VATRA DHE NJOHJA E SHQIPERISE NGA AMERIKA

April 28th, 2012


Ky vit shënon 90-vjetorin e njohjes së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë akt Vatra luajti një rol të pamohueshëm.

 

Nga Ilir Ikonomi

Pas Luftës së Parë Botërore, qeveria amerikane ngurronte ta njihte de jure shtetin shqiptar. Ajo donte prova të mjaftueshme se ky shtet kishte një qeveri qendrore, të aftë për një ekzistencë të qëndrueshme. Vatra, e cila përshkruhej shpesh si “një qeveri shqiptare jashtë Shqipërisë”, luajti rol domethënës për të bindur zyrtarët amerikanë. Megjithatë, njohja nuk erdhi menjëherë dhe ishte rrjedhojë e një kombinimi faktorësh.

Më 2 mars 1920, Mehmet Konica, Ministër i Jashtëm i qeverisë së Lushnjes dhe njëherazi delegat i Vatrës në Konferencën e Paqes, njoftoi qeverinë amerikane se akreditonte Konstandin Çekrezin si Komisioner të Shqipërisë në Uashington. Titulli komisioner nënkuptonte një përfaqësues jozyrtar, i cili do të përpiqej të mbante kontakte me Departamentin e Shtetit dhe sidomos do të punonte për të siguruar njohjen e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.

Çekrezi kishte ardhur në Amerikë në vitin 1914 për të punuar si redaktor i Diellit dhe dallohej si njeri plot energji. Në vitin 1918 ai mbaroi Harvardin dhe më 1919 botoi librin Albania Past and Present, një nga botimet e rralla në atë kohë për Shqipërinë.

Megjithëse Komisioneri Çekrezi përfaqësonte në Uashington Shqipërinë, rroga dhe shpenzimet e tij paguheshin nga Vatra, e cila në atë kohë ishte fuqizuar mjaft, me fonde të dhuruara nga anëtarët për mbrojtjen e kufijve së Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Në një letër-kujtesë për Departamentin e Shtetit që mban datën 27 mars 1920, Çekrezi shkruante: “Eshtë shpresa ime e patundur se… Shtetet e Bashkuara do ta gjejnë mënyrën për njohjen përfundimtare të pavarësisë së Shqipërisë dhe vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike mes dy vendeve. Kjo shpresë e ka burimin te disa raste pozitive që kanë treguar dëshirën e sinqertë të Shteteve të Bashkuara për të luajtur rol në përcaktimin e statusit ndërkombëtar të Shqipërisë”. Me dijet e tij në fushën e diplomacisë politike, Çekrezi u kujtonte zyrtarëve amerikanë disa raste në të cilat ata vetë kishin lënë të kuptohej se Shqipëria ishte një shtet i pavarur.

Çekrezi kishte rolin e një përfaqësuesi gjysmëzyrtar, por nuk figuronte në Librin Blu të Departamentit që përmbante listën diplomatike. Si Çekrezi, në Uashington kishte edhe mbi 20 përfaqësues të tjerë nga vende me të cilët Amerika nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Të gjithë përpiqeshin të fitonin vëmendjen e Departamentit të Shtetit, me shpresë se vendi i tyre do të njihej një ditë nga Uashingtoni zyrtar.1

Më 7 prill 1920, Çekrezi arriti të bëjë një takim me Sekretarin e Shtetit, Bainbridge Colby, të cilit i argumentoi me hollësi se përse Shtetet e Bashkuara duhet ta njihnin Shqipërinë. Ai tha se gjendja në Shqipëri ishte përmirësuar, shteti ishte konsoliduar dhe autoriteti i qeverisë qendrore ishte forcuar. Ai e argumentoi nevojën e njohjes edhe si një kundërbalancë ndaj efekteve negative të pranisë së trupave italiane në Shqipëri, që sipas tij po e diskreditonin administratën shqiptare si të paaftë për të qeverisur vetë.2

Sekretari i Shtetit Colby i tha komisionerit shqiptar se duhej pritur edhe një farë kohe për njohjen.

