Qyteti i Tiranës ka tashmë bustin e një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit Sabri Godo. Busti u përurua dje me pjesëmarrjen e drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, familjarëve, politikanëve e diplomatëve të huaj. Për kryetarin e Bashkisë, imazhi i Godos, i përjetësuar në mermer, do të vlejë si një shtysë drejt marrjes së vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat zoti Godo u përpoq gjatë gjithë karrierës së tij. “Për mua, kjo ditë është e ngarkuar me emocion, sikundër për shumë prej nesh, por edhe me një sens përmbushjeje dhe tashmë një pritshmërie të re, një pritshmërie që imazhi i tij i përjetësuar në mermer do të vlejë si një shtysë ekstra. Për të na shtyrë drejt një jete më të drejtë, drejt vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq gjithë jetën e tij për familjen, shoqërinë, atdheun dhe kombin”, u shpreh Basha. Në emër të familjes Godo, vajza e tij Ermira Godo ka falënderuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjithë ata që mundësuan përjetësimin e Sabri Godos në këtë bust. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti, e cilësoi Sabri Godon si luftëtar të lirisë. “Më lejoni t’i drejtohem Sabri Godos, mirëserdhët! Kujtuam se iku, por nuk është e vërtetë, ai u kthye prapë. U kthye aty ku e la punën, si deputet i popullit të tij. Tani është pranë Parlamentit, përgjithmonë. Sabri Godo ishte luftëtari i lirisë, tani është në mermer për ta përkujtuar si të tillë”, tha Zhiti. Ambasadori i BE, Ettore Sequi, një mik i Sabri Godos, vlerësoi punën dhe angazhimin e tij, e cila sipas Sequi-t është aq kuptimplotë, sa do ta mbajë Godon të pranishëm përjetë mes nesh.
Busti i Godos
Busti i politikanit të njohur Sabri Godo është vendosur tek Parlamenti në pjesën e majtë nga është hyrja e Akademisë së Shkencave. Vendosja pikërisht në këtë vend ka lidhje të drejtpërdrejtë me karrierën e gjatë poltike të tij.
Ndue says
Çfar gje te veçante ka bere ky njeri qe te nderohet me shtatore?!