VATRANËT SILLNIN NË ATDHE KULTURËN E PUNËS DHE RESPEKTIN NDAJ LIGJIT

May 25th, 2012


Nga Thanas L. GJIKA-

 Gjatë zgjedhave të huaja të gjata deri në vitin 1912, shqiptarët sado që të punonin nuk siguronin fitimin e merituar për mundin e djersën e tyre. Sunduesit ua merrnin fitimet përmes taksave të shumta. Jeta nën zgjedhat e huaja kishte kultivuar tek shqiptarët një farë indiferentizmi ndaj punës, sepse ajo nuk shpërmblehej si meritonte. Gjatë shekullit të XIX midis shqiptarëve mori përhapje kubeti, emigracioni disavjeçar në vende të huaja. Përmes punës së rëndë dhe kursimit sigurohej një farë fitimi me të cilin kur mërgimtarët ktheheshin në atdhe ndreqnin disi jetesën e tyre personale dhe familjare.

Mbas viteve 80-të të shek. XIX, edhe për shqiptarët, vendi më i leverdisshëm për të emigruar u bë Amerika. Këtu puna paguhej më mirë se kudo, kursimet ishin më të mëdha, prandaj shumë shpejt ky vend u bë, si për gjithë europianët edhe për shqiptarët, thithësi kryesor i krahëve të punës. Prej trojeve tona këtu vinin kryesisht fshatarë nga krahinat e Toskërisë. Fshatarët shqiptarë të Gegërisë vijonin të respektonin mendësinë e lashtë konservatore, sipas fjalës së urtë Guri i rëndë në vend të vet.

          Jeta në vend të huaj i detyronte shqiptarët të njihnin e të respektonin regulla e ligje të reja, më të mira se ato të sunduesit osman. Kështu që vitet e kurbetit deri diku shërbenin si një shkollë për zhvillimin psikologjik të emigrantëve. Kjo shkollë ishte më e mirë, më e fortë, sa më i zhvilluar ishte vendi ku kaloheshin vitet e emigracionit. Amerika (SHBA), si vendi me i zhvilluar ekonomikisht dhe me ligje më demokratike, zuri vendin e parë në këtë drejtim. Ky vend u bë shkolla më e rëndësishme e emigracionit shqiptar; së pari, për shkak të kushteve ekonomike e politike më të mira, dhe së dyti, sepse këtu punuan në dhjetëvjetshat e parë të shek. XX disa intelektualë brilantë si Sotir Peci, Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Mihal Grameno, etj, të cilët me punën e tyre i dhanë kolonisë shqiptare një organizim dhe frymëmarrje atdhetare të nivelit më të lartë.

Krijimi dhe veprimtaria e shoqërisë VATRA ishte arritja më e madhe e emigracionit shqiptar të të gjitha kohëve. Kjo shoqatë atdhetare me punën e saj i bëri emigrantët shqiptarë më të ndërgjegjshëm se kurrë për rolin që ata duhej të luanin lidhur me fatet e atdheut.  

Si korçar e bir vatrani, kam parë dhe përjetuar nga afër shumë fakte që dëshmojnë se emigrantët shqiptarë që ktheheshin nga SHBA, më mirë se gjithë emigrantët e tjerë, sillnin në atdhe një kulturë të re jetese, një qëndrim të ri ndaj punës, një respekt të madh ndaj ligjeve të shtetit. Vatranët e kthyer në Korçë, me sjelljen e tyre rezatonin, jo thjesht dashuri për atdheun dhe punën, por dashuri deri në gadishmëri për sakrifica.

Asnjë punë e ndershme nuk është turp:

Shqiptari i padalë nga atdheu ka pasur dhe ende ka një psikologji provinciale, ka dëshirë të mburret se është dikushi, se është i rëndësishëm, se kryen punë jo të rëndomta, etj. Në Korçë mbas kthimit të emigrantëve nga Amerika ra në sy se këta njerëz nuk e konsideronin asnjë lloj pune të ulët, të papëlqyeshme, kur ajo ishte punë e ndershme. Për ta çdo lloj pune ishte nder, sado e rëndë ose e thjeshtë a e ulët të qe ajo. Ish-emigranti i Amerikës, G. Th. T., që kishte punuar këtu nëpër fabrika me pagë të mirë, kur u kthye në Korçë nuk e kishte për turp, që të djelave të pastronte dhe kanalet e ujrave të zeza, për të ndihmuar sado pak rrogën e ulët që merrte nga puna e shtetit si murator. Fëmijët e tij ishin me punëra të mira, ose studentë në Tiranë, por ai nuk i bënte naze asnjë lloj pune jashtë orarit, mjaftonte që ajo të ishte punë e ndershme. Kur i thanë një herë fëmijët se ishte turp që ai të punonte në kanale të ujrave të zeza, ai u tha: Puna e ndershme nuk është turp, turp është të vjedhësh, të lypësh, të mos punosh, të mos i sigurosh familjes të ardhurat e nevojshme.