Më 23 tetor 1920, me anë të një letre drejtuar Presidentit Woodrow Wilson, qeveria shqiptare emëronte amerikanin Charles Telford Erickson si “i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë”, gjithnjë në një funksion gjysmëzyrtar. Ericksoni ishte një misionar i krishterë i cili e fliste mirë shqipen, e njihte Shqipërinë më mirë se cilido amerikan tjetër dhe e donte atë si atdhenë e tij të dytë. Ericksoni, si i deleguar i Vatrës, kishte ndihmuar mjaft në Konferencën e Paqes në Paris për çështjen e kufijve dhe të mandatit mbi Shqipërinë dhe shpresohej se ai mund t’i jepte asaj një zë të fortë në Uashington, çka mund të çonte në njohjen nga ana e Amerikës.

Mirëpo, një javë pas arritjes në Uashington, Ericksoni mori një telegram që e njoftonte se Shqipëria kishte ndërruar qeveri. Gjithsesi, ai qëndroi në Uashington dhe vazhdoi ta përfaqësojë Shqipërinë në cilësinë e një qytetari privat. Atë pak kohë që ishte atje, Ericksoni ngulte këmbë se kishte ardhur koha që Amerika ta njihte Shqipërinë. Argumenti i tij ishte se, për mijëra shqiptaro-amerikanët, Amerika është thuajse po aq e dashur sa edhe atdheu i tyre. Nuk ka vend tjetër, do të shkruante ai më vonë, “që t’ua ketë pushtuar shqiptarëve më shumë zemrën dhe imagjinatën”.3 Çekrezit nuk i pëlqeu emërimi i Ericksonit dhe u ankua se ky episod e kishte penguar njohjen e Shqipërisë nga Amerika. Sipas rrëfimeve të Refat Gurazezit, ai krenohej se çështjen e njohjes e kishte sjellë në mbarim e sipër dhe thoshte se ardhja e paparashikuar e Ericksonit kishte shkaktuar një ndërprerje në përçapjet e tij pranë Departamentit të Shtetit.4 Shumë shpejt, Ericksoni u largua për në Evropë dhe Çekrezi mbeti komisioner.

Çekrezi kishte fituar përvojë në Uashington, duke krijuar kontakte në Kongres dhe duke mbajtur lidhje me agjencitë kryesore të lajmeve. Në numrin e dhjetorit 1920, revista Current History kishte një artikull të Çekrezit me titull “Si e fitoi Shqipëria pavarësinë”. Madje ai i bënte reklamë artikullit të tij edhe në gazetën New York Times.5

Çekrezi nuk linte rast pa ndërhyrë pranë Departamentit të Shtetit që Amerika ta njihte Shqipërinë dhe zelli i tij kishte rënë sy. Një zyrtar i Departamentit shkruante: “Zoti Çekrezi, Komisioneri shqiptar, në mënyrë të përsëritur është përpjekur ta bindë Departamentin ta njohë qeverinë shqiptare të Tiranës.”6

Çekrezi e argumentonte kërkesën për njohje edhe me synimin e Shqipërisë për të vendosur marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara. Ai thoshte se institucionet financiare amerikane kishin shprehur dëshirën për të marrë pjesë me kapitale në rindërtimin e Shqipërisë por pengoheshin nga çështja e njohjes.7

Në një raport për ministrin e jashtëm Mehmet Konica më 17 nëntor 1920, Çekrezi përmendëte arësyest se përse sipas tij Amerika ngurronte ta njihte Shqipërinë, dhe ndër këto arsye ishte se Departamenti i Shtetit kishte dyshim në stabilitetin e qeverisë shqiptare, për shkak të opinionit të keq të krijuar për shqiptarët nga kryengritjet dhe grindjet civile.8

Paralelisht me Çekrezin në Uashington, edhe Vatra vepronte nga Bostoni për njohjen. Më 23 dhjetor 1920, Federata Panshqiptare i dërgonte një letër Presidentit Wilson, ku thuhej se ekzistonin të gjitha kushtet që Amerika ta njohë Shqipërinë, po të kihet parasysh se shqiptarët jetojnë në një territor të njohur nga të gjithë, se Shqipëria drejtohet nga një qeveri që ka mbështetjen e popullit, e aftë të përmbushë të gjitha detyrimet ndërkombëtare.9

Më 8 nëntor 1921, Shqipëria u njoh zyrtarisht nga vendet e përfaqësuara në Konferencën e Ambasadorëve në Paris, pas pranimit si anëtare në Lidhjen e Kombeve. Më pas, ajo fitoi njohjen e pothuajse të gjitha vendeve evropiane, duke përfshirë edhe fqinjët. Përsa u përket Shteteve të Bashkuara, ato e kishin njohur Shqipërinë vetëm si një entitet gjeografik, por jo de jure. Chekrezi shkoi në Departamentin e Shtetit dhe takoi Ndihmës-sekretarin, Fred M. Dearing, të cilit ia komunikoi njoftimin me kërkesën që qeveria amerikane të bënte të njëjtën gjë.

