Ndërkohë që kanë përfunduar përgatitjet për Kuvendin e Vatrës, kanë mbyllur llogaritë e pagesat e anëtarësive më shumë se 500 vatranë, janë zgjedhur delegatët dhe po plotësohen mandatet dhe Fletët e Votimit(për të mos përdorë në Kuvend copëza letre si në të shkuarën),- dy degë-njera me 20 anëtarë e tjetra me 15, si dhe një grup prej 15 vetash i shpërndarë, kërkojnë”bashkim”përmes përcarjes,… 500 vatranët u dashka t’u binden 50 vatranëve dhe të shkojnë në Kuvendin që ata kanë në mendje për ta zhvilluar pas 3 muajëve!
– E mira është që pakica duhet të vijë tek shumica, t’i kërkojë falje për sulmet e padrejta dhe të zgjasë dorën e pajtimit. Ka ende kohë për të gjetë rrugën e arsyeshme sipas Frymës së Vatrës. E mira e Vatrës është BASHKIMI. Vatra ka nevojë për secilin anëtar të saj.
***
Me 19 Janar 2020, në orën 9 para dite, në Teqenë “Baba Rexhebi” në Taylor, Michigan, do të nisë punimet Kuvendi vjetor i Vatrës, i cili do t’i japë një shtysë të re Federatës dhe do të përcaktojë vizionin e saj në Shekullin e 21,do të përmirësojë problemet organizative, do t’i zgjasë dorën rinisë për t’u bërë pjesë e saj, dhe do të gjallërojë më tej Vatrën më shumë se një shekullore. Këtë frymë kanë pasur deri tani të gjithë Kuvendet e Vatrës përgjatë 107 viteve të egzistencës(me 28 Prill 2020 Vatra feston përvjetorin e 108-të)
Po të shfletosh rekordet që ndodhen në arkivin e Vatrës, Kuvendet, kanë qenë përherë manifestime festive, me frymë demokratike të kuvendimeve të lira për ta çuar përpara punën e Vatrës. Vetë qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia historike e organizatës më të vjetër shqiptare në botë, dëshmojnë rolin dhe forcën e saj jo vetëm në historinë e Federatës, por edhe në Historinë e Kombit.
Kuvendi i sivjetshëm merr një rëndësi të jashtzakonshme sepse ka të bëjë me të ardhmen e Federatës dhe frymën bashkuse dhe Jo përçarse. Për herë të parë ka një Lëvizje jashtë strukturave të Vatrës që i paraprin Kuvendit dhe është shfaqur një tendencë për Kuvend paral!
Një grupim në minorancë, që mund të ketë rreth vetes 30-40 anëtarë, grupuar në 2 degë, (kur 60 perqind jane nga nje familje) …ka dy vjet që kërkon t’i diktojë shumicës zyrtare(rreth 500- 550 vatranë) rregulla jashtë Kushtetutës së Vatrës, e shkelin Kushtetutën me të dyja këmbët dhe kërkojnë respektimin e Kushtetutës .
Kujtesa e së djeshmes, jo të largët, duhet t’na bëjë më të ndërgjgjeshëm në veprimet, deklarimet dhe shkrimet nëpër gazeta.Me 1 Mars 2014 ish kryetari Buçaj, ne emer te Kryesisë, i dergoi leter deges “South Westchester” në New York duke i tërhequr vëmendjen se kishte shkelë Kanunoren e VATRËS, duke emërtuar e regjistruar më vete degën dhe i vinte afate kohore për të paguar anëtarësitë, ndryshe ata ishin të lirë të krijonin organizatë më vete, por jo brenda struktuarve të Vatrës. Pat dhe një takim formal me ta në Vatër, ku iu kërkua që të shlyenin pagesat e anëtarësive, ndryshe nuk mund te ishin pjesë e Vatrës. Dega e Washingtonit po hyn në vitin e tretë të mosshlyerjes të pagesave të anëtarësive, ka më shumë se dy vjet që ka braktisur aktivitetet e qendrës, dhe ish kryetari, që së bashku me familjen përbëjnë mazhorancën e kësaj dege me 20 anëtarë, e quan normale!
