• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Bajrush Morina: Tribunali i Hagës, qelia ime nr. 26

January 27, 2013 by dgreca

 

Jeta e një gazetari prapa grilave të Tribunalit të Hagës/

Nuk ka shkuar në burg pse ka shkruar diçka të ndaluar, por edhe prapa hekurave të qelisë së burgut të Tribunalit të Hagës lapsin dhe zanatin e gazetarit e ka marrë me vete. Është me profesion gazetar, por është akuzuar për “krime lufte”. Gazetari Bajrush Morina është përballur me Tribunalin e Hagës dhe gjithë sfidën e tij e ka përmbledhur në librin “Tribunali i Hagës, qelia ime nr. 26”, një libër i parë i shkruar prapa hekurave të Tribunalit.

– Zoti Morina, në fund të vitit të kaluar ju publikuat librin tuaj të dytë me titull “Tribunali i Hagës, qelia ime nr. 26”. Pse iu kthyet edhe një herë Tribunalit, kur dihet se 4 vjet më parë jeni përballur me Tribunalin, përkatësisht trupin gjykues të kësaj gjykate ndërkombëtare?
– Eh, nuk i jam kthyer Tribunalit në vitin 2012. Por katër vjet më parë unë u përballa me Tribunalin e Hagës, me të gjitha peripecitë e hetimit, gjykimit e dënimit të kësaj Gjykate Ndërkombëtare. Gjatë gjithë kësaj rropatjeje unë pata me vete armën time profesionale – lapsin. Gjithçka që përjetoja në periudhën mbi 18-muajore me Tribunalin, në fund ngushëlloja veten duke hedhur në letër ato që i kisha përjetuar gjatë kësaj kohe. Lapsi ishte zgjidhja ime e vetme, ishte ngushëllimi im i fundit. Gjatë hetimeve e kisha të ndaluar të kontaktoja, madje edhe miqtë e mi; e kisha të ndaluar të flisja për hetimet, madje edhe me më të afërmit e mi. Gjatë vuajtjes së dënimit e kisha të ndaluar të flisja lirisht në telefon me familjen time, sepse e dija se po më përgjohej telefoni. Edhe pas përfundimit të vuajtjes së dënimit në kohëzgjatje prej tre muajsh unë e kisha të ndaluar të shkruaja për gjithë “konfliktin” tim me Tribunalin e Hagës. Po ndërsa të gjitha këto i kisha të ndaluara, shkrimin apo hedhjen e shkronjave në letër e në kompjuter nuk ma ndalonte dot as prokuroria e as gjykata.

– Ju shkruanit në notesin tuaj apo në kompjuterin tuaj edhe atëherë kur e kishit të ndaluar të flisnit apo të shkruanit për ta publikuar?
– Po, por lapsin nuk ma ndalonin dot. As kompjuterin tim në shtëpi nuk ma kontrollonin dot. Unë i hedhja në letër sa isha në vuajtje të dënimit në qendrën e paraburgimit në Sheveningen, të gjitha detajet e jetës sime prapa grilave, ndërsa i shkruaja në kompjuter edhe shumë detaje që më përcollën edhe gjatë kohës së hetimeve apo gjatë gjithë procedurës së përcjelljes së lëvizjeve të mia nga policia e UNMIK-ut në një periudhë kohore prej rreth 18 muajsh.

– Në të njëjtin pavijon me Sheshelin, Stanishiçin, Pavkoviçin, Gjorgjeviçin etj. Pse i keni shkruar të gjitha këto përballje me Tribunalin kur e keni ditur paraprakisht se i kishit të ndaluar?
– Shihni, unë nuk kam pas qare pa e derdhur në letër apo pa e hedhur në kompjuter gjithë mllefin, nervozen, stresin tim. Duke shkruar më bëhej sikur e nxirrja të keqtë e shpirtit tim përjashta. Mbushesha e ngushëllohesha gjithë ditën kur më vinin policët e UNMIK-ut për kontroll te dera; kur i vëreja tinëzisht duke më përcjellë se mos po largohesha nga hapësira gjeografike e Prishtinës (sepse e kisha të ndaluar të lëshoja komunën e Prishtinës, pasi paraprakisht më mbanin në polici edhe pasaportën time të UNMIK-ut). Më vinte të plasja nga inati pse i kisha të gjitha këto kufizime kur i dija veprimet e mia, të cilat nuk kishin të bënin me asnjë veprim kriminal, vrasje, djegie, dëbim apo veprime të kësaj natyre. Por unë kisha të njëjtin tretman juridik “të dyshuarit për krime lufte”, njësoj si të gjithë gjeneralët serbë të dyshuar, të akuzuar e të dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi. Pra, së paku isha në të njëjtin pavijon me Sheshelin, Stanishiçin, Pavkoviçin, Gjorgjeviçin etj.

– Në librin tuaj e keni përmendur këtë detaj. Si është ndjenja e takimit me gjithë këta serbë të dyshuar, të akuzuar e të dënuar për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe në Kosovë?
– Është ndjenjë e tmerrshme! Në përurimin e librit tim në Bibliotekën Kombëtare kam thënë se “Bajrush Morina djalë azgan, ra n’hapsane pa e vra askënd!” Është një parafrazim i një kënge të folklorit burimor. Më pas miku im i nderuar Agim Vatovci më përqafoi me mallëngjim. Më ka bërë nderimin më të madh ky burrë i Kosovës. Në fakt, unë thashë të vërtetën. As nuk kisha vrarë kënd, as nuk kisha marrë pjesë në ndonjë masakër gjatë kohës së luftës, e madje e pranoj se nuk i kisha parë me sytë e mi as masakrat e policisë e paramilitarëve serbë gjatë luftës në Kosovë. Gjithçka që kisha parë me sytë e mi ishin fotografitë e mikut tim, fotoreporterit Iliaz Bylukbashi, fotografi të familjes Jashari, Shaban, Hamëz e Adem Jashari dhe të 40 e ca familjarëve të tjerë, të cilët, pasi u vranë e u masakruan, u lanë në një depo të materialit ndërtimor në dalje të Skenderajt. Janë fotografi të tmerrit. Natyrisht, kisha përjetuar tmerret e krimet e luftës gjatë bashkëbisedimeve me familjarët e atyre që u masakruan në Qirez e Likoshan. Por vetë nuk kisha marrë pjesë në krime. Ndërkohë që në ftesën e nënshkruar nga Karla del Ponte unë dyshohesha për krime lufte. Nejse…
Katër ditë kam rezistuar që të mos takohem me Sheshelin e të tjerët. Më tepër nuk kam mundur të rezistoj. Kur ditën e pestë drejtori i burgut na ftoi mua e Astrit Haraçinë në zyrën e tij, na kumtoi lajmin “e gëzueshëm”. Na tha: “Prej sot jeni të lirë si të gjithë të burgosurit e tjerë.” – “Çka? – e pyeta me nervozizëm drejtorin. – Do të thotë që ne të takohemi me Sheshelin e të tjerët? Jo, unë jo, kurrë!” – i thashë në fytyrë, ende pa e marrë përgjigjen nga drejtori i burgut. Ndërhyri Astriti dhe i tha drejtorit: “Ani, nuk ka problem. Mbajeni Bajrushin brenda në qeli, nëse ky nuk do të jetë i lirë dhe në qëndrim gjithëditor me të burgosurit e tjerë.” Ndërkohë edhe drejtori i burgut nuk i mori seriozisht fjalët e mia dhe që të tre së bashku zbritëm në pavijonin C, ku ishin të gjithë serbët, që për mua ishin të njohur si emra dhe personifikime të krimeve të ndryshme, ndër të tjera edhe në Kosovë. Drejtori na prezantoi, ndërsa ish-shefi i UDB-së, Ivica Stanishiç, përkthente nga anglishtja në serbisht fjalët e drejtorit. Drejtori iku dhe ne mbetëm “në shoqëri” me më shumë se 10 serbë, gjeneralë e kryepolicë të akuzuar e të dënuar edhe për krime lufte në Kosovë. Prej këtij momenti do të ishim së bashku për rreth 3 muaj, madje duke kaluar së bashku edhe natën e Vitit të Ri 2008.

– Gjeneralët serbë janë lisa të rrëzuar përtokë apo pula të lagura nga shiu? Në librin tuaj i përshkruani këta gjeneralë si lisa të kalbur, si pula të lagura. Vërtet ishin të tillë, apo kështu dukeshin nga perceptimi juaj?
– Ka diçka të vërtetë në të dyja shpjegimet. E para, ata vërtet janë lisa të rrëzuar përtokë, janë zhveshur nga çdo pushtet, janë të zhveshur nga uniformat e tyre, pra janë si ato pulat e lagura në shi. Mbase ky është një perceptim personal i çastit, sepse ashtu kam dëshirë t’i shoh ose kam pasur dëshirë t’i shoh ashtu siç i kam parë, por vërtet ata më nuk janë gjeneralë, janë civilë e mbi të gjitha janë të dënuar për krime lufte. Janë të dënuar me më shumë se 15, 20 e 30 vjet burg e ndonjëri edhe me burgim të përjetshëm, shpirtërisht të dëshpëruar e fizikisht të dërmuar. Pothuaj të gjithë prej tyre e dinë se nga qelitë e burgut të Tribunalit do të dalin në arkivole, sepse të dënuar më shumë se 20 vjet nuk besojnë se do të kanë ymër që do të kryejnë burgun të gjallë. Prandaj ata vërtet janë lisa të rrëzuar përtokë apo pula të lagura nga shiu.

– Domethënë ju keni qenë gjithë kohën bashkë me gjeneralët serbë të akuzuar e të dënuar për krime lufte?
– Po, për 92 rresht. Madje, kemi luajtur edhe futboll shqiptarë me shkije. Unë, Astriti e Lah Brahimaj dhe një gardian bëhej “shqiptar” me neve. Shtyheshim bukur shumë. Lahi luante ashpër, Astriti bëhej nervoz se e mbaja topin shumë dhe kisha dëshirë t’ua shtija topin mes dy këmbëve. Me keqardhje them se shpesh na mundnin ata…

– Të kthehemi edhe një herë te fillimi i përballjes suaj me Tribunalin. Në fakt, a mund të na thoni pak më shkoqur për se u gjykuat dhe u dënuat nga Tribunali?
– Më vjen të qesh para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Jam dyshuar për krime lufte. Së paku kështu më ka akuzuar Karla del Ponte.
E vërteta është kjo: unë vërtet e kam takuar një mik timin, i cili duket se ka qenë dëshmitar i mbrojtur në procesin “Haradinaj e të tjerë!” E kam takuar në një vend të tretë. Kemi biseduar si miq të njohur. Nuk e kam kërcënuar, tamam puna. Me pak fjalë, i kam thënë se në Tribunalin e Hagës nuk e kanë vendin shqiptarët, kushdo qofshin ata. Nga dy takimet, që kanë zgjatur rreth dy orë, kemi folur për shumëçka tjetër. Jemi përshëndetur si miq. Kemi komunikuar më pas si miq. Por dy muaj pas takimit tim në “vendin e tretë”, diku në Evropë, në selinë e UNMIK-ut nga zyra e Tribunalit m’u dorëzua ftesa për intervistë me prokurorët e Tribunalit si i dyshuar për krime lufte (!).

– Si e mori vesh Tribunali për këtë takim?
– Eh, këtu qëndron krejt arsyeja ime pse e kam shkruar këtë libër! Gjatë procesit hetimor e gjyqësor mora vesh se “miku im” më kishte incizuar me mikrofon të fshehur në trup, më kishte përcjellë me rreth 30 policë civilë të “vendit të tretë”, më kishin përcjellë e përgjuar madje edhe në aeroplan, në hotel, në restorant, kudo që kam lëvizur në qytetin e “vendit të tretë”…

– Çka është ky “vendi i tretë”, pse nuk ia përmendni emrin?
– Sepse nuk dua të luajë letra në burgun e Tribunalit të Hagës përsëri me Sheshelin e të tjerët. Sepse e kam të ndaluar të përmend edhe emrin e “mikut” tim, edhe vendin e takimit. Kështu më ka sugjeruar avokati im Jens Dieckmann edhe pas përfundimit të procesit gjyqësor. Prandaj, siç e kam thënë edhe në librin tim “Trubunali i Hagës, qelia ime nr. 26”, librin jam detyruar ta censuroj për arsye të disa dokumenteve, incizimeve të përgjimeve, dëshmi të procesit gjyqësor, të dëshmisë së “dëshmitarit të mbrojtur” etj.