Më 21 nëntor, 1921, duke marrë shkas nga njoftimi i Çekrezit, zoti Dearing, i dërgon një memorandum të gjatë seksionit të Lindjes së Afërme, ku argumenton në mënyrë të hollësishme se Amerika duhet ta njohë Shqipërinë.10 Dearing thotë se nuk shikon arsye që Amerika të mos ndërmarrë një veprim të ngjashëm si Italia, Franca dhe Britania. Deri tani, shkruan ai, shkaku kryesor për mosnjohjen e Shqipërisë ka qenë se qeveria amerikane parapëlqen të mos marrë inciativën në çështjet evropiane. Gjithashtu, ka patur mjaft paqartësi rreth kufijve të Shqipërisë si dhe dyshime mbi qëndrueshmërinë e qeverisë. Por dy arsyet e para nuk qëndrojnë më ndërsa e treta ndodh me çdo shtet të ri. Në të vërtetë, shkruan Dearing, shqiptarët kanë shfaqur një unitet, shkathtësi dhe energji që nuk pritej në politikën që kanë ndjekur ndaj tre shteteve të interesuar për të sabotuar interesat e tyre. Italianët dhe grekët janë detyruar të tërhiqen nga territori i tyre, ndërsa jugosllavët kanë njoftuar se i pranojnë kufijtë e 1913-s. Por këto rezultate janë më pak të habitshme kur mendojmë se në të vërtetë Shqipëria nuk u nënshtrua kurrë nga turqit dhe se gjatë 400 vjetëve të fundit, shumë nga zyrtarët më të aftë të Perandorisë Otomane kanë qenë shqiptarë. Prandaj, shkruan Dearing, nuk do të ngurroja të rekomandoja që ata të inkurajohen, duke u njohur nga qeveria amerikane.

Dearing trajton edhe interesin ekonomik që do të kishin Shtetet e Bashkuara tek Shqipëria, sidomos tek nafta, për të cilën kishte shenja premtuese. Shoqëria amerikane Standard Oil kishte filluar në Shqipëri kërkimet për naftë, pas kompanive britanike dhe italiane. Veç kësaj, shkruan Dearing, “elementi i konsiderueshëm shqiptar në SHBA si dhe besimi tek Amerika që ndihet kaq shumë, do të ishte një plus i madh për kultivimin e këtyre marrëdhënieve me Shqipërinë”.

Departamenti i Shtetit kishte shprehur një farë mosmiratimi lidhur me hapin e ndërmarrë nga Vatra në vitin 1920 për të zgjedhur një deputet në parlamentin shqiptar. Ky deputet ishte Fan Noli. Dearing i tha privatisht Çekrezit se zgjedhja e deputetit nga një organizatë e huaj që vepronte në Amerikë nuk ishte në pëlqimin e qeverisë së SHBA. Me sa duket, qeveria amerikane nuk dëshironte të përzihej në debatet e brendshme të vendeve të tjera, qeveritë e të cilëve mund të ankoheshin pastaj se SHBA nxisnin elementë të opozitës në parlamentet e tyre. Kur kjo çështje u ngrit nga Dearing, Çekrezi u përgjigj se “shqiptarët e Amerikës kishin ndjekur një kurs të pazakontë në rrethana të pazakonta, por tani që Shqipëria kishte fituar një status të ligjshëm dhe përfundimtar, ai do të ndërmerrte hapa që zgjedhja e një deputeti nga shqiptarët e Amerikës në parlamentin e Shqipërisë të anulohej. Dearing i propozoi seksionit për Lindjen e Afërme që përmbushja e këtij premtimi të kthehej në një kusht për njohjen e Shqipërisë.