Ka gati tre vjet që minoranca e 5 tetorit i kundërvihet në mënyrë agresive Vatrës zyrtare, duke hedhur në publik akuza, fyerje dhe pretendime. Sipas tyre Kryetarit të tanishëm të Vatrës i paska dalë mandati para një viti, ndërkohë që Vatra është drejtuar pa Kuvende me të njëjtin kryetar, e të njëjtët nënkryetarë, për rreth dy dekada dhe askush nuk ka bërë zhurmë për të përçarë Vatrën. Po t’i shtosh këtij fakti edhe elementin tjetër se zhurma dhe kontestimi i kryetarit aktual ka nisë një javë pas Kuvendit të Qershorit të vitit 2017, e merr me mend se në çfarë trysnie kanë punuar strukturat e pas Kuvendit të Qershorit 2017. Nëse Kuvendi i para 2 viteve e 6 muaj kontestohet, përgjegjësia nuk mund ti ngarkohet kryetarit Mishto, që u zgjodh, se nuk e bëri ai Kuvendin, por përgjegjësia i mbetet kryetarit Buçaj dhe ekipit të tij, që e organizuan atë Kuvend,- ashtu siç është përgjegjësi e kryetarit të tanishëm mbarëvajtja e Kuvendit të 19 janarit, për të cilin nuk do të jetë përgjegjës kryetari që do të zgjidhet, por ky që po e organizon, pra Dritan Mishto.Sipas Kushtetutës së Vatrës, kjo është aksiomë, dhe nuk mund të diskutohet.
Ish Kryetari Buçaj ka meritë sepse riktheu Vatrën tek Kuvendet e rregullta me Kuvendin e vitit 2013, në vitin e 101-të të themelimit të Federatës. Gjatë atij Kuvendi pat dhe një risi, u shfaqën dy kandidatura, krahas Kryetarit Buçaj, konkuroi nga brezi i ri bankieri Nick Markolaj. Por të gjithë e dimë fatin e tij dhe të degës së tij me 82 anëtarë(të gjithë bankierë, avokatë, mjekë, finacierë)- dega u përjashtua me vendim strukturash sepse kishte dalë janshtë vijës zyrtare të Vatrës-për largimin e tyre jemi të gjithë dëshmitarë e përgjegjës,por kryetar ishte z. Buçaj dhe përjashtimin e udhëhoqi ai.Pyetja është fare e thjeshtë: Përse me dy standarte? Një degë me 82 anëtarë përjashtohet nga Federata, ndërsa 30-40 vatranë të prirur nga një komision antikushtetues,- “Komisioni i 5 tetorit”- paskan të drejtë të ndajnë a shkatërrojnë Vatrën? Si mund të lejojë dhe të frymëzojë një ish kryetar e ish nën/kryetar për më shumë se dy dekada, krijimin e komisioneve antiligjore, jasht strukturave të Vatrës, për të organizuar Kuvend paralel? Për më shumë se dy vjet kjo minorancë e ka marrë si dobsi a fajësi të shumicës mosreagimin ndaj sulmeve ndër emaila kolektive, gazeta, portale,madje dhe website televizonesh,- në fakt ka qenë maturi për t’mos e dëmuar Vatrën dhe imazhin e saj.
Nuk është FRYME e Vatrës: inati, mllefi, sharjet në publik pa të drejtë, fyerjet, prekja e familjeve, biografite fallso etj. Për frymën vatrane Familja është e shenjtë dhe askush nuk ka të drejtë ta përgojojë.
E mira është që pakica duhet të vijë tek shumica, t’i kërkojë falje për sulmet e padrejta dhe të zgjasë dorën e pajtimit. Ka ende kohë për të gjetë rrugën e arsyeshme sipas Frymës së Vatrës. E mira e Vatrës është BASHKIMI. Vatra ka nevojë për secilin anëtar të saj.
Për këtë KUVEND janë dy kandidatura që janë bërë publike për Kryetarin e ardhshëm,ndoshta përgjatë kuvendit mund të shfaqen dhe të tjerë. Lobimi për kandidatin e preferuar, brenda rregullave demokratike, është normal, por lobimi duke shkelur rregullat dhe Kushtetutën e Vatrës, mund të na çojë në përçarje të re, prandaj të tregojmë kujdes dhe gjithçka ta bëjmë me maturi dhe konform rregullave dhe Kushtetutës së Vatrës. Kandidatët le të konkurojnë me platforma, vizione të së ardhmes. Jo lobim gjatë votimit se mund të ndodhë si në Kuvendin e të shkuarës, kur një pjesë prej atyre që lobuan gjatë votimit për kryetarin aktual, tashmë janë kundër tij në komisionin e 5 tetorit! Ky Kuvend duhet të jetë modeli i trasparencës dhe respektimit të Kushtetutës dhe të nxjerrë mësime nga Kuvendet e së shkuarës.