Nga Ilir LEVONJA/
1)7 prill 1939. Asnjë web shqiptar nuk shoh ta përkujtojë këtë datë. Sot jemi në afrimitet bashkëjetues me Italinë. Me italianët. Ishim edhe atëhere. Italia njihet si investitorja më e madhe e të gjitha kohëve. Edhe pse Turqia na sundoi pesëqind vjet. Bëri me shumicë pashallarë, deputetë, ministra, guvernatorë, nga shqiptarët. Nuk bëri asnjë pëllëmbë rrugë në Shqipëri. Megjithatë jemi tek Italia. 7 prilli në fakt është rasti më i përkryer në përcaktimin e standartit edhe për titullin dëshmor. Nuk do i shërbejë vetëm memories sonë. Por edhe gabimeve tona. Nuk do i shërbejë vetëm Shqipërisë. Por edhe brezave italoshqiptarë që po rriten, duke bërë dallimin midis furisë shterpe të një ideollogjie siç ishte fashizmi. Dhe dashurisë italo-shqiptare. Madje të bëhej e përbashkët, atje në Durrës. Ku nis dhe kuptimi i emrit patriot.
2) Me që jemi në Durrës. Dhe po shumë zhurmë për një kandidaturë hibrit. Midis aleatëve. I duhet thënë Pd se mjaft mbajte në pushtet aleatë inekzistent. Mjaft riciklove hibrite. Mjaftë duke bërë deputetë aleatë me tipa vetë kryetarë, vetë sekretarë, vetë anëtarë. Lëri aleatët të rriten. Lëri ta fitojnë vetë ekzistencën e tyre. Një vullnet politik republican, nuk mund të bëhet me riciklim të ashqujtur socialistë, me vullnet kryeneçi dhe arrogance njëshi. Me ricklim të vetshpallurish apo vetëofruarish. Nëse ai Durrës nuk u voton me një democrat të ri, të zgjedhur prej forumeve, me prurje të re, të pa provuar; të pa kavardisur majtas, djathtas, mënjanë, në qëndër, sipër, poshtë…më mire nështrojuni fatit të demokratit se sa hibridit. Një fitore me hibrit nuk është e juaja. Kërkojeni shpjegimin tek vetja, jo tek Durrësi. Durrësin veç do ta nanurisni, I duhet thënë edhe Mediut, dil vetëm. Mjaft me kërcënime. Tashmë Pr e Godos, është simotra e Psd së Gjinushit.
3)Në Fier ka një alarm njerëzor. Shpërthimi i puseve. A ka mundësi të solidarizoheni me ata. Për zgjidhje afatgjata të problemeve. Duke lënë pas dore deklaratat elektorale të dëmshpërblimeve.
7 prill 2015
7 PRILLI- Përvjetori i qëndëresës nga Abaz Kupi dhe pengu i të birit, Fatbardhit
Nga Dalip Greca/
Qendresa shqiptare kunder pushtimit fashist te Shqiperise, nuk mund te kuptohet pa qendrestaret dhe heronjte, pa kapterin hero Mujo Ulqinaku dhe komandantin e tij, heroin e 7 prillit, Abaz Kupi.I biri i heroit te 7 prillit, Fatbardh Kupi, i vetmi djalë i Abaz Kupit,që mbeti në Shqipëri, nuk pati fat që t’i hidhte një dorë dhe’ të atit. Keto dite Bardhi eshte ne Ohajo. Aktin e te atit e perjeton me krenari. Ne kete 7 prill,brenda vetes ndjene dhimbjen që i shkakton pengu që nuk arriti t’i thoshte atit: ”Babë nuk ligshtohem, nuk pendohem për vuajtjet gjatë 45 viteve nëpër burgje e kampet e internimit. Gjithçka e kemi bërë me vetëdije se ia vlente të vuaje për një babë –hero.”
***
Fatbardhin, djalin e Abaz Kupit, që mbeti në duart e komunistëve së bashku me nënën dhe motrat, e takova pak kohë më parë. E kishim lënë takimin tek restoranti “Dani’s House of Pizza” , që ndodhet në Kew Gardens në Queens. Kishim zgjedhur enkas, mjedisin ku kishte kaluar kohën më të shumtë të fundjetës së tij, heroi i qëndresës së 7 prillit, babai i Fatbardhit, Abaz Kupi.
Në takim, ishte dhe një i tretë: Ndrec Gjergji, i cili ka qenë shpesh nën shoqërinë e Abaz Kupit. Fatbardhi ishte ulur pikërisht në tavolinën e dytë, tek dritarja, me vështrimin nga rruga dhe dukej i përhumbur tek sodiste peisazhin. Me vështrim të tretur tutje në hapësirë, e gjeta tek hyra pas një vonese në trafik.
– Ja këtu qëndronte Abaz Aga. Vinte në mëngjes në orën 9, pinte kafen, shkëmbente lajmet e reja përmes bisedave me bashkëpunëtorët, aty nga ora 10, dilte shëtitje në parkun e afërt të zonës dhe kthehej rreth orës një të drekës, – sjell në kujtesë kohën e largët, Ndrec Gjergji….
Fatbardhi, ka një ndriçim në sytë e lagur nga lotët, ndërsa në diktofonin tim ruhet tingulli i përvajshëm i atij rrëfimi plot mall për të atin. Kështu ia kam parë atij përherë sytë, të lagur nga lotët dhe të ndriçuar nga një shkëlqim i veçantë. I ndodh kjo sa herë bie fjala për të atin e tij, Abazin. Më kujtohet një moment kur legalisti veteran, Enver Shaska(ndjese paste), solli një kujtim nga Abaz Kupi në kohën e ikjes nga Shqipëria, Bardhit i ndriçonin sytë nga kënaqësia që dëgjonte mire për të atin.
Kur i them se do të shkruaj diçka për vuajtjet e Fatbardhit në burgjet dhe kampet e internimit, ai shqipton një ”Jo” të prerë. Nuk është e para herë që ia bëj këtë propozim, por ai sërish kundërshton prerazi:
-Të lutem, mos e bëj këtë, jam tepër i vogël para atit tim. Gjatë të gjithë jetës kam jetuar me krenarinë e të qenit bir i atij, që i vuri gjoksin luftës në Durrës dhe i priti këmishzinjtë fashistë, me luftë. Vuajtjet e mia janë të vogla para madhështisë së tim eti. Shkruaj për atë, se ma lehtëson dhimbjen dhe mallin….I bindem vendimit te tij.
Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan kundër gjermanëve
Në tavolinë, para duarve, Bardhi mban librin e britanikut Peter Kemp ”No Colour or Crest”. Ndjehet i lumtur që britanikët kanë arritur ta japin madhështinë e atit të tij, në kundërshtim me historiografinë komuniste, që i mohoi heroit jo vetëm kontributin në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, por edhe qëndresën e 7 prillit.
Bardhi shfleton dhe ndalet diku në faqen 142 të librit të Peter Kemp, ku britaniku shpreh habinë se si Enver Hoxha, edhe pse nuk ishte i pranishëm në luftimet e gjermanëve gjatë sulmit mbi Krujë, i mohonte Abaz Kupit mbajtjen e peshës së luftës në këtë betejë. Për Peter Kemp, Abaz Kupi luftoi si luan për të shpëtuar Krujën e tij të dashur, ndërkohë, shkruan ai, nuk vepruan kështu as partizanët e Haxhi Lleshit, as formacioni italian, që pasi ishte dorëzuar e bashkuar me forcat shqiptare, kishte vendosur të luftonte kundër gjermanëve. Britaniku përdor tamam fjalën “luan” për të përshkruar mënyrën e luftimit të Abaz Kupit në atë betejë. Gjermanët u përpoqën që ta thyenin me artileri, Abaz Kupin, kryembrojtësin e Krujës, por ai qëndroi dhe i udhëhoqi trimat e tij, si hero. Peter Kemp dëshmon nga fronti i luftës. Ai sjell edhe detajin tjetër, atë që gjatë bombardimeve, humbi jetën kunata e Abaz Kupit. Dhe si mund të mos luftonte Abaz Kupi kundër gjermanëve, ku luftonte brenda në shtëpinë e tij? Mbronte jetën e familjes së tij, të atdheut të tij? Ishte në interes të komunistëve për të mos ia njohur pjesëmarrjen në betejë kundër gjermanëve heroit të 7 prillit sepse Enver Hoxha kërkonte t’i radhiste të gjithë nacionalistët në anën e pushtuesve, që t’ia faturonte vetes atributet e çlironjësit dhe tortën e pushtetit nuk pranonte ta ndante me të tjerët. Ishte po ai Enver Hoxha, që në buletinet e “Zërit të Popullit”, shkruante me entuziazëm, se Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush nuk mund të nënshtrojë Shqipërinë me heronj të tillë. Mirëpo më pas, kur Mukja tregoi se kush ishin nacionalistët dhe kush internacionalistët, Abaz Kupi u shpall armik nga komunistët dhe ia mohuan luftën.
