Një libër i Gramatikës Elementere (Botim i vitit 1912) Për Shkollat Filltare) i Sevasti Qiriazit(Dako) dhuruar Faik Konicës, ndohet në Bibliotekëne Vatrës
-Nga Dalip Greca-
Është shkruar disa herë për bibliotekën e Faik Konitzën dhe humbjen e saj pas vdekjes së tij, por herë pas here gjendet ndonjë libër ndër shqiptarë të Amerikës, siç u gjetën këtë vit, edhe disa letra dhe dokumente të tjera së bashku me një pjesë të letërkëmbimit të Refat Gurrazezit ndër miq të tij të besuar në Waterbury, CT. Ndër librat që më ra në sy ishte edhe “Gramatikë Elementare për Shkollat Filltare” e Sevasti Qiriazit(Dako). Libri duket nga nënshkrimi i faqen e parë se i është dhuruar Faiki Konicës. Gramatika e Qiriazit është botuar në MANASTIR në vitin 1912, në Shtypshkronjën”Tregtare Ndërkombëtare”.
Në faqen e parë libri mban shënimin origjinal të autores dedikuar Faik Konicës ( Me të fala nga autorja). Gramatika e Sevasti Qiriazit ka 100 faqe dhe në kohën që u botua kushtonte 2 Grosh. Librin Qiriazi ia ka kushtuar” të ndjerit vëlla, Gjerasim Qiriazi, i cili më mësoi për të parën herë të këndonj dhe të shkruanj gjuhën amtare, dhe i cili rrënjosi në zemrën time detyrën e madhe, që të punonj, pa reshtur, për të ndriturit e Kombit tim.”
Libri duhet të jetë botuar pak kohë para shpalljes së pavarësisë nga që në parathanie, natyrisht para dorëzimit në shtypshkronjë, është vendosur data, Korçë , 20 prill 1912.
Autorja sqaron se shkaku që e nguti “të shkruanj këtë Gramatikë, nuk është , që të bënj një vepër akademike për shkolla të lartëra, por vetëm një libër të vogël, e cila të jetë si udhëheqëse për shkollat filltare (Jo fillore, siç themi sot).”
Të radhturit e kësaj Gramatike është bërë pas nevojës që i ka diktuar praktika për 19 vjet si mësonjëse e shkollës së çupave në Korçë.
Qiriazi shkruan:” Përkthesat e Gjuhës shqipe munt të përmblidhen edhe me pesë, po na, nuk e bëmë, sepse, do të ishte një ngatërrim për mendjen e fëmijëve të vegjël.”
Librit i paraprinë një Hyrje, ku autorja tregon se çfarë është gjuha në tërësi, përse u shërben njerëzëve(Për të treguar ndjenjat dhe mendimet tona) si përftohet gjuha etj…. Më pas ajo sqaron në pak radhë se ç’është Gjuha Shqipe, me kë afron, përse është ndër më të vjetrat e Botës, .. Sipas Qiriazit, Gjuha Shqipe është Indo-Gjermanike dhe ka si motra gjuhët e vjetra Sanskriten, Helenishten e vjetër dhe Latinishten, por mjerisht ka mbetur e pa punuar nga se stërgjyshrit tanë, pellazgët, dhe më vonë Epirotët dhe Illirianët, merreshin së përgjithshmi me luftëra, me bujqësinë dhe me arkitekturën. Gjuha jonë shqipe, shkruante Sevasti Qiriazi, si thonë dhe shumë nga shkronjësit e mëdhenj të Botës së qytetëruar, ka më tepër se 800 fjalë rrënjë ,dmth më tepër se çdo gjuhë tjatër e huaj, që ka rrojtur ose rron, dhe po të punohet me kujdes do të arrinjë, pa fjalë, një të këtillë shkallë, që nuk e ka arrirë asnjë gjuhë gjer ditën e sotme.(Më shumë do të lexoni në Diellin e ardhshëm)
Tags: Faik Konica, Gramatika, Sevasti Qiriazi

