Fotografi me Princin Leka II para Shtepise se Vatres
Mbasditen e së martës, me 24 prill 2012, Princi Leka II me zonjushën Elia Zaharia, të shoqëruar nga nënkryetari i PLL, z. Sulejman Gjana, kryetari i degës së Partisë Lëvizja e Legalitetit për SHBA, Hakik Mena dhe zv/ kryetari Ahmet Hoti, vizituan Shtëpinë e Vatrës.
Kryetari i Federatës Vatra, dr. Gjon Buçaj, i uroi mirëseardhjen Princit Leka II, duek i thënë se kjo shtëpi e vatranëve ishte edhe shtëpi e tij dhe shtëpi e çdo shqiptari që do kombin e tij. Më pas dr. Buçaj e informoi Princin Leka për përgatitjet që po bën Federata Vatra, për të pasur një kremtim madhështor në me ratsin e këtij 100 vjetori, që përbën prologun e festimeve madhështore të 100 vjetorit të shtetit tonë të pavarur. Dr. Buçaj foli shkurtazi për historinë e Vatrës dhe themeluesëve të saj. Në këto festime tha ai, ne nderojëm dhe vlerësojmë pikërisht paraardhësit, që themeluan dhe i dhanë emër të madh kësaj organizate, që luajti dhe rolin e shtetit të munguar në çastet kritike për Kombin.
Princi Leka II falenderoi për mikpritjen dhe tha se ndjehej i gëzuar që ishte mes vatranëve, në shtëpinë e Vatrës, shtëpinë e shqiptarëve të Amerikës. Vatra, tha Princi, i ka bërë shërbime të çmuara Kombit. Ai theksoi se kemi shumë gjëra të përbashkëta, mbi të gjitha Kombi na bashkon. Edhe kthimin e eshtrave të Mbretit Zog I në Shqipëri, ai tha se e sheh si një simbol të bashkimit dhe jo të përçarjes. Shqiptarët kanë nevojë që përmes simboleve të forcojnë bashkimin kombëtar.
Më pas , Princi Leka vizitoi mjediset e shtëpisë së Vatrës. Ai u ndal për pak çaste tek disa nga fotografitë e zmadhura me këtë rast, që do të ekspozohen në ditën e Konferencës Shkencore, në të cilat shpaloset historia 100 vjeçare e Federatës Vatra dhe e shqiptarëve të Amerikës, madje disa fotografi datojnë që nga viti 1906.
Në bibliotekën e Vatrës dhe arkivine saj, Editori i gazetës Dielli, Dalip Greca, e njohu princin Leka me ekzemplarë origjinalë të dokumenteve historike, që nisin që para themelimit të Vatrës, siç janë rekordet e Shoqërisë Besa-Besën, dhe më pas tregoi dokumente të aktthemelimit, regjistrat e kontributeve nëpër vite, rekordet e Huasë Kombëtare, etj.
Një takim i zgjeruar u organizua në Sallën e mbledhjeve të Federatës Vatra, ku dr. Buçaj dhe Princi Leka II shkëmbyen mesazhe.
Zv/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, përshëndeti dhe i uroi mirëseardhjen Princit Leka II.
Takimin e ndoqi edhe media, Gazetari i televizionit Shqiptar, Ilir Buçpapaj, Gazetari i TV 21 Halil Mula, gazetari i komunitetit Beqir Sina e të tjerë.
Në fund të pranishmit bënë fotografi em Princin Leka II.