Abaz Kupi, shtyllë e luftës
Abaz Kupit nuk mund t’i mohohen meritat e luftës. Komunistët u përpoqën që ta rrëzonin mitin e tij në Shqipëri por nuk mundën, demokratët duhet të bëjnë më shumë për ta lartësuar figurën e këtij heroi, që i vuri gjoksin armikut.
Abaz Kupi nuk është nga ata heronj që ngjiten sot e rrëzohen nesër. Ai me aktin e vet ka fituar përjetësinë. E kishte rrëmbyer pushkën që kur ishte 15 vjeç. Ndërsa në momentin e 6 prillit 1939, kur mori urdhërin, për t’i dalë ballpërballë sulmit të hordhive fashiste në Durrës, ai u fut në historinë e Shqipërisë me të dyja këmbët. Përballë dhjetëramijëra fashistëve ai kishte nën komandë vetëm 500 xhandarë me uniformë të rregullt dhe 500 vullnetarë, që s’ishin gjë tjetër veçse ithtarë të tij. Me këta një mijë luftëtarë e organizoi mbrojtjen e Durrësit, ai që mbretërorët e thërrasin, Gjenerali Abaz Kupi, ndërsa anglezët, heroi shqiptar. Kështu e cilëson David Smiley, kështu e përshkruan edhe Julian Emery tek ”Sons of the Eagle”, po kështu edhe Peter Kemp në librin e tij ”No colour or Crest”.
Në një letër që Abaz Kupi i dërgonte pas luftës, Ministrit të Jashtëm britanik Anthony Eden, rezistencën e tij gjatë luftës e përshkruan me fakte, që komunistët u përpoqën t’ia mohonin. Rezistencën ndaj sulmit fashist në Shqipëri ai e përshkruan kështu: ”Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëhere dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqëndrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i patur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim. Duhet thënë se gjatë kësaj kohe, artileria jonë goditi rëndë dy nga anijet e armikut, ku ushtarët e tij ishin të grumbulluar aty ngushtë, me ç’rast armiku humbi aty qindra të vrarë. Në këto rrethana u largova nga vendi im dhe dola në Jugosllavi, ku u takova me kolonelin Oacly Hill dhe oficerë të tjerë britanikë, kolegë të mi, me të cilët kam patur shumë raste bashkëpunimi”.
Abaz Kupi nuk do t’i rreshte përpjekjet e tij për të organizuar qëndresën antifashiste. Heroizmi i tij nuk përfundon në Durrës. Në vitin 1941 së bashku me kolonelin anglez Hill, Gani Kryeziun dhe Abaz Kupi dhe çeta e tij, rihynë nga Jugosllavia në Shqipëri për të vazhduar luftën. Drejtimi ishte për në Shkodër. Pas përpjekjesh në Tropojë arritën që të mbërrijnë deri në Bogë. Kapitullimi i Jugosllavisë bëri që të ktheheshin mbrapsht dhe të qëndronin në malet e Gjakovës. Koloneli Hill preferoi të qëndronte me Gani Kryeziun, ndërsa Abaz Kupi u fut në thellësi të Shqipërisë për të organizuar rezistencën kundër fashistëve. Abaz Kupi u bë tmerr për milicinë fashiste, e cila angazhoi më shumë se 2 mijë forca për ta kapur atë. Numri i luftëtarëve që e pasonin Abaz Kupin shtohej çdo ditë.Ai ishte një ndër faktorët kryesorë të luftës, ishte një ndër shtyllat që mbante rezistencën. Në vitin 1943, forcat e tij rrethuan një batalion të armikut në Burrel. Rrethimi ishte një darë e shtërnguar fort, që nuk e lëshonte armikun, të cilit iu nis për ndihmë nga Tirana një tjetër regjiment i armatosur rëndë. Forcat e Abaz Kupit e rrethuan edhe këtë regjiment, i cili u ngujua shumë kohë në malet e Matit.Fashistët lanë në këtë rrethim 300 të vrarë. Edhe forcat e tjera që nisën okupatorët nga ana e Qafë Shtamës për t’i ardhur në ndihmë të rrethuarëve lanë pas shumë të vrarë e të plagosur.
Një tjetër betejë kanë zhvilluar forcat e Abaz Kupit, tri javë më pas në Suç të Matit. Vërtetë që pat të vrarë e të plagosur nga radhët e tij, por armiku pas beteje publikoi në buletinin e luftës 170 të vrarë nga radhët e veta, kurse pjesa tjetër u dorëzuan. Pas kësaj forcat fashiste bënë reprezalje në Mat, ku dogjën më shumë se 2 mijë shtëpi të përkrahësve të Abaz Kupit.
Kur kronikat e betejave të Abaz Kupit morën jehonë edhe jashtë Shqipërisë, aleatët çojnë në shtabin e tij majorin anglez Niel. Së bashku përgatitën planin për t’u marrë gjermanëve Krujën. Lufta zgjati tre ditë dhe gjermanët pësuan humbje të mëdha. Në ditën e tretë mbërritën përforcime të shumta naziste, dhe Abaz Kupi i tërhoqi forcat në lartësitë e maleve.
Më pas në shtabin e tij mbërrijnë gjenerali Davies bashkë me kolonelin Nikols. Pas bashkëbisedimit vendosin që të rifillojnë luftimet guerrilje. U hartua edhe një projekt i përbashkët për të shtrirë rezistencën në Dibër, Kosovë dhe në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Gjenerali Davies dhe majori Nikols do të shoqëroheshin nga Abaz Kupi në këtë axhendë. Fatkeqësisht ky projekt nuk u realizua sepse gjenerali kishte rënë në përpjekje dhe qe zënë rob, ndërsa Nikolsit i kishin ngrirë këmbët. Abaz Kupi çoi në ndihmë të Nikols një skuadër trimash dhe arriti ta tërhiqte nga malet e Matit. E vendosi në shtëpinë e një miku të tij dhe u mor vetë me mikun anglez, duke i siguruar të gjitha kushtet dhe gjetjen e kirurgut për operacionin e këmbës, por mjerisht Nikols nuk e përballoi dot, ai vdiq dhe u varros pranë shtëpisë të një miku të Abaz Kupit. Në vijim të ngjarjeve të luftës në shtabin e Abaz Kupit mbërriti një tjetër anglez, koloneli Bill Maclin. Në bashkëpunim me të Abaz Kupi vendosi të merrte përsipër luftën guerrilje në një front të gjërë nga Kosova në Pogradec.
Në dispozicion të kolonelit Maclin, Abaz Kupi vuri një çetë të madhe me 300 luftëtarë, duke vënë në krye të tyre një kolonel të sprovuar dhe të birin, Petrit Kupi. Gjithçka përballohej financiarisht nga vetë Abaz Kupi. Kjo çetë, e ndihmuar edhe nga oficerët anglezë ka kryer shumë akte sabotazhi për të paralizuar pushtuesin. Një aksion të bujshëm përbën hedhja në erë e urës së Gjoljes dhe shumë aksione kundër gjermanëve gjatë bregut të Detit, ku u sulmuan kolonat gjermane, u dogjën makina dhe u vranë gjermanë. Abaz Kupi nuk i mori premtimet që i dhanë aleatët dhe e përballojë luftën me financat e veta, madje siç shkruan Julian Amery, ai mbajti dhe misionin anglez. Abaz Kupi priti zbarkimin e aleatëve, por më kot, zbarkimi nuk u krye siç premtohej. Në këto kushte, në marrëveshje me kolonelin Maclin, majorat Amery dhe Smiley, ai vendosi që t’i shpërndante forcat e veta dhe të largohej nga Shqipëria. Me vete mori dy djemtë, Petritin dhe Rrustemin, ndërsa më të voglin, Fatbardhin e lë për të pasur në kujdes familjen e mbetur.
