VARIETE PËR AUTOPSI TË DIKTATURËS KOMUNISTE DHE DEMOKRACISË HIBRIDE
/NGA DALIP GRECA/
Pasi ke lexuar deri në faqen e fundit librin “Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe” të Pëllumb Kullës”, ndjen një shtërngim të fortë në gjoks dhe ke nevojë të mbushesh e të rimbushesh fort me frymë dhe të përpiqesh të largosh ngërçin që ta shkakton drama, ku shpalosen fate tragjike, jo të një a dy personave, por i një fisi të tërë, që i pushkatohen burrat pse kanë luftuar për lirinë e Kombit dhe se janë koshient për Shqipërinë Etnike.Ka dhe një arsye tjetër paradoksale që shkakton Sagën e përgjakur të Kullave; gjithë ata burra dhe gra, kalojnë nëpër dhëmbzat e diktaturës gjysëm shekullore pse në shtëpinë e tyre ka bujtur për katër orë Mbreti i Shqiptarëve! Do të mjaftonte kjo akuzë dhe i gjithë fisi do të shërbente si lëndë e parë për hetuesitë, burgjet, kampet e internimit dhe guroret e punët më të vështira të ndërtimit e të bujqësisë.
Libri e përcjell tragjedinë shkallë-shkallë. Jonuz Kulla(i vjetri), i dha dinjitet Kullave. Ai ishte luftëtar i njohur i lirisë; i pranishëm me armë në dorë në çetën që siguroi Kongresin e Manastirit më 1908, ishte me armë në dorë në luftën kundër fqinjëve jugorë, që kërkonin Korçën, po ashtu u ndodh në Vlorën e Flamurit, kur Ismail Qemal Bej Vlora shpalli Shqipërinë të pavarur, Historia e vendosi këtë burrë në krah të Themistokli Gërmenjit, të Ahmet Zogut dhe burrave të tjerë të Kombit. Jeta prej komiti e kishte afruar këtë trim me burra të shquar; Spiro Bellkameni, Mihal Grameno, Çerçiz e Bajo Topoulli, Shahin Matraku, Kajo Babjeni e të tjerë. Jonuz Kulla u la pasardhësve një histori plot bëma, emrin e nderuar dhe ia shtoi autoritetin fisit. Por edhe ata që erdhën më pas nuk ia humbën emrin e mirë. Pasardhësit e tij nuk u përpoqën që ta përdornin për mburojë emrin e Jonuz Kullës,që u shua më 1931, por vetë ata kryen detyrën ndaj Kombit dhe për këtë u ndëshkuan. Koha dhe fati ishin kundër tyre.Lufta kundër pushtuesëve italianë dhe gjermanë ndanë luftëtarët, në komunsitë dhe nacionalistë, të parët kishin të shenjtë ideologjinë, të dytët kombin. Fitmitarët e shpallin krahun tjetër tradhëtar, por lëshojnë thirrjen -kurth:Kush nuk ka vrarë, të mos ikë, por të kthehet në familje sepse nuk do të dënohet. Dhe për fatin e tyre; Xhaxha e nip, Gani dhe Ajdin Kulla, së bashku me ta edhe Rrapo Kulla, që janë në Shkodër bashkë me krerët e humbësve, gati për të marrë anijen e ikjes mashtrohen nga thirrja kurth, dhe kthehen në vendlindje, ku prangat ishin gati…Dhe fati i Kullave rrokulliset ashpërsisht honeve të diktaturës.
Libri sjell fakte tronditse; luftëtarët e lirisë, intelektualët, pushkatohen pse duan Shqipërinë Etnike, Shqipërinë bashkë me Kosovë e Çamëri; turma që ndërsehen nga propaganda dhe lëshojnë britma rënqethëse: Varini tradhëtarët! Kullat ndëshkohen; Ajdin Kulla , Ganiu, Rrapo, çohen në plumb. Libri, indërtuar me shtatë kapituj, i ndjek të gjithë fatet e pjestarëve të Kullëve, në Zëmblak, në Elbasan, në Dumre, Lushnjë, në burgje, ndjek fatet e të ikurëve, në Uaterbury, që është kthyer në një Zemblak të tretë, pas Dumresë dhe Myzeqesë së internimit, që autori i emëron Zëmblaku i dytë, në Kanada, gjithandej.
Materiali përshkrues dhe analitik është i ngjeshur.Brenda librit ka ankth, ka drama, fate njerëzish, që vuajnë dhe presin rrufetë e Zeusit pa pasur forcë që të mbrohen. Faqe pas faqesh, kapitull pas kapitujsh, mbërrin në fundin e sagës së përgjakur dhe shpesh turpërohesh me veten nga që nuk mund t’i mbash lotët. Ndoshta nuk është vetëm mendimi im se kyështë një ndër librat më të mirë të këtij lloji dhe më i miri i Pëllumb Kullës. Stili i të shkruarit, gjuha e pasur, figuracioni, parashtrimi i fakteve, sjellja e dokumenteve nga arkivi, shfletimi i proceseve të gjyqeve, rrëfimet, analizat e thella pa anshmëri, ia plotësojnë në tërësi librit vlerësimin maksimal pozitiv, si një arritje në letërsinë dokumentare.
