(𝗜𝗻 𝗺𝗲𝗺𝗼𝗿𝗶𝗮𝗺, 𝗖𝗮𝗿𝗮𝘃𝗮𝗴𝗴𝗶𝗼)
𝗗𝗿. 𝗕𝗹𝗲𝗱𝗮𝗿 𝗞𝘂𝗿𝘁𝗶
I lindur në këtë ditë më 29 shtator 1571, Caravaggio theu rregullat e mëparshme të artit dhe flaku tutje idealizmat e figurave, mitizimin e tematikave, kompozimet e stisura, hyjnizimin e modeleve, duke pikturuar atë që kishte përpara syve, atë që shikonte, duke krijuar tablo natyraliste, me skena që shpaloseshin njësoj ashtu siç do dukeshin në jetën e përditshme, nëse ato do dilnin jashtë pikturës. Me markën e tij individualiste të natyralizmit, ai u rebelua kundër idealizmit të Rilindjes dhe krijoi një nga stilet kryesore të pikturës së stilit barok.
Ai ishte babai i “chiaroscuro,” fjalë italiane që do të thotë dritë-hije. Kjo teknikë përbëhet nga përdorimi i fortë i dritës për të theksuar qartësinë e objekteve apo figurave. “Chiaroscuro” është një imitim i botës sonë pamore: drita dhe hija janë themeltare për perceptimin tonë mbi hapësirën dhe errësira e theksimet na ndihmojnë të përcaktojmë sipërfaqet e të dallojmë vëllimin. Dhe, ndryshe nga Leonardo da Vinci, i cili e përdorte këtë teknikë përmes nënkuptimit të dritës, pra dritës së perceptuar nga mendja e shikuesit, Caravaggio e shpaloste atë haptazi, përmes stilit natyralist, duke shkaktuar tronditje te çdo shikues.
Modelet e tij nuk kishin status të lartë por ishin njerëzit më të përçmuar, të varfër e të paragjykuar të shoqërisë.
Caravaggio vdiq në vitin 1610 teksa kthehej nga Napoli në Romë, i vetëm, në errësirë dhe mjerim. Ai vdiq po aq keq sikurse edhe jetoi. Ai ishte prototipi i “artistit të mallkuar,” por i cili e tronditi botën e artit dhe madje të gjithë botëkuptimin e kohës në të cilën jetoi, duke e vrarë artin, por duke e ringjallur atë përsëri, gjatë tri dekadave të jetës së tij, duke shërbyer kështu si një shpëtimtar për gjendjen statike në të cilën gjendej arti i kohës, duke e rishfaqur atë me një fytyrë të re, plot nuanca teatrale, natyralizëm, dhe dramë njerëzore.