Besa dhe pengu i të birit
Fatbardhit i kujtohet si tani takim i fundit me të atin, i cili e kishte thirrur dhe i kishte përcjellë vendimin, që sapo kishte marrë:- “Unë po iki për pak kohë. Ti Bardhi shko në shtëpi dhe qëndro pranë nënës dhe motrave”. Bardhi, që ende nuk e dinte vendimin e ikjes, e ka pyetur, po pse duhet të kthehem në shtëpi? Unë s’jam fëmijë… Qetë-qetë, i ati i është kthyer me fjalë të matura:”- Ato kanë nevojë për mbrojtje dhe unë po ta besoj ty këtë detyrë sepse kam besim”. Pas kësaj, i ati, kishte nxjerrë një letër, dhe i kishte kërkuar që të nëshkruante aty një deklaratë bese se nuk do t’i braktiste kurrë nënën dhe motrat; . Pa e kuptuar mirë se ç’po i kërkohej, djaloshi 17 vjeçar ia kthen:
– “Kur të mërzitem, do të iki ndonjëherë se s’mund të rri gjatë në shtëpi me gratë”.
Ati këmbënguli që s’duhej të lëvizte pa i ardhë lajmërimi prej tij dhe të kujdesej për nënën dhe motrat, Dudinë, Hyrien dhe Bukurinë. Madje i kërkoi që ta firmoste besën përmes deklaratës dhe të jepte fjalën e burrit.
Letra pasi u firmos nga i biri, u palos në katërsh dhe babai e futi në portofol.
Letra kishte vetëm një fjali, kujton Bardhi:
”Nuk largohem nga familja pa më lajmëruar baba”….
Poshtë firma.
Kur erdhi në Amerikë, pasi shkoi dhe qau gjatë mbi varrin e babës, Bardhi pyeti nëse dinte ndokush gjë për atë letrën që baba mbante në portofol, por mjerisht nuk ia gjeti gjurmët.
Kjo e ka ligështuar Bardhin dhe ende vazhdon të pyes ata që kanë qenë afër tij nëse ka kush dijeni për atë copëz letër, që e mbajti lidhur shpirtërisht me atin e vet gjatë kohëve të vëshitira në qelitë e ftohta, në galeritë e vdekjes, apo gjatë vuatjeve të pafundme nëpër kampet e internimit.
Kur e provokonin për të atin
Kur Abaz Kupi kishte marrë rrugën e largimit nga atdheu dhe kapërcimin e detit Adriatik, fati i Bardhit ishte parashkruar për vuajtje.
Por le ta ndjekim fatin e tij. Për pak kohë Fatbardhi që ende nuk i kishte mbushë 18 vjeç, përfundon në radhët e partizanëve. Historia ndodhi kështu:Abaz Kupi ishte bërë vëllam me babën e Gjin Markut. Familjen e Gjin Markut e ka mbajtë Abaz Kupi për shumë kohë. Madje ai e ka çuar Gjin Markun në shkollë dhe i ka dhënë përkrahje. Pasi kishte ikur Abaz Kupi, Gjin Marku në krye të Divizionit të gjashtë partizan mbërriti në Shkodër. Shkoi dhe takoi nënën e Bardhit dhe i kërkoi që ta merrte të birin me vete. I tha nënës:- Bardhin po e marr me vete se nuk i dihet se ç’ndodh me të. Është djal i ri. Kam firkë se po e lashë këtu me ty, atë ose do ta vrasin ose do ta burgosin. Dhe Bardhi hyri në rreshtat e divizionit duke pasur mbështetjen e mikut të familjes, komandantit të divizionit.
Kujton se provokimeve dhe ngacmimeve, që i vinin, u përgjigjej sy më sy. Kur oficerët madhor i thonin se Kadri Hoxha do ta kap dhe do ta vrasë babën tënd ose do ta sjell të lidhur këtu duarlidhur, ai qëndronte gjakftohtë. Por kur provokimet shtoheshin me pyetje të tilla: Po ti çdo të bësh kur ta vrasim babën?
Ai u përgjigjej: Po vranë babën tim, unë o Enverin, o Koçi Xoxen do t’i vras!
Ishte reagimi i një 17 vjeçari, i rritur nën legjendat e trimërisë të të atit.
Nuk i ndoqi gjatë gjurmët e partizanëve. Ndërkohë që Divizioni i Gjin Markut kapërceu në Vishegrad, Bardhi i sëmurë rëndë u shtrua në spital. Pasi u shërua mori raport mjeksor për paaftësi shëndetsore. Mirëpo raporti duhej firmosur në Korpusin e Shkodrës. Shkoi në komandë, ku gjeti Shefqet Peçin dhe Beqir Ballukun.Pa firmën e tyre s’mund të lirohej, do ta cilësonin dezertor. Sekretari ishte krutan, daja i Sami dhe Gani Kupit, kushëririt të tij.Ai ia përgatiti lejen në bazë të raportit, të cilën duhej ta firmoste ose komandanti ose komisari. Kur hyn në zyrë, Shefqet Peçi e provokon për babain duke ia sharë. Bardhi ia kthen dhe debati ashpërsohet. Hyn në mes Beqir Balluku, i cili shmangu sherrin. Ia mori raportin dhe ia firmosi duke i bërtitur fort:Hajt ik tani!
– Këtë burrëri e bëri Beqir Balluku, nuk e di nga se u nis, por unë nuk ia harroj, më shpëtoi se Shefqeti ishte ekstremist dhe gjaksor, e kujton atë incident të vështirë.
Arrestohet si armik i popullit
Fatbardh Kupi është një ndër ata që i kanë bërë qëndresë diktaturës. Ai provoi qelitë e hetuesisë dhe burgjet në një moshë të re. U burgos dy herë, dhe u internua për 30 vjet, por nuk u thye. Nëse ndokush do t’më kishte detyruar të nënshkruaja për bashkëpunim, sot nuk do të isha gjallë, as unë, por as ai që do të kishte arritë t’ma merrte firmën,thotë me vështrim të kthjellët.
Fatbardhi e provoi internimin që në kohën e pushtimit fashist, pas rezistencës së Abaz kupit. Fillimisht në Himarë, më pas në Itali. Diktatura komuniste nuk mund t’i ofronte një jetë të qetë, përkundrazi e futi nëpër dhëmbzat e diktaturës. Ai qëndroi dhe e sfidoi atë.
Po si erdhi arrestimi i parë?
Kishte rënë Gjermania, Luftës së Dytë Botërore i kishte ardhë fundi. Filluan festimet edhe në Krujë si në të gjithë Shqipërinë. Bardhi kishte të gjithë arsenalin e armatimeve në shtëpi, ende s’kishte filluar aksioni i çarmatimit të popullsisë. Ai kujton se si zbrazeshin armët dhe hidheshin bomba sa i gjithë qyteti tronditej nga shëprthimet. Mirëpo gjashtë bomba nuk plasën dhe përbënin rrezik për banorët. Ushtarët filluan t’i gjuanin për t’i plasur. Nuk po plasnin dot nga që nuk arrinin t’i godisnin. I thotë një krutani që kishte pranë, a ma jep pushkën? Ai ia jep dhe Bardhi merr shenjë. Në çdo gjuajtje plaste një bombë. I plasi të gjashta.
Ai që i dha pushkën thirri fort:- S’ka mor vlla, është me xhins kjo punë. Shtëpi pushke Kupi! Lisi nën lis mbin!
Kjo dikënd xhelozoi dhe në këto rrethana erdhi arrestimi i parë i Bardhit. Ishte 9 qershor 1945, kur përfundoi në qelitë e torturave.
Prokurori në aktakuzë e akuzoi se kishte mobilizuar popullin në radhët e Legalitetit, kishte bashkëpunuar me rininë e ballit, ishte në radhët e armiqve të popullit. E dënoi Petrit Hakani. Nënën dhe motrat i internuan në kampin e Tepelenës, i cili njihet mirë për kushtet çnjerëzore, sa ndryshe thirrej si kampi i vdekjes. Vdekja rrëmbeu shumë jetë të pafajshme në atë kamp shfarosës.Bardhi i përballoi me stoicizëm vuajtjet e burgut. Pasi kreu dënimin e internuan në Porto Palermo, një tjetër ferr i diktaturës. Pas 6 muajësh kthehet edhe ai në kampin famkeq të Tepelenës, ku qëndroi një vit.