 

E vërteta duhet thënë:

Jeta nën diktaturën e rëndë komuniste kultivoi tek ne një mbyllje goje edhe kur e shikonim se shtrembërohej e vërteta. Mirëpo ish-vatranët e kishin të vështirë të mbyllnin gojën kur shikonin se po shkelej e vërteta. Janë të njohura rastet kur Sejfulla Malëshova e Skënder Luarasi, intelektualë të formuar në Amerikë, ngriheshin në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për të mbrojtur të vërtetën, demokracinë, gjë që u kushtoi atyre shumë shtrenjt.

Këtu dua të përmend dy raste të njerëzve të thjeshtë. Erdhi për t’u riatdhesuar në Shqipëri vatrani GJ. K. GJ. Në aeroport një punonjës filloi ta ngacmonte duke i kërkuar t’u tregonte punonjësve të doganës se si kishte jetuar në Amerikë, se si e kishin shfrytëzuar në botën kapitaliste… Zoti GJ. u tregoi se në mëngjez hante një sanduiç me vezë e sallam, pinte një gotë qumësh e më tej ndonjë frutë e një kafe të madhe, etj; në drekë një supë, një biftek me zarzavate, ëmbëlsirë e fruta…

-Mirë, mirë, për të ngrënë paske ngrënë mirë, po ama të shfrytëzonin deri në palcë, ndërhyri nëpunësi i doganës.

- Po, më shfrytëzonin, ia preu z. GJ., por ama më paguanin aq mirë saqë unë po sjell disa dhjetra mijë dollarë e do t’i blej djalit një shtëpi private me dy kate dhe do t’i vendos të tjerat në bankë, për të siguruar pleqërinë. Shfrytëzoini dhe ju punëtorët po paguajini si duhet, që të rrojnë më mirë.

Nëpunësi i doganës iku nga sytë këmbët. Kur e njoha unë këtë ish-vatran dhe ma tregoi këtë ndodhi, i thashë: herë tjetër ki kujdes, mos fol ashtu. Plaku m’u përgjigj: nuk gënjeva, thashë të vërtetën…

 Një rast tjetër dëshmon për guximin e një anëtari të PPSH, z-it. S. V. P., njeri që ishte edukuar prej gjyshit të tij ish-vatran, i riatdhesuar në vitet e Mbretërisë. Zoti S. sot jeton në Quincy MA, në vitet 1980-1989 punonte në Tiranë në fushën e zoteknikës. Ishim bërë miq, mbasi kisha shkruar për gjyshin e tij. Një herë e pyeta se si mund të zgjidhej puna e mungesës së qumshtit dhe të mishit në treg. Ai m’u përgjigj: Ky problem zgjidhet fare thjesht, me tre fjalë: merrini prapë bagëtitë.

Unë, duke e ditur se ai ishte anëtar i PPSH, hapa sytë, dhe po e shikoja në sy, për të kuptuiar se e kishte me gjithë mend, apo po më provokonte. Mirvpo, ai vetë vijoi: po mor po bagëtitë u duhen kthyer prapë fshatarëve sa më parë, po nuk ka burra atje lart që t’ia thonë të vërtetën Enverit. Po ta them unë, nuk ka asnjë dobi, përveç burgimit tim…

 

Puna vullnetare e papaguar:

Në Korçë dhe disa fshatra përreth ka çezma, rrugë e objekte të tjera të ndërtuara me punë vullnetare të disa vatranëve a bijve të tyre. Në Drenovë, Mborje e fshatra të tjera ka edhe sot rrugë të shtruara me gurë dhe çezma të krijuara më shumë me punë vullnetare sesa me pagesë, prej ish-vatranëve të riatdhesuar. Drenovarët V. B. dhe Z. K. shkruan dhe librin Drenova dhe bijtë e saj (1919) pa asnjë pagesë, ku treguan punën e mirë që kishin bërë për atdheun dhe fshatin e tyre drenovarët e emigruar në Rumani dhe Amerikë. Këtë vepër e rishkroi, po me punë të papaguar, duke e plotësuar me shumë materiale të reja z. P. M. këto vitet e fundit kur po jeton në apartamentet e Illyrian Gardens në Worcester MA. Ky ish-mësues i Drenovës duhet ndihmuar financiarisht për ta botuar këtë vepër sivjet në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë.