Duke qenë vetë pjesë e fisit Kulla, autori nuk bie në kurthin e rrëfimit të tipit “Doni më për Belulin”? Kulla nuk synon që të qëmtojë trimëritë e fisit, as të sajojë diçka të tillë, ai vetëm sjell fakte për të kuptuar egërsinë e sistemit dhe për të parë pasojat që ranë mbi të tërë fisin për shkak se burrat patën luftuar për Komb ,fataliteti i dramës së tyre qëndron në faktin se ata qenë të radhitur në anën e humbësve, në anën e nacionalistëve, të cilët mbi gjithçka kishin Shqipërinë, me Kosovë e Çamëri.
Libri i Kullës përcjell dhimbje therëse, emocione të forta, por ai nuk pretendon që të sjellë në faqet e tij bëma trimërore të Kullave, që u grinë nga diktatura, jo ai i paraqet ata viktima të idealëve të tyre nacionaliste dhe e shpjegon fatin si pasojë e egërsisë të regjimit, të luftës së klasave, të gjuajtjes së biografive, të varfërisë shpirtërore të atyre që kishin në dorë fatet e viktimave, të kriminalitetit të shpirtit njerëzor.
Libri”Jo gjithë të vdekurit prehen në paqe” shquhet për skalitjen e karaktereve. Kulla shkrimtar sjell portrete të pasur shpirtëror, ku secili është vetja.Mbi të gjithë veçon njëri: Duket se gjithë dashuria, admirimi, ngrohtësia e Kullës shkrimtar është derdhur mbi përfaqësuesin më të shquar, më të ndritshëm të fisit, Ajdin Kullën. Në gjithë jetën e tij Ajdini rrezatoi edukatë , kulturë, mirësi; zotëronte tri gjuhë të huaja, në shkollë u shqua si ndër më të mirët, si mësues – ishte sërish nga më të respektuarit, si nacionalist-më i papërfoluri(dëshmitë me shkrim edhe të krahut tjetër e forcojnë këtë përfundim), nga të burgosurit, më dinjitozi; para trupit gjykues-i palkundër, para skuadrës së pushkatimit i papërkulur;me krahun e xhaxha Ganiut mbi sup merr sigurinë para se të bjerë në gropën e zezë; nuk u ligështua, edhe pse e donte jetën, e dontë familjen; La pas vetëm amanetin njerëzor për familjen dhe atë të Shqipërisë Etnike. Është pikërisht shpirti i tij, një nga të vdekurit, që nuk prehet në paqë,si e shumë shpirtrave të tjerë hedhur honeve të diktaturës . Shfaqja fantazmagorike e siluetës sëtij në Prishtinë, është brilante, për të mos thënë shekspiriane. Pena e Kullës ndjehet e sigurtë tek e përshkruan këtë intelektual që edhe pse pushkatohet ngrihet mbi kundërshtarin e tij prokuror, dikur inferior në bankat e shkollës; Ajdini një student i respektuar, dinjitoz përballë Haznedarit – student i parëndësishëm i Normales, por prokuror i pamëshirshëm,që ndjehet i ngrehosur nën uniformën e kapitenit komunist, siç qe ndjerë edhe nën uniformën fashiste.
34 vjeçari Ajdin Kulla la pas një dëshmi të tmerrshme: U pushkatua pse ishte koshient për Shqipërinë Etnike!
Mjafton vetëm pyetja e akademik Zekria Canës në kohë zhvarrimin e eshtrave të Ajdin Kullës, që trupin ta përshkojnë mornica: Dhe në atë trup gjykues nuk kishte asnjë serb?!
Deklaratat që sjell Kulla shkrimtar për martirin e idealeve kombëtare, Ajdin Kulla,(libër që tashmë gjendet i ekspozuar edhe në Pavionin e Ish të Përndjekurëve në Muzeun Kombëtar) e lartësojnë më shumë portretin e tij brilant, ndërsa dekorimi nga presidenti Topi me titullin ”Nder i Kombit”, shlyen një borxh që Shqipëria ia kishte intelektualit të ekzekutuar në moshën 34 vjecare.
Një karakter i kundërt, i realizuar po aq mjeshtrisht nga një penë e pamëshirshme për t’i zbuluar të gjithë helmet e shpirtit, negativitetin, arrogancën dhe kriminalitetin që mbart kjo monstër; është prokurori i pamëshirshëm, Nevzat Haznedari.