Kur e pyes se çfarë i ka mbetur në kujtesë nga Tepelena, përmes trishtimit shqipton vetëm një fjali:”Kur merrnim tasin me supë pastronim krimbat edhe pastaj e hanim atë që mbetej.”
Në kujtesë sjell rastin, kur një nënë këmbëngulte që të qëndronte në kamp një ditë të ftohtë dimri, të mos shkonte në punë, se kishte vajzën të sëmurë, por polici e tërhoqi zvarrë dhe e detyroi që të shkonte në punë. Të shkretës i mbeti koka pas. Kur u kthye vajzën e gjeti të vdekur.
Pas Tepelenës Bardhin e internuan në Çorovodë, Skrapar, në një kamp me tela me gjemba dhe atje. Aty punuan si skllevër.
Kalvari s’ka të mbaruar. Kudo ku ndërtohej, çonin “bijtë e armiqëve”. Më pas e dërgojnë në fabrikën e tullave në Tiranë.Pas heqjes së kampeve me tela i dërguan në kampet fushore të Myzeqesë. Në fillim në Pluk. Pas kësaj e internuan në një kamp brenda burgut në Radostinë, ku e mbajtën deri në vitin 1958, më pas erdhi internimi tjetër në Kuç. Kur u hap sektoi i ri internimit në Gradishtë e internuan atje familjen.Më vonë internuan atje dhe Bardhin.
Për herë të dytë u arrestua me 1981.Arrestimi erdhi pa asnjë shkak. U akuzua pse ishte shprehur se Partia e Enverit ia ka mohuar të drejtat babait Abaz Kupi, që ka luftuar kundër armiqëve të Shqipërisë. Kaq mjaftonte për ta dënuar për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe pushtetit. Ai kujton gjyqin e montuar. Dëshmitarët fallso, të cilët kur ai doli nga burgu të penduar qanin dhe i kërkonin ndjesë.
Si tani i kujtohet, kur njëri prej dëshmitarëve, G V, i tha se poshtërsia më e madhe në jetën e tij ishte dalja dëshmitar i rremë në gjyqin kundër Bardhit, por e kishin detyruar. I gjithë gjyqi ishte i montuar. Atëherë i kishin bërë ekspertizën e një hartimi që kishte shkruar Bardhi në shkollën e natës. Në atë hartim shkruante për vjeshtën, stina ku binin gjethet. Dhe natyrisht që akuzohej se aludonte për rrëzimin e pushtetit.
U dënua me 10 vjet burg. Kaloi kohë të vështira në burgun e Ballshit. Më pas do të provonte Qafë-Barin, Bulqizën etj.
Me kujtimet për të atin
Edhe në çastet më të vështira të jetës Fatbardh Kupi është ushqyer nga madhështia e veprës së atit të tij. Kujton nga burgimi i parë: “Kur isha në burg më thërret Patër Anton Harapi. Eja ti djali i Abazit luajmë një shah bashkë! Në fakt ai luante shkëlqyeshëm, shahun, por edhe unë e kisha qejf.
Ngrihem dhe shkoj në qelinë e tij dhe bëj gati gurët e shahut. Kur ishin vendosur gurët dhe loja ishte gati për të filluar, Patër Anton Harapi, më thotë:Nuk të kam thirrë për të luajtur shah vërtetë, por të thirra që të them se ke pasë një baba trim e të mençur. Përpiqu t’i ngjash!”
Atëherë Bardhi, e pyet:-e keni njohur babain tim?
Ai i qe përgjigjur:” Si jo! E kam takuar. Para se ta takoja për të parën herë, mendova se po takoja thjesht një kaçak, nga ata luftëtarët që thjeshtë dinë të luftojnë dhe aq. Por, pas takimit, u ndjeva shumë i gëzuar se kisha takuar një njeri mendjehollë, të mençur. Që kur e nxirrte fjalën e mendonte gjatë, por nuk i binte në tokë!”
Këtë bisedë Bardh Kupi e ruante si një hajmali brenda shpirtit të vet, edhe kur e torturonin apo e provokonin, dhe ajo i jepte kurajo. Ndjehej krenar që një euridit si Patër Anton Harapi ishte ndarë me mendimet më të mira nga takimi me atin e tij. Pas shembjes së komunizmit, studiuesi Uran Butka, i kishte thënë Bardhit se të njëjtin mendim ia kishte shfaqë edhe Lef Nosit, Patër Harapi. Bardhi sërish u ndje mirë sepse tashti këtë opinion të Patër Antonin e kishte nga dy burime.
Ish shokët e burgut, Lek Mirakaj dhe Esat Çoku e portretizojnë Bardhin të pathyeshëm në vuajtjet e diktaturës.
– Ai ruajti emrin e mirë të babës së vet. Vetëm një karakter i fortë mbetej i pathyeshëm para torturësve të pashpirtë,-thotë Lek Mirakaj.
– Bardhi është njeri fisnik. Në burg ka qenë shpesh në rrezik. E kanë provokuar jo pak herë, por ai nuk ka rënë në kurth. Ka pasë provokatorë, që i propozonin të arratiseshin nga burgu, por Bardhi heshtëte, madje as nuk shkonte që t’i denonconte. Me intuitë e kuptonte se ishin të futur dhe nëse ai i hynte asaj aventure, plumbat e prisnin.(Ne foto:Bardh Kupi tek varri i te atit ne Kew Garden Queens, NY)
LEKA I PARË SIMBOL I BASHKIMIT
Shkruan: Eugen SHEHU/
Jo rrallë,në historinë e burrave shqiptarë,paradokset kanë shoqëruar ata,edhe në jetën e përjetshme.Krejt ato vlera të mëdha,krejt ajo veprimtari kombëtare,krejt ai vizion i qartë për ruajtjen e tërësisë toksore shqiptare,befas u mbyllën në përmasat e një cope varri nëpër dhera të huaja.A nuk vdiq dhe u varros së pari në Itali,Ismail Qemali ? A nuk janë ende në Stamboll eshtrat e Sami Frashërit ? A nuk prehen diku në Brazilin e largët eshtrat e Zef Serembes ? A nuk janë ende në Amerikë eshtrat dhe kujtimi i vyer i Mid’hat Frashërit ?Kështu ndodhi me Mbretin e Shqiptarëve Ahmet Zogu i cili mbylli sytë në një spital në periferi të Parisit,në vetminë e madhe dhe dhimbjen për fatet e atdheut e kombit.Fati i rezervoi kësisoj Leka Zogut një endje nëpër dherat e huaja.Më 27 prill 1938,në Tiranë u zhvillua një festë e madhe.Oborri mbretëror,jetoi gëzimin e martesës së Mbretit të shqiptarëve me konteshën Geraldine Aponuj të Hungarisë.Kjo martesë u dha gëzimin shqiptarëve për arsye se ata shihnin qartë modelin e një gruaje fisnike,origjina e të cilës nga nëna,sidoqoftë ishte amerikane.Shumë vite më vonë,duke kujtuar ditën e lumtur të dasmës kontesha Geraldine Apponuj do të thoshte në intimitet se “dashuria që më lidhi me mbretin e shqiptarëve nuk parashihte as kushte dhe as interesa të vogla.Ajo ishte kaq e natyrshme dhe kaq e pastërt ashtu si dielli që shëndrit dhe si vesa në petalet e luleve”.Por ngjarjet pas asaj martese të lumtur,rodhën me një tis tragjedie jo vetëm për familjen mbretërore,por për krejt fatet e kombit tonë.Italia u bashkua me ideale me Gjermaninë dhe ata të etura për pushtime ndanë zonat e influencës.Është e kuptueshme që dalja e Duçes në brigjet lindore të Adriatikut,do t’i jepte atij shanse të mëdha për ëndërrat e largëta të pushtimit..Në rrafsh të marëdhënieve diplomatike,vlen të thuhet se politika sllavëruese italiane dështoi në marëdhëniet me Mbretin Zog.Tentativat deri në zhdukjen fizike,nuk pinë ujë përpara zgjuarsisë dhe trimërisë së Mbretit të shqiptarëve.Kështu niste nga kancelaritë e Romës,plani për pushtimin ushtarak të Shqipërisë.Ministri amerikan,përfaqsuesi diplomatik i asaj kohe në Tiranë,Hugh Grant,në kujtimet e tija për ato ditë të vështira shkruan ; “Të dielën me dy prill 1939, u bënë demonstrata kundër italianëve në rrugët e Tiranës.Tezja e Mbretëreshës,kontesha Sehr Thoss,më telefonoi duke më lajmëruar se pritej një sulm italian nga e marta,se Mbretëresha Gardine do të gjendesh në rrezik të madh dhe më pyeti nëse zonja Grant dhe unë,do të ishim të disponuar të merrnim Mbretëreshën Geraldine në legatën amerikane.Kontesha dukej shumë e alarmuar.E sigurova konteshën se gjithshka do të shkonte mirë… Më pas mësova se Mbreti kishte dashur ta dërgonte në legatën amerikane por ajo kish ngulur këmbë të qëndronte me te”.(Hugh Grand,”Mbreti Zog siç e kam njohur” faqe . 108 ).
