Ka shkuar në 13 numri i viktimave të aksidentit të rëndë, që ndodhi dje pasdite në Shqipëri, në zonën e Himarës në jug të vendit, kur një autobus me studentë të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan ka rënë në një greminë nga një lartësi prej disa dhjetra metra. Prej tyre, 3 humbën jetën në spitalin e Tiranës. 14 studente të tjera ndodhen po në spitalin ushtarak në Tiranë, ndërsa 10 u mbajtën në spitalin e Vlorës dhe gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Qeveria vendosi të shpallë zi kombëtare ditën e nesërme, ndërsa kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Natos në Cikago, njoftoi se ka afruar kthimin e tij në atdhe
Kanë vazhduar të jenë orë ankthi ato të mbrëmjes së djeshme deri vonë dhe pas mesnate, për shkak të njoftimeve që e rëndonin edhe më shumë peshën e ngjarjes tragjike të ndodhur dje pasdite pranë Himarës. Bilancit të parë me 11 viktima që humbën jetën menjëherë pasi autobusi përfundoi disa dhjetra metra poshte rrugës në greminë, në mbrëmje ju shtuan edhe dy vajza të tjera. Njëra prej tyre vdiq që gjatë rrugës me helikopter për në spitalin e Tiranës, ndërsa tjetra më vonë nuk mundi t’i rezistojë plagëve të rënda. Dy të tjera, sipas autoriteteve të Shëndetësisë janë po ashtu në gjendje kritike në spitalin Ushtarak të kryeqytetit.
Kanë mbetur ende të paqarta motivet e aksidentit. Verifikimet e para kanë treguar se drejtuesi i mjetit ka qenë shofer me eksperiencë dhe se kishte vite që shërbente me autobus. Po ashtu mjeti kishte kryer të gjitha kontrollet periodike teknike. Ajo që shton edhe më shumë paqartësitë është se autobusi është përplasur dy herë me shkëmbin në krahun e korsisë ku po ecte dhe më pas ka kalur ne korsinë tjetër për të rënë në greminë. Dyshimet e para janë për një gabim njerëzor, një humbje të kotrollit të mjetit, ndërsa sipas dëshimeve të transmetuara nga disa media referuar studentëve të mbijetuar, mjeti mendohet se mund të ketë qenë me shpejtësi më të lartë sec duhet në atë pjesë të rrugës.
Deri vonë paqartësi ka patur edhe për numrin e pasagjerëve që kanë qenë në autobus. Policia fillimisht dha një shifër prej 33 personash. Më pas autoritetet e Shëndetësisë dhanë shifra të tjera. Informacionet e fundit nga policia flasin për 39 persona përfshirë këtu edhe shoferin i cili humbi jetën e po ashtu edhe një i ri tjetër që ndodhej në autobus. 10 studente, gjendja e të cilave ishte stabilizuar, janë mbajtur në spitalin e Vlorës, pjesa tjetër është sjellë në Tiranë.
Ngjarja e rëndë angazhoi të gjitha strukturat e shtetit dhe autoritetet më të lartë të vendit. Disa ministra si dhe kryetarja e parlamentit u nisën menjëherë në Himarë. Në spitalin Ushtarak për të parë gjendjen e studentëve të plagosura shkoi presidenti Bamir Topi si dhe përfaqësues të tjerë shtetëror e politik. Kryetari i opozitës dhe deputët socialitë dhuruan gjak, e po ashtu dhe zonja Topi, efektivë të policisë dhe ushtrisë. NJë solidaritet i madh njerëzor u shfaq edhe nga qytetarë të shumtë që vullnetarisht u paraqitën për të dhuruar gjak.
Nga shtetet e Bashkuara ku ndodhej për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të Natos në Cikago, kryeministri Sali Berisha mbajti lidhje të vazhdueshme me anëtarët e kabinetit të tij duke urdhëruar që sot të shpallej ditë zie. Më pas në një deklarim për televizionin ABC news të Tiranës, kryeministri njoftoi se kishte ndërprerë ndjekjen e punimeve për të marrë rrugën e kthimit sa më të shpejtë drejt Shqipërisë.
HETIMET
TIRANE- Kur kanë kaluar disa orë nga aksidenti tragjik që i mori jetën 13 personave dhe la të plagosur 20 të tjerë kanë nisur edhe hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Ekspertët janë fokusuar në dy drejtime për të hedhur dritë mbi shkakun e aksidentit fatal. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se shkaku më i mundshëm i ngjarjes së rëndë automobilistike është një defekt teknik i mjetit, në sistemin e drejtimit apo atë të frenimit, çka pritet të konfirmohet nga raporti i kontrollit auto-teknik. Nuk përjashtohet edhe mundësia e një gjendje infarkti që mund të ketë drejtuesi i autobusit, Pëllumb Çela, i cili humbi jetën.