Megjithë rekomandimin e zotit Dearing, çështja nuk po përparonte. Më 7 shkurt 1922, Çekrezi i dërgoi një letër Sekretarit të Shtetit Charles Evan Hughes, ku tërthorazi ankohej se qysh nga ardhja në fuqi e administratës së re të Presidentit Warren Harding, Sekretari nuk e kishte pritur asnjëherë komisionerin shqiptar ashtu siç kishte bërë paraardhësi i tij, Colby. Zyrtarët amerikanë përpiqeshin ta shmangnin një takim të tillë, për të mos dhënë përshtypjen se po e njihnin zyrtarisht qeverinë e Tiranës. Në letrën e Çekrezit, ku dalloheshin shenja nervozizmi, thuhej se për të shmangur një përshtypje të tillë, pritja mund të bëhej jo domosdo në Departamentin e Shtetit por diku tjetër.11

 

Në diskutimet e tyre, zyrtarët amerikanë e quajtën letrën e Çekrezit të pazakontë por vendosën se ajo nuk ia vlente të sillej në vemendjen e Sekretarit të Shtetit.12 Shefi i sektorit për Lindjen e Afërme u kujtoi vartësve të tij rekomandimin që ia kishte përsëritur disa herë Çekrezit, se qeveria amerikane nuk kishte në plan ta njihte de jure Shqipërinë, për sa kohë që vendi nuk kishte një formë të qartë qeverisjeje dhe ishte i ndarë në fraksione, ku nga njëra anë ishte qeveria në Tiranë dhe nga ana tjetër katolikët e Mirditës. Sipas Departamentit të Shtetit, megjithëse italianët, francezët dhe anglezët kishin përfaqësues diplomatikë në Shqipëri, nuk ekzistonte ndonjë arsye e veçantë që qeveria amerikane ta njihte qeverinë shqiptare. Ky qëndrim ishte qartazi në kundërshtim me rekomandimin e nëntorit 1921 të bërë nga Nënsekretari Dearing.

Në fillim të marsit 1922, Çekrezi pati disa biseda me këshilltarin për tregtinë e jashtme në Departamentin e Shtetit. Në njërën prej tyre ai paraqiti një tabllo të zbukuruar të gjendjes në Shqipëri, duke i deklaruar këshilltarit se një gjeolog i huaj kishte zbuluar platinium në Shqipëri. Ai propozoi që Shqipërisë t’i jepej një kredi prej 10 milion dollarësh me kolateral koncesionet e ndryshme, duke përfshirë atë të naftës. Shqipëria, tha Çekrezi, ende nuk e ka zgjedhur një këshilltar financiar, por ajo preferon më mirë një amerikan se sa një britanik. Mirëpo, kishte vijuar ai, në këto negociata tregtare, Shqipëria do të ndikohej nga njohja.13 Në një memorandum për zyrtarët, këshilltari i tregtisë së jashtme shkruante se ai nuk ndikohej nga biseda me Çekrezin, por në pikëpamjen tregtare, njohja e Shqipërisë nga Amerika do të ishte me leverdi.14

 

Çështja e naftës shqiptare po tërhiqte gjithnjë e më shumë vemendjen e amerikanëve. Charles Telford Erickson, i cili ndodhej në Shqipëri, e informonte atasheun ushtarak amerikan në Romë se qeveria shqiptare po i drejtohej Britanisë për një kredi dhe, si shkëmbim, i kishte premtuar kompanisë britanike Persian Oil të merrte monopolin e naftës për të gjithë Shqipërinë. Erickson shkruante se dy inxhenierë, njëri i qeverisë italiane dhe tjetri i asaj austriake, kishin studiuar fushat e naftës ku kishin gjetur shenja që flisnin për depozita shumë të mëdha që mund të shfrytëzoheshin lehtë.15

 

Në një letër për Sekretarin e Shtetit, ambasadori amerikan në Romë Richard Child shfaqte shpresën se kjo çështje do të shqyrtohej me vemendje nga Departamenti dhe se do të formulohej një politikë e qartë për Shqipërinë. “Nëse trajtohet me mjeshtëri, shkruante ai, ka mundësi që kjo t’u sjellë përfitime interesave amerikane përmes premtimit të njohjes dhe realizimit të saj në kohën e duhur”. Përndryshe, paralajmëronte Child, Amerika do të përjashtohej në favor të interesave britanike dhe të shteteve të tjera. Ambasadori amerikan shton gjithashtu se “përveç anës utilitare të çështjes, ndikimi moral i njohjes amerikane do të ishte i ndjeshëm.16

 