Në kodrat rreth e rrotull Korçës kanë mbetur si kujtime të bukura disa çezma të bëra me punë vullnetare prej hidraulikut (çezmaxhiut) M. S. i biri i vatranit L. S. nga Trebicka. Korçarët kur dalin shëtitje nëpër kodra e kujtojnë këtë bir vatrani sa herë pijnë ujë nëpër ato çezma. Sot z. M. S. pleqërohet në Worcester, MA. ku erdhi mbas vitit 1991 me gjithë fëmijët dhe bashkëshorten.

 

Jo mor bir nuk mund ta vjedh governën:

Ish-vatrani L. Th. GJ. në vitin 1962, pasi kishte punuar në punë shteti 16 vjet, me që e kishte kaluar moshën e pensionit, i thanë të linte punën e të delte në pesion. Shkoi në zyrat përkatëse të sigurimeve shoqërore. Aty, një i njohuri i tij, mbasi ia llogariti vitet e punës dhe pagën, i tha se i takonte të merrte një pension prej 2.600 lekësh.

-Po ti more xha G., i tha miku, ke gruan shtëpijake pa pension dhe dy fëmijë ende nxënës, prandaj unë do të t’i shtoj disa vjet pune shtetërore nga koha e Mbretërisë dhe nga koha e pushtimit fashis. Do të ta regulloj që pensioni të arrijë në 3.000 lekë.

-Jo, jo, iu përgjigj ish-vatrani, nuk mund ta vjedh governën. Ato katërqind lekë shtesë do t’i kem harram. Më jep pensionin që më përket, pa fëmijët kanë fatin e tyre.

Kështu doli në pension ky ish-vatran me pension të vogël. Vijoi të punonte nga pak privat, si pa rënë në sy, duke ndërruar çatitë e qytetit, duke ndrequr avllitë e qytetit, për t’i rritur me hallall e nder edhe dy fëmijët e vegjël.  

 

Nostalgjia për Amerikën:

Ishte e natyrshme që ish-vatranët në Korçë në vitet e diktaturës të manifestonin një nostalgji për vendin ku kishin kaluar vitet më të bukura të rinisë së tyre, për vendin ku kishin punuar rëndë por ishin paguar shumë mirë, për vendin ku kishin shijuar lirinë. Këtë ata nuk përpiqeshin ta fshehnin. Të djelave visheshin me kostumet që kishin sjellë nga Amerika me pantallona të ngushta, me ato orët e xhepit me qostek, ngjeshnin në kokë ato kapellat republikë, mbathnin këpucët me majë dhe delnin nëpër qytet e takoheshin nëpër klube, ose nëpër shtëpitë e njëri tjetrit. Kur merrnin kafet, më i moshuari uronte:

-Hajde me një paqe dhe u hapshin udhët!

-Amin, përgjigjeshin të tjerët.

Një ditë e pyeta tim atë: more po ne jetojmë në paqe, çfarë paqe uroni ju?

-Paqe i themi asaj të kohës së Zogut, kur një kapter policie të jepte passaportën me të cilën mund të shkoje për vizitë në Jugosllavi, Greqi, Itali, Amerikë e kudo…

Me atë urim ata tregonin se nuk pajtoheshin me ndarjen e botës në dy kampe armiqësore, me izolimin e Shqipërisë…

Ndjesë paçin vatranët e vjetër, që i dhanë Shqipërisë një mendësi të re e na edukuan me dashuri për punën, me respekt për ligjin.

Qoftë vetëm për këtë kontribut të VATRËS e të vartranëve, ne mërgimtarët e sotëm të Amerikës duhet të bëhemi të gjithë anëtarë të VATRËS që ta forcojmë këtë shoqatë atdhetare, sepse forcimi i saj ndihmon për një ardhmëni më të mirë të atdheut. Dollarë po bëjmë e do të bëjmë gjithnjë e më shumë, po VATRËN nuk duhet ta lemë pa zjarr, sepse zjarri i saj ngroh në zemrat e mendjet tona SHQIPTARINË, pa të cilën nuk mund të jemi shqiptarë.

Leave a Reply