– A keni marrë ndonjë porosi nga Ramush Haradinaj, nga familja e tij apo nga ndonjë i afërt i tij për të takuar “dëshmitarin e mbrojtur”, siç e quani ju?
–
Eh, tash po don me hy llugave si hetuesit e Tribunalit!…

– Nëse e merrni si pyetje prej hetuesi, nuk keni nevojë të përgjigjeni.
– Jo, jo! Pse të mos përgjigjem. Unë tashmë e kam kryer “gripin” e Hagës. E vërteta është se unë nuk kam shkuar krye në veti ta takoj “mikun” tim. Nuk e kam ditur se ai është dëshmitar i mbrojtur, madje nuk e kam ditur as se në cilin vend të Europës jeton.
Por e vërteta tjetër është se unë kurrë dhe asnjëherë nuk kam marrë asnjë porosi dhe madje nuk jam takuar para se të takoj “mikun” tim me asnjë nga pjesëtarët e familjes Haradinaj. Madje, që t’ju them një detaj, unë kurrë nuk e kam takuar dorë për dore Ramush Haradinajn, as sot e kësaj dite. Pra, as para se të takoja “dëshmitarin e mbrojtur”, as pasi e kam takuar këtë “dëshmitar”, e madje as tash pas lirimit të Haradinajt nga Tribunali. Na ka ftuar një natë për darkë të gjithë kryeredaktorët e medieve, por unë kisha një obligim familjar dhe nuk pata mundësi të merrja pjesë në atë darkë. Ndoshta një herë tjetër, kur të bëhet kryeministër… ha-ha-ha!…

– Librin e nisni me një ftesë të pazakonshme. I ftoni lexuesit që të mos e lexojnë librin…
– Po, është e vërtetë. Unë rashë në hapsane pa e vra askënd, ndërkaq unë rashë në kurth të “mikut” tim pa më lajmëruar, pa e ditur. Unë flisja lirisht me “mikun” tim, si miku me mikun. Ai kishte mbajtur një mikrofon në trup, dhe kjo më ka prekur në sedër. Kam shkruar gjithçka që kam ndier prej ditës kur kam marr ftesën e hetuesve të Tribunalit në shtator të vitit 2007 e deri më 23 korrik të vitit 2009, kur më është vërtetuar përfundimisht dënimi në kohëzgjatje prej tre muajsh, ndërsa Astriti Haraçia u shpall i pafajshëm.
Por unë nuk dua që sfidën time ta përjetojnë duke lexuar edhe lexuesit e mi. Bile unë i kam bërë një propagandë të keqe librit: u kam thënë lexuesve “mos e blini librin dhe mos e mbani në bibliotekën tuaj”, edhe pse librin e kam nxjerrë në shitje dhe kushton vetëm pesë euro.

– Por librin e botuat shumë vonë, pothuaj tre vjet pas përfundimit të procesit tuaj gjyqësor me Tribunalin?
– Po, është e vërtetë. Meqenëse rasti im në njëfarë mënyrë ndërlidhej me rastin e Ramush Haradinajt e të tjerëve, unë nuk doja që libri im të shërbente eventualisht si argument nga prokuroria. Prita derisa Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm dhe e botova librin.

– Edhe një pyetje në fund. Sikur ta kthenit filmin e jetës edhe një herë, a do ta bënit të njëjtin veprim?
– Eh, tash po më detyroni të bëhem patriot me zor. Kam pasur dy dilema, të cilat i kam debatuar dhe i kam zgjidhur vetëm me bashkëshorten time për dy javë rresht para se të merrja rrugë për në “vendin e tretë”.
E para, po të mos shkoja dhe po të dënohej Ramush Haradinaj në gjykimin e parë, mbase një pjesë të fajit do ta bartja gjithë jetën: “Pse nuk e ndihmova kur pata mundësinë?!”
E dyta, unë nuk e kam bërë veprimin tim për asnjë interes timin personal, material apo të themi patriotik. Nuk e kam bërë as për Ramush Haradinajn, sepse, siç ju thashë, as sot e kësaj dite nuk e kam takuar ndonjëherë dorë për dore. E kam bërë për kryeministrin e Kosovës. Atëherë bashkë me bashkëshorten time kemi gjykuar se nuk do të ishte mirë të dënohej kryeministri i Kosovës. Dhe nga pozicioni i sotëm kohor mund të them se kemi gjykuar drejt, pavarësisht faktit se në jetën time nuk e kam paramenduar se do të përballesha me Tribunalin, do të dënohesha, do ta kaloja natën e Vitit të Ri 2008 me kriminelët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë, disa prej të cilëve përgjakën edhe popullin tim, e dogjën Kosovën dhe më dëbuan mua dhe një milion shqiptar nga trojet tona etnike. Por e kam përjetuar edhe këtë sfidë të jetës.

Bisedoi Gazmend KAJTAZI

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bajrush Morina, qelia, Tribunali i hages

Arti i Zeni Ballazhit: Imazh i 100 vjetorit të shtetit shqiptar

January 27, 2013 by dgreca

Nga Peter Tase (United States)

Zeni Ballazhi u lind, më 1975, në Kërçovë, Maqedoni. Në qershor 1998 mbaron studimet universitare në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë. Më13 qershor 2000 merr titullin Magjistër i Arteve me titull pune “Pa titull”, nëFakultetin e Arteve pranë Universitetit të Prishtinës. Më 18 nëntor 2000 mbaron studimet për disa disa muaj në Kolegjin Nacional të Arteve të Oslos, Norvegji. Në vitin 2009 emërohet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, si Drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës. Ka punuar si drejtor artistik (skenograf) në disa filma dhe shfaqje profesionale, në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe në Norvegji. Ka marrë mbi 15 çmime dhe medalje në Kosovë dhe nga institucione të tjera në rajon.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit tëpavarësisë sëShtetit Shqiptar, Zeni Ballazhi nderohet me Medaljen e Mirënjohjes, nga Presidenti i Shqipërisë. Ballazhi ështëautori i stemës sëdizenjuar me rastin e 100 vjetorit të formimit tëshetit Shqiptar. Fruti i punës së tij artistike do tëvendoset denjësisht nëanalet e historisë sëkombit shqiptar. Me rastin e marrjes së kësaj dekorate, Ballazhi shprehu kenaqësinëpër këtëvlerësim përpara presidentit të republikës. Nuk ka asnjë dyshim se krijimtaria e tij do tëpasurohet akoma më shumë. Gjatë dy dekadave tëfundit Zeni Ballazhi ka marrë pjesënë mbi 30 ekspozita kolektive nështete të ndryshme tëbotës, dhe ka realizuar tre ekpozita personale në Kosovëdhe Maqedoni, si dhe ka shërbyer si kurator në11 ekspozita të ndryshme nëEuropë. Zeni Ballazhi, ka qenëdrejtor artistik i shumë filmave, komedive dhe shfaqjeve teatrore. Për herëtë parë, ky artist i mirëfilltë flet për shtypin shqiptar nëpërmjet kësaj interviste.

NË Ç’FARË MOSHE E KENI BËRË VIZATIMIN APO SKICEN E PARË DHE SI E KENI FILLUAR PROFESIONIN E ARTISTIT?

Në shumicën e rasteve artistët e vërtetë lindin artistë. Kam bërë shumë skica sa që nuk më kujtohet e para, por më kujtohet vetëm si fëmijë, ndoshta ka qenë prishja e fotografive familjare të bëra gjatë viteve të hershme (bardhë e zi) duke i ngjyrosur fytyrat me tush dhe duke i kthyer në një imazh ashtu si unë dëshiroja të jenë, ndoshta edhe qesharake apo ashtu të dëmtuara. Por kan qenë edhe momentet kur kam filluar vijat e para të hedhura në letër pa e kuptuar se çfare bëj por gradualisht duke hyrë në moshë më të madhe kam filluar të kuptoj se çfare po bëj. Si vazhdimësi kohore identiteti im vërehet në çdo paraqitje të eksperiencës time.

SI KA QENË ATMOSFERA ARTISTIKE GJATË VITETE KUR KENI STUDJUAR NË AKADEMINË E ARTEVE TË BUKURA NË TIRANË, MË 1998? Ç’FARË JU KA BËRË MË SHUMË PËRSHTYPJE GJATË VITETE STUDIMORE NË KRYEQYTETIN E SHQIPËRISË?

Shqiptarët në përgjithësi edhe nga vende tjera të Ballkanit kanë përjetuar konflikte të ndryshme politike, historike, sociale etj. Në vitin 1993 jam pranuar për të ndjekur studimet në Shqipëri, atje ishin prezente pasojat e regjimit komunist si dhe një situatë tepër e çoroditur nga aspekti social. Kolera ishte një sëmundje që kishte kapluar shumicën e territorit të Shqipërisë, ishte një situatë ku për mua pati ndikuar shumë në kreativitetin artistik, ishte koha e ndryshimeve pozitive, optimist për një të ardhme më të mirë, për dikë edhe largimi nga vendi ishte zgjidhja më e mirë. Në 1997 lufta civile kundër çështjeve piramidale dhe 1998 vrasjet e disa personaliteteve politike, një përjetim i tmerrshëm gjatë këtyre viteve ku në të njejtin vit marr diplomën për kryerjen e Fakultetitv të Arteve të Bukura në Tiranë dhe fitoj të drejtën e studimeve pasdiplomike për magjistraturën në Universitetin e Prishtinës pranë Fakultetit të Arteve Figurative. Filloj lufta në Kosovë. Përjetuam çnjerëzimin nga masakrat dhe dëbimet. Shumë vende i hapën dyert për strehim, por Shqipëria ishte vendstrehimi shpirtëror.

KUSH KA QENË PRIRJA KRYSORE ARTISTIKE E JUAJ GJATË STUDIMEVE TUAJA PËR MAGJISTËR NË PRISHTINË?

Duke u nisur nga rezultatet që pata gjatë studimeve vendosa të vazhdoj studimet pasuniversitare në ndonjë Universitet jasht vendit por në mungesë të kushteve financiare dhe në mungesë të magjistraturës në Akademinë e Arteve në Tiranë u detyrova të vazhdoj më tej dhe të fitoj të drejtën e studimeve për magjistraturë në Universitetin e Prishtinës. Viti 2000 ishte viti i pasluftës, viti i diplomimit në Magjistraturë. Një vit plot optimizëm për pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2001 filloi lufta në Maqedoni, një përjetim dhe ndikim tjetër në jetën time pasi që unë jam lindur në Kërçovë. Pas gjithë kësaj në vitet 2002 – 2011 fillon dalja në skenë e veprave, ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një histori e shkurtër për të dhënë idenë se çfarë ndikimi kan pasur konfliktet në përgjithësi në Ballkan për punën time kreative në përgjithësi, ku do të thoja në aspektin profesional mjaft pozitive sepse në veprat e mia paraqitet ky ndikim sipas kohës dhe realitetit të jetuar, ku këto vepra tani kanë mundësi t’i shohin edhe të tjerët, e sidomos ata që nuk i kanë përjetuar. Le të përjetojnë pak nga e kaluara e hidhur, sepse sot përjetojmë një luftë teknologjike e llojit modern, do të thoja një “Teknologji sociale”. Një kujtesë tjetër sociale e cila sot kontribuon dukshëm në punën tonë artistike.

CILËT PIKTORË JU PELQEJNË MË SHUMË DHE SA KANË NDIKUAR ATA NË FORMIMIN TUAJ SI ARTIST I PËRMASAVE BOTËRORE?

