NGA DALIP GRECA
Sa shqiptarë ka në Bronx? Sa është numri i shqiptarëve në Shtetin e New Yorkut? Po së bashku, në Tre shtetshin NY, NJ dhe CT, sa shqiptarë jetojnë? Kush e di!Dikush thotë 250 mijë, dikush 300 mijë. Po në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa shqiptarë jetojnë? Shqiptarët nuk kanë statistika zyrtare. Kemi gjithë ato shoqata, fondacione, kemi konsullata, kemi ambasada, kemi ambasadorë dhe konsuj, kemi konsuj nderi, kemi gazeta, kemi Televizione, por askush nuk ka statistika.
Dikur në vitet ’20 të shekullit të shkuar kishim vetëm një gjysëm diplomat që nuk ishte i zyrtarizuar me emrin Kostë Çekrezi, që ia nisi regjistrimit nëpër koloni, sot kemi gjithçka me shumicë, patëm dhe një grup shqiptarësh që u morën me censusin, por prapë nuk kemi statistika. Po përse na duhen statistika? Për gjithçka, mbi të gjitha që të tregojmë ç’forcë kemi, ç’vota japim për politikanët amerikanë, që kur fitojnë mandatet kanë në dorë shumçka, dhe të përfitojmë çfarë na takon si komunitet. Deri tani nuk fitojmë asgjë ose marrim thërrimet, që mbeten nga të fshirat e tryezave të komuniteteve të tjerë.
Ndoshta ka ardhur koha që të kemi përfaqësuesit tanë në strukturat politike dhe ato të pushtetit, po askush nuk na i fal, ata duhet t’i çojmë atje me votat tona.Po, sa vota kemi? Kush e di!Ne punojmë kuturu, shpenzojmë energji atje ku s’duhet dhe nuk përqëndrojmë forcat e bashkuara atje ku mund t’i shërbejmë vetes si komunitet.
Shqiptarët e Nju Jork-ut kanë një shans në zgjedhjet elektorale të këtij viti, dy pjestarë të këtij komuniteti, të lindur në SHBA, po tentojnë që të bëhen pjesë përfaqësuese jona. Z. Mark Gjonaj synon mandatin për Asamblenë Shtetërore të Qarkut 80-të, New York, ndërkohë që z.Ken Biberaj, synon një mandat për në Këshillin Bashkiak të qytetit New York, Distrikti 6-të. Që të dy kanë ngritur shtabet elektorale, kanë nisur të mbledhin fonde, dhe kanë hedhur hapat e parë në përballjen me sfidën e garimit elektoral, në një garë të vështirë, por jo të pamundur. Në fakt, gara nuk është aq e vështirë po të kemi parasysh numrin e shumtë të shqiptarëve që jetojnë në New York. Do të mjaftonin vetëm votat e shqiptarëve dhe ata mund t’i fitojnë mandatet. Mark Gjonaj do ta kishte shumë të lehtë nëse do të regjistroheshin tek Partia Demokratike dhe do të votonin për të shqiptarët që jetojnë në distriktin 80, që shtrihet nga Moshulu PKWY deri në Bronxdale, nga Pelham PKW N(Cruger Ave) e deri ELY Ave & Vance Str, ku përfshihen zona të mbipopulluara me Shqiptarë si Pelham PKWY, Morris Park deri në Allerton Ave. Po sa shqiptarë janë të regjistruar? Sa shqiptarë shkojnë në votime? Nuk ia vlen të përmenden shifra për të shkuarën, shumë pak.
Mark Gjonaj ka nisur me shtabin e tij një aksion regjistrimi, që nuk i shërben vetëm atij, por çdo shqiptari që do të vendosë të konkurojë në të ardhmen e afërt ose të largët. Nga nëntori i vitit të kaluar ai nisi regjistrimin në Partinë Demokratike të shqiptarëve që kanë të drejtë vote. Aksioni vazhdon edhe sot. Z. Gjonaj konkuron për Partinë Demokratike, e cila duhet pranuar se është mazhorancë në Nju Jork. Sa s’është vonë, shqiptarët që nuk janë të regjistruar deri tani duhet të paraqiten tek Zyra e tij elektorale, që ndodhet në 2134 Barnes Ave, Bronx, NY 10452 ose t’i shkruajnë atij në Email; MarkGjonaj2012@gmail.com ose të vizitojnë adresën elektronike www.MarkGjonaj2012.com
Shtëpia ku është vendosur ekipi i tij elektoral, i ka dyert e hapura nga mëngjesi deri natën vonë.Regjistrohuni tani, nesër do të jetë vonë!
Komuniteti shqiptar është i lënë pas dore dhe askush nuk ka punuar me të për ta ndërgjegjësuar që të regjistrohet dhe të dalë masivisht në votime, si e vetmja rrugë përe të treguar forcën e tij. Nëse tregohet forca reale votuse, nëse shtohet numri i të regjistruarëve, nëse votohet masivisht, natyrisht që shqiptarët do të trajtohen ndryshe nga administrata e pushtetit lokal dhe politikanët që do të kenë nevojë për votat e shqiptarëve. Ne shpenzojmë energji më shumë se sa duhet atje ku nuk fitojmë gjë, dhe tregohemi të kursyer aty ku efektiviteti është i prekshëm. Ne jemi shumë për lumë, jemi më entuzastë se ç’duhet atje ku nuk duhet. Kur nisim nga kritikat, dimë vetëm të kritikojmë të tjerët, pa e filluar nga vetja.Shohim mizën tek tjetri, po jo buallin tek vetja. Në media nuk shtrojmë probleme, por i bëjmë qejfin njëri-tjetrit,i shpallim të gjithë patriot të mëdhenj, u japim tituj të pa fituar, nxjerrim nga fjalori i shqipes të gjithë arsenalin e lëvdatave, dhe ç’bëmë? Asgjë! Ku shkuam? Asgjëkundi, aty ku ishim. Vetëm ankohemi s’kemi fonde, s’kemi një qendër kulture, s’kemi përkrahje! S’kemi këtë e s’kemi atë. Po kush do t’na i japë?
Mosregjistrimi i shqiptarëve, mbetet pika më e dobët e komunitetit, i cili duhet pranuar se realisht nuk llogaritet ende si forcë elektorale, nga shkaku se shumica nuk janë regjistruar dhe nuk shkojnë në votime.Këtë pikë të dobët na e kanë mësuar edhe amerikanët.Tregojnë se jo shumë kohë të shkuara, një i zgjedhur në majën e piramidës të qeverisë vendore në New York, kur do të kërkonte një mandate të dytë, kishte shtruar darka për disa nga komunitetet, përjashtuar atë shqiptar. Po përse, jo me shqiptarët?- e pyetën. Sepse në të gjithë qytetin e Nju Jorkut, ata s’kanë dhënë më shumë se 300-400 vota- ishte përgjigja e tij. Puna e tij se si na ka identifikuar, por edhe kjo do të mjaftonte për të dhënë alarmin se duhet të zgjohemi dhe të bëhemi faktor për të ndihmuar vetëveten.
Shqiptarët nuk përfitojnë si komunitet fonde nga shteti për arsye se nuk janë të identifikuar, nuk janë të regjistruar dhe nuk votojnë. Këtë duhet ta fiksojmë mirë dhe t’ia nisim punës.Shqiptarë, zgjohuni nga gjumi letargjik ku keni rënë prej vitesh!
Tags: dalip greca, ken biberaj, Mark Gjonaj, shqiptare te Amerikes, zgjohumi
