NJË KOMB PËR NJËRËZ TË LIRË

July 4th, 2012


DSC_3415

Nga Xhevat Kallajxhi*-

 Në përpilimin e këtij editoriali u frymëzuam nga afrimi i kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën përfaqësuesit e ish-trembëdhjetë kolonive britanike, të mbledhur në qytetin Philadephia, e shpallën me solemnitet dhe me një guxim heroik më 4 Korrik 1776. Në këtë mënyrë, në kontinentin amerikan u themelua një komb i ri, sistemi i qeverisjes së të cilit është i mbështetur kryesisht në vullnetin e popullit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Që në fillim të Deklaratës së Pavarësisë theksohet shprehimisht se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se nga Krijuesi i tyre janë të pajisur me disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë…”

Kur themi kombet e botës së lirë, kuptojmë ato kombe ku njerëzit jetojnë të lirë. Por aspekti i kombit amerikan është i ndryshëm. Prandaj, kur themi Amerikë, kuptojmë ose duhet të kuptojmë diçka tjetër: Duhet të kuptojmë kombin e lirë për njerëz të lirë. Amerika, sipas mendimit tonë, i tejkalon të gjitha kombet e tjera të botës së lirë për sa u përket avantazheve, ashtu dhe për sa u përket të drejtave dhe lirive të individit.

Kombi amerikan u formua nga evropianët, të cilët filluan të vijnë në Botën e Re pas vitit 1600, për t’u vendosur përgjithnjë në këtë vend.

Grupi më me rëndësi ishte ai i Pelegrinëve, të cilët zbritën në bregdetin e Massachusetts më 1620. Pelegrinët erdhën nga Anglia për t’u shpëtuar persekutimeve fetare në vendin e tyre, ku, megjithëse ishte në fuqi “Magna Carta” e Lirive, paragjykimet fetare ishin mjaft të përhapura. Pas Pelegrinëve, erdhën vazhdimisht njerëz të tjerë nga kombet e ndryshme të Botës së Vjetër, sidomos nga kombet anglosaksone dhe skandinave. Për Pelegrinët dhe për shumë njerëz të tjerë, që u larguan nga vendet e tyre për shkak të persekutimeve fetare, politike, shoqërore e të tjera, vendi ku u themelua kombi amerikan u bë një “liman shpëtimi”, ashtu siç vazhdon të jetë edhe sot.

Por, bashkë me njerëzit e persekutuar, erdhën dhe njerëz të tjerë, të mjerë e të vobektë, për të siguruar një jetë më të mirë e të lumtur në këtë vend. Edhe për këta Bota e Re u bë një vend rastesh shumë të mira për të përparuar dhe begatuar, ashtu siç vazhdon të jetë edhe përsëri sot.

Pelegrinët dhe njerëzit e tjerë, që erdhën pas tyre, sollën në Botën e Re parimet e filozofisë humaniste dhe konceptet e sistemit demokratik, duke vënë në këtë mënyrë bazat mbi të cilat u hodhën themelet e strukturës së qeverimit të shtetit federativ të Amerikës, e cila është bërë demokracia më e madhe dhe më e fuqishme në botë. Amerika nuk është vetëm një komb i ri dhe dinamik, por mund të themi edhe se është origjinal, unik, sepse shoqëria e saj përbëhet pothuaj nga njerëz të të gjitha kombësive, besimeve fetare, kulturave dhe traditave të botës. Pjesëtarët e kësaj shoqërie, që quhet “melting pot”, të frymëzuar nga ndjenja e thellë e dashurisë për kombin e përbashkët, kanë kontribuar me mundime e sakrifica të mëdha në përparimin dhe zhvillimin e mrekullueshëm të Amerikës, duke e ngritur në shkallën që ndodhet sot.

Në shoqërinë e këtij vendi bëjnë pjesë edhe nja 100 000 shqiptarë, të parët e të cilëve filluan të vijnë këtu në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Shumica e madhe erdhën para dhe pas Luftës së Parë Botërore, të cilët, përveç avantazheve ekonomike, gjetën në Amerikë një fushë të lirë e të favorshme në bërjen e përpjekjeve të shkëlqyera demokratike në shërbim të atdheut të lindjes. Të tjerë shqiptarë erdhën në Amerikë, me shumicë të madhe, pas marrjes fund të Luftës së Dytë Botërore. Shumë nga shqiptarët e Amerikës, të emigracionit të vjetër e të ri, janë sistemuar mirë me shtëpi, me tregti dhe me profesione të ndryshme. Por edhe të tjerët jetojnë mirë në përgjithësi, duke punuar me nder e me zell.

Shumica e shqiptarëve janë nënshtetas amerikanë, të lindur këtu ose të natyralizuar, dhe gëzojnë barabar të gjitha të drejtat dhe liritë që gëzojnë edhe nënshtetasit e tjerë. Por pothuaj të njëjtat të drejta dhe liri gëzojnë edhe ata shqiptarë që nuk janë nënshtetas. Një nga të drejtat që nuk gëzojnë këta është e drejta e votimit. Një nga gjërat që duhet të bëjnë këta është që në janar të çdo viti të paraqitin në zyrën e postës një kartë të vogël me emrin dhe adresën e tyre. Por, në qoftë se dëshirojnë, pasi qëndrojnë pesë vjet me radhë në këtë vend, mund të kërkojnë të bëhen nënshtetas amerikanë, duke kryer disa formalitete të thjeshta.

Në Amerikë, në këtë vend që e ka bekuar Zoti, shqiptarët, qofshin ata që janë nënshtetas, qofshin ata që janë banorë të përhershëm, kanë të drejtë dhe janë të lirë, si të gjithë të tjerët, të punojnë ku të duan dhe kur të duan, të banojnë ku të dëshirojnë, të venë ku duan dhe kur të duan në çdo vend të Amerikës dhe jashtë Amerikës, të blejnë veturën, televizorin ose çdo gjë tjetër që u pëlqen, të depozitojnë ose të tërheqin të holla nga banka, kur të duan, pa i dhënë llogari askujt. Përveç kësaj, shqiptarët në Amerikë, si edhe të tjerët, kanë faltoret e tyre, kanë organizatat patriotike kulturore dhe shoqërore të tyre, kanë gazetat dhe revistat e tyre, kanë radiot lokale të tyre, botojnë libra dhe zhvillojnë aktivitete të tjera pa asnjë pengesë.

Kjo është Amerika dhe këto janë disa nga të drejtat dhe liritë që gëzojnë njerëzit në këtë vend. Prandaj, shqiptarët e Amerikës, nënshtetas ose jo nënshtetas, por që të gjithë mirënjohës të përjetshëm, e festojnë kurdoherë me gjithë zemër, si dhe të tjerët, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara dhe e ndjejnë veten shumë të lumtur që kanë fatin të jetojnë me dinjitet e liri në këtë vend të madh e bujar, që është me të vërtetë një komb i lirë për njerëz të lirë.

 

* Ish editor i Gazetes “Dielli. Botuar në gazetën “Dielli”, 1 Korrik 1979

Tags: , ,

Leave a Reply