Me gjithë përpjekjet këmbëngulëse të Çekrezit, në fillim të prillit 1922, qeveria shqiptare e informoi atë se e kishte shkarkuar nga detyra e komisionerit dhe se po e mbyllte zyrën në Uashington. Çekrezi ua komunikoi lajmin zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, të cilëve u tha se qeveria shqiptare mendonte se ai kishte dështuar në misionin për të siguruar njohjen e Shqipërisë nga Amerika. Një zyrtar i tha Çekrezit se njohja ose mosnjohja nuk kishte lidhje me personalitetin e tij ose me mënyrën se si kishte punuar, pra ai nuk mund të mbahej përgjegjës për këtë çështje.17

 

Në të vërtetë, veprimtaria e Çekrezit në Uashington, si përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe njëkohësisht i Vatrës, ndikoi mjaft në sensibilizimin e qeverisë amerikane dhe të opinionit për nevojën e njohjes së Shqipërisë.

 

Disa javë pas shkarkimit të Çekrezit, më 27 prill 1922, Sekretari i Shtetit, Hughes, njoftoi Konsullin e Përgjithshëm amerikan në Tanger, Maxwell Blake, se Departamenti i Shtetit po shqyrtonte mundësinë e njohjes së Shqipërisë. Ai i kërkoi zotit Blake të shkonte në Shqipëri dhe t’i raportonte mbi gjendjen e vendit, mbi qëndrueshmërinë e qeverisë shqiptare dhe mbi interesat amerikane atje.18

 

Ka shumë mundësi që nxitja përfundimtare të ketë ardhur nga një letër e 26 prillit e Sekretarit të Tregtisë, Herbert Hoover, i cili më vonë do të bëhej president. Në letrën dërguar Departamentit të Shtetit, Hoover sugjeronte që t’i kushtohej vemendje çështjes së njohjes së Shqipërisë, duke patur parasysh se kompania amerikane Sinclair Oil po zhvillonte bisedime për një koncesion nafte në Shqipëri.19

 

Blake shkoi në Shqipëri në fillim të qershorit dhe përgatiti një raport mjaft pozitiv për vendin. “Megjithëse shteti shqiptar ende nuk ka dalë përfundimisht nga fazat e eksperimentit shpresëdhënës, shkruante Blake, ai është forcuar mjaftueshëm për të patur mbështetje ndërkombëtare”. Qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj interesave amerikane është veçanërisht i favorshëm, shkruante Blake, dhe i rekomandonte Departamentit të Shtetit njohjen e Shqipërisë. Si argument të parë për rekomandimin e tij, Blake thoshte se njohja do të ishte një nxitje morale për popullin shqiptar, i cili ndodhet në një fazë kritike të luftës së tij për pavarësi”.20 Blake i rendiste faktorët materialë si arësye të dytë. Herët a vonë, njohja do të vijë, shkruante ai. Por do të ishte mirë nëse ajo bëhet menjëherë, pasi parlamenti mblidhet në fillim të shtatorit dhe atje pritet të shtrohen masa të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

 

Nga fundi i korrikut 1922, Departamenti i Shtetit i dërgoi një telegram të ngutshëm komisionerit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Maxwell Blake, ku thuhej:

 

“Më 28 korrik, ju mund ta njoftoni me shkrim Ministrin e Punëve të Jashtëme për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara. Me këtë rast, mund të deklaroni se Qeveria e Shteteve të Bashkuara njeh faktin se Shqipëria ka arritur të mbajë me sukses një qeveri kombëtare. Në pritje të veprimit legjislativ nga ana e Kongresit për të vendosur përfaqësi të rregullt diplomatike, ju do të vazhdoni të luani rolin e komisionerit në rangun e ministrit. Fakti i njohjes do të jepet për botim në gazetat e mëngjesit të datës 28 korrik.”21

 

Faik Konica, si kryetar i Vatrës, falënderoi menjëherë nga Bostoni Sekretarin e Shtetit, Hughes. Telegramin e dërgonte “në emër të shqiptarëve që rrojnë n’Amerikë, disa prej të cilëve luftuan e derdhën gjakun e tyre në rreshta t’Ushtrisë Amerikane”.22

 