Nga ana tjetër, studentët e mbijetuar thanë se në momentet e fundit, shoferi Pëllumb Çela tërë ankth ka ulëritur “ikëm, nuk mund ta ndaloj dot”.
Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:15, ku autobusi me targa të Elbasanit që transportonte studentet e degës së Letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë të thellë 80 metra në qafën e Vishës në Himarë. Ata ishin nisur për një ekspeditë 1 ditore në Sarandë, por rruga iu pre në mes. Të parët që dhanë ndihmë për të shpëtuar studentet ishin udhëtarët e rastit, ndërsa pak minuta më vonë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë transportoi dy studente, e më pas edhe të tjera më rëndë u transportuan drejt Spitalit Ushtarak me 8 helikopterë, për shkak të terrenit të vështirë.
Me kërkesë të Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave shpalli ditën e sotme datën 22 maj, Ditë Zie Kombëtare, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në ku humbën jetën 12 studente. Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se “Kryeministri Berisha në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.”
Sot në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje.
Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre. Ministria e Brendshme ngarkohet të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave.
SHOFERI I AUTOBUSIT TJETËR: TIMONI S’KA BURRËRI, TË TRADHTON
ORA 13:00 – Drejtuesi i autobusit tjetër që po transportonte grupin e dytë të studentëve drejt Sarandës rrëfeu momentet e para kur u informua për aksidentin tragjik, teksa ndodhej rreth 200 metra larg vendit të tragjedisë.
“Po udhëtoja drejt Sarandës. Në kilometrin e pestë një studente e plagosur lehtë mori në telefon shokët e vet e tregoi gjithçka. Nuk mund të ecja më tej. Sapo u informova për aksidentit kam gjetur një vendparkim përballë kalasë ne Palermo.”, -u shpreh Astrit Kurti.
Në fillim, vijon ai, dyshova se mos ishte ndonjë shenjtallëk rinor, por me pas frenova përballë kalasë së Palermos, ku ishte një bar-restorant dhe kishte një televizor të madh. Tragjedia kishte marrë udhë, ishte nje fatkeqesi e jashtezakonshme”, – tha Kurti.
Drejtuesi i autobusit theksoi se kolegu i tij, kishte përvojë në drejtim e autobusit. “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhton”, u shpreh Kurti.
POLICIA: IDENTIFIKOHEN TË GJITHA VIKTIMAT E AKSIDENTIT TRAGJIK, JA EMRAT
ORA 12:50- Janë identifikuar të gjitha viktimat që gjenden në morgun e qytetit të Vlorës, më poshtë emrat e tyre:
1. Denisa Flamur Guzi, vjeç 21, banuese në fshatin Mashan, Komuna Kodovjat, Gramsh
2. Ermira Idriz Mana, vjeç 22, banuese në fshatin Shelcan, Elbasan
3. Aurora Artan Molla, vjeç 21, nga fshati Verdove i Pogradecit
4. Lindita Hekuran Kabashi, vjeç 21, banuese në fshatin Shtermen, Komuna Gostime, Elbasan
5. Joana Flamur Debinja, vjeç 22, nga fshati Çermë Sektor, Komuna Tërbuf, Lushnjë
6. Elsa Gëzim Daka, vjeç 22, nga Elbasani banuese në fshatin Kuqan,
7. Juliana Dilaver Tola, vjeç 21, banuese në fshatin Mirak, Librazhd,
8. Fabiola Mustafa Shehi, vjeç 22, nga Bërxulla Tiranë
9. Eriola Sajmir Xhoi, vjeç 28, nga Elbasani,
10. Eranda Kristaq Baloshi, vjeç 22, banuese në fshatin Katundi i Ri Bradashesh, Elbasan
11. Dorina Hasan Stafa, vjeç 21, nga Kruja
12. Armand Halilaga, vjeç 23, nga Kavaja
13. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
Po kurohen në Spitalin Ushtarak Tiranë:
1. Kaltra Pollozhani
2. Alma Deda
3. Eranda Bato
4. Antoneta Taçe
5. Doriana Kumria
6. Anisa Çobaj
7. Shegushe Haka
8. Elsa Shtylla
9. Ifsjana Karriqi
10. Mirsie Biba
11. Besjana Dani
12. Briselda Gubere
13. Florije Peci
14. Blerina Çereni
15. Griselda Zeneli
Po kurohen në Spitalin e Vlorës:
1. Elidona Gjinaj
2. Enkela Daja
3. Ticiana Hysa
4. Juliana Kuqi
5. Ergita Opingari
6. Adjola Musaka
7. Liri Hasa
8. Besjana Xheneti
9. Adisa Çela
10. Anisa Hysa
Studentja e dëmtuar që gjendej në spitalin e Himarës Arta Ballabani, pasi ka marrë ndihmën e nevojshme është larguar nga ambientet e spitalit.