Më 5 prill 1939,në mëngjez lindi trashëgimtari i fronit Leka i Parë. Lindja u përshëndet me disa të shtëna artilerie dhe Radio Tirana e kumtoi këte sihariq të madh.Ndërkaq në bregun tjetër të Adriatikut,kanë qenë në pregaditjen e fundit për sulm të forcave fashiste italiane.Mijëra ushtarë e oficerë italianë,u hypnin anijeve dhe avionëve luftarak,për të shkelur tokën e shenjtë shqiptare e për të shtrirë më pas agresionin,në teritore të reja.Me sa duket Mbreti Zog duhet të jetë gëzuar vetëm disa çaste për lindjen e të birit.Ai gjendej mes burrave të tjerë shqiptarë dhe kërkonte fjalën e tyre mbi ate çka duhej të bënte ai vet dhe Shqipëria.Kur këshilli i Lartë Shqiptar,u bind për forcat e mëdha italiane që do zbarkonin,kur llogaritë e bëra dilnin se duhej të shuhej krejt Shqipëria nëse do të rezistonte deri në fund,atëherë burrat e Shqipërisë vendosën që Mbreti i tyre së bashku me familjen të largohej nga Shqipëria.Kësisoj,ende pa çelur sytë akoma,Leka i Parë,merrte udhët e mërgimit,ato rrugë të gjata e të lodhshme,ato rrugë pritjeje e të tmerrshme.
Largimi i Mbretit Zog u bë nëpërjet kufirit grek.Duke ndërtuar marrëdhënie krejt të sinqerta me grekët,ata lejuan kalimin e sigurtë të tij nëpër tokën helene.Më pas,jeta e Mbretit të shqiptarëve kaloi përmes dramave të mëdhaja.Në Turqi,Angli,Amerikë,Egjypt e më vonë në Francë ai ndiqte me vëmendje ngjarjet në Evropë duke paraparë sigurisht me trishtim edhe fatin e vendit të vet.Komunizmin bollshevik të importuar nga stepat e Rusisë,Mbreti Zog e pat demaskuar qysh herët ndaj edhe pas vitit 1944,ai u përpoq të sensibilizojë autoritetet e larta të diplomacisë perëndimore për këtë rrezik të madh të Shqipërisë.
Leka i Parë,u rrit në oborrin mbretëror me përkujdesjet e mëdha të nënës Geraldine.E trishtuar për fatin e të birit,kontesha hungareze përpiqej me çdo mënyrë që ti jepte të birit një edukatë perëndimore,ndërsa e mësonte gjuhët anglisht,frengjisht dhe hungarisht.Ndërkaq Mbreti shqiptar ishte mësuesi i madh i historisë së popullit të tij.Në një përpikmëri të çuditshme,ai përpiqej (megjithse i sëmurë) që ti çelte të birit shtigje të reja mendimesh duke i sjellë ngjarjet e kaluara shqiptare nëpërmjet fokusit atdhetar.Leka i Parë nga këto biseda me të jatin do të mësojë ate armën e fortë të fillozofisë diplomatike të të madhit Mbretit Ahmet Zogu i cili askurrë nuk e mburte veten,por kishte qejf të mburrte kundërshtarët.Nëpërmjet një kthjelltësie të çuditshme,ai përshkruante ngjarje të tilla madhore ku anipse Mbreti kishte qenë protagonist,askurrë nuk përmen veten e tij.Dhe porosia e mbrame e çdo bisede do të përfunojë si zakonisht “ta duash Shqipërinë siç don nënën tënde”.
Në rininë e tij,falë edukatës së lartë,të marrë prej prindërve,Leka Zogu mori njëherazi edhe njohuri në shkolla të ndryshme.Por kujtimet më të bukura të tij,lidhen me studimet në akademinë ushtarake angleze.Atij do ti formohej së tepërmi jo vetëm karakteri por sidomos vullneti dhe këmbëngulja instiktive për t’u formuar si ushtarak i zoti,gjithmonë duke qëndruar në shpirtin e tij se do afrohej dita të sprovohej edhe si ushtarak.Ai ndiqte gjithashtu me vëmendje ngjarjet në Ballkan e sidomos në Kosovë e trojet tjera të pushtuara nga serbosllavët,duke pritur me shpresë se ndofta bota perëndimore do të kujtohej ndonjëherë për ate gadishull aq të tarzuar historikisht dhe etnikisht.Në prill të vitit 1961,Mbreti Zog , mbylli sytë në një klinikë të vetmuar të Parisit.
Kryetrimi,ai që pat dashur e mbrojtur deri në fund shqiptarizmën,ai që i pat dhënë besën Ismail Qemalit,që mbajti Kongresin e Lushnjës,që bëri shtetin e parë shqiptar,që bëri tek e mbramja aq sa ç’mundi për atdheun e vet,tani shkonte për në banesën e fundit,në shoqërinë vetëm të familjes e besnikëve idealistë të vet përreth në emigracion. Leka i parë duke u ndarë me lot në sy nga i jati,bën betimin se do të jetë kurdoherë ushtar besnik i atdheut.Hugh Grant,në një fjalim të mbajtur në Nju Jork më 17 qershor 1961,në përkujtim të Mbretit Zog,pos të tjerave citon edhe një letër që Leka Zogu i pat shkruar atij,letra mbyllej me fjalët“Im atë,tue u nda nga kjo botë,më la si trashëgim një barrë të rëndë,sidomos kur mendojmë rrethanat dhe konditat në të cilat gjendet vendi ynë dhe populli shqiptar brenda dhe jashtë atdheu”
Disa vjet,Leka Zogu jeton në Spanjë.Aty edhe martohet dhe në dasmën e tij marrin pjesë qindra shqiptarë nga krejt vendet.Por bukurinë e dasmës së tij me mbretëreshën Suzane,do ta shtonte sidomos grupi i vajzave valltare të ardhura nga arbëreshët e Italisë.Vallja e kostumet e tyre e bënë gati të mahnitshme mbramjen e dasmës,me ç’rast Leka i Parë kumtonte se lidhjet e gjakut nuk mund të harroheshin kurrë. Një erë e re kish nisur të frynte në fund të viteve 70 në Evropë.Po dukeshin të çarat e para të sistemit komunist i cili për decenie me radhë kish lavdëruar pavdeksinë e tij.Intuitivisht Leka Zogu,në krye të një grushti burrash në mërgim,merr nismën për të ardhur në Shqipëri.Natyrisht,ardhja e tij e ligjshme ishte ndalaur prej komunistëve që në kongresin e Përmetit në qershorin e vitit 1944.Ndaj ai mendonte të organizojë një zbarkim,i bindur në aspiratat e shqiptarëve për demokraci.Por spiunazhet komuniste ende mbahen në këmbë.Ndërhyrjet e tyre janë deri lart dhe plani dështon.Mbas zbulimit të planit,Leka Zogu nuk trembet të deklarojë në gazetat kryesore të Madridit se e ardhmja e atdheut të vet do të jetë Shqipëria Etnike.Pas ndërhyrjeve diplomatike të jugosllavisë e greqisë,Spanja nën akuzën për irredentizëm,e largon prej territorit të vet.Ishte 31 janari i vitit 1979. Pas kësaj Leka Zogu ndërmerr udhëtime të tjera në Evropë për të qendruar në fund në Afrikën Jugore.
