Dr. Bledar Kurti/
Puthja e ka shoqëruar njerëzimin në çdo hap, simbol, kulturë, letërsi, pasion, tradhti si e ajo e Judës, e padyshim në art. E kryejmë këtë akt njerëzor çdo ditë, por kur ndalemi e mendojmë apo flasim për të, menjëherë përfytyrojmë veprën Puthja (1908), nga Gustav Klimt (1862-1918).
Kjo tablo, e titulluar nga autori “Dashnorët” dhe më pas publiku iu referua si “Puthja” në formën e një katrori barazbrinjës prej 1.8 metra, e ndodhur në muzeun Belvedere të Vjenës, është ndër më të njohurat në mbarë botën, dhe e bëri Klimt-in tejet të njohur pas mesit të shekullit të njëzetë. Ashtu si kjo pikturë edhe vetë krijuesi i saj ishte tejet i veçantë.
Në Vjenën aristokrate, në vendin e saloneve të arta, e të atmosferës perandorake, Klimt vishej me sandale, mbulohej me një rrobë murgjish ngjyrë blu, të varë gjer tek këmbët,
Vepra Puthja përban dy figura, një mashkull dhe një femër, të mbështjellë në një përqafim të artë. Të dyja figurat janë të ndërthurura simbolikisht teksa përballen me humnerën e përsosmërisë. Nga rrobat e krijuara artistikisht rrjedh një shi i artë që bekon tokën pjellore poshtë tyre, me bar jeshil e lule shumëngjyrëse.
Vijmë tek sfondi i artë i tablosë. Jo vetëm mbulesa e përqafimit por edhe sfondi është prej ari. Në vitin 1903, Klimt udhëtoi dy herë në Ravena, Itali, ku pa mozaikët e San Vitale, të cilat me elementët e tyre bizantin ndikuan në krijimtarinë e artistit, në atë që njihet si “Periudha e Artë.” Por frymëzimi nga veprat bizantine të rrethuara me ar vinte edhe nga e shkuara e vetë Klimt, i cili vinte nga një familje me baba dhe vëlla argjendarë.
Puthja, prej dekadash të tëra, shkaktoi debate mbi qëllimin e artistit. A ishte ai në të? A është mashkulli në tablo përshkrim i autorit, dhe a është femra në atë pikturë e dashura e tij e përhershme Emilie Flöge? Apo mos ndoshta Klimt e pikturoi këtë vepër si një alegori, një tablo univesale pasioni që shpalos instinktin njerëzor bazik?
Pas shumë spekullimesh, gjatë kohëve të fundit u botuan shënimet e një ish modeleje në salonin Flöge. Sipas saj Emile shihte tek piktura veten e saj dhe Klimt-in. Dhe gjithashtu doli në dritë një bllok vizatimesh e vitit 1917 në të cilin gjendet një skicë e dy të dashuruarve të përqafuar, dhe anash ka emrin “Emilie” të shkruar me gërma të mëdha.
Emilie, një stiliste veshjes, ishte e dashura e artistit për njëzetë e shtatë vjet, por ata nuk u martuan kurrë.
Puthja, është një instinkt primitiv pasioni midis artistit dhe të dashurës së tij, por nuk duhet harruar se nuk mund të arrijmë të gjejmë një ngjashmëri të Emilie në figurën e femrës, dhe aspak ngjashmëri të vetë Klimt-it në figurën e mashkullit, kësisoj kjo vepër mund të merret si një tablo alegorike, një simbol i pasionit të mbarë racës njerëzore. Vetë Klimt, u shpreh kështu:
Nuk ka asnjë autoportret timin. Nuk jam i interesuar në veten time si ‘material për pikturë,’ përkundrazi jam i interesuar te të tjerët, sidomos femrat, e madje më shumë edhe në fenomenet e tjera. Jam i bindur se si person nuk jam aspak interesant. Nuk ka asgjë të veçantë për t’u parë në mua. Unë jam piktor, dikush që pikturon çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Ndaj vepra Puthja duhet parë universalisht. Edhe ne sot, mund të gjejmë veten sipas gjinisë në këtë tablo, dhe ndoshta ky ka qenë qëllimi i Klimt-it, duke pikturuar një pasion të zjarrtë të dy figurave pa fytyra të qarta, pasi ato fytyra mund të jenë tonat.