VASILI: TRANSPORTIMI JASHTË VENDIT, I PAMUNDUR
Ora: 12:15 – Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi nga Spitali Ushtarak se dy prej tyre studenteve të plagosura janë në gjendje kritike për jetën. Ministri Vasili përjashtoi mundësinë që vajzat e plagosura të transportohen në spitale më të specializuara jashtë vendit, për shkak se lëvizja e tyre për momentin është e pamundur.
“Rastet paraqiten në një gjendje të qëndrueshme. Janë ruajtur të gjithë parametrat e arritur dje me shumë vështirësi dhe besoj që për një pjesë të tyre ka pasur një ecuri pozitive. Vazhdon të mbetet serioze gjendja e 2 vajzave, të cilat kanë pësuar trauma të gjëra. Të gjithë janë në terapi intensive dhe transporti i tyre në këtë moment është i pamundur sepse janë të lidhur me aparaturat që i mbajnë në jetë.”- deklaroi Vasili.
FAMILJARËT: AURORA NUK DONTE TË SHKONTE NË EKSPEDITË
ORA 12:00 - Trupi i pajetë i studentes Aurora Molla ka mbërritur në shtëpinë e saj në Vërdovë të Pogradecit mesditën e sotme.
Tezja e vajzës Arta Abazllari deklaroi për NEWS24 se Aurora nuk donte të shkonte në ekspeditë, por u detyrua nga pedagogët, që sipas saj, e kishin kërcënuar me mosdhënien e provimeve.
E PLAGOSURA: SHOFERI FRENOI NË KTHESË
ORA 11:20 – Studentja e plagosur që po mjekohet në Spitalin Amerikan në Tiranë, Besiana Dani, rrëfeu për mediat momentet e aksidentit tragjik, të një dite më parë. Vajza shpjegoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte konsumuar alkool dhe nuk kishte shfaqur as shenja lodhjeje, apo shqetësime shëndetësore gjatë udhëtimit
“U nisem nga Elbasani, ndaluam në Apoloni dhe më pas do të ndalonim në Porto Palermo. Unë isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim në kthesë dhe automjeti iku jashtë kontrollit. Bëmë 2-3 rrotullime e më pas përfunduam në humnerë. Shoferi nuk ishte shume shpejt, por në kthesë duhet të kishte qenë më ngadalë mendoj. Nuk dëgjova që kishte probleme, shoferi ishte mirë.”- u shpreh studentja.
E mbijetuara shpjegoi se vajzat ishin trembur edhe njëherë tjetër gjatë udhëtimit, pasi autobusi kishte shmangur një ëprplasje me një tjetër automjet.
“U tembëm dhe njëherë gjatë rrugës se desh u përplasem me një makinë. Nuk ishte faji i shoferit tonë.”- theksoi ajo.
Besiana Dani i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Amerikan dhe mjekët shprehen të bindur se vajza do të bëjë një jetë normale, sapo thyerjet që ka pësuar në trup të shërohen.
AKSIDENTI, REKTORI: SHOQËRIA E UDHËTIMIT REZULTON MË SERIOZJA
ORA-11:00- Pas aksidentit tragjik të ndodhur dje në Himarë, vjen edhe reagimi i Rektorit të Universitetit të Elbasanit. Sipas rektorit Liman Varoshi, “shoqëria e udhëtimit e kontraktuar nga universiteti rezulton më seriozja’. Ai shton se autobusët e kësaj shoqërie ishin të koaliduar, ndërsa drejtoheshin prej shoferëve me përvojë.
Rektori Varoshi shtoi më tej se sot do të ketë në Universitetin Aleksandër Xhuvani edhe një ceremoni përkujtomore. “Ceremonia zyrtare e homazheve do mbahet në orën 15:30. Do ketë një stendë me emrat dhe fotot e viktimave”.
VLORË, GJENDJA E TË PLAGOSURAVE DREJT PËRMIRËSIMIT
ORA 10:45 - Gjendja shëndetësore e 10 vajzave të plagosura në aksidentin e së hënës në qafën e Vishës në Himarë, të cilat ndodhen për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Vlorës është drejt përmirësimit.
