Edukimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor është një proces shumë me rëndësi për revitalizimin e dijes kliniko-shkencore. Kjo zakonisht ndodh në gjithë botën, dhe duhet të jetë proces i vazhdueshëm edhe për mjekët e stafin mjekësor në Kosovë. Kështu tha Prof. Dr. Bashkim Kadriu, neuropsikiatër, Kryeshef dhe Drejtor Ekzekutiv i Mjekësisë Translacionale dhe Eksperimentale, në Departamentin e Neuroshkencës në Jazz Pharmaceuticals, San Diego – California, SHBA.
Në një intervistë për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës, Dr. Kadriu deklaroi se është nder i jashtëzakonshëm që në krye të Kolegjit e kemi Prof. Dr. Rifat Latifin, njërin nga emrat ma të njohur të mjekësisë shqiptare në botë, i cili si gjithmonë gjenë mundësinë të jetë në shërbim të mjekësisë kosovare dhe të zhvillimit dhe avancimit të saj.
Njëra nga sfidat e së ardhmes, sipas Dr. Kadriut, i cili është edhe anëtar i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në kuadër të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, është t’i njoftojmë kolegët tanë nga diaspora për këtë mundësi të jashtëzakonshme për ndarjen e ekspertizave dhe përvojave me kolegët tanë nga Kosova, Shqipëria dhe viset tjera shqiptare.
Megjithatë, Dr. Kadriu, shprehet shumë i bindur se ekziston vullneti i jashtëzakonshëm nga ana e kolegëve tanë në diasporë të kontribuojnë në vendin tonë, për zhvillimin e sektorit shëndetësor.
-Kolegji i Kirurgëve të Kosovës është në përgatitje për Kongresin e radhës. Ju do të merrni pjesë në Kongresin e Tretë Klinik të KKK-së, që do të mbahet sivjet më 12-15 Tetor. Si e vlerësoni zhvillimin e dy Kongreseve të mëparshme të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës?
-𝗗𝗿. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗺 𝗞𝗮𝗱𝗿𝗶𝘂: Fillimisht ju falënderoj për kujdesin, ftesën dhe nderin për të qenë pjesëmarrës në Kongresin e Tretë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Kjo është ngjarja më profesionale dhe aktiviteti kliniko-shkencor që do ketë impakt afatgjatë për komunitetin e mjekëve në Kosovë. Ky Kongres sjell emrat më të njohur të shkencave mjekësore nga e gjithë bota. Njëkohësisht, është nder i jashtëzakonshëm që në krye të këtij Kolegji e kemi Prof. Dr. Rifat Latifin, njërin nga emrat më të njohur të mjekësisë shqiptare në botë, i cili si gjithmonë gjenë mundësinë të jetë në shërbim të mjekësisë kosovare, si dhe të zhvillimit dhe avancimit të saj.
-Çfarë sugjeroni që në Kongresin e Tretë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës të jetë më ndryshe?
-𝗗𝗿. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗺 𝗞𝗮𝗱𝗿𝗶𝘂: Personalisht besoj se puna e bërë ndër vite do të sjellë nivelin edhe më të lartë të kualitetit të emrave, dhe të rejat e fundit të shkencave kirurgjike e mjekësore. Një e re që këtë vit e karakterizon Kongresin, do jetë mundësia kurseve e punëtorive nga emra më të njohur të kolegëve tanë, që vijnë nga SHBA-të dhe vendet tjera perëndimore.
-Meqë qëllimi i Kolegjit të Kirurgëve është të mbledh afër vetës shkencëtarë botëror, e sidomos të diasporës shqiptare, sa mendoni se shkencëtarët – kirurgët shqiptarë janë në dijeni për misionin dhe aktivitetet e KKK-së?