Ndikimi është vetëm realiteti i jetuar nëpër kohë të ndryshme. Eksperienca dhe vepra është formimi i një artisti. Çdo piktor i mirë apo i keq është i ndikuar nga realiteti që e rrethon. Nuk ka art të mirë, të keq apo të parëndësishëm, kushedi çfarë mbiemri ti vëmë kësaj prapë është art, si ç’do emocion i mirë apo i keq është prapë emocion. Për mua më e rëndësishme është që të kuptojmë, çmojmë dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin të jemi sa më profesional në punën që bëjmë që të reflektojmë bindshëm në çdo vend dhe njëri nga qëllimet është që të pranojme artet sa të jemi të aftë të marrim pjesën tonë në rrafshin e diskutimit bashkëkohor që “bëhet sot në botë” dhe le të vazhdojmë të ushqehemi me ndjenja dhe të reflektojmë të gjithë artistët dhe e vetmja matje për ne të jetë realizimi artistik.

CILAT JANË DISA NGA TEKNIKAT QË DËSHIRONI TË PËRDORNI NË PUNIMET TUAJA ARTISTIKE?

Teknika më e mirë për përdorim në veprat artistike është idea. Në ideologji bashkëpunojnë; vullneti, mendimi dhe ndjenja, si triadë, për të ndërtuar dhe për të themeluar një praktikë artistike, e cila është përherë një komunikim ndërmjet hapsirës dhe realitetit, që i kundërvihet realitetit mohues të jetës së përditshme. Nisem nga kjo vetëdije duke pranuar të punoj nëpërmjet gjuhës specifike të artit, por edhe duke u përpjekur që ta reklamojë këtë specificitet si projekt të transformimit të realitetit, duke e nënkuptuar artin si model të sjelljes alternative. Koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, si rezultat i intensitetit të veçantë për filozofinë dhe artin bashkëkohorë kërkohen mënyra më të reja për te reflektuar ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Prandaj veprat janë një art i frymëzuar nga takime me gjëra të zakonshme që të bëjnë për vehte dhe për vlerat e tyre të mundëshme dhe për lidhjen asociative për të cilën aludojnë. Është një fryme e re, një eksperiencë e mbledhur nga të gjitha ecejaket nëpër botën e artit bashkëkohor, pikërisht në atë fushë krejtësisht jo të përkrahur nga shumica e atyre artistëve që artin e konsiderojnë si zanat. Arti në thelb përbën një zbulim. Afirmimi i kësaj praktike të re alternative të këtyre punimeve do të na mundësoj të kuptojmë se arti nuk është thjeshtë zanat por në thelb përbën një zbulim. Kurse koncepti për artin formulohet vetë në kohën dhe vendin ku jetohet, për një kërkesë më të madhe gjatë eksperimentimit në artet vizuale dhe nëpërmjet tyre për të komunikuar me imazhe më të reja dhe më cilësore.

SA SHTETE KENI VIZITUAR DHE CILI VEND JU PËLQEN ME SHUMË?

Vizitat e mia janë më shumë profesionale se sa private. Jam pjesëmarrës në ekspozita kolektive me karakter ndërkombëtarë, bienale, workshope, udhëtime kuratoriale, festivale teatrore dhe festivale të filmave. Nga ajo që kam vizituar, të gjitha vendet kanë një karakteristikë në vehte e sidomos në pëlqimin pamor. Përveç këtyre më pëlqen të vizitoj ato vende të cilat ende nuk i kam vizituar, do të thoja ndoshta një planet tjetër. Veprat e mia kanë shkuar deri në malet Kaukaze. E kam sprovuar veten me vepra të ndryshme vizuale si: video-instalacion, pikturë, disenjo, fotografi, skenografi filmi dhe teatri, kostumografi, land art. Nëpërmjet artit kërkoj që të rindërtoj shpirtërisht unitetin e njeriut, t’i rijap atij energji dhe tension, për të transformuar raportin tim me botën. Koncepti i artit përqaset me nevojën për të futur të gjithë elementet e gjallë në raport me botën dhe komunikimin ndërmjet tyre, pa privilegjuar asnjë. Në këtë moment shoqëria modelohet dhe vetmodelohet në ndërgjegjësimin progresiv që publiku përfiton nëpërmjet dialogut me artistin. Në veprimet dhe në debate futen nivele të ndryshme, natyra, vdekja, ekonomia, me qëllim që të rikthehet uniteti i një kulture të ndarë në specializimet e saj të larmishme ashtu siç jeton shoqëria e ndarë në klasa.

CILAT JANË DISA NGA EXPOZITAT MË TË RËNDËSISHME QË KENI BËRËE GJATË GJITHË KARIERËS SUAJ?

Çdo ekspozitë e ka rëndësinë e vet, do të veçoja ato ekspozita të cilat nuk kemi mundur t’i realizojmë. Ku në një të ardhme të afërt besojmë dhe shpresojmë që do t’i realizojmë, gjithmonë duke u bazuar në eksperiencë dhe në kreativitet. Jam evidentuar në shumë fusha të arteve kontemporane, siç përmenda edhe më lart, kam qenë kurator i disa ekspozitave konceptuale, skenograf në disa filma profesional, pjesemarrës nëshumë ekspozita kolektive në vend dhe jasht vendit. Arti që preferoj është arti profesional kontemporan. Në shumë vepra, materialet po fitojnë një intensitet të ri, po shpërbehen në pika të reja ndjesore referimi ku: “Arti kërkon sytë, intelektin, dëshirat, por ai është gjithnjë i lidhur me trupin”. Për natyrë arti është subversiv, ai vë në pikëpyetje realitete të konsoliduara shqetëson tradita të rrënjosura dhe kështu krijon rregulla te reja gjuhësore, njëkohësisht artistike dhe shoqërore.

CFARE KENI NE PLAN PER TE ARDHMEN, ME Ç’FARË PROJEKTI JENI DUKE U MARË AKTUALISHT?

Prezantimi i artit shqiptarë në arenën ndërkombëtare është prioritet për të ardhmen tonë artistike. Personalisht pas fitores time në Konkursin Kombëtar për logon e “100 Vjet Pavarësi” si dhe shumë shpërblimeve e sukseseve të mia, aktualisht jam në parapërgaditje të një ekspozite në maj të këtij viti si pjesmarrës në Budapest, përgaditja e disa dizajnimeve si: libra, monografi pllakata etj, si dhe skenografi Teatri dhe filmi, janë shumë projekte profesionale të cilat mendoj se ia vlen për një të ardhme të afërt. Jemi në përgatitje edhe të Festivalit të 5-të Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë “MonoAkt 2013” këtu jam menaxher artistik.Është një rrugë e gjatë e cila na premton origjinalitet dhe risi pambarim.

SI MENDONI PER RRETHIN E ARTISTEVE NË PRISHTINË, CILËT JANË AKTUALISHT DISA NGA ARTISTËT ME NJOHUR TË KOSOVËS, DHE ME CILIN PREJ TYRE KENI PUNUAR NË PROJEKTE TE PERBASHKETA?

Ne kemi mjaft artistë të mirë të cilët kanë reflektuar bindshëm në arenën ndërkombëtare e sidomos nga gjeneratat e reja ku edhe jetojnë jasht vendit. Bashkëpunim të mirë kam pasur edhe me shumë artistë ndërkombëtar, si kurator kam organizuar ekspozita të përbashkta ndërkombëtare edhe në Kosovë. nRaporti dhe komunikimi rreth artistve të huaj është më profesional dhe me i frytshëm se sa me ato vendor për arsye se arti vendor vlerësohet në mënyrë shumë profesionale nga kritika ndërkombëtare. Sipas mendimit tim problemi qëndron këtu se tek ne nuk ka kritikë të mirëfilltë të artit në përgjithësi dhe nuk ka bashkëpunim ndërmjet vetë artistëve. Janë të paktë ata artistë të cilët kanëraporte të mira me artistë vendor. Mendoj që edhe tek ne tani është bërë një zgjidhje, dhe jemi tëbindur se arti nuk është një çështje shijeje të përgjithshme, por një çështje zgjidhjeje personale. Zgjidhja kërkon kurajo dhe vendosmëri, ndërsa shija mbetet përherë e papërcaktuar dhe e pavendosur. Arti që flet në këtë nivel është një instrument që ndërgjegjëson për bashkëshoqërimet historike, që bën të ngjasin plot gjera, që ngre emocione që kërkojnë vlerësim, arti i cili nuk i drejtohet ndërgjegjes së transfiguruar metafizike, por jeton në kushtet e ekzistencës tokësore dhe prandaj na provokon që t’i shohim gjërat në një mënyre të re.

Ju faleminderit për intervistën!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Peter Tase, Zebi Bllazhi

DALIP GRECA: SI E RILINDEM DIELLIN E NOLIT DHE KONICES

January 25, 2013 by dgreca

NGA Raimonda MOISIU/ BOTOI- TIRANA OBSERVER/

 Dalip Greca është një publicist i njohur këndej dhe përtej Atlantikut, veçmas një nga intelektualët më në zë të diasporës shqiptare, që posedon mjeshtërisht artin e publicistikës bashkëkohore. Kush e lexon e ndjen se pena publicistike e Dalip Grecës, “artikulon” me aftësi dhe mjeshtërisht “makinën” prodhimtare, mendimin e pjekur e të mençur publicistik, me madhështinë e bukurinë e të përditshmes njerëzore, ndërton qartë të kaluarën, pasuron të tashmen dhe i hap udhë të ardhmes. I pranishëm në median dhe shtypin shqiptar, shtypin shqiptaro amerikan, në penën e tij publicistike lexohet plotësisht jeta dhe filozofia e saj, ndjeshmëria kombëtare dhe e identitetit shqiptar, e vlerave kombëtare dhe çështjes kombëtare, guximi për ta shprehur, e ruajtur atë, penë që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan e botës amerikane, e të gjithëve, por është model i ndjeshmërisë që e ka vendosur atë mes integrimit të këtyre vlerave. Dhe Dalip Greca befason me universin e tij profesional, publicistik dhe interesant, -historia përsëritet; Rilind gazetën historike të Nolit e Konicës;DIELLI! Rilindja e kësaj gazete të themeluar nga mërgimtarët e hershëm historikë, në dekadën e parë të shekullit të kaluar, disi larg, por afron kufijtë mes historisë dhe krenarisë kombëtare, mes përjetësisë dhe lavdisë! Me frymë modestie dhe pjekurie Kryerdaktori i gazetës “Dielli”, publicisti i njohur Dalip Greca na rrëfen; si arriti të rilindë gazetën më shumë se një shekullore DIELLI, pra-Vatra dhe Dielli në Amerikë!

Ju keni qenë një penë publicistike e njohur që pa emigruar nga Shqipëria në Amerikë. A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetar?
– Rrethanat ishin paksa të çuditshme për kohën dhe sistemin. Populli ka një shprehje: Pas një të keqeje prit një të mirë ose e kundërta. Kisha shkruar një fejton në majin e vitit 1982. Punoja në arsim atëherë, në shkollën e Ballagatit, shkolla më e skajshme e kodrave të Lushnjës. U akuzova se nxiva realitetin socialist. Ranë telefonat nga lartë, u shkul Komiteti Ekzekutiv dhe ai i partisë në Ballgat, u bënë ballafaqime të zgjatura, u bënë investigime dhe hetime. Një dyqan fshati kishte 6 muaj i pafurnizuar me ushqime. Udhëheqja lokale pasi i solli ushqimet me makina ushtarake në ditën që u botua fejtoni im në gazetën lokale, duke krijuar idenë se dyqani i kishte ushqimet, nisi “gjyqi”. Po kërkohej grupi armiqësor, kush fshihej pas meje dhe kush ishte nxitësi i shkrimit kritik, që njolloste jetën e lumtur të fshatarëve. Të mos kisha pas mbështetjen e kryeredaktorit të gazetës lokale, të ndjerit P. Kraja, që këmbënguli për verifikim të problemit me revizorë të financës, nuk dihej ç’rrugë do të merrte fati im. Udhëheqja e atjeshme, me ndonjë përjashtim, e dënoi artikullin. Nga gjithë ajo rrëmujë fitova besimin e kryeredaktorit dhe pas një viti, kur u hap vendi, unë kalova në gazetën lokale, redaktor për problemet e arsimit, kulturës dhe sportit. Çfarë ndikoi pyesni, ju. Mendoj pasioni më kapi për dore dhe më tërhoqi në shtigjet e vështira dhe të rrezikshme të gazetarisë.

