NGA EUGJEN MERLIKA- Gjithënjë e më shumë politika shqiptare i ngjan një iriqi që, në ditë të qeta me diell, hapet e shullahet, por sapo dëgjon ndonjë fëshfërimë të lehtë ere ndryshimesh, mblidhet si top, bëhet e paprekëshme, kthehet në një sfinks, prej të cilit nuk mund të kuptosh asgjë, nëse nuk ke aftësi sensitive të një shkalle të lartë.
Politika e kulisave, për të cilën demokracia e drejtpërdrejtë është një dukuri e panjohur me përjashtim të rastit kur duhet të verë gishtin mbi fermanin kushtetues, të hartuar nga “ekspertët” vendas apo të huaj, në këto ditë po përballohet me një problem të rëndësishëm, zgjedhjen e kandidatit për Kryetar Shteti.
Në sipërfaqe “gojët e liga” të gazetave apo televizioneve shtjellojnë hamëndjet e tyre me toto – presidentin e mundshëm, ku gjejnë vënd në sërën e të nderuarve kandidatë njerëz të ndryshëm të çdo profesioni e formimi. Përjashtohen “të prekurit” nga reforma e Enver Hoxhës dhe shqiptarët e mërguar heret, mbasi nuk kanë studjuar sa duhet marksizmin. Por nuk më duket se ka parapëlqim edhe për të vonët mërgimtarë të këtyre viteve për të cilët vetëm z. Ilir Meta, me të madh të vet, ka disa vite që thotë se duhet të kenë mundësi të votojnë në vendet ku banojnë, pa patur domosdoshmëri të kthehen në Atdhe për votimet e ndryshme. Çuditërisht, deri tani nuk ka asnjë rezultat n’atë drejtim, edhe se LSI është aq e fuqishme sa, me katër deputetë, mban postet e zv.kryeministrit, të nënkryetarit të Kuvendit, të ministrave të jashtëm, t’ekonomisë e të shëndetësisë, pa përmendur një mori të pafund kuadrosh të çdo niveli, brënda e jashtë shtetit.
Politika zyrtare, ajo e dy partive të mëdha, nuk shprehet, për “respekt” të institucionit, edhe se e kanë kthyer në tabelë qitjeje të çfarëdo predhash, madje edhe të kryetarëve të komunave, edhe se pak ditë na ndajnë nga ndërrimi i kryetarit. Madje edhe kur dukuria merr formën klasike të “restaurimit”, siç u quajt më 1821, në Francën pas bonapartiste, hipja në fron e Luigjit të 18-të, nëpërmjet vetëkandidimit të z. Fatos Nano apo të ndonjë tjetri, ajo mbetet hermetike, e ngujuar në disa fraza standarte që përsëriten. Vetëkandidimi i ish kryeministrit e drejtuesit “historik” të PS që, më duket se nuk ka pasur meritë më të madhe se sa dorëheqja mbas humbjes zgjedhore, na bën t’i drejtohemi kujtesës së “legjendave” të fillimit të demokracisë.
“Legjenda” na thotë se “vëllezërit siamezë” të bekuar nga “patriarku” i demokracisë, kryetari i fundit i komunistëve zyrtarë shqiptarë, hodhën short për partinë që do të drejtonin. Nuk di sa është e vërtetë, por “gojët e liga” e pohojnë, madje duke e lidhur me emrin e një qyteti të njohur të Adriatikut. Por një tjetër “legjendë”, më e vonë, shpjegon zgjedhjen e Kryetarit aktual të Shtetit, pesë vjet më parë, si përfundim i një marrëveshjeje të fshehtë që duhej t’i siguronte z. Nano postin e kryetarit t’ardhshëm, në këmbim të kush e di se çfarë interesash të ndërsjellta, për t’u mbrojtur e forcuar në lojën titullarëve të institucioneve.
Farsa e takimeve të vetëkandidatit me drejtues kryesorë të partive politike, madje edhe në kërkim të miratimit të përfaqësuesit të SHBA-ës, i ngjan një shakaje mjaft të hidhur për shqiptarët e zgjon në nënëvetëdijen e tyre pyetje vërtetë rrënqethëse : çfarë mallkimi rëndon mbi popullin tonë që nuk gjen fuqi në vetvete të ripërtërihet në fushën e qeverisjes së tij ? Si është e mundur që, me gjithë praninë e mijra djem e vajzash të shkolluara në universitetet më të ndryshme të planetit, në Shqipëri politika ka mbetur e betonuar në të njëjtat fytyra të kalesës së vitit 1991? Çfarë shërbimi mund t’i sjellë Vëndit një personazh i tillë, që është emblemë e skandaleve në jetën e tij vetiake e politike administrative ?
Meritën si kampion i gënjeshtrës për të kthyer paratë e financiareve, duke marrë votat e duke zhdukur dhe ato para që ishin në bankën e VEFA-s, kur u bë Kryetar Qeverie ? Meritën për vazhdimin e “luftës së klasave”, duke pushuar nga puna të gjithë ata viktima të përndjekjes komuniste, që PD-ja u kishte dhënë mundësi të nxirrnin një kothere në rradhët e policisë së depolitizuar ? Meritën për bashkautorësinë e ligjit famëkeq 7501, që aq dëme i ka shkaktuar Shqipërisë e qytetarëve të saj ? Meritën për të mos njohur kurrë dëmshpërblimet e atyre që punuan pa shpërblim në burgjet e regjimit gjysëm shekullor enverist ? Meritën për të përvehtësuar ndihmat e huaja kur shqiptarët nuk kishin bukë për të ngrënë ? Meritën për imazhin e një kryeministri që ikën pa paguar shpenzimet e kryera në një hotel zviceran? Apo meritën për të njohur atësinë e Enver Hoxhës në një takim me kosovarët në një qytet të Konfederatës helvetike? Meritën për të vënë interesin vetiak e klientelar mbi ligjet e shtetit ? Meritën për të jetuar në kushte lluksoze në Evropën e krizave, pa e ditur askush burimin e t’ardhurave që nevojiten? Së fundi barrën e një krimi, qoftë edhe të pavetëdijshëm, për asgjësimin e një jete në një aksident automobilistik ?
Janë vetëm disa nga përbërësit e personalitetit të z. Nano, që kandidohet për të qenë numuri një i Shtetit shqiptar në njëqindvjetorin e formimit të tij. Nuk di a do t’i a arrijë atij synimi, që do t’ishte një fyerje e madhe kujtesës historike të Kombit, por shihen mjaft “politikanë” që e vlerësojnë dhe e quajnë pozitiv kandidimin e tij. Për të plotësuar restaurimin e komunizmit, do t’u propozoja atyre kandidimin e ish shefes së tij, shoqes Nexhmije, që megjithë moshën e thyer, është në gjëndje të japë intervista e leksione demokracie socialiste poshtë e përpjetë.
Deri kur o Katilinë do të përfitosh mbi durimin tonë ? Kështu shprehej më se dymijë vjet më parë oratori Ciceroni.
Deri kur Shqipëri do të endesh si çifuti në shkretëtirë, pa gjetur rrugën e përtëritjes së vërtetë nga komunizmi dhe pasojat e tij ?!
Maj 2012
