqisë. Në më pak se një muaj, trupat e tyre korrën fitore të ndjeshme dhe i larguan forcat e sulltanit nga Ballkani Perëndimor. Ato pushtuan pothuaj gjithë territoret shqiptare, duke lënë vetëm një trekendësh Vlorë-Lushnjë-Berat, nën juridiksionin e shtetit të ri shqiptar. Me hartat e reja ushtarake dhe me pretendimet e tyre historike dhe ekonomike, fuqitë ballkanike zbarkuan në dhjetor 1912 në Londër, ku qe mbledhur Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për caktimin e kufijve të Ballkanit. Delegacioni shqiptar ishte i fundit që mbërriti në Londër. Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë arritën të kalojnë bllokadën detare greke vetëm falë këmbënguljes së Dukës së Orleanit, i cili i mori në jahtin e tij. Me t’u vendosur në Hotel “York”, Mehmet Konica, ambasadori shqiptar në Londër i informoi për konferencën dhe zhvillimin e saj. Ai tregoi se gjithë vendet ballkanike kishin paraqitur projektet e tyre dhe i ftoi që brenda 48 orësh të përgatisnin projektin shqiptar. Më 15 janar 1913, mbi tryezën e Eduard Greit, kryetarit të Konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai austro-hungarez dhe tre ndihmës. Projekti shqiptar, serbo-malazez dhe projekti grek.
Konferencës së Ambasadorëve iu deshën më shumë se tetë muaj diskutime për të vendosur mbi projektet dhe për të bërë rregullimet e nevojshme. Vështirësia qëndronte se projektet bazë qëndronin shumë larg njëri-tjetrit dhe kompromisi ishte kështu mjaft i vështirë. Ambasadori rus paraqiti një hartë të madhe ushtarake, në të cilën kufijtë e Shqipërisë përcaktoheshin në një hapësirë midis lumenjve Mat dhe Vjosë, duke i lënë dalje në det në Shëngjin ose në Durrës serbëve. Shkodra dhe rrethi i saj i jepeshin Malit të Zi; Dibra dhe një pjesë e madhe e Shqipërisë së Jugut, përfshirë dhe Pogradecin dhe Ohrin, Serbisë; ndërsa Korça, Gjirokastra, Delvina, Greqisë. Mbi të gjitha, projekti parashikonte që Shqipëria të mos ishte një vend i pavarur, por një provincë autonome, nën kujdesin e Turqisë.
Projekti Austro-Hungarez ishte krejt i ndryshëm. Ai linte jashtë Shqipërisë vetëm tokat që i kishin kaluar Malit të Zi në Kongresin e Berlinit, më 1878, por përfshinte brenda kufijve shqiptarë pjesën më të madhe të Kosovës, Ohrin, rrethinat e Shkupit, Manastirin, Janinën, Çamërinë deri në Prevezë. Projekti i Vjenës qe ndërtuar mbi parimin e vendosjes së kufijve në ato vende që banoheshin nga kombësi të ndryshme dhe duke pasur parasysh ndalimin e një shtrirjeje të sllavëve drejt Adriatikut. Ky projekt, veç Gjermanisë, u mbështet edhe nga Italia.
Projektet ndihmëse, që u shqyrtuan, qenë derivate të projekteve bazë. Serbët pretendonin gjithë tokat që mbanin ndërkohë të pushtuara, përfshi edhe Durrësin. Ata argumentonin se në këto vende qenë ngritur kisha të vjetra serbe dhe se banorët myslimanë të tyre qenë turq të shqiptarizuar. Mali i Zi pretendonte Shkodrën dhe sqaronte se toka e bukës rreth saj ishte jetike për ekzistencën e mbretërisë së vogël ballkanike. Sipas projektit të tyre, Shqipëria mund të shtrihej nga Vlora deri në Tiranë, duke lënë jashtë Durrësin dhe gjithë vijën bregdetare atje.
Projekti grek ishte më i sofistikuar. Veç argumenteve historike ai ngrinte edhe argumente ekonomike. Sipas planit të tyre: Thesalia, Janina, Çamëria duhej t’i bashkëngjiteshin Greqisë si toka të qytetërimit të vjetër grek. Por, delegacioni shtonte se brenda Greqisë duhej të përfshiheshin edhe Himara e Gjirokastra, pasi logjikisht këto zona ishin të lidhura ekonomikisht me Janinën dhe Korfuzin dhe furnizoheshin prej tyre. Po kështu, këto mund të shërbenin edhe si mburoja të dy zonave të para, në rast të një sulmi nga shqiptarët. I njëjti pretendim edhe në Juglindje, ku kërkohej Korça, si një vijim logjik i Follorinës.
Projekti i fundit ishte ai shqiptar, përgatitur me ngut nga delegacioni, por që kërkonte të hidhte poshtë argumentet e fqinjëve. Ideja e tij ishte ndarja e kufijve në bazë të kombësive dhe marrja parasysh e faktorëve gjeografikë dhe ekonomikë. Delegacioni shqiptar hidhte poshtë pretendimet se të krishterët e Jugut ishin grekë dhe shtonte se po të zbatohej varianti rus, Shqipëria mbetej e cunguar dhe pa asnjë burim ekonomik.

Tags: , ,

Leave a Reply