A mund të na përshkruani shkurtimisht New York-un si zemëra e emigracionit shqiptar në Amerikë por edhe ku ndërthuren shumë kultura të tjera.
-New Yorku, dihet është metropol botëror; por ai ka marrë prej kohësh pikën e rëndesës edhe për emigracionin shqiptar. Këtu kanë vepruar prej kohësh organizata dhe parti politike të emigracionit politik shqiptar; Organizata Lëvizja e Legalitetit, Balli Kombëtar, Blloku Independent, Komiteti Shqipëria e Lirë etj. Këto tërhoqën përherë e më shumë emigracionin politik që vinte nga Ish Jugosllavia, Italia apo Greqia. Këtu ka vepruar Shoqata Jusuf Gërvalla, Kosova etj. Po ashtu degët e Vatrës kanë qenë të fuqishme këtu në New York, ka pas më shumë se një, por shpërngulja e Federatës Vatra nga kryeqendra shqiptare dhe vendthemelimi i saj, Bostoni historik, në New Yorkun metropol në fillimvitet ’90 si dhe krijimi i LDK-së, e rriti më shumë peshën specifike të pranisë shqiptare këtu. Para viteve ’90, mesa kam parë nga shfletimi i shtypit dhe librave që janë botuar, qoftë dhe ato me pseudonime, japin pasqyrën e përçarjes së komunitetit shqiptar në New York, ç’ka e nxisnin dhe shërbimet sekrete të Tiranës dhe Beogradit. Titizmi dhe Enverizmi, ishin dy sëmundje, të cilat ende i japin efektet negative edhe sot, në mënyrë paksa të kamufluar, por të lexueshme. Gjithsesi do të thoja se në tërësinë e vet komuniteti shqiptar është i orientuar nga ndjenja Kombëtare. Këtë e treguan dy veprimtari madhore të vitit 2012, festimi i 100 vjetorit të Vatrës, ku pat një pjesëmarrje që nuk ishte parë që nga viti 1993, kur presidenti Berisha pat vizituar diasporën. Po ashtu edhe festimi i 100 vjetorit të Pavarësisë; manifestimi madhështor në Times Square, ishte shprehja më kuptimplotë për forcën bashkuese të shqiptarëve nën simbolet Kombëtare. U ndjeva shumë i emocionuar që raportova për TV Kultura shqiptare nga Times Square. U përsërit i njëjti mozaik kuq e zi, që ishte shpalosë edhe me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, i njëjti uragan ushtoi në rrokaqiejtë e Manhattanit. Edhe atëherë shqiptarët treguan forcën e tyre në sheshin historik të metropolit njujorkez. Pata raportuar atëherë edhe për TVSH. Këto janë çaste emocionuese që të mbeten në kujtesë përjetësisht.
Po ashtu New Yorku, është shteti ku ka më shumë veprimtari kulturore, promovime librash, hapje ekspozitash, organizim festivalesh, etj.

Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
-Sapo ju përshkrova çaste të gëzuara, veçse profesioni i gazetarit ashtu siç të jep kënaqësi, të shkakton dhe telashe. Si gjithë të tjerët me karrierë të gjatë, edhe unë kam përjetuar ngjarje të gëzuara dhe dëshpëruese. Kam punuar në këtë profesion në pozicionin e gazetarit të lirë, të redaktorit dhe të kryeredaktorit. Kam drejtuar gazeta të përjavshme dhe të përditshme. Mbresat janë aq të shumta sa do të do të duheshin faqe gazetash. Po ndalem fillimisht në një moment të trishtë. Duhet të ketë qenë viti 1988. Bashkë me telekronistin e rrethit kishim shkuar në Ballgat, ku ishin hedhur në aksion qindra forca për të korrur me krah grurin. Ne shkuam në kohë dreke. I gjetëm duke ngrënë drekën e varfër. I madhi i komitetit u afrua tek disa grupe që përtypeshin në heshtje. E shoqëruam edhe ne me kamerë dhe aparat fotografik. Ç’të shihnim? Bukë misri me pak sheqer, dikush vetëm bukë me qepë apo ndonjë turshi, mbetur nga dimri. Dhe ne duhej të përcillnim entuziazmin e atyre skllevërve, që prodhonin grurë dhe hanin misrin e destinuar për bagëtinë, që prodhonin, qumësht me shumicë, rritnin bagëti për mish, por vetë s’kishin të drejtë të hanin, sepse ua merrte shteti për qytetin dhe kryeqytetin. Madje edhe pulat e detit ua kishin marrë. I Madhi i dha urdhër kryetarit të kooperativës: lëreni mangët planin e qumështit të shtetit dhe prodhoni ca gjizë që ta kenë për fushatën! Uli kokën dhe iku. Çaste të trishta si këto ta brejnë kujtesën. Zhvendosemi në kohë- Ishte viti 1996 dhe në atë kohë drejtoja gazetën “Ora e fjalës” në Lushnjë, një gazetë e krijuar nga miqtë e mi republikanë Shpend Sallaku e Gëzim Hajdari, sot intelektualë të suksesshëm, shkrimtarë me zë në Itali. Duke hyrë në zyrën e Kryetarit të Këshillit të rrethit për të marrë të dhëna, në krah të kryetarit gjej një kapobandë të rrezikshëm të asaj kohe. Kryetari ngrihet në këmbë dhe siç duket i çliruar nga hyrja ime, thërret: Eja gazetar i nderuar, na ke munguar! Kapobanda u ngrit në këmbë dhe po më shihte me vëmendje. Pastaj, pyeti kryetarin: Ça gazete punon ky? Mos është ai që shkroi për arratisjen time nga spitali? Situata u tensionua. Vështrimi im kaloi tek koburet që i vareshin në brez.
-Jo, ndërhyri kryetari, ky është miku ynë, shkruan vetëm mirë.
Unë harrova përse kisha hyra dhe pasi përshëndeta dola. Konflikti përfundoi pa zarar. Një rast tjetër. Ishte viti 1997. Drejtoja ‘Republikën’ atëherë. Në mbrëmje kisha shkuar në Parlament të ndiqja punimet e seancës. Gazetën ia lashë zëvendëskryeredaktorit. Njëri nga gazetarët, që sot është bërë ndër më të njohurit e kronikës dhe investigimit; merr një lajm në telefon se një bandë e Lushnjës kishte zënë pritë makinave me materiale ndërtimi të Beratit dhe e shkarkonte materialin në dalje të qytetit, ku po ndërtonin një vilë. Kishte filluar shthurja e shtetit. Bandat po bënin ligjin. Të nesërmen lajmi ishte botuar në faqen e parë të ‘Republikës’. Që në orën 9 të mëngjesit nisën telefonat. Familja ime, që jetonte në Lushnjë, ishte shumë e shqetësuar sepse banda me një varg makinash me drita të ndezura dhe me bori të takuara kishin rrethuar pallatin dhe po kërcënonin fëmijët. Nuk u tërhoqën derisa i sigurova që të nesërmen do ta përgënjeshtroja lajmin. Ishte një situatë tepër e vështirë. Një rast tjetër, ka si shkak militantizmin partiak. Kisha vendosur në faqen e parë të ‘Republikës’ një fotografi-montazh të liderit socialdemokrat, Gjinushi. Militantët e tij, mbërrijnë në zyrën time, dhe njëri prej tyre, më kapin për fyti, me kërcënimin: Merru po deshe edhe një herë me kryetarin dhe partinë tonë. Me sa kam mësuar organizatori ka ndërruar tre parti deri tani. Puna në gazetari ka dhe ngjarje komike. Kam disa ngjarje interesante në kohën e piramidave. Njëra ka të bëjë me të famshmen ‘Sude’. Në konkurrencë me Fondacionin ‘Xhaferri’, ajo i ngriti përqindjet në stratosferë. Askush nuk e njihte Suden për fytyrë. Nuk dilte në publik. Gazetari i kronikës tek ‘Republika’ dhe zv/kryeredaktori, nisën një seri shkrimesh, duke u përpjekur që ta nxirrnin Suden nga strofulla. Kritikat e ‘Republikës’ për kompetentin, për autobusin, që nëse nuk futeshin pasagjerë, nuk mund të vazhdonte udhëtimin, analogjia e Sudes, po nuk depozituat, nuk kam çfarë u jap. Këto shkrime e inatosën Suden dhe një natë merr badigardët, ku mbaj mend Baçovën, ish basketbollistin e Partizanit, dhe mësynë ‘Republikën’. Baçova me zë të lartë thërret: ku është kryeredaktori? Njëra nga gazetaret e sjell në zyrë. Britmat e mysafirëve kishin si qëllim frikësimin dhe përgënjeshtrimin, por njëri nga gazetarët, D.N, e shpërfilli shtatlartësinë e ish basketbollistit edhe pse ishte sa gjysma e tij, iu hakërrua. Ra tempi i mysafirëve. Atëherë nisëm bisedën, duke i kërkuar Sudes se çfarë ishte e padrejtë në shkrimet tona. Ajo nisi shpjegimet: Unë nuk kam thënë se paret i ka kompetenti. Nuk kam thënë se autobusit iu mbarua nafta, nuk kam thënë këtë e atë…Ajo të vetat ne tonat. Të nesërmen hapim gazetën me titullin ”Sudja mësynë Republikën”. Shkrimi i xhindosi më keq ustallarët e Sudes, që herën e dytë nuk pritën mbrëmjen por erdhën që paradite. Sërish ballafaqim, por këtë herë më të ashpër. Gjeta një moment pavëmendje të mysafirëve dhe i bëra shenjë fotografit që të priste poshtë shkallëve dhe ta fotografonte Suden gjatë zbritjes. Me fotografi shkrimi do të kishte më shumë efekt. Huamarrësit nisën të grumbulloheshin rreth fondacionit të saj duke kërkuar kthimin e parave. Ku qëndron komizmi? Një ditë dy policë që ishin caktuar nga shteti që të mbanin rendin rreth fondacionit, trokasin tek Republika dhe kërkojnë ndihmë për të tërhequr paratë e tyre që kishin depozituar atje. A s’është për të qeshur? Telashet nga profesioni më kanë ndjekur gjatë në të dy kohët, para dhe pas ’90-tës. Gjatë viteve 1998-99, kam qenë shpesh dyerve të gjykatës, duke u përballë me qeveritarë të rangjeve të lartë, fillimisht me Ilir Metën si zv/ kryeministër, njëkohësisht edhe me familjarët e deputetit Tritan Shehu. Me të parin për akuzën që i kishim bërë për korrupsion, me të dytin, për problem të trojeve në Durrës. Siç e keni vënë re, edhe këtu kam pasur telashe po për shkak të profesionit dhe parimit tim për t’i thënë gjërat hapur.

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, shqiptaro-amerikane?
-Po ndalem fillimisht tek gazetaria shqiptare. Media ka vlera të padiskutueshme për të çuar shoqërinë përpara, por mendoj se gazetaria shqiptare ashtu si e gjithë shoqëria shqiptare vazhdon të përjetojnë tranzicionin e zgjatur. Herë –herë më duket e hutuar, herë – herë agresive. Më duket se një gazetare shqiptare ka gjetur togfjalëshin më të saktë; media është në depresion! Media nuk është e lirë nga politika. Nuk them që politika të shihet si armike e medias, por ka një masë deri aty sa gazetari ta ndjejë profesionin dhe të mos bëhet skllav i politikës. Shtypi më duket mua më shumë hedh fishekzjarr akuzash se sa investigon dhe vuan nga nxitimi. Më shumë krijon huti se sa kryen detyrën si pushtet i katërt. Kam mendimin se vuan edhe nga të qenurit shërbëtor, një pjesë me pozitën, një pjesë me opozitën. Ke vënë re se analizat e disa gazetarëve nuk kanë shumë ndryshim nga fjalimet e deputetëve sipas kampeve partiake, deklaratat e zëdhënësve apo fjalimeve të shefave të politikës? Nuk e di në shprehem qartë, por në sytë e mi është kjo tablo në Shqipëri: Media që është palë me qeverinë-vetëm pohon, dhe lëvdon Qeverinë e shan opozitën, media që është palë me opozitën vetëm shan qeverinë dhe lëvdon opozitë. E kanë shumë të vështirë që krahu i gazetave të rreshtuara në krah të opozitës të thonë se këtë gjë qeveria e bëri mirë! Kjo nuk shkon. Agresiviteti është një tjetër tipar karakteristik i medias shqiptare. Fjalori është pa etikë. Kam mendimin se kur të shkruaj gazeta apo flasë Radio- TV, shoqëria duhet të tundet. Kjo nuk ndodh në Shqipëri për shumë arsye, por edhe për shkak të inflacionit të akuzave; hidhet një sot dhe të nesërmen harrohet sepse hidhet tjetra.Problemi qëndron se edhe tek media e këtushme shqiptare, ashtu si e gjithë media ballkanike,janë në rezonancë me mediat e vendlindjes, vuajnë nga sëmundjet e atjeshme. Kjo duket edhe në gazetat e komunitetit, por veçanërisht në mediat elektronike, ku mungon profesionalizmi dhe vihet re një vetëmburrje skandaloze. Madje rroftë Youtube dhe Facebook, dhe një kamerë e një mikrofon po trumbetohen si Televizione Profesioniste.