Në gazetën Dielli të 2 gushtit, Konica e komentonte kështu ngjarjen: “Njohja e qeverisë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara është një nga lajmet më të pëlqyera të kohëve të fundit. Që Shtetet e Bashkuara janë sot e para fuqi financiare e botës, besojmë se e di edhe një çilimi. Mbretëritë më të mëdha e më të forta përpiqen që të fitojnë përkrahjen e Amerikës. Po “qeveria” jonë s’çau kokën fare dhe s’ka asnjë pjesë në njohje. Janë faktorë të tjerë si Kryqi i Kuq, Kisha Methodiste, pa folur për Vatrën, që e sollën tërthorazi njohjen. Po besojmë se faktori më i madh është shembulli i Anglisë.”23

 

Gazeta Christian Sciece Monitor, në një artikull me titull “Greetings to Independent Albania,” shkruante se “Duke njohur Shqipërinë e pavarur, Departamenti i Shtetit i jep përkrahje morale një race që vlen ta dëgjosh me vëmendje dhe që meriton përkrahje. Nga shkaqe të rrjedhura nga luftrat ballkanike dhe pothuajse e harruar fare gjatë Luftës së Madhe, Shqipëria, duke ngritur kokën tani prapë nga greminat, ka probleme të vështira dhe të çuditshme për të zgjidhur. Por megjithë këto vështirësi e pengesa, shqiptarët janë një popull liridashës, trim dhe energjik. Ata meritojnë të kenë ndihmën dhe simpatinë e botës.”

 

Njohja e Shqipërisë nga Amerika kishte rëndësi të padiskutueshme. Në një shkrim të Diellit, me të drejtë shtrohej pyetja: Sikur Amerika ta kishte njohur Shqipërinë në vitin 1914, a do të ishte nënshkruar aq lehtë copëtimi i Shqipërisë në vitin 1915 ? Por edhe sikur të ishte nënshkruar nga shtrëngesa e luftës, a ka ndonjë dyshim që Wilson-i do të kishte një argument më tepër – dhe çfarë argumenti ! – që të na mbronte e të na nxirrte nga balta në Konferencën e Paqes?24

 

Asnjë ngjarje në histori nuk ndodh për një arsye të vetme. Kjo mund të thuhet edhe për njohjen e Shqipërisë nga Amerika, e cila u arrit me përpjekjet e të gjithëve. Dhe mund të thuhet me plot gojën se një vend nderi zënë përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës nën drejtimin e Vatrës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1 W. S. Mann: “Diplomats Many Lands Crowding Nat’l Capital”, Fayetteville Democrat (Arkansas), 12 maj 1920.

2 Beqir Meta, Federata Panshqiptare Vatra, (Globus: Tiranë, 2002) f. 263.

3 “Ambassador to Italy (Child) to Secretary of State”, 3 prill 1922. Foreign Relations of the United States [FRUS], 1922, f. 594-596.

4 Refat Xh. Gurrazezi, Historia e Federatës Vatra”, (Tiranë: Globus R., 2006), f. 124.

5 The New York Times, 4 dhjetor 1920, f. 11.

6 “Recognition of Albania”, 2 mars 1921. National Archive at College Park, MD [NACP], 875.01/240.

7 Beqir Meta, Federata Panshqiptare Vatra, (Globus: Tiranë, 2002) f. 269.

8 Po aty, f. 270.

9 Harris Silajxhiç, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit (Tiranë: Dituria, 1999) f. 135.

10 F.M. Dearing to Bliss. Memorandum on the Recognition of Albania, 21 nëntor 1921. NACP 875.01/198.

11 Chekrezi, letër për Sekretarin e Shtetit Hughes, 7 shkurt 1922. NACP.

12 Memo for Mr. Harrison, NACP 875.01/18.

13 Memo of Conversation with Mr. Chekrezi, 10 mars 1922. NACP, 875.01/189.

14 Memo from Office of the Foreign Trade Adviser, 10 mars 1922, NACP, 875.01/187.

15 Ambassador in Italy (Child) to the Secretary of State, 3 prill 1922, FRUS, f.594-595.

16 Po aty.

17 NACP, 875.01B11/4

18 Secretary of State to Counsul General at Tanger, 27 prill 1922. FRUS, f. 598.

19 The Secretary of State to the Secretary of Commerce, May 22, 1922. FRUS, f. 600.

20 Commissioner in Albania to Secretary of State, 28 qershor 1922. FRUS, f. 602-603.

21 NACP, 875.01/223A.

22Dielli, 29 korrik 1922.

23 Dielli, 2 gusht 1922.

24 Dielli, 2 gusht 1922.

Leave a Reply