Së pari Leka Zogu shkon në atdhe më 1994.Ka një enigmë të madhe në qendrimin e asaj kohe prej qeverisë demokratike.Pa mbushur 24 orë qëndrimi në Tiranë,atij i jepet urdhëri të largohet sepse nuk kishte pasaportë shqiptare !!?.Përgjigjja me këtë rast e Leka Zogut ishte ; “Unë kam lindur në Tiranë me 5 prill 1939.Sigurisht kjo gjendet në zyrat tuaja.ma bani atëhere një pasaportë shiptare!”.Fakti ashtë se ai u largua nga Shqipëria.
Por ndryshe qe rikthimi i tij në prill-majin e vitit 1997.Populli i zhgënjyer prej qeverisjeve shqiptare të koruptuara i besoi Leka Zogut me po ate shpirt që i pat besuar babait të tij.Pritja qe madhështore dhe mijëra nacionalistë shqiptarë e ndiqnin kudo që ai shkonte në turin e madh të referendumit për Republikë apo Monarki. Tepër e thjeshtë e briljante ka qenë thënia e tij në çdo tubim,tej e mbanë Shqipërisë.”Letë bashkohemi” ishte thirrja që dilte prej gjoksit të burrit trim.
Pyetjes së një qytetari të Sarandës lidhur me Shqipërinë Etnike iu përgjegj; “Unë mendoj se jo vetëm unë,por në zemrën e krejt shiptarëve të ndershëm,kufijtë etnike të Shqipërisë nuk mund të shuhen.Ne jemi për tu integruar në Evropë me të drejtat tona natyrale.Kufijtë etnike,janë jo vetëm amanet i të parëvet por edhe gur themeli për të ardhmen paqësore”.
Nëse referendumi nuk fitoi,ende ka enigma për shqiptarët.Manipulimi ka qenë i parnishëm,siç ishte i pranishëm edhe në zgjedhjet e qershorit të vitit 1997.Por historia s’mund të manipulohet gjatë dhe pamvarsisht prej gjyqeve farse komuniste,shqiptarët e duan mes tyre gjithmonë Leka Zogun I-rë,Mbretin e Shqiptarëve.Edhe Historia në të shumtën e rasteve është si ai vullkani që kur shpërthen nxjer llavën sa do e fuqishme që të jetë ajo,mbledh në vehte misteret,ashtu dhe në situata e kombeve ajo rrëfehet edhe përmes figurave të saja që lënë gjurmë me vepra.Të tjerët që pretendojnë të mbeten në histori duke hyrë përmes vrimash të mistershme,së fundi mbeten si ai hiri i mbetur nga stërpikja e lavës së historisë.Së fundmi ai mbylli sytë në nëntorin e fundit të vitit 2011,në muajin që shqiptarët e kanë kremte të tyren,e për ma shumë dhe në nëntorin që e kishte të trashëguar edhe na babai i tij,i mbylli sytë gjithmonë me idealin e Shqipërisë Etnike duke zbritur çerpikët e syve sikur i thoshte britma “Atdheu mbi të Gjitha”.Kujtimet mbeten të përmotshme.
Bern-Zvicër
Hipokriti i kohës sonë
Fejton nga Reshat KRIPA/
Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje dhe fillova t’i vizitoj varret njërin pas tjetrit. Mbi pllakat e mermerit që mbulonin varroshet shikoja lloj-lloj përkushtimesh. Pothuajse në të gjitha flitej për meritat e të ndjerit që prehej aty dhe në fund emrat ose lidhjet familjare me ata që kishin bërë përkushtimin.
Duke kaluar kështu njërin pas tjetrit, më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej në krye të parcelës kryesore, në hyrje të varrezave. U afrova dhe u mundova të lexoj emrin e të gjorit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi, të një autori të panjohur, të gdhendur në pllakën e mermerit:
Këtu prehet hipokriti
Gojëmjaltë e trupërlyer,
Që s’tha fjalë pa lezet,
Që s’u prish në muhabet,
Dhe s’e ndyri kurrë gojën,
Me ata që kish nevojën!
Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.
Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:
– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?
Ktheva kryet dhe pas meje pash një plak që po i afrohej të njëqindave.
– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.
Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:
– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që, kur ishin gjallë, kishin shumë fytyra, një për të djathtën dhe një për të majtën, një për eprorin dhe një për vartësit. një për djallin dhe një për engjëllin.
Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për të gjetur ndonjë figurë të tillë. Nuk vonoi shumë dhe para syve më doli ajo e një bandilli, të cilin e kisha njohur rastësisht. Ishte një tip kameleoni. E ndërronte ngjyrën sipas ambjentit ku ndodhej. Dikur, në kohën e merhumit, ishte kthyer në një një tip servili dhe hipokriti duke arritur në krye të një organizate që përfaqësonte punëtorët në një kantjer të madh të vendit. Madje ishte edhe poet. Shkruante vargje për “heronjtë’ e kohës, Ismet Sali Bruçën, Shkurte Pal Vatën, Adem Rekën, Shkruante edhe për “mësimet e partisë dhe të shokut Enver” Por, një ditë, kjo kohë perëndoi dhe erdhën ditë të tjera. Fati i çeli edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. Përnjëherë ai e ndërroi ngjyrën. Për këto “merita” e emëruan në një institucion që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.
U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët e përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke bërë lutje e duva për ta. Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit iu rrit vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hipi i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij.
Një ditë, pa pritur dhe pakujtuar, e pushuan nga kjo detyrë. Ditët kalonin dhe oreksi i shtohej bandillit tonë. Mirë thonë që oreksi vjen duke ngrënë. Por, për t’ia arritur kësaj, duhej ndërruar edhe gjuha. Xhonglerit tonë një gjë e tillë nuk i mungonte. Ishte bërë mjeshtër për këtë marifetçillëk. Ai e dinte se pika e dobët e të përvuajturve ishte lëmosha që u jepte shteti dhe që shpesh herë zvarritej pa fund. Ndaj filloi të çirrej dhe të këlthiste me zë të lartë, që ta dëgjonin mirë të gjithë, se do të bënte këtë ose atë veprim deri sa t’ia arrinte qëllimit. Nuk kaluan shumë ditë dhe bandilli na doli në krye të një grupimi që e quante veten si bashkim të të gjithë shqiptarve kudo që ndodheshin, jashtë apo brenda vendit mëmë.
Në një mbledhje që organizoi ky bashkim u ndodha edhe unë me një mikun tim. Midis llafeve të tij pa fund, në mbarim të tyre xhongleri tha:
– Të dashur bashkëvuajtës! Ju premtoj se qëllimit tonë do t’ia arrijmë me çdo kusht. Ndaj mendoj se duhet të organizojmë një protestë të jashtëzakonshme, që nuk e ka parë kurrë bota, për realizimin e kërkesave tona!
– More, a nuk të duket shumë i ekzaltuar ky “heroi ynë”? – i thashë mikut tim.
– Lere, lere, – u përgjigj ai, – shpejt do ta shohim.
Çuditërisht nuk u organizua as një protestë dhe asgjë tjetër. Në ato ditë, në vend, ishte hapur fushata për zgjedhjet parlamentare. Kandidatët për deputet bënin parreshtur takime me banorët e zonës për të votuar për ta. Një takim të tillë organizoi me shtresën e të përvuajturve edhe kllouni ynë. Edhe ai ishte kandidat për deputet i një partie opozitare. Kjo bëri që nami i këtij bandilli të arrinte qiellin. Partitë politike u futën në garë se kush do ta afronte më tepër. Madje, asnjëra prej tyre nuk pyeste se çfarë përfaqësonte ky inidivid në të vërtetë. Mediat vizive dhe ato të shkruara nuk kishin ditë që të mos botonin ose shfaqnin intervista të këtij ekzemplari. Para syve të mi më dillte kameleoni me atë buzëqeshjen hipokrite dhe përuljen alla Uriah Hipçe.
– More, po deri kur do të vazhdojë kjo komedi? – i thashë mikut tim.
– E ç’lodhe më kot – u përgjigj ai – Do t’ia dëgjojmë më vonë avazin,
Nuk kaloi shumë dhe “heroi ynë” fluturoi nga karriket ku qëndronte si kaposh. Qyqarit i doli boja dhe nuk i vlejtën më as mbështetjet e partive politike, as lajkat e mediave dhe as buzëqeshjet hipokrite. Lumëmadhi mbeti si peshku pa ujë. Fluturoi dhe që atë ditë u end rrugëve të qytetit si një qyqar të cilit i ka humbur emri.
– Ky është fundi i hipokrizisë, – më tha miku.
Unë heshta, Nuk kisha çfarë të flisja.