Me iniciativën e Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, një grupi intelektualësh dhe dashamirës të gazetës historike dhe tradicionale “Dielli”, produkt i Era Noli & Konica, ju e risollët atë për komunitetin shqiptaro –amerikan pas disa vite ndërprerje të botimit të saj, Para së gjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e ringjalljes së saj, -si pjesë narrative jetësore e rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo…?
-Faleminderit për vlerësimin bashkë me komplimentet. Ideja ishte e vatranëve. Kur u organizua 100 vjetori i Diellit, kisha dhe unë një kumtesë për rolin dhe vlerat historike të gazetës “Dielli” si shkollë e gazetarisë shqiptare për një shekull. Punova 3 muaj në arkivin e Vatrës, kryesisht me koleksionet e gazetës, që i merrja në shtëpi dhe i studioja, mbaja shënime. Kumtesa u vlerësua. Në seancat e Konferencës pata një interesim nga z. Agron Alibali dhe Merita Bajraktari McCormack, të cilët ma shtruan si alternativë, nëse gjehej mundësia e pagesës, a do të punoja në “Dielli”? Një muaj më pas unë dola i lirë nga gazeta “Illyria” ku editoja prej 10 vitesh edicionin shqip. Shkaku siç m’u tha me gojë dhe me shkrim (e ruaj ende shkresën përcjellëse) për probleme financiare të gazetës. Menjëherë më erdhi propozimi i Vatrës për të marrë drejtimin e “Diellit”. As më vunë kushte, as u vura kushte, qoftë dhe financiare. Njoftimi që publikoi në numrin e 100 vjetorit të Diellit, z. Karagjozi ishte shumë i ngrohtë dhe më shkaktoi emocione të forta dhe ma rriti vendosmërinë që t’i përkushtohesha me gjithë shpirt “Diellit” dhe Vatrës. Me ndonjë përjashtim të vogël mbështetja ka qenë e fuqishme nga Vatra. Realiteti tani është më ndryshe; Dielli është stabilizuar në botimin e përmuajshëm, ka publikimin e përditshëm në on line, jemi duke punuar për mbledhjen e dhe përgatitjen e koleksioneve të gazetës për një periudhë 42 vjeçare. Po ashtu vazhdojmë të kërkojmë burime financiare që të na mundësojnë një botim më të shpeshtë.

Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet në karrierën tuaj A ka ndonjë gjini tjetër që ju e lëvroni dhe do të dëshironi ta provoni?Në rast se po. Cila është gjinia tuaj e preferuar?
-E kam pak të vështirë sepse do të thoshte lexuesi: edhe ky si Beluli! E kam filluar me ndrojë gazetarinë për shkak të një ”frike” se po më heqin sot e po më heqin nesër. Shkaku ishte biografia. Im atë ishte burgosur në mes të viteve ’50. Edhe pse e fitoi pafajësinë pas 13 muajsh burg, kjo iu kujtua gjatë atij dhe neve gjatë të gjithë jetës. Nga ana tjetër, dajua im, vëllai i nënës, Adem Qose, u dënua me 101 vite burg dhe kreu pas amnistive dhe punës 17 vite. Kur doli nga burgu një këmbë e kishte të paralizuar. Asnjë nga 9 fëmijët e tij dhe 11 fëmijëve të vëllait te tij, nuk u lejua të shkollohej. Kjo biografi të diktonte një qëndrim si mbi gjëmba, ku sundonte frika e “zbulimit”. Në të vërtetë unë nuk i dija gjërat kur isha fëmijë. prindërit na kishin ruajtur duke na i fshehur. I kam mësuar shumë vonë. Sinjalin e parë e mora kur dolën listat e studimeve pas gjimnazit. Ditën e parë emri im ishte tek Juridiku, të nesërmen përfundoi në Shkodër për mësues 8 vjeçareje, të cilin nuk e preferonin edhe për shkakun se të merrnin ushtar pas shkollës. E provova serish njollen e biografise pas 2 vjetësh. Kur mbarova Institutin Pedagogjik në Shkodër për gjuhë shqipe, dega ushtarake e rrethit më kërkoi që të shkoja të studioja në shkollë ushtarake për oficer. Alternativa që më shtruan ishte: O shko për oficer ose do të çojmë ushtar! M’u duk më e lehtë e para pas bisedës që na bëri shefi i degës për lavdinë e ushtrisë. E firmosa deklaratën mes mëdyshjeve. Kur shkova në mbrëmje në shtëpi, ia tregova tim eti ç’më kishte ndodhur. Ai u nxi në fytyrë dhe më dha urdhër që të shkoja të flija herët se nesër do të shkonim sërish në qytet. Kalova një natë pa gjumë. Në mëngjes herët shkuam në fshatin fqinj ku e kishte shtëpinë kryetari i këshillit të Bashkuar. Edhe sot ruaj respekt për atë njeri, pa shkollë, por zemërmirë. Nuk mbaj mend që t’i ketë bërë keq njeriu, madje as”kulakëve “ të Matjanëve. Ai ishte shok ushtrie i babës; e ruante respektin edhe pas burgu, nga që ia kishte ndihmuar familjen në kohë të vështira. Baba ia shpjegoi veprimin tim kryetarit dhe i foli hapur në sytë e mi, duke i thënë se unë nuk mund të shkoja për oficer se do të hapeshin letrat e biografisë, edhe nëse pranohesha një ditë do të më përzinin me ceremoni. Në logjikën e tim eti, oficeri dhe komunisti ishin njësoj të filturuar imtësisht për biografinë. Për oficer shkonin të besuarit që nuk kishin asnjë cen në biografi. Kryetari dhe imatë ranë dakort që të gjenin një arsye tjetër që ta paraqesin si shkak. Kemi qëndruar gjithë ditën duke pritur dhe më në fund hyri kryetari i këshillit. Më pas thirrën edhe babën. Mua vetëm ma komunikuan se pas një muaji do të shkoja ushtar. Kështu që shkova 3 vjet ushtar (në fakt bëra 37 muaj). Edhe një herë tjetër më ngacmoi biografia. Në vitin e dytë të ushtrisë, kisha riparuar në det të hapur një defekt teknik gjatë lundrimit, që u vlerësua dhe më propozuan për dekorim dhe shpërblim me leje suplementare. Mirëpo pritej vlerësimi i Partisë në fshat. Pas 15 ditëve vjen përgjigja”nuk ka garanci politike”. Ma tregoi Komisari zemërmirë, T. Kola, babai i futbollistit Bledar Kola. Ia di për nder atij oficeri që më dha mundësi që  të mos më anulohej leja shpërblyse, sepse në vitin e tretë të ushtrisë nisa dhënien e provimeve me korrespondencë në Universitetin e Tiranës. Për një vit likuidova të gjithë ekuivalencën. E zgjata pak përgjigjen për të treguar se në ato vite që unë punova në gazetari ndjehesha i pasigurtë për shkak të bashkëjetesës me njollat e biografisë. Madje kur vinin mbledhjet e Partisë, ne pa parti, na thoshin, na falni, mund të dilni pak jashtë se tani kemi punë partie. Kontradiktat e mia dolën hapur në fillim të viteve ’90. Pas shkrimeve të prof. Ylli Popës, dr. Sali Berisha e të tjerë, na doli frika. Shkrimet e mia kritike më nxorën përballë administratës qeveritare lokale. Kjo ishte kohë e vështirë për mua dhe familjen. Merrja kërcënime, letra anonime, deri edhe Fletë rrufe në qendër të qytetit, gjoja nga bashkëfshatarët e mi, që kritikonin Partinë që nuk e kishte zbuluar gjarpërin (medemek mua). Po si mund të vinin bashkëfshatarët e mi në pesë të mëngjesit aty ku u duhej të udhëtonin më shumë se 2 orë. Këto ishin lojëra të Sigurimit apo të aktivistëve të partisë. Zhgënjimi më i madh ishte kur si gazetar pashë dhe perjetova ballafaqimet që bënte Ramiz Alia, Adil Çarçani, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, me vullnetarët e Enverit për t’u ndalë hovin kundërshtues, ku përbetoheshin për vazhdimësi të rrugës së Enverit dhe do ta mbronin edhe me gjak. Gjatë rrugës së kthimit mora vendimin. E shpreha këtë në redaksi, por edhe në shkrime që i botoja në gazetat e Tiranës ku ishte vrarë frika. Menjëherë erdhi pushimi nga puna. Qëndrova pak kohë i papunë, republikanët më kërkuan që të pranoja postin e sekretarit të komitetit Ekzekutiv Pluralist. U përpoqa të kryej me drejtësi detyrën në kohë të vështira. E lashë këtë detyrë kur pranova propozimin tjetër për kandidat për deputet sepse ligji e diktonte. Me 20 shtator 1991 u krijua gazeta antikomuniste ”Ora e Fjalës”, nga Shpend Sallaku dhe Gëzim Hajdari. Që në numrin e parë u botua një shkrim i imi kundër korrupsionit të administratës shtetërore. Po në atë numër kishte dhe një përgëzim nga botuesit në adresën time dhe të gazetarit Bujar Xhaferri për ndihmën që kishim dhënë. Unë isha dhe pjesë e Këshillit Botues. Pas ikjes të themeluesve të kësaj gazeta në Itali, në vitin 1992, gazetën e mora unë dhe e mbajta deri në gusht 1996, kohë kur m’u ofrua posti i Kryeredaktorit të ‘Republikës’. Mendoj se aty është dhe arritja e karrierës time, në përgjigje të pyetjes tuaj. Me një ekip të rinjsh ne bëmë një gazetë të madhe, shumë herë më të madhe se partia, me rritje kulmore deri në 40 mijë kopje në ditë dhe me një staf të plotë në qendër dhe me korrespondentë në të gjithë territorin e vendit. Përsa i përket gjinive që lëvroj, më pëlqen reportazhi, dossieri, satira. Në letërsi, pasioni i fshehur është proza e shkurtër.

Në publicistikën tuaj gjithçka vjen nga jeta reale. Çfarë lloj kërkimi keni bërë për të? A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?
-Përgjigja është brenda pyetjes tuaj. Gazetaria nuk bëhet vetëm në zyrë, por duhet prekur jeta, duhen takuar njerëzit. Duhet shkuar atje ku jetojnë njerëzit, atje është gazetaria. Natyrisht ka rëndësinë e vet edhe shfrytëzimi i arkivave, i historisë, por mbi të gjitha takimi me njerëzit mbetet kyçi i suksesit. Gazetari para se të marrë të shkruaj duhet edhe të kërkojë, të shfletojë, të njohë individin apo ngjarjen, të grumbullojë sa më shumë informacion dhe pastaj të seleksionojë dhe të korrektojë veten. Mendoj se skedimi i fakteve që përjeton gazetari dhe mbajtja e një ditari të përditshëm është i domosdoshëm. Për 10 vite në Illyria fitova shumë; gjeta gjallë një pjesë nacionalistësh, që në fëmijërinë dhe rininë time na i kishin prezantuar si diversantë, si ”armiq të popullit”. Ishin nacionalistët që iu ishte mohuar Atdheu. Kam intervistuar shumë nga ata. Në Dielli zbulova një botë tjetër, që e njihja pak, shpirtin idealist të vatranëve.

