PRESIDENTI NISHANI BETOHET

July 24th, 2012


Topi-Nishani

Nishani merr detyrën si President i Republikës
TIRANE- 20:00- Deri ne oret e vona te dites se marte, 24 korrik, ka vazhduar ceremonia me pritjen nga Presidenti i ri, Bujar Nishani në sallën “Skënderbeu” të Presidencës, ku të ftuarit përshëndeten dhe uruan Presidentin. Mes shumë personaliteteve ne ceremoni moren pjese edhe kryeministri, Sali Berisha, kreu i Partise Socialiste, Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
19:44- Bujar Nishani përshëndetet me ish Presidentin, Bamir Topi, i cili largohet nga Presidenca. Topi përcillet deri në fund të shkallëve te makina nga drejtori i Protokollit të Shtetit. Makina e ish-Presidentit shoqërohet nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa , Topi përshëndet me dorë të gjithë të ftuarit.
19:36- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
19: 32- Ka nisur ceremonia e kalimit e marrjes së detyrës nga Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, ceremonia është pasuar nga 21 të shtëna topa.
18:55- Në fjalën e tij të parë si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani konfirmoj vullnetin dhe gadishmërinë e tij për të qenë një President mbi palët.
“Konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gadishmërinë time për të qenë një partner për maxhorancën dhe opozitën. Do t’i kem të hapura dyert për 5 vitet e ardhshme për maxhorancën dhe opozitën. Misioni ynë është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më të dashur për tu jetuar. Ta bëjmë jetën e qyetarëve tanë më të qetë, të sigurt dhe kuptimplotë.”- tha Presidenti në fjalën e tij.
Kryeministri, Sali Berisha me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli
Ai shprehu anganzhim për reformën në drejtësi, si dhe apeloi për nevojën e konsolidimit të një klimë të qëndrueshme politike dhe vazhdimësinë e një dialogu për të ecur përpara me reformat.
“Është fat që të gjitha forcat politike janë tërësisht pro europiane. Kam besimin se me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, Shqipëria do të marrë me meritë statusin e vendit kandidat në BE-së”- tha Presidenti. Eskorta po shoqëron Presidentin e ri, Bujar Nishani drejt Presidencës.
18:39- “Betohem. Zoti më ndihmoftë.” Ne këtë mënyrë ka bërë betimin Presidenti i 6-te i republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Menjëherë më pas është interpretuar himni kombëtarë.
18:37- Bujar Nishani do të betohet sot si President i Republikës së Shqipërisë. Ceremonia e betimit sapo ka nisur ne sallen e Parlamentit.
Perfaqesues te politikes dhe trupit diplomatik jane duke mberritur ne sallen e Kuvendit per te ndjekur nga afer ceremonine e betimit te Presidentit.
Betimi i Nishanit, PS do marrë pjesë në Kuvend
Partia Socialiste ka vendosur te jete e pranishme ne ceremonine e betimit te tij ne Kuvendin e Shqiperise.
Pas zgjedhjes nga parlamenti dhe mbarimit të mandatit të Presidentit, Bamir Topi, Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar diten e sotme, në orën 18:30 seancën e posaçme ku do të bëjë betimin si President, Nishani.Mësohet se pas betimit , Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani do të mbajë një fjalë të shkurtër. Të pranishëm në këtë seancë do të jenë trupi diplomatik, si dhe personalitete të jetës politike, shoqërore dhe fetare në vend.Nishani u zgjodh President me 73 vota, vetëm me të maxhorancës, ndërsa opozita ishte e pranishme në seancë por nuk mori pjesë në votim. Vetëm dy ditë më parë, Presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, përmes një letre dërguar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, e njoftoi për largimin nga anëtarësia e PD dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet e zgjedhura në këtë parti.Presidenti në ikje, Bamir Topi mbajti ndërkaq dje nje fjale te fundit para qytetareve shqiptarë.
Nga pedagog në Akademi te karriera në PD
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, vjen nga strukturat e Partisë Demokratike. Në CV-në e tij, karriera e tij është e ndarë në dy drejtime, deri në 1997 në pozicione të lidhura me Forcat e Armatosura dhe nga viti 2001 nis ngjitjen në hierarkinë e PD-së. Në 1989, Nishani ka qenë pedagog në akademinë ushtarake “Skënderbej”; në 1993 ka mbuluar marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes; në 1994, marrëdhëniet me NATO-n në Ministrinë e Jashtme, në 1996 ka qenë në kabinetin e ministrit të Mbrojtjes dhe në 1997, kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë. Pas katër vjetësh, në 2001, ka marrë detyrën e sekretarit të degës së PD-së së Tiranës dhe dy vjet më vonë është zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës nga lista e selisë blu. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, ai u caktua në një prej zonave bastion të PS-së, në Kombinat, ku garonte përballë ministrit të Rendit të asaj kohe, Igli Toska. Nishani mori mandatin e deputetit në këto zgjedhje dhe dy vjet më vonë u bë ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e vitit 2009 u bë sërish deputet në qarkun e Tiranës dhe deri në 2011-n mbajti postin e ministrit të Drejtësisë. U rikthye në Ministrinë e Brendshme pas zgjedhjeve të 8 majit, deri ditën kur u votua si President i Republikës.

 

Tags: , ,

Leave a Reply