Drejtori i këtij institucioni , Shkëlqim Selami, tha se, “me përjashtim të dy vajzave, që kanë nevojë për skaner rezonancë gjendja e 8 të tjerave është drejt një përmirësimi të dukshëm”. Sipas tij, të gjitha të plagosurat janë jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se 4 prej vajzave të plagosura ndodhen në reanimacion, konkretisht: Elidona Gjinaj, Ardiola Musaka, Besjana Xheneti dhe Anisa Hysa. Studentet e tjera, Enkela Daja, Ergita Opingari, Juliana Kuqi dhe Ticiana Hysa mbahen në kirurgji.
Drejtori Selami shtoi se të plagosurat do të mbahen në këtë spital dhe në varësi të situatës do të gjykohet nëse ato do të kenë nevojë për një mjekim më të specializuar apo do të mbahen në këtë institucion shëndetësor.
VLORË, PËRFUNDON DËRGIMI DREJT FAMILJEVE I 11 VIKTIMAVE TË AKSIDENTIT TË HIMARËS
ORA-10:13- Sot rreth orës 06:00 të mëngjesit ka përfunduar dërgimi i 11 trupave të viktimave në aksidentin tragjik të së hënës në Himarë.
Drejtori i spitalit të Vlorës, Shkëlqim Selami, tha se, “gjatë gjithë natës u punua me intesitet dhe u ndoqën të gjitha procedurat për identifikimin e 11 viktimave, gjë që u realizua në bashkëpunim me familjarët e tyre.Të gjitha procedurat përfunduan rreth orës 06:00 të mëngjesit , kohë kur u nisën edhe dy trupat e fundit të viktimave, që humbën jetën në aksidentin tragjik”.
Sipas tij, për dërgimin e trupave drejt familjes u angazhuan mjetet e shërbimeve shtetërore, funerale si dhe të spitalit, që së bashku me personelin përkatës shoqëruan familjarët. Trupat e pajetë të aksidentit të një dite më parë mbërritën në morgun e spitalit rajonal të Vlorës rreth orës 01:00 të mëngjesit nën shoqërimin e një personeli të specializuar mjekësor dhe policisë.
DREJTORI I SPITALIT: GJENDJA E VAJZAVE E STABILIZUAR
ORA 09: 40 - Drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihja bëri të ditur se në spital janë të shtruara aktualisht 14 vajza, ndërsa një tjetër i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Amerikan në Tiranë.
Sipas drejtorit Mihja 9 vajza janë në terapi intensive dhe 5 të tjera në kirurgji. Dy prej vajzave janë në gjendje më të rëndë, por përgjithësisht gjendja e të aksidentuarave konsiderohet e stabilizuar.
“Ne do tja dalim. Sot vajzat nuk do lëvizin do mbahen në reanimacion. I kemi nën kontroll. I kemi identifikuar të gjitha vajzat, kartelizuar dhe kemi kontakuar edhe me të afërmit e tyre”- deklaroi Mihja.
Dëmtimet e të gjitha rasteve, sipas tij, “janë serioze, por gjendja duket me opetimizëm dhe 2 raset që janë më të rënda janë me parametra të stabilizuar, janë vlerësuar pozitivisht nga ekipet e mjekëve dhe do të vazhdojë ndjekja e tyre pa ndërprerë duke u ribërë ekzaminimet e nevojshme”.
Mihaj tha se konkluzionet e ekipeve mjekësore janë të tilla që nuk do të ketë invaliditet.
Ndërkohë, sipas tij, pas apelit të bërë për dhurimin e gjakut, edhe me grup të rrallë A- dhe 0-, të Spitalit Ushtarak janë drejtuar shumë qytetarë dhe nuk ka pasur mungesa të rezervave të gjakut. Dhurimi i gjakut do të vazhdojë ditën e sotme.
BERISHA MBERRIN SOT NE TIRANE
ORA 02:00- Kryeministri Sali Berisha njoftoi gjate nje interviste televizive nga Cikago se ka lene ne mes Samitin per tu kthyer ne Tirane. “Unë po nisem dhe arrij në Tiranë nesër paradite”, tha kryeministri.
Kreu i Qeverise theksoi se ishte i pari qe mesoi lajmin e rende.Ai percolli dhe njehere ngushellimet per viktimat.
