Nga Mimoza Dajçi
Nëse ju rastis të hyni në ndonjë librari apo ambjent publik, ku ekspozohen gazeta e revista amerikane, pse jo edhe shqiptare, menjëherë të bie në sy revista e kohëve të fundit “Time”, ku në krye të kopertinës së saj ndodhet edhe portreti i Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza. Sigurisht krenohemi e mbushemi me emocion kur shikojmë e lexojmë materiale të tilla interesante, ku edhe bota mbarë vlerëson nënën e motrën tonë të madhe Anjezë Gonxhe Bojaxhiu.
Revista prestigjoze “Time”e rendit NënëTerezën të tetëmbëdhjetën ndër personalitetet më të famshme të botës, ku 100 prej tyre janë njerëzit më me influencë në të gjthë rruzullin tokësor. Përkrah figurës së saj ndodhen edhe personalitetet më të shquara botërore si Presidenti i 16 – të i SHBA – Abraham Linkoln, ish Presidenti i Afrikës së Jugut e aktivisti i të drejtave të njeriut Nelson Mandela, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit të 20 – Albert Einstein, Martin Luther King Jr. lidershipi – modern për të drejtat civile në SHBA, Mjeshtri i Artit Michelangelo, Mbretëresha e Anglisë Elizabetha e Parë, Vizionari Digital Steve Jobs, Grupi Legjendar muzikor “The Beatles” etj.
Kjo revistë në brendësi të saj përkrah një artikulli shkruajtur posaçërisht për Nënë Terezën, ka paraqitur një foto të saj në Calkutta veshur me veshjen e saj te thjeshte e simbolike bardhë e blu, e njëherësh pohon të vërtetën e saktë se Icona Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në Shqipëri, origjinë të cilën ajo nuk e ka mohuar kurrë, paçka se politika Serbe – Maqedonase flet të kundërtën.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu ka lindur në 26 gusht të vitit 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Indi. Ajo ishte fituese e Çmimit “Nobel” dhe në çastin e marrjes së Çmimit në vitin 1979, ajo deklaroi se: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im – shton ajo – është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.
Megjithëse ajo ishte një nënë kujdestare për 7.500 fëmijë në 60 shkolla të botës, dhe mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, e që ishte e vetmja që kuronte 47.000 viktima të lebrozës, e kishte birësuar 160 fëmijë bonjakë, etj, etj qeveria komuniste i mbylli derën në fytyrë për vite të tëra duke refuzuar kërkesat e saj, e duke mos e lejuar e parë as për herë të fundit nënën e saj të dashur që lëngonte mes jetës e vdekjes.
Nënë Tereza ka qenë shumë bujare, e zemërgjerë, vlera humane të larta të saj që dëshmojnë se Mother Tersa siç e njeh bota mbarë do të jetojë gjithmonë si një legjendë e gjallë tek ne, e brezat që do të vinë.
New York,
Korrik 2012
Tags: Mimoza Dajci, Nene Tereza
