Londër, 22 korrik – Enkeleda Berisha është tetraplegjike dhe jeton në karrige me rrota. Ka 8 vjet që banon në Londër dhe në këtë kryeqytet ajo sot hyri në histori si shqiptarja e parë që mban ndonjëherë pishtarin e flakës olimpike, e miratuar pas procedurash mjaft strikte nga organizatorët e Lojërave olimpike“Londër 2012”, që fillojnë më 27 korrik. Ky nder i posaçëm u është ofruar personaliteteve nga fusha të ndryshme të jetës dhe individëve në shenjë mirënjohje dhe respekti për kontributin e spikatur që kanë dhënë për shoqërinë britanike. Kanë qenë kolegët dhe miqtë e saj që kanë bërë fushatë për Enkeledën për kontributin e saj të shquar dhe të veçantë që ajo të bëhet mbajtësja e pishtarit olimpik të mbërritur në Britani nga Greqia më 18 maj të këtij viti. Enekelda Berisha, me origjinë nga Tirana, drejton dhe menaxhon një organizatë që quhet “Flying Wheels” dhe merret me aktivitete sportive për fëmijët tetraplegjikë. Jo vetëm ajo, por edhe partneri i saj shqiptar nga Shkodra, Ori është në karrige me rrota dhe madje lojtar i rugbyt në ekpin “Wheelchair Rugby London”, dhe trajner i fëmijëve tetraplegjikë që luajnë këtë sport. Enkelejdës iu desh të kalonte shtatë faza për të arritur në nominimin për të qenë mbajtëse zyrtare e pishtarit olimpik. Për Top Channel në Londër, Enekelda Berisha tha se ka kaluar një nga momentet më të bukura të jetës dhe se nuk ndodh çdo ditë të mbash flakën olimpike. Është një shans që të vjen vetëm një herë në jetë. “Kam shijuar çdo sekondë të saj. Ishte një eksperiencë e mrekullueshme”,tha ajo. Rasti i Enkeleda Berishës është një rast krenarie për komunitetin shqiptar në Britani dhe pasqyrë dhe shembull i asaj se çka i ofron shoqëria britanike të gjithëve për tu integruar, edhe pse në rrethana të pazakonta.(VOAL)
Tags: Enkeleda Berisha, pishtari olimpik, Shqiptarja e pare