Tek e diskutoja këtë karakter me shkrimtarin Spiro Gjikondi, ramë në një mendje se Haznedari është një karakter i realizuar i zbërthyer pamëshirshëm nga shkrimtari Kulla. Ai ngjason deri diku me Zhaverin e Viktor Hygoit, por ky i Pëllumbit, është fare i paskrupullt, që natyrisht është original, jo karakter letrar, ai është një krimnel i lindur, që nuk njeh dobësi shpirtërore. Ku ngjan Haznedari i Kullës me Zhaverin e Hygoit? Të dy e ndjekin verbërisht, këmba-këmbës viktimin, në rastin e Haznedarit viktimat, por Zhaveri e reflekton një dobësi njerëzore dhe e shkel ligjin, në shpirtin e tij, arrin një moment, ku troket humanizmi,shfaqet njeriu nën uniform, tek Haznedari JO. Edhe kur ka një refleksion të tillë fare të përkohshëm, këtë e ka nga frika haluçinante e shfaqjes të viktimave, ndoshta në ëndërr, por sërish, pas aktit të dobësisë së çastit, ai vazhdon si më parë, e ndjek kriminalisht viktimën.Dhe ky tip krimineli i shpëton paq ndëshkimit nga demokracia hibride shqiptare. P. Kulla, pa trupë gjykuesish,vetëm me penën e tij mjeshtërore, ia ka bërë të plotë gjyqin kësaj monstre, dhë të parafërtave me të, ç’ka nuk e ka bërë drejtësia e kohës së demokracisë.
Një karakter tjetër që ta dridh shpirtin është Fazlli Kulla, djaloshi që nën dhunën e pamëshirshme në hetuesi, pranon akuzën për një krim që nuk e ka kryer, por gjen forcën që ta kundërshtojë atë në gjyq dhe denoncon dhunën e ushtruar mbi të. Vdekja e tij në burg, është një tjetër aktakuzë.
Një portret –karakter i rrallë është ai bashkëshortes të Xhevit Kullës, Fehmies, e cila priti të fejuarin për vite e vite, edhe pse ai ishte në burg, e më pas e ndjek atë burgjeve me torbat e mbushura me ushqime. Pritja e Fehmies ngjason me një tip Penelope, që pret burrin. Një karakter i rrallë, që nuk përfaqëson vetëm veten, por mijëra gra, nëna, motra, që u endën të raskapitura rrugëve të largëta të burgjeve për t’u mbajtur shpirtin gjallë bijëve, bashkëshortëve, vëllezërve. Të gjorat ato, sa herë fjetën jashtë nën mbulojën e qiellit dhe në të ftohtit e dimrit? Sa herë u fyen dhe u poshtëruan? Sa herë ua përplasën dyert para syve, kur trokisnin për të gjetur një strehë për të kaluar natën e ftohtë të dimrit? Fehmia i ka cilësitë e rralla; ajo që ishte vajzë 19 vjeçare kur e lidhën me fejesë me Xhevitin, nuk e humbi gjykimin, as kur një ditë ia rrëmbyen njeriun me të cilin pat lidhë fatin dhe e plasën burgjeve; nuk pranon propozimin e përfaqësuesve të Xhevitit për të prishur fejesën,vendos ta presë qoftë dhe përjetë.
-Kyështë fati im dhe i Xhevitit!-kjo ishte përgjigja e saj. Pëllumb Kulla e përshkruan me ngrohtësi këtë karakter, që nuk u thye nga jeta.
Zor se gjen në ndonjë tjetër libër një mendje aq të peshuar për vlerësimin e martirëve idealistëve të të dy krahëve; të fituesve dhe humbësve të luftës së II Botërore. Zor se gjenë karaktere aq realizuar nga të dy kampet, nga torturuesit dhe viktimat.
Kulla nuk është përpjekur ta zbukurojë historinë e Zemblakut, vetë tragjedia dhe drama e fisit, nuk kanë nevojë për zbukurime. E thotë shumë bukur, njëri nga të mbijetuarit, më i vjetri i fisit ndër të gjallët, Nazmi Kulla:”Ky libër i shkruar nga Kullët e sotëm u kushtohet Kullave të djeshëm, që nuk janë më me ne, që shkuan dhe rrijnë tok me ëngjëjt.Pas tyre, libri u kushtohet edhe nipërve e stërnipërve të nesërm. Brezave që do të vijnë me këtë libër u lëmë një histori që deri tani, e shkruar, na ka munguar. Është një histori që nuk është zbukuruar aspak, por edhe kështu, e pa zbukuruar, atyre do t’u shërbejë që ta mbajnë kokën lartë, krenarë për të parët e tyre më të hershëm, pa edhe për ne që i qëndruam me dinjitet furtunave të shumta qëna ranë mbi supe. Ata do të rrënqethen nga egërsitë që u provuan mbi shpatullat tona, ata do të dëshprohen kur të lexojnë se ajo tokë e butë e Shqipërisë, e Korçës, dhe e Zemblakut, ka rritur dhe ligësi…”
Nju Jork, 25 korrik 2012 (Botoi Dielli I Korrikut dhe MAPO, 6 gusht 2012)
Tags: dalip greca, Kulla, Pellumb, Saga e nje fisi, Zemblak