Në jetën e përditshme në New York, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës, figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe të politikës shqiptare dhe amerikane. Sa është prezent atdheu ynë Shqipëria e çështja shqiptare, veçmas ajo e Kosovës e Çamërisë në marrëdhëniet me ta?
-Po e filloj nga fundi: Çështja Çame dhe e Kosovës, janë dy shtylla të veprimtarisë së Vatrës, pashmangshmërisht dhe gazetës së saj Dielli, që ka për mision bashkimin e natyrshëm të trojeve shqiptare, por jo me folklor, jo me aksion, jo me turravrap, por si një proces i pashmangshëm, që kalon përmes bashkimit shpirtëror, ndjesor, njerëzor, duke dëgjuar dhe aleaten tonë, Amerikën. Ne shqiptarët jemi me fat që Amerikën e kemi në krah, e kemi aleate. Ajo që pat nisë presidenti Willson, në fillim të shekullit të shkuar, e çuan më tej presidenti Klinton dhe Xhorxh Bush. Edhe këto kohë ne vazhdojmë ta kemi ndihmën e ëngjëllit mbrojtës me emrin”Amerikë’. Kam qenë i pranishëm në shumë takime me politikanë amerikanë, lokalë dhe qendror. Përherë jam emocionuar nga vlerësimet që i bëjnë Kombit shqiptar, edhe pse politikanët tanë tregohen nxënës të këqij. Vatra ka kontakte me ish Senatorë e kongresmenë. Vlerësimet që përcollën në 100 vjetorin e Vatrës Senatori Shumer dhe kongresmeni Engel, ishin maksimale. Kontakti im i parë me politikanët amerikanë ka qenë me ish Senatoren e shtetit Hilari Klinton. Ajo po vinte kandidaturën për senatore dhe komuniteti shqiptar organizoi një darkë fondmbledhëse në Manhattan në restorantin e patriotit Bruno Selimi. Kishte më shumë se 100 pjesmarrës. Më mori me vete botuesi i Illyrias, Ekrem Bardha. Unë s’kisha më shumë se 2 muaj që kisha ardhur nga Shqipëria. Isha i ndrojtur. Ajo shumë e qeshur me shqiptarët. U bënë fotografi me secilin. Unë kisha zënë një qoshe dhe nuk po afrohesha. Ekrem Bardha ma bëri me dorë dhe lëshoi zë: Eja këtu! Ajo e kuptoi ndrojtjen time dhe më thirri. Dola në fotografi. E ruaj si relike në shtëpinë time atë fotografi. Qëlloi që dhe vajza ime, Elisabeta, që është mësuese në një shkollë të mesme, pasi mbaroi studimet për shkencat politike në Hunter College, punoi 6 muaj në zyrën e Seantores si praktikante universitare. Edhe ajo ka fotografi me zonjën Klinton, madje dhe një vlerësim shumë pozitiv pune e njohurish. E përmenda këtë rast sepse sa herë ka qëlluar që të jemë në takimet e shqiptarëve me zonjën Klinton, kam parë e dëgjuar një përkujdesje të jashtzakonshme të saj për shqiptarët. Po kështu do të përmendja kontributin e ish kongresmenit Tom Lantosh, kongresmenit Eliot Engel, Danna Robaher, madje edhe të senatores, Kirsten Gillibrand, të ish kongresistit Joseph DiGuardi etj.

Kanë thënë për Dalip Grecën…
Ca e kanë sharë e ca lëvduar. Citimet mendoj se janë të panevojshme.

Mesazhi për inteligjencën e këtushme shqiptare…
T’i përulen Kombit dhe të punojnë për Kombin.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisedoi, Dalip Greca-Si e rilindem Diellin, Raimonda Mois

AJTANGA LUBONJA – NË DIKTATURË KAM SHITUR 80 HERË GJAK, TANI JETOJ NË MJERIM, PA SHTËPI, DJALIN PA PUNË E ME TË ARDHURA MINIMALE

January 25, 2013 by dgreca

KALVARI MË NISI MË 1974, KUR ARRESTUAN BABAIN, XHAXHAIN, BURRIN E HALLËS DHE DJALIN E XHAXHAIT DHE I DËNUAN ME 11, 13, 15 DHE 17 VJET/

‘I bëj sms kryeministrit për hallet që kam, dërgon njerëz për ta ndjekur e mbeten me kaq, kërkoj pergjigje, s’më kthejnë më’

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ/

Pyetje: Ajtanga Lubonja, ju jeni nga familja e Fatos Lubonjës?
Ajtanga Lubonja: Unë jam vajza e xhaxhai e Fatos Lubonjës. Në korrik të vitit 1974 arrestohet fillimisht babai im Llazar Lubonja inxhinier, pastaj pas disa ditësh arrestohet Fatosi, burri i halles Vasil M. Todi ( sot nga keta vetëm Fatosi është gjallë) akuzohen për agjit- propagange dhe denohen me nga 11,13,15 dhe 17vjet burg, fatosi u ridënua. Asnjë lloj faji nuk kishin kryer, budallalleqet e asaj kohe qe vinin ne pah forcen e Partise!

Pyetje : Kur filloi kalvari juaj Ajtanga Lubonja ? A mund të na tregoni vuajtjet tuaja gjatë diktaturës?
Ajtanga Lubonja: Qe me marrjen e epitetit ”Armiku i Popullit”, filloi kalvari i vuajtjeve të mija dhe familjes time. Më la burri me nje femije 2 vjeç, më hoqen nga puna dhe u detyrova te kthehem ne Tirane se gjate 4 vjeteve jetoja ne Pogradec e atje punoja ne arsim, ketu ne Tirane kam punuar ne revisten ”YLLI” dhe revisten ”Shqipetarja e re”.
Kur u ktheva ne Tirane s’me jepnin pune vetem të punoja tek bregu u lumit, ku mbaja arka. Pas luftrash neper dyer te komitetit te Partise me çuan nxenese ne NPV-Rrobaqepsi, ku ndenja 6 muaj nxenese pa pagese. Gjate kesaj kohe fillova te shes gjak se nuk kisha me çfare te rrit djalin, punova 14 vjet ne rrobaqepsi, deri sa atje mbaroi puna. Me shume lufte rregullova pune pastruese ne hotel Valbona dhe Internacional, ku punova deri ne vitet ’90.

LIRI BERISHA, ME TË CILËN KEMI QENË SHOQE FËMINIE DHE SHKOLLA, PAS ZGJEDHJEVE TË 2005 MË GJETI PUNË DERI MË 2010

Pyetje: Çfarë ndodhi me ju pas rrëzimit të diktaturës?
Ajtanga Lubonja: Kur filloi lëvizja demokratike dhe une u lidha menjehere me lëvizjen. Më kanë qëlluar ditën qe u rrëzua busti e kam shenjen ne koke etj. Fillova pune sporteliste ne Qytetin Studenti. Por nuk treguan asnjë lloj kujdesi dhe askush nuk mori parasysh ato që kishim hequr, sepse ishin monopolizuar te gjitha, vetem në vitin 2005, pasi fituam zgjedhjet takova Liri Berishën, me te cilen kemi qene shoqe feminije dhe shkolle dhe ajo me krijoi mundesine te punonja ne Shërbimet Qeveritare, në një pozicion teper te thjeshte, punonjese administrate me 380 mije leke rroge! Gjate kesaj kohe bashkëpunoja me gazetën ”55”.
Në sherbimet qeveritare punova deri në vitin 2010 dhe me nxorren ne pension! Gjate kesaj kohe kerkoja shtepi.

KAM 22 VJET QË JETOJ NË KONVIKT

Pyetje: Ku banoni gjatë këtyre 22 vjet tranzicion?
Ajtanga Lubonja: Kam që në dhjetorin e vitit 1992 që banoj ne konvikt, me banja te perbashketa, pa uje brenda …tmerr! I jam drejtuar Kryeministrit i cili i ka dhene urdher Entit te Banesave, por asgjë. Kërkesa ime në bashki është prej kohësh, që kur ishte Edi Rama, por ai as që merrte mundimin.
Me ardhjen e Bashes, une punova shumë per fushaten e tij, tani nuk me ngrene me telefonin! Keshtu une vazhdoj te jetoj ne konvikt tek godina 15.

Pyetje: Jeton me djalin që e rrite me aq halle, duke shitur gjakun tënd?
Ajtanga Lubonja: U detyrova te ndahem me djalin se ai u martua e u be me femije dhe në keto kushte s’mund te jetonim bashke dhe ata jane me qera diku ketu prane. Djalin e kam pa punë, vetem nusja punon dhe une me nje pension prej 150mije lekesh dhe pse m‘u premtua pesion i veçante nga kryeministri, erdhi me takoi keshilltari i tij z.Ylli Asllani dhe asgjë. Interesant, i bej sms kryeministrit per hallet qe kam, dergon njerez per ta ndjekur e mbeten me kaq,kerkoj pergjigje,s’me kthejnë më.

Pyetje: 22 vjet tranzicion dhe ju si e përndjekur ende jetoni në një konvikt, nuk keni as shtëpi dhe të ardhura minimale jetese, a gjeni fajtor dikë për këtë gjendje?
Ajtanga Lubonja: Keshtu une jam ne kushte te tmerrshme ekonomike, jam teper e semure, vuaj me diabet , bej 4 insulina ne dite, vuaj me tension-zemer, ulçera, veshka o nuk numerohen dot diagnozat e mija. Kam dhene 80 here gjak te mbijetoj, dhe…dhe ja ku jam drejt fundit e pashprese, pa shtepi me nje ekonomi te rrenuar!

TË PËRNDJEKURIT DHE PRONARËT LEGJITIMË KANË MBETUR NË MËSHIRË TË FATIT
Pyetje: Po si e përndjekur çfarë keni përfituar nga ato që ju takojnë?
Ajtanga Lubonja: Shperblimin si te perndjekur na kane dhene vetem një kest! Si do behet me tej nuk e di.

Pyetje: A ishit ju shpirtërisht me grevistët e urisë, dy prej të cilëve ndërmorën aktin e sakrificës sublime?
Ajtanga Lubonja: Futja ne greve e te perndjekurve na zgjoi shprese, po si gjithmone ketu tek ne merr ngjyra politike!

Pyetje: Politikanët të gjithë janë me disa shtëpi, vila e lluks në qytet e bregdet, ndërsa të përndjekurit e diktaturës jetojnë në kushte mizerje, keni një koment?
Ajtanga Lubonja: Jo vetem politikanet jane me disa shtepi, po dhe ata që përçojnë ujin e tyre, ejani të shihni ketu ne Qytetin Studenti si janë ngritur shtepite e lokalet si kepurdha dhe nuk eshte asnjeri ne prone te vet e pronaret e ligjeshem zvarriten pa patur mundesi te marrin pronen e tyre.
Kam si fakt djalin tim, ai nga babai është JORGON, ka disa prona per t’iu kthyher, evidente eshte shtepia ngjitur me Ministrinë e Arsimit, por nuk ia japin.

Pyetje : Shpresoni ende tek këta që ju kanë mashtruar për 22 vjet?
Ajtanga Lubonja: Une nuk e di deri sa mund ta shtyj, ky eshte shteti per te cilin luftova dhe me kane lene ne meshire te fatit…Po me tej!!! Mendoj qe familjet e verteta te persekutuara po lihen ne meshire te fatit. E di që shpresa vdes e fundit, po une jam shume e semure, po vdes vete!!!

Intervistoi Elida Buçpapaj

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, interviste me Ajtaga Lubonjen

ERMIRA BABAMUSTA: ZEMRA IME ESHTE NE KOSOVE

January 24, 2013 by dgreca

DIPLLOMATJA SHQIPTARO-AMERIKANE QË SYNON SHTËPINË E BARDHË/

 NGA SOKOL DEMAKU/

Rinia shqiptare ndryshon nga ajo e shteteve të tjera me atë që kam vërejtur unë. Të rinjë shqiptar janë më të angazhuar në çështje sociale dhe politike, më ambicioz për jetën, mësojnë gjuhë të huaja deri në shtatë, kanë përgaditje të mirë akademike dhe kanë kulturën e tyre. Këtu luan rol dhe familja si shtylla kryesore në formimin e një adoleshenti/e, gjë që reflekon dhe vlerat dhe traditat e forta shqiptare.

