Nga Nebil Çika-
Mbase është krejt rastësi, por duket shumë cinik fakti që pikërisht në 35-vjetorin e vrasjes nga diktatura komuniste të poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, një nga krimet me tragjike të komunizmit, qeveria i njoftoi Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri shkurtimin edhe të atyre fondeve simbolike që i ka akorduar deri tani. Dua t’u kërkoj ndjesë lexuesve e sidomos të afërmve të poetëve të pushkatuar nga komunizmi për këtë fillim të pazakontë të shkrimit, që duhej t’u ishte kushtuar këtyre dy martirëve të fjalës së lirë, mirëpo jam i detyruar të përqendrohem te raporti i shtetit me krimet e komunizmit, viktimat e sidomos me autorët e tyre edhe për faktin se krimi në fjalë është nga më të tmerrshmit dhe vazhdon, si të gjitha bëmat e diktaturës, të përballet me indiferencën për të mos thënë intrasigjencën e shtetit shqiptar. Natyrisht që organizatorët e këtij përvjetori meritojnë përgëzime, por besoj se shteti shqiptar nuk mund të mjaftohet me këto ceremoni simbolike në vlerësimin e figurave e ngjarjeve si kjo, që lartësojnë jo vetëm martirët e familjarët e tyre, po krejt kombin e popullin shqiptar.
Përkujtimi i organizuar dhe nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri nxori edhe një herë në pah rëndësinë e zbardhjes së krimeve të komunizmit dhe qëndresës antikomuniste të shqiptarëve, por edhe indiferencën e sidomos hipokrizinë e politikës në raport me to.
Si rrallëherë, në sallën e vënë në dispozicion nga Akademia e Shkencave (i vetmi kontribut i saj në zbardhjen e krimeve të komunizmit) ishin dy ministra, një deputet, madje edhe një këshilltar i Kryeministrit, që me fjalën e tyre vërtetuan edhe një herë raportin e pasinqertë të qeverisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore me të kaluarën kriminale komuniste të Shqipërisë.
Të gjithë oratorët e kësaj konferencë përkujtimore theksuan rëndësinë e futjes në historinë dhe letërsinë zyrtare të krimit, aktin heroik të poetëve dhe natyrisht edhe veprës së tyre letrare. Këtë, të nderuar lexues, nuk e thanë familjarët, miqtë apo bashkëvuajtësit e poetëve, por zyrtarët e lartë, ministri i Arsimit dhe ai i Kulturës dhe Këshilltari i arsimit për arsimin. U deklaruan publikisht të prekur, madje të revoltuar, për faktin apo më mirë të themi u skandalizuan pse Vilsoni dhe Genci, por edhe të tjerë martirë si ata nuk janë ende pjesë e historisë dhe letërsisë zyrtare shqiptare. Nuk e mora vesh kujt i ankoheshin në atë sallë për këtë, por nuk besoj se atje mund të gjeje ndonjë përgjegjës tjetër përveç tyre. Të gjithë zyrtarët theksuan rëndësinë historike, politike, letrare dhe edukative të poetëve të pushkatuar nga komunizmi dhe kërkuan me forcë përfshirjen e tyre në historinë dhe letërsinë zyrtare. Folën të gjithë, i lanë me gojë hapur të pranishmit jo me ato që thanë, por me guximin dhe sfidën që demonstruan duke artikuluar fjalë e fjali për harresën dhe skandalin e mospërfshirjes së tyre në tekstet shkollore e ato zyrtare të arsimit dhe të kulturës. Mark Marku, që u prezantua atje edhe si deputet, edhe si njeri i letrave, i cilësoi poetët e pushkatuar si më të mirët në Shqipëri. Më të mirët?! Më të mirë edhe se Kadareja e Agolli? Atëherë, si shpjegohet që këta ikona të letërsisë komuniste janë në çdo cep të historisë e letërsisë zyrtare, ndërsa këta dy martirët asgjëkund?! Zoti Marku dhe ministrat nuk dhanë ndonjë shpjegim për këtë, por fakti që ai i vlerësoi ata për herë të parë si poetët më të mirë, edhe se Agolli, Kadareja e të tjerë të realizmit socialist, përbën pa dyshim një risi.
