NJË URIM SPECIAL PËR Z. AGIM KARAGJOZI, PRESIDENT NDERI I VATRËS

April 28th, 2012


Kryetar Nderi i Vatres

Një urim i vecantë në këtë 100 vjetor të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA, shkon për presidentin e Nderit të Vatrës, Ing. Agim Karagjozi, që e drejtoi Vatrën për 18 vite me radhë. Z. Karagjozi i ka bërë shumë shërbime të cmuara Vatrës. Ai i dha Vatrës gjithcka kishte, pa kursyer asgjë. Vatra u bë Shtëpia e tij e dytë. Ndërtesa e sotme e Vatrës, nuk do të ishte nëse nuk do të ishin përpjekjet maksimale dhe vullneti i z. Karagjozi. Demokrat në shpirt, atdhetar i dorës së parë, vatran për më shumë se gjysëm shekulli, ai u bë simbol i Vatrës në dy dekadat e fundit.

Z. Karagjozi u lind në Gjirokastër në shtator 1926. Katër klasë të arsimit fillor i bëri në qytetin e lindjes, klasën e pestë në Vlorë. Në vitet 1938 – 1944 vazhdoi shkollimin në liceun e Korçës, në gjimnazin e Gjirokastrës dhe në gjimnazin e Tiranës deri në klasën e pestë.

Nga viti shkollor 1948–49 deri në qershor 1955, ndoqi studimet në kolegjin amerikan Robert College në Stamboll, Turqi, ku u diplomua në inxhinieri, dega elektrike.

Tipari më i qenësishëm i tij është lidhja e thellë shpirtërore me identitetin kombëtar shqiptar dhe vullenti për të bërë detyrën ndaj atdheut, duke marrë pjesë në çdo veprimtari në shërbim të realizimit të aspiratave të drejta të popullit shqiptar, kudo që ka qenë – në Shqipëri, Itali, Turqi, Amerkë.

Në vitet 1943-44, ishte anëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar në Gjirokastër, Vlorë e Tiranë. Në verë 1944, ishte vullnetar në batalionin “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë për të luftuar kundër forcave të Mihajloviçit në Qafë të Morinës, ku ra dëshmor i riu Hamit Troplini.

 

Në nëntor 1944, u largua nga Shqipëria dhe pas afër katër vitesh në kampe refugjatësh në Itali, bashkë me babanë emigruan në Turqi. Ne vitin 1956, erdhi në Amerikë ku banon adhe sot. Që nga viti 1960, është anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe nga viti 1992-2010, kryetar i saj.

Në kontributin e “Vatrës” në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike përparimtare në Shqipëri, gjatë gjithë jetës së saj 100-vjeçare, është dhe kontributi i z. Karagjozi.

 

 

 

Leave a Reply