Këto më dolën parasysh atë ditë që shkova në varreza. Nuk e di nëse ai varr i përkiste këtij bandilli apo ndokujt tjetër, por mendova se të tillë fund meritojnë të gjithë hipokritët dhe servilët që qëndrojnë mbi tokë. Megjithatë më bren pyetja:
“Deri kur do të mbështeten dhe të ngrihen në qiell të tilla mostra hipokrizie?”
JU TREGOJ PËR TIM ATË, POETIN VEHBI SKËNDERI – ECCE HOMO ISHTE IM ATË –
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Ishte një mbrëmje e bukur qershori. 12 qershor 2011. Nga ato më të bukurat e vitit, kur stina e verës është në prag të shpërthimit me plotmadhështinë e vet prej shumëlaryshisë së ngjyrave. E të grish vetëm të jetosh pa fund e sosje. Atëher kur çdo shpirt njerëzor mendon se jeta është e përherëshme. Ndërsa im atë Vehbi Skënderi po luftonte me vdekjen.
Në një mbrëmje të tillë qershori, ai do të ishte dehur nga abazhuri i hënës në qiell. Dhe ajri i ngrohtë i përzierë me aromat e luleve do ta ngazëllente për të krijuar pastaj në laboratorin e tij poetik përfytyrimet e tij ekstravagante në skulptura poezish.
Në një natë qershori të tillë, të vitit 2005 një dorë kriminale na kishte vrarë kolegun tonë 28 vjeçar, Bardhyl Ajetin, duke krijuar tragjedinë dhe dhimbjen prej një absurdi surreal. Sepse është e pamundur të vrasësh një gazetar të ri për ato që shkruan. Vetë vrasja si nocion është e ndaluar. Të presësh një jetë në mes. Por po aq e pamundur dhe e ndaluar është ta mbulosh vrasjen duke heshtur. Të heshtësh je po aq kriminal sa ideuesi i vrasjes dhe ekzekutori. Vrasja e këtij djaloshi ka mbetur ende e pazbardhur. Ai ka mbetur i harruar nga kolegët dhe nga shoqëria që po bëhet çdo ditë edhe më tribale sepse po humb sensin për të kërkuar e gjetur të drejtën. Krejt ndryshe nga im atë që gjithmonë iu fal të drejtës, si një konstitucioni universal hyjnor që nuk varet nga konjunkturat por nga ndërgjegja njerëzore e gjithësecilit prej nesh. Që të lejon të gjesh shpresë e mundësi për të ndihmuar atë që ka nevojë edhe në kohë të pamundura. Edhe unë vijoj dhe e kërkoj të drejtën si bija e tim eti. Edhe kur më thonë të gjithë se e drejta ka vdekur, unë nuk do të ndalem si për të vijuar jetën e tim eti.
Nata e 12 qershorit 2011 na hutoi e na e mbushi mendjen se jeta triumfon mbi vdekjen, se jeta triumfon edhe ndaj prognozave të mjekëve. U bëmë naivë. Me vullnetin tonë. Aq më tepër duke e njohur dëshirën e paepur të tim eti për të jetuar, për t’u ndjerë i lumtur pranë familjes së tij. Sot lumturia është kthyer në nonsens ose mision i pamundur. Njerëzit e kërkojnë lumturinë tek paratë, pasuria, makinat dhe vilat. Ndërsa lumturia është gjithmonë me ne, ne jemi lumturia e njëri-tjetrit. Dhe im atë e kishte zgjidhur me kohë këtë rebus. Ose më mirë të them s’ka qenë për të fare një rebus dhe ai gjithnjë e ka ditur. Sepse të gjitha dramave të jetës së tij, për fajin e një regjimi kriminal, ai u kishte mbijetuar për arsye dhe shkak të familjes që ia kthyente dashurinë me dashuri dhe nuk e tradhtoi kurrë. Krejt ndryshe nga kolegët, që mbetën tregëtarë flamujsh me shpirtëra çakejsh.
Ne i qendruam rreth shtratit natën e 12 qershorit, duke e kundruar e kundruar. Fytyra e tij ishte e bukur. Ngjyra e lëkurës ishte rozë. Im atë nuk e tregonte moshën, ai është dukur gjithmonë i ri, i mbushur me energji të pashterëshme. Kjo bënte që unë të ndihesha gjithmonë fëmijë. Edhe natën e 12 qershorit. Unë i vërtitesha rreth dhe ia puthja duart e faqet, ia prekja këmbët e bardha. Ishte i pastër si drita. Ai nuk reagonte. Flinte. Nën efektin e qetësuesve. Që kur u shtrua në spital ai kishte qenë nën efektin e qetësuesve dhe vetëm një herë ishte zgjuar sa për të thirrur vetëm një emër: „Lili“. Emrin e nënës time.
Duke e parë të flinte i qetë, dikur vonë, ne vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Të bindur se nesër do ta gjenim më mirë. Ishte mbrëmja e vonët e së djelës. Jeta gumëzhinte. Në tram u takuam me Endritin që kthehej me shokët nga kinemaja. Përpara filmit ishte në spital. Kur iu afruam shtëpisë, dritat e apartamentit tonë nuk ishin të ndezuara si zakonisht. Shtëpia jonë gjithmonë ishte e hapur, gjithmonë kishte njerëz e drita. I ramë ziles dhe derën na e hapi Prizreni. Ai po vuante. Im atë i kishte rritur djemtë. I kishte marrë sa kishin ardhur në shtëpi nga materniteti, bebka dhe iu kishte përkushtuar kohën dhe jetën. Me një dashuri pa kufi e cak. U ka treguar me mijra përralla që i krijonte për ta, u ka mësuar alfabetin e shqipes, gjuhën, u ka lexuar libra, u ka recituar poezitë e tij, poezitë e tij për ta. Midis tyre mbretëronte një aleancë sublime. Të dy djemtë tanë kanë qenë me fat që i ka rritur një gjysh si ai. Megjithëse të gjithë gjyshat e gjyshet e botës janë të mrekullueshëm.
Tani në shtëpi ishim të katërt. Familja Buçpapaj. Familja Skënderi ishte në spital. Folëm fare pak midis nesh. Djemtë ishin bërë burra papritmas. Pastaj mora në telefon tim më që nuk i ishte ndarë kurrë tim eti. Edhe ajo më qetësoi. Po fle i qetë më tha. Unë i qetësova të tjerët. Dhe u shtrimë të flemë si robotë.
Kishim fjetur pa ëndërra, shpejt, përhumbshëm, për t’iu larguar një frike. Deri kur ra zilja e telefonit, që na ngriti menjëherë të katërve, gatitu. Dhe matanë telefonit zëri jepte lajmin që ne nuk do të donim ta dëgjonim kurrë.
Kur po gëdhihej 13 qershori dhe kalendari shënonte ditën e Shëna Ndout, shpirti i tim eti u largua prej trupit të tij. Në agun që ai e ka përmendur shpesh në poezitë e tij, ku ai e ka përshkruar me laryshi nuancash e ngjyrash të pafundme. Por agu i ikjes të tim eti ishte i vërejtur, i humbur prej tymnajave të mjergullës dhe ngjante e pamundur që kjo ditë të kish lindur prej barkut të një nate magjike qershori, kur ne u larguam nga spitali dhe e lamë tim atë në një gjumë të thellë e shpresëdhënës. Gjithçka ishte përmbysur brenda dy-tri orësh, ashtu si jeta që ishte shndërruar në ikje, largim e vdekje. Për dy-tre orë qielli kishte ndryshuar uniformë në një antitezë të plotë. Ishte zhdukur hëna, yjet, magjia e natës kur ne i dhamë përshëndetjen, pa e ditur se do të qe përshëndetja jonë e fundit në këtë tokë, pak përpara kur fryma e tij do të fluturonte si zog i çliruar nga prangat e një kohe mistrece.