Arsimimi është i nevojshëm për të arritur diku në jetë dhe për informim, por shkolla nuk të jep edukatën, llogjikën dhe kulturën që i duhet njeriut. Që një shoqëri të eci përpara, duhet të jetë edukimi për qytetarët si dhe është e nevojshme kultura dhe dashuria për mirëqënien e njerëzimit (shoqëria), të vendbanimit (mjedisi) dhe të individit (vetja). Nëse këto principe nuk janë në harmoni ka prapambetje në të treja aspektet e përmendura në shoqëri dhe politikë.

Nocioni i suksesit ndryshon me konceptimin e njeriut dhe nocioni i rëndësive ose prioriteteve në jetën e secilit.

Mendoj se natyra e vërtetë e njeriut tregohet në momentet më kritike dhe vështira në jetë.

 

Intervistë me Ermira Babamusta, Ph.D.

Bisedoi: Sokol Demaku

Suedi – New York

 

 

Keni ndjekur anglisht në shkollën e mesme profesionale e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë. Çfarë mundë të na thoni për këtë kohë të rinisë suaj?

Ermira Babamusta: Rinia shqiptare ndryshon nga ajo e shteteve të tjera me atë që kam vërejtur unë. Të rinjë shqiptar janë më të angazhuar në çështje sociale dhe politike, më ambicioz për jetën, mësojnë gjuhë të huaja deri në shtatë, kanë përgaditje të mirë akademike dhe kanë kulturën e tyre. Këtu luan rol dhe familja si shtylla kryesore në formimin e një adoleshenti/e, gjë që reflekon dhe vlerat dhe traditat e forta shqiptare.

Gjuhët e Huaja kanë qenë vitet më të mira për mua, si profesorët e përkryer të mi, drejtori i shkollës (në atë kohë 1995-97) dhe shokët e klasës. Kanë qenë momente të paharruara për mua. Edhe sot mbaj lidhje me miqësinë e shkollës së mesme. Gjatë kësaj kohe kam jetuar në Tiranë dhe qenë nën përkujdesjen e jashtëzakonshme të xhaxhait të babait tim, Ibrahim Babamusta dhe nënë Sadetja, si dhe djali i tyre Neritan Babamusta dhe bashkëshortja e tij, Myhrije Babamusta. Në këto vite më ka pëlqyer shumë matematika dhe kam marrë pjesë në shumë konkurse në shkallë kombëtare për të përfaqësuar shkollën që në tetëvjeçare.  

Tre ngjarje të fëmijërisë time janë të paharrueshme për mua edhe sot: E para, demonstratat e para antikomuniste që u bënë në Kavajë me 26 mars 1990, ku mora pjesë me babain, Neki Babamusta. Mbaj mend që babai më shtërngonte fort dorën (isha vetëm 10 vjeç atëherë) dhe mami më përgaditi ujë të ngrohtë me sheqer kur u kthyem në shtëpi natën vonë sepse isha e tronditur nga ngjarja dhe turma e njerëzve.

E dyta, në 1997 u bënë protestat në  Tiranë kundër luftës në Kosovë. Lashë orën e mësimit pa leje nga Gjuhët e Huaja, me disa shoqet e mia dhe shkuam në protestë para universitetit Politeknik për të kundërshtuar padrejtësitë ndaj vëllezërve dhe motrave shqiptare në Kosovë. Në këto kohë po lexoja historinë e pushtimit të Rusisë nga Napoleoni i Francës në librat me 4 vëllime të  Tolstoit ‘Lufta dhe Paqja”. Kur mora mora vesh fillimin e genocidit në Kosovë (isha 14-15 vjeç), jam strukur në dhomën e miqve të shtëpisë time dhe kam qarë me naivitetin dhe çiltërsinë e një fëmije, sepse nuk kuptoja pse serbët po vrisnin shqiptarët, ose pse njerëzit po vriteshin me njëri tjetrin. I jam lutur Zotit për mbrojtje të shqiptarëve dhe për paqe midis serbëve dhe Kosovës dhe mençuri për liderërt e dy vendeve. Sot që i kujtoj këto momente më bën përshtypje konceptimi im për humanizmin dhe botën në këtë moshë kaq të re.

 

E treta, po në 1997 kur u bënë grevat e urisë në Tiranë kundra Skemës Piramidale, kam punuar dhe përkthyer për të vetmën radio/TV të huaj lejuar në Shqipëri, nga Hollanda që transmetonte lajme për luftën në Kosovë dhe gjëndjen në Shqipëri. Mbas intervistës me grevistët, gazetarin hollandez e gjuajtën rojet me fundin e armës që kishin me vete dhe mua më pyetën për mbiemrin dhe më morën dokumentat. Kur u larguam nga ndërtesa, na qëlluan me plumba te makina jonë. Nuk e di si kemi shpëtuar. Gazetarin hollandez, miku im Heraldi, e kam takuar sërish pas shtatë vitesh në 2004 në Washington DC, dhe shpeshherë kujtojmë historitë e Shqipërisë.    

 

Çka ju shtyri të migroni nga Shqipëria?

Ermira Babamusta: Kam qenë 16 vjeç kur u largova nga Shqipëria dhe nuk u largova me dëshirë. Atëherë nuk e kuptoja pse familja më largoi nga vendlindja. Tani që jam e pjekur i kuptoj arsyet më mirë. E kam bërë kornizë në mendje momentin kur u nisa në aeroplan dhe familja më bënte me dorë te Rinasi, dhe mami kishte lot në sy. Shumica ishin të lumtur që unë po ikja në Amerikë, unë vetë nuk doja dhe isha e hidhëruar por pranova dhe respektova vendimin e familjes. Disa kishin kritikë që vetë si femër po ikja në një vend të huaj, dhe më përmendnin mundësitë më të këqijat ku do përfundoja. Por ky largim nga vendlindja ishte fillimi i hapjes së mendjes time dhe kuptimi të një bote krejt tjetër, si nga kultura, jetesa dhe vetëdija. 

 

Për cilat arsye u larguat nga vendlindja dhe çfarë  njohurish kishit për SHBA ju atë kohë?

Ermira Babamusta: Familja ime ka qenë e persekutuar nga diktatura për veprimtaritë demokratike-patriotike dhe për arsye sigurimi më larguan nga vendlindja. Babai e kishte bërë plan me kohë që unë të shpërngulesha në Amerikë dhe më këshillonte të mësoja dhe të dilja mirë me mësime. Gjatë 40 viteve që ka punuar si mësues ka ruajtuar atë rrogën e tij si dhe pensionin afro $30 që merrte në muaj për edukimin tim jashtë shtetit. Edukimi brenda dhe jashtë vendit është traditë familjare e fisit tim. Xha Ibrahim Babamusta ka mbaruar shkëlqyeshëm me medalje të artë të Perandorit të Austrisë Franc Ferdinandi nga viti 1920-27. Meqë isha larg babait dhe familjes time të dashur,  xha Ibrahimi që u përkujdes për mua e konsideroja si gjysh dhe më mahniste me karakterin e tij të dashur, paqësor, intelektual dhe diplomat. Kam mësuar shumë prej tij dhe familjes së tij gjatë fëmijërisë time në Tiranë. Një figurë tjetër e dashur e fëmijërisë time është gjyshi (babi i mamit) Kastriot Cani, me të cilin kam kujtime të dashura në Peqin, i cili ka ndërruar jetë.

Aplikova për programin ‘Exchange Student Program” si studentja më e mirë dhe me notat më të larta te Gjutë e Huaja dhe më doli në Oklahoma, Sh.B.A. Unë dhe babi nuk e kishim ndëgjuar ndonjëherë këtë emër, dhe po shpresonim ose Florida ose New Yorku. Hapëm hartën dhe zbuluam Oklahomën afër Teksasit. Shkollën e mesme e përfundova me pikët më të larga (g.p.a. 4.00) dhe kam bërë konkurse matematike dhe në spanjisht në shkallë kombëtare në Sh.B.A., ku kam fituar dhe shumë çmime.

 

Keni mbaruar universitetin e lartë me dy mastera, Shkenca Politike dhe Public Administration si dhe programin e tretë të avancuar “UN Diplomacy / Diplomacia e Kombeve të Bashkuara” si e ndien vetën Ermira?

Ermira Babamusta: Unë e konsideroj veten si njeri të thjeshtë dhe kujtoj një shprehje të babait që “pasuritë dhe gradat njeriu nuk i mer me vete në varr”. Mendoj se nëse një njeri i dedikohet zanatit, punon shumë dhe i bën gjërat me drejtësi dhe pastërti në zemër, mund të arrijë majat, sidomos në Amerikë dhe në Perëndim. Gjithmonë kam synime në jetë, i vej vetes qëllime, dhe planifikoj për të ardhmen ku e shikoj veten 10-15 vite më larg. Shikoj realitetin, mësoj nga përvoja, përmirësoj veten dhe veprimet e mija dhe jam largpamëse.

 

Vlerësoj profesorët dhe mentorët e mi të universitetit Waldorf College (BA: Political Science, History, Humanities), Minnesota State University (MA: Public Administration), Long Island University (MA: Political Science; Post-Grad: UN Diplomacy) dhe West Virginia University (Ph.D.: Political Science: Foreign Relations/EU Law/National Security/PA).

Arsimimi është i nevojshëm për të arritur diku në jetë dhe për informim, por shkolla nuk të jep edukatën, llogjikën dhe kulturën që i duhet njeriut. Që një shoqëri të eci përpara, duhet të jetë edukimi për qytetarët si dhe është e nevojshme kultura dhe dashuria për mirëqënien e njerëzimit (shoqëria), të vendbanimit (mjedisi) dhe të individit (vetja). Nëse këto principe nuk janë në harmoni ka prapambetje në të treja aspektet e përmendura në shoqëri dhe politikë.    

 

Jeni kandidate për doktoraturë në Shkenca Politike dhe Mardhënie Ndërkombëtare, çka don të thot kjo për ju si një e re?

Ermira Babamusta: I kam mbaruar studimet në kohë rekord, shkollën e lartë katër vjeçare e kreva për 3 vjet, dy masterat dy-vjeçare i kreva brenda një viti secilin, dhe doktoraturën 5-vjeçare brenda 4 viteve. Planifikoj të marr diplomën në verë 2013. Doktoratura ka qenë një shtyrje nga vetja dhe babai. Babait i mohuan të drejtën e arsimit të lartë. Dhe me këmbënguljen dhe ambicien e tij ka përfunduar universitetin me korrespondencë, ku ka mësuar dhe është edukuar vetë dhe ka dhënë provimet vjetore për të marrë shkollën e lartë. Më pas babin e internuan nëpër fshatëra dhe në Veri të Shqipërisë ku dha mësim. Babai në atë kohë synonte të mësonte italisht, por diktatura e konsideronte atë si ‘tradhtar’ vetëm se ai kishte dëshirë të mësonte një gjuhë të dytë, dhe të mësonte për kulturën e vendeve fqinje. Këto janë taktika të qeverisjeve të vendeve të ndryshme në botë, ku nëpërmjet frikës së popullatës, mohimit të dijes, dhe propagandës mbajnë popullin nën kontroll, injorim dhe izolim.

Më alarmon fakti që në vitin 2013 për të hyrë në program doktorature në Kosovë provimi jepet një herë e 5 vjet. Dhe nëse nuk e fiton duhet të presësh pesë vjet të tjera që ta provosh sërish shansin. Ky rregull duhet ndryshuar patjetër, të bëhet çdo vit konkursi dhe më shumë universitete të ofrojnë programe të doktoraturës jo vetëm në Prishtinë. Kjo detyron rininë dhe inteligjencën shqiptare të largohen nga vendi, shumica kanë më shumë shanc në vendet fqinjë ku nuk kanë përkrahje, përfshi Serbi, Rusi, Maqedoni, Mal i Zi, Shqipëri. Qeveria vendore duhet të investojë në gjeneratën e re që po rritet në Kosovë për t’i dhënë edukimin dhe njohuritë e duhura që të jenë më të pregaditura për funksionin që do kryejnë. Një gjeneratë e edukuar prodhon ekspertë në fusha të ndryshme, që nënkupon një Kosovë të mirëqenur dhe më të avancuar.  