-𝗗𝗿. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗺 𝗞𝗮𝗱𝗿𝗶𝘂: Besoj fuqishëm se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka bërë punë të jashtëzakonshme dhe është lider në sensibilizimit dhe kuadrove klinike e shkencore, e sidomos mes diasporës. Megjithatë, mbetet mision personal, që përmes Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, në të cilin jam anëtar, të kontribuoj në këtë drejtim. Së këndejmi, mendoj se njëra nga sfidat e së ardhmes që duhet të ndërmarrim si Komitet, është t’i njoftojmë kolegët tanë nga diaspora, për këtë mundësi të jashtëzakonshme për ndarjen e ekspertizave dhe përvojave me kolegët tanë nga Kosova, Shqipëria dhe viset tjera shqiptare. Po ashtu, e rëndësishme është se përmes këtij Komiteti kemi mundësi t’u ofrojmë gjeneratave të ardhshme të mjekëve dhe specializantëve një platformë komunikimi, dhe po ashtu ndërlidhjeje, që do t’i shërbejë atyre drejt avancimit të përvojave shkencore.
-Shqiptarët kanë arritur shumë suksese në shkencë dhe në punën e tyre në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, angazhimi i tyre në vendin e origjinës mbetet i pamjaftueshëm. Ju si neuropsikiatër, si mendoni se ata mund të angazhohen dhe të kontribuojnë më shumë në Kosovë?
-𝗗𝗿. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗺 𝗞𝗮𝗱𝗿𝗶𝘂: Jam shumë i bindur se ka vullnet të jashtëzakonshëm nga ana e kolegëve tanë në diasporë të kontribuojnë në vendin tonë, në zhvillimin e sektorit shëndetësor, megjithëse deri më tani shumica e iniciativave kane qenë vet-iniciativa, pa mbështetje të mirëfilltë institucionale dhe në mungesë të ideve të vet-qëndrueshme, që do të sjellin vlera në institucionet tona vendore. Sigurisht, njëra nga idetë shume interesante ka qenë iniciativa e Prof. Dr. Latifit që të sjellë kuadrot në vendlindje dhe t’u mundësojë profesionistëve klinik e shkencor qasje në institucionet vendore, megjithatë, iniciativat e tilla mbeten në proces pas dorëheqjes së Prof. Dr. Latifit nga detyra e Ministrit të Shëndetësisë. Për mua, kjo ka qenë një humbje e madhe për shëndetësinë në Kosovë, se prurjet kualitative si ajo e Prof. Dr. Latifit janë më se të nevojshme për sektorin e shëndetësisë në Kosovë. Padyshim, uroj që iniciativat e tilla të ketë edhe në të ardhmen, dhe ne si diasporë të mundohemi të angazhohemi në të mirë të vendit tonë.
-Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ofron edukimin e vazhdueshëm të specialistëve të disiplinave të ndryshme kirurgjike, si dhe specializantëve dhe studentëve të kirurgjisë, përmes kurseve, punëtorive dhe komiteteve. Meqë ju jeni me profesion neuropsikiatër, sa jeni i gatshëm të kontribuoni në këtë drejtim?
-𝗗𝗿. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸𝗶𝗺 𝗞𝗮𝗱𝗿𝗶𝘂: Edukimi i vazhdueshëm i stafit mjekësor është një proces shumë me rëndësi për revitalizimin e dijes kliniko-shkencore, andaj, kjo zakonisht ndodh në gjithë botën, dhe duhet të jetë proces i vazhdueshëm edhe për mjekët e stafin mjekësor në Kosovë, Për hir të korrektësisë, unë përgjatë viteve kam marrë disa iniciative personale, që kanë pas qëllim edukimin e vazhdueshëm, dhe informimin mbi më të rejat e fundit nga neuro-shkenca dhe neuro-psikiatria, në vendin ku veproj dhe punoj. Megjithatë, do ishte shumë më e lehtë nëse këto iniciativa individuale do të kanalizoheshin përmes Kolegjit te Kirurgëve të Kosovës. Unë mbetem shumë optimist që iniciativa të tilla do mundësojnë përparimin e shkencës dhe mjekësisë në Kosovë.