Kur ne vendosëm të largoheshim nga spitali, në prag të shkëmbimit të 12 me 13 qershorin, ai ngjante sikur flinte si normalisht. Nuk e kishte më frymëmarrjen e dendur, të vështirë, të mundimshme që e kishte pasur prej ditës së mërkurë. Kur u përkeqësua papritmas. Një ditë më parë, dmth të martën, ai kishte bërë një shaka me ne. Ime më ashtu si e kanë zakon gratë përdori klishenë e njohur se po vdiste prej lodhjes, dhe im atë, që rrinte me orë e ditë të tëra pa folur, ia ktheu me buzën në gaz, « po për mua kush do të kujdeset atëherë?!» Reagimi i tij ne na hodhi të gjithëve përpjetë. Na zgjoi. Sepse sëmundja e kishte transformuar. Ngjante si Mbreti Lir. Tragjik, i madhërishëm, i vuajtur, i heshtur e solitar në botën e tij të mbyllur. Kështu e përjetonte largimin apo distancën nga mungesa e tij fizike me botën rreth tij, nga mosprania në rrjedhat e ditës, në rrugët që ai i kishte kaluar çdo ditë, që edhe sot i mbajnë gjurmët e tij.
Reagimi i tij na e ktheu humorin. Kujtuam se ishte shenja e rikthimit në jetë, për të shpëtuar nga sëmundja e zezë, që është depresioni, ashtu si kishte shpëtuar edhe në vitet ’70. Unë e mbaj mend atë kohë, se si vuante im atë, si lëngonte. Pranë tij ishte im më dhe unë, fëmijë. E vizitonte rregullisht, për çdo ditë njëra prej hallave të mija, Lumja dhe fëmijët e saj dhe vëllai i tij i vogël, sepse të tjerët nuk vinin dot pasi kishin frikë nga partia kuçedër. Atëherë im atë sapo i kishte mbushur 40 vjeç dhe ngjante i moshuar si një plak. Por një mëngjes papritmas u ngrit nga shtrati e ul në makinën e shkrimit dhe rinisi të shkruante poezi. Prej asaj dite nisi të dilte nga shtëpia e të shëtiste nga Kodrat e Liqenit. I vetmuar. Kolegët i largoheshin, shokët i fshiheshin, të afërmit kujdeseshin për biografitë.
Si shenjë fatmirë, të daljes nga kështjella që ai kishte ndërtuar me mure qiklopikë prej heshtjes së vet e morëm edhe reagimin e tij. Ne u lumturuam pasi e dinim se im atë dinte të ngrihej gjithmonë më këmbë, se im atë do ta kalonte edhe këtë provë, pas aq provash e vuajtjesh, që i kishte e kishim kaluar së bashku.
Por ndodhi e papritura dhe ai u përkeqësua papritmas të mërkurën. Iu vështirësua frymëmarrja. Ne u trembëm. Filluam t’i luteshim të hante. Sepse kishte dy vjet që kishte hequr dorë nga e ngrëna. E ushqente me shumë mundime ime më. Im atë refuzonte ushqimin, refuzonte ujin, po ime më nuk dorëzohej deri sa e ushqente çdo ditë, çdo vakt, dalë e nga dalë, një kafshore, një lugë, ishte një fitore, një gllëngjkë ujë, një gotëz me lëng frutash, ishte jetë për tim atë.
Unë po punoja në komputer atë të mërkurë, kur ime më më erdhi pranë e më tha se ai nuk po hante dot më. U ngrita menjëherë. I shkova pranë e i vura buzët në ballë. Si veproja me djemtë. Kishte temperaturë. I dhamë menjëherë një dafalgan dhe e shtrimë në shtrat. U qetësua pak. E zuri gjumi dhe frymëmarrja ju bë normale. Pasdite bashkë me Skënderin blemë biskota fëmijësh që ime më t’i shtypte e ta ushqente më lehtë.
Hëngri nga mbrëmja pa e refuzuar ushqimin si bënte zakonisht. Dukej se kishte frikë nga vdekja. Por ne nuk na shkonte mendja për atë gjë. Kur ra nata i shkova në dhomën e tij ku flinte. Dhe qava e qava me lot e pa zë. Për të gjitha vuajtjet që kishte hequr, pa i bërë kujt keq në jetën e tij. E pastaj iu lutëm Zotit që vetëm të jetonte. Edhe me depresion. Veç të jetonte. Ishim mësuar tashmë edhe me këtë gjendjen e tij. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij në një cep të dhomës. Hijerëndë, pa folur, duke na parë ne. Herë i përhumbur në mendimet e tij, herë me sy të trishta e herë me sy të trembura, sepse e shkuara i kthehej si fantazmë, si makth e ankth. Mallkuar qofshin ata që e kanë bërë tim atë të vuante. E bashkë me të edhe ne. Që nuk kanë marrë mundimin kurrë të kërkojnë ndjesë. Një pjesë e tyre kanë shkuar në ferr. Në ferr shkofshin të gjithë që e kanë merituar. Sepse nuk e njohin ende pendesën. Në pranverën e 2011 kur e kishim shtruar në spital për rehabilitim në një moment të kthjellët i kishte thënë sime mëje se « ata nuk na kishin lënë që ta jetonim jetën tonë». « Ata »ishte regjimi komunist, që identifikohet me emra. Sepse na e kishin ndryshuar tërësisht rrjedhën e jetës brutalisht, na kishin detyruar të jetonim kalvarin. Sot është e trishtë kur lexojmë se disa shkrimtarë qahen nga vuajtjet që paskan përjetuar në diktaturë. Një farsë e vërtetë cinike ndaj vuajtjeve të vërteta, si ato që ka përjetuar im atë, që u largua nga kjo botë i mbytur nga pikëllimi, kur e humbi betejën e fundit.
Ne e shtruam në spital të premten, kur frymëmarrja iu rëndua rishtas. Ishte më 10 qershor, paradite. Sa herë i shoh sot makinat e urgjencës më kaplon trishtimi. Kur erdhi urgjenca, im atë nuk ishte më im atë. Erdhën e morën lart me barelë sepse ishte krejt i pafuqishëm. Mezi merrte frymë. Nuk më kërkonte mua me sy, por time më e cila hypi me të në makinë. Ne i shkuam pas. Pas kësaj ai nuk u kthye më në shtëpinë tonë. Ishte ikja e tij e fundme.
Frymëmarrjen e tij të rënduar e kam edhe sot në vesh, si asaj të premte. Dukej sikur prapë po luftonte, deri në frymën e fundit dhe pikën e fundit të gjakut.
Pasi e shtruam në spital të premten, e pasi biseduam me mjekët u kthyem për t’u kujdesur për fëmijët. Sa hymë në shtëpi, na ra në sy kolltuku i tij që ishte bosh, që priste më kot. Në dhomën e tij makina e shkrimit rrinte e heshtur, me tastet e ngurta si copa kalldrëmash, të palëvizur nga gishtat e bukur të tim eti. Gjithmonë im atë na e kujtonte se si një pianiste e njohur shqiptare mahnitej nga gishtat e bukur të tim eti, që tani rrrinin të palëvizur dhe nuk krijonin vargje e rima me makinën e tij të shkrimit. Makina e shkrimit ishte si faltore për tim atë. Atje ai falej duke zbrazur shpirtin e tij të kthjellët si kristali. Kanë qenë shumë të rrallë shkrimtarët bashkëkohës me tim atë që e kanë patur shpirtin e pastër si të tijin. Pa asnjë njollë. Shpirt njeriu. Ecce Homo ishte im atë.
Por ne vazhduam që t‘i luteshim Zotit që im atë ta kalonte edhe këtë furtunë. Ne ishim mësuar tashmë edhe me këtë situatë. Ai rrinte i ulur në kolltukun e tij dhe na ndiqte me sy. Nganjëherë i shpinte sytë diku larg, nganjëherë i mbyllte si për të mos lejuar që tmerret e së shkuarës t’i ktheheshin si fantazma për ta marrë e larguar nga familja, për t’ia marrë e djegur librat, për t’a dërguar në riedukim apo internim, duke i lënë në mes poezitë apo treguar përgjysëm përrallat që ia tregonte së bijës, dmth mua. Aty i ulur në kolltukun e tij, ai me pamje epike, ngjante si një personazh i dalë nga cikli i kreshnikëve. Nganjëherë, dikur, rrallë e përherë rrallë e më rrallë, kur na hidhte ndonjë fjalë, si meteor, na bënte të hidheshim përpjetë prej gëzimit e kaq pak na dukej aq shumë, sepse mendonim se po i mblidhte forcat për të dalë nga ky tunel i errët.
(MARRË NGA LIBRI ‘DISIDENCË NË TRANZICION’ QË ËSHTË NË PROCES BOTIMI)
- « Previous Page
- 1
- …
- 397
- 398
- 399
- 400
- 401
- …
- 532
- Next Page »