“Jam pothuaj ndër të parët që mësova lajmin. Më kanë informuar njëkohësisht disa burime nga Tirana dhe e kam ndjekur dhe jam lidhur me të gjitha agjencitë dhe ministritë përkatëse: Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, të Shëndetësisë, të Arsimit, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, me Kryetaren e Parlamentit dhe e kam ndjekur në mënyrën më konstante, në mënyrë të vazhdueshme si nëpërmjet lidhjeve me ta, por edhe nëpërmjet live stream të ABC News. Jam përpjekur që të merren të gjitha masat për një ndihmë emergjente sa më të shpejtë dhe sa më eficente. Besoj se ka pasur një mobilizim e angazhim shumë serioz, por aksidenti është shumë tragjik.Me këtë rast dua t’u shpreh të gjithë të plagosurve urimin tim më të mirë, për një shërim sa më të shpejtë. Kam porositur ministrin e Shëndetësisë të marrë çdo masë, në mënyrë që t’u jepet ndihma më eficente, për çdo ndihmë që do të kenë nevojë, brenda dhe jashtë vendit. Familjeve të viktimave u shpreh ngushëllimet, solidaritetin tim më të lartë njerëzor, të familjes sime dhe qeverisë shqiptare, i lutem Zotit të gjejnë forcë, për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme, për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur. Uroj që shpirti i viktimave të këtij aksidenti kaq tragjik të gjejë paqen e merituar”.
Mesazhi i Imzot Rrok
Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkv i Metropolit Tiranë – Durrës mesazh ngushëllimi për familjet dhe të afërmit e viktimave të tragjedisë së Himarës.
Në mesazhin e tij, Imzot Rrok Mirdita i bashkohet dhimbjes së familjarëve dhe lutet bashkë me ta.
“Të dashur prindër dhe të afërm të viktimave të aksidentit të Himarës. Nëpërmjet mediave u njoftuam për tragjedinë e rëndë Himarës ku humbën jetën 13 studente dhe u plagosën 20 të tjerë. Kemi provuar një tronditje të thellë në shpirt dhe lutjet tona u bashkohen atyre të prindërve dhe të afërmve të viktimave. I lutemi Zotit për një shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Më lejoni të shpreh afërsinë shpirtërore timen dhe të Dioqezës, ju, të plagosurve, punonjësve të shëndetësisë dhe forcave të rendit që të gjithë së bashku ta kalojmë këtë provë të jashtëzakonshme duke ju lutur Zotit që të na forcojë. Le t’ia besojmë Zotit kujdesin për shpirtrat e viktimave dhe të mbështesim me lutjet tona një shërim sa më të shpejtë të plagosurve”, thuhet në mesazh.
Shoferi 10 vjet ne timon
Në shenjë nderimi janë mbledhur në korpusin e universitetit dhe kanë ndezur qiri për bashkëmoshatarët e tyre që ndërruan jetë, si pasojë e këtij aksidenti tragjik, mes tyre edhe shoferi Pëllumb Çela, 56-vjeçari i cili kishte tre vjet që transportonte studentë në ekskursione dhe ekspedita të organizuara nga Universiteti.
Prej më shumë se tre vjetësh Agjencia e Udhëtimit “Llixha 2001” kishte lidhur një kontratë me Universitetin dhe autobusët e saj dërgonin në ekspedita dhe ekskursione të ndryshme studentët e këtij universiteti. Madje i gjithë dokumentacioni i kësaj agjencie, e cila është e licencuar dhe me dokumente të rregullta, ndodhet në universitet.
Shoferi 56-vjeçar, babai i dy fëmijëve kishte më shumë se 10 vjet që drejtonte autobusin fatkeq dhe madje ashtu siç shprehen vetë studentët ai ishte bërë mik me ta.
Më herët, në vitet ‘80 Pëllumbi ishte ish-basketbollist i njohur në KS Labinoti. “Ishte njeri i mirë, babaxhan. Kishim kënaqësi kur udhëtonim me të, pasi e drejtonte qetë mjetin e tij dhe gjithnjë ishte i gatshëm kur ne kërkonim të ndalonin, teksa udhëtonim në ekspedita me të”, – u shprehën një grup një studentësh të degës së Histori – Gjeografi, të cilët një ditë më parë janë kthyer nga Himara me Pëllumb Çelën shofer.
Studentët thonë se ai nuk ishte konsumues i pijeve alkoolike dhe për më tepër ishte shumë i kujdesshëm në timon. Edhe shoqëria e udhëtimit “ Llixha 2001” shprehu keqardhjen për shoferin që humbi jetën.
(Kortezi Balkan web-Zeri I Amerikes)

