Takimi i radhës midis presidentëve Thaçi e Vuçiq më 18 korrik/
Takimi i radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, pritet të zhvillohet më 18 korrik, ka konfirmuar kabineti i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën e ardhshme në Bruksel në kuadër të vazhdimit të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve, bëhet e ditur nga kabineti i Mogherinit.
Kjo fazë e dialogut, nga të dyja palët është cilësuar si finale e vendimeve që pritet të merren në këtë proces të gjatë të bisedimeve.
Në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Përfaqësueses së lartë të BE-së, thuhet se në takim do të diskutohet për vazhdimin e procesit që do të çojë drejt marrëveshjes. Bashkimi Evropian pret që të sigurohet nga të dyja palët se do të bashkëpunojnë që procesi të vazhdojë tutje në mënyrë intensive.
Takimi i fundit mes presidentëve Thaçi e Vuçiq është zhvilluar po në Bruksel, më 15 qershor.
Të dy presidentët kanë paralajmëruar tashmë kompromise e vendime të vështira, por të cilat nuk i kanë trajtuar para opinionit.