Ministri i Kulturës, zoti Bumçi, pati guximin të falënderonte paraardhësin e tij Bujar Leskaj për sponsorizimin e monumentit dhe të botimit kohë më parë të disa punëve të martirëve. E bëri ndoshta nga fakti që vetë nuk ka bërë asgjë për këtë shtresë, por gjithsesi edhe ky nuk harroi të denonconte faktin që ata nuk kishin mundur të futeshin ende në historinë e letërsinë zyrtare. Se kush duhet t’i fuste hajde e merre vesh! Vetë nuk munden, se i kanë vrarë 35 vjet më parë; familjarët as që e kanë shansin t’u afrohen zyrave të qeverisë, institutit të ngritur për këtë qëllim i pakësojnë çdo ditë fondet! Atëherë, kush do t’i fusë në tekstet zyrtare? Logjika na çon serish te ministri, qeveria, shteti dhe mundësitë e pafund të tyre për të futur në histori vlerat e qëndresës antikomuniste shqiptare. Por ministri, me gjithë reagimin e tij të revoltuar në këtë përvjetor, nuk ia ka pasur ngenë kësaj kategorie poetësh, shkrimtarësh e intelektualësh. Ka qenë i zënë me punëtoret dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, me sponsorizimet dhe përvjetorët e ekspertëve letrarë, që përcaktonin masën e veprës armiqësore të poetëve, ndoshta edhe ndonjërit prej atyre që vlerësuan veprën “armiqësore” të Vilsonit dhe Gencit. Ai e di çka hequr për të gjetur fonde, ta zëmë, për të çuar Nasho Jorgaqin në vendlindjen e Fan Nolit në Turqi apo për të botuar librin e Teodor Laços, një “bashkëpunëtori të vjetër shkencor”, apo me kremtimin e 70-vjetorit të një tjetër vlerësuesi të aktivitetit “armiqësor” të Visar Zhitit, një tjetër poeti të burgosur politik, që falë Zotit nuk përfundoi në plumb si Genci e Vilsoni. Sigurisht që më i revoltuar se dje duhet të këtë qenë para disa muajsh, kur nuk i la gjë pa thënë drejtorit të lajmeve në TVSH, kolegut Artur Kopani, vetëm se në kronikën televizive të ceremonisë së vendosjes së bustit të Nolit në Turqi fytyra e Nasho Jorgaqit, sipas tij, nuk ishte shfaqur konsiderueshëm.
I revoltuar e natyrisht i prekur ishte edhe ministri i Arsimit, zoti Tafaj. Theksoi fort padrejtësinë që poetët-martirë nuk ishin në tekstet shkollore. Si gjithmonë, në fjalimet e tij solli edhe përvojën ndërkombëtare. U përqendrua te harresa si një fenomen i rrezikshëm për memorien historike, por edhe për edukimin e brezit të ri. Si për dreq, vajti e mori shembull Gjermaninë, më të ashprën për sa u përket masave ndaj komunizmit dhe krimeve të tij. Gjermania ka hapur dosjet dhe ka ndaluar çdo pjesëtar të nomenklaturës komuniste të punojë në administratë. Po të ishin në Gjermani, ndoshta më shumë se gjysma e arsimtarëve dhe zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, përfshirë edhe vetë ministrin Tafaj, do ta kishin të ndaluar të punonin në sistemin arsimor publik. Zoti Tafaj anatemoi skandalin e mosfutjes në librat shkollorë të historisë, por edhe të veprës letrare të Vilsonit dhe Gencit, por edhe të kundërshtarëve të tjerë të komunizmit. Ngaqë shikonte vazhdimisht nga paneli, mendova se përgjegjësi do të ishte ulur aty. Ndoqa vështrimin e tij dhe u binda se e kisha gabim. Në panel ishin ulur Bedri Blloshmi, vëllai i Vilsonit, zonja e Genci Lekës, Agron Tufa, drejtori i ISKPK-së me fonde të saposhkurtuara nga qeveria, dhe Simon Miraka, kryetari i SHAKPP-së. Nuk besoj se ndonjëri prej këtyre ishte përgjegjës për ato që thoshte ministri. Krahasuar (sipas ministrit) me Gjermaninë, fakti që fëmijët shqiptarë për shumë arsye e dinë që Myqerem Tafaj është ministër arsimi, por nuk kanë dëgjuar apo lexuar kurrë në shkollë për Vilson Blloshin, Genc Lekën, Havzi Nelën, Bilal Xhaferrin etj., në njëfarë mënyre është edhe mundësi për të identifikuar përgjegjësit apo fajtorët e kësaj harrese. I vetmi nga zyrtarët e lartë që nuk u prononcua, me gjithë kontributin e përmendur për vlerësimin dhe promovimin e poetëve të pushkatuar, ishte kryetari aktual i KLSH-së, ish-ministri i Kulturës Bujar Leskaj. Mbase u mjaftua me ato që tha për të zoti Bumçi, por gjithsesi një proverb thotë se “heshtja është kapak floriri”. Fakti që ai ka ndihmuar edhe personalisht për botimin e librit të Bedri Blloshmit “Rrëfime nga ferri komunist”, e distancon shumë me zyrtarët e tjerë të pranishëm këtu.
Po e mbyll këtë shënim, që më la pa shkuar në ceremoninë e 35-vjetorit të vrasjeve të poetëve të përgatitur nga Bashkia e Librazhdit. Më keq më vjen se do të shkoja me veturën e Bujar Leskajt. Jo përditë e ke shansin të udhëtosh me makinën e kryetarit të KLSH-së, me shoferë, truproja e benefite të tjera. Shpresoj që kjo “sakrificë” imja të justifikohet, duke besuar se ky shkrim të tërheqë sadopak vëmendjen e shtetit dhe opinionit publik për atë shërbim të madh që këta martirë i bënë kombit e popullit tonë duke sakrifikuar jetën për fjalën e lirë dhe demokracinë.(Kortezi Gazeta Metropol)
Tags: Genc Leka, Instituti i te Perndjekureve, Nebil Cika, Vilson Blloshmi