 

Në vitin 2007 keni krye hulumtimet nëpërmjet UNMIK-ut për metodat diplomatike përdorura gjatë bisedimeve zyrtarëve për statusin dhe pavarësinë e Kosovës, çfarë ka qenë roli juaj këtu?

Ermira Babamusta: Në 2006 kam punuar në Departamentin e Paqes tek Kombet e Bashkura në New York. Kam ndjekur nga afër seancat në Këshillin e Sigurimit për çështjen e Kosovës si dhe bisedimet multilaterale Serbi-Kosovë-USA në OKB. Në 2003 dhe 2004 kam punuar si eksperte e punëve të jashtme në Washington DC në Kongresin Amerikan, në të dyja dhomat, për Senatin (Senator Harkin, anëtar i Foreign Affairs Committee) dhe në Dhomën e Përfaqësuesve (Congressman Kennedy). Gjatë punës time në qeverinë amerikane kam dhënë kontributin tim për çështjen e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve Sh.B.A-Kosovë-Shqipëri. Çështjen e Kosovës e ngrita dhe para senatorëve dhe kongresmenëve amerikan në seancën zhvilluar në Kongres në verë 2004, në takimin  me z. Colin Powell (sekretar shteti gjatë administratës të Presidentit Bush). Pasi e falenderova në emër të Shqipërisë dhe Kosovës për përkrahjen e jashtëzakonshme të Amerikës ndaj shqiptarëve, salla e Kongresit Amerikan u mbush me duartrokitje. Dhe z. Powell më kërkoi ta përfaqësoj dhe tregoi respektin për familjen dhe babain tim, Neki Babamusta para senatorëve.

Në 2007 kreva misionin e parë diplomatik për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe hulumtimin tim shkencor të masterit në Kosovë nën kujdesin e UNMIK-ut, UNHRC dhe Long Island University. Monitorova bisedimet diplomatike shumëpalëshe New York-Prishtinë dhe dhashë rekomandimet e mija në punimin tim shkencor me titull “Kosovo Status Talks:

A Case Study on International Negotiations”. Punimi im shkencor publikuar një javë para ngjarjes historike në shkurt 2008 parashikon shpalljen e pavarësisë si alternativë e vetme e Kosovës. Po në 2008 hapa gazetën time Prishtina Press (www.prishtinapress.info) me botim në Prishtinë (2008-10), si mjet i diplomacisë digjitale dhe përkrahje për diasporën dhe kulturën shqiptare.

Në 2012-13 kreva misionin e dytë diplomatik nëpërmjet ministrisë së Diasporës dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, dhe West Virginia University, Sh.B.A. Qëllimi i misionit është njohja e pavarësisë së Kosovës, sukseset në vend dhe rekomandimet e mia. Punimi shkencor do botohet si libër në anglisht dhe shqip.   

 

Si shqiptaro-amerikane si e ndjeni veten?

Ermira Babamusta: Jam krenare të jem shqiptaro-amerikane, përfaqësuese e dy shteteve më historik në botë. Amerika është  ëndërra e botës dhe vendi i demokracisë, ndërsa Shqipëria është pika strategjike e Ballkanit me histori dhe kulturë të lashtë. Kam jetuar në Amerikë që në vitin 1998.

Në Shqipëri u ktheva pas 15 vitesh për herë të parë me rastin historik madhështor të 100 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në nëntor 2012,  me ftesë të z. Artan Minarollit, Ministrisë të Kulturës dhe Kryeministrit z. Sali Berisha. Mora pjesë në organizimin e përkryer të festivalit të 13-të të Filmit Shqiptar me rastin e 100 vjetorin, nën drejtimin e vizionarit të madh, Artan Minarolli dhe të nderuarën znj. Majlinda Tafa. Na nevojiten më shumë njerëz të mëdhenj si z. Minarolli dhe znj. Tafa sepse janë ambasadorë të denjë të kulturës dhe artit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Duke promovuar talentet e kulturës shqiptare në Shqipëri, Europë dhe Amerikë, bota njeh dhe më mirë vlerat dhe traditat shqiptare. Duhet më shumë përkrahje dhe financim i programeve të tilla si metodë diplomatike dhe kulturore për të forcuar imazhin pozitiv shqiptar. 100 vjetorin e Shqipërisë e kam festuar në New York (me Vatrën), Tiranë (me festivalin e 13të të Filmit dhe Ministrinë e Kulturës), në Shkup dhe në Prishtinë.

Qëndrova një ditë në Tiranë dhe u largova për në Prishtinë të nesërmen ku jetova mbi 2 muaj për misionin tim zyrtar diplomatik për njohjen e pavarësisë të Kosovës dhe hulumtimin tim shkencor të doktoraturës. Gjithmonë them që zemra ime është në Kosovë dhe ka për të mbetur kështu ky fakt. Populli kosovar më  ka bërë  një  pritje madhështore në  vitin 2007 dhe në  2012-13. Vlerësoj mikpritjen e jashtëzakonshme të familjeve “Gashi”, “Kunoviku” dhe “Hajredini”.

“Home’ për mua konsideroj Amerikën ku kam kaluar gjysmën e jetës time të pjekurisë. Familjen e kam në Angli dhe verën dhe festat e fundvitit i kaloj bashkë me prindërit e mi të dashur. Është vështirë të them ku është vendi im meqë kurbeti na ndau në kontinente të ndryshme dhe larg familjes. Po kudo që jeta të më çojë, nuk e harroj prejardhjen time, historinë dhe origjinën e vendit tim – Shqipërinë, si dhe prejardhjen e gjyshërve të mi – Kosovën. Gjithashtu vlerësoj jashtëzakonisht SH.B.A.-në që u bë vendi dhe shtëpia ime e dytë dhe më dha kulturën e duhur, edukimin dhe një jetë që nuk do e kisha imagjinuar dot diku tjetër. Arritjet që kam patur në Amerikë i kam bërë vetë, me forcat dhe përpjekjet e mia pa përkrahjen e ndonjë njeriut dhe nuk do e doja ndryshe.

Mbi të gjitha e konsideroj veten njërëzore dhe humane, ku kam qëllim parësor përmirësimin e njerëzimit dhe civilizimit të sotëm dhe paqe. Si një individ, si një zë, si një e ardhme ku mund të jap unë kontribut për të patur ndryshim për më mirë – kjo është një pyetje që e kam në mendje në çdo aspekt dhe nivel të jetës time. Për mua çdo gjë fillon me individin. Një individ i kulturuar dhe me ambicie për zhvillim, sjell një shoqëri të mirë, një qytet, një shtet të fortë. Kjo influencon shtetin fqinjë dhe mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin në aspektin global. Një veprim i thjeshtë i një individi të vetëm lidh si zinxhir të ardhmen e njerëzimit jo vetëm për veten e vet por dhe për vendin ku jeton dhe tërë botën. Prandaj duhet të synojmë si ta çojmë përpara kulturën tonë për të mirën e tërë botës. Duke vepruar kështu, njeriu heq atë Ego-n dhe Superego-n (filozofia Frojdiane) e vetes dhe jep mund për tërësinë. Pra duke u nisuar në aspektin vetiak, me një princip të një personi, rezultati nuk është më vetjak, kjo humbet kur synimi është human për të mirën e grupit,shoqërisë, botës.    

 

Krenoheni  me prejardhjen shqiptare dhe synoni ngritjen e vlerave shqiptare kudo në botë. Çfarë nënkupton prejardhja juaj shqiptare dhe vlerësimi nga kongresi amerikan ndaj punës tuaj dhe familjes tuaj?

Ermira Babamusta: Të parët e mi Babamusta dhe Cani kanë luftuar për lirinë, tokat,  të drejtat e shqiptarëve dhe përhapjen e gjuhës shqipe në momentet më kulminante të historisë Shqiptare, duke ruajtur një lidhje të fortë diplomatike 100 vjeçare midis Shqipëri-SHBA-Angli. Dhe unë synoj të vazhdoj në hapat e tyre dhe misionin e tyre patriotik. Të dy fiset për 100 vite kanë luftuar që nga lufta e Shkodrës në tetor 1912 krahas vëllezërve të tjerë shqiptarë, dhe vazhdojnë të kontributojnë dhe sot në bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera. Falenderoj respektin dhe vlerësimin që i dha senati Amerikan gjyshit tim me vdekjen e tij në 2003, ku senatorët u ngritën në këmbë dhe mbajtën një minutë zi. Gjithashtu vlerësoj nderin nga Kongresi Amerikan në 2004 ndaj familjes Cani, Babamusta dhe punës time me tre dekorimet e veçanta dhe ngritjen e flamurit amerikan në shenjë respekti në Capitol Hill, Washington DC.

Aktitivtei patriotik i fisit Cani dhe Babamusta fillon në tetor 1912 kundër pushtueseve serb, me Luftën e Shkodrës, ku krahas 200 të vrarëve nga Kavaja dhe Peqini ishin dhe të afërmit e fisit Cani dhe Babamsta. Ndërsa gjyshi im Beqir Babamusta u plagos në luftën e Shkodrës.

Në familjen Babamusta në Kavajë u mirëprit me 25 nëntor 1912 diplomati i madh Ismail Qemali nga gjyshi, Beqir Babamusta, dhe vëllezerit e tij Osmani, Murati dhe kushërinj të tjerë. Kurse Ramazan Cani (gjyshi i mamit) me 26 nëntor 1912 me çetën e tij së bashku me çetën e patriotit Bajram Xhani nga Kavaja shoqëruan me çetat e tyre të armatosura Ismail Qemalin në Vlorë, duke iu kundërvënë forcave pro-turke dhe bejlerve agallarëve të Myzeqesë.

Ramazan Cani (gjyshi i mamit tim, Suzana Cani Babamusta), është me prejardhje nga Kosova nga Canët e Dibrës së Kosovës, me lidhje fisnore me fisin Gashi. Gjatë viteve 1910-22 Ramazan Cani (Patriot i Madh, dekoruar 7 herë për vlera patriotike, Dëshmor i Kombit) ka krijuar çetë luftarake për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga shovenistët serb dhe grek. Ramazan Cani u vra nga reaksioni feudal në Shqipëri në vitin 1922.

Ramazan Cani, në bashkëpunim me forcat patriotike të Shqipërisë dërguan në Paris Avni Rustemin i cili vrau tradhtarin e kombit Esat Pashë Toptanin (e egzekutoi në Paris në 1916). Ndërsa vetë Ramazan Cani po në vitin 1916 egzekutoi kandidatin për mbret në qeverinë tradhtare të Durresit Kadri Beun (qeveria tradhtare e Durrësit kërkonte që Shqipëria t’i kalonte Italisë 1918-19). 

Në Kongresin e Lushnjes, shkurt 1920, çeta patriotike e Ramazan Canit siguroi punimet e Kongresit të Lushnjes, me detyrë ruajten e kongresmeneve dhe marrvajtjen e Kongresit, me veprimtari në Shqipërinë e Mesme. Ramazan Cani ishte krahu i djathtë i patriot Aqif Pashë Elbasanit dhe Bajram Currit, dhe i vëllezërve Myslim dhe Shqyri Peza. Ramazani vinte me porosi të Aqif Pashe Elbasanit, delegues nga Peqini, përfaqësues në Kongresin e Lushnjes për zonën e Peqinit dhe Elbasanit. Ramazani dhe i ati, Mustafa Cani, u vranë atë e bir nga reaksioni feudal në Shqipëri.

Kastriot Cani, (Veteran, biri i Heroit Popullar Ramazan Cani dhe gjyshi im) ka patur pseudonimin ‘Furtuna’ gjatë luftës antifashiste 1941-45. Në vitin 1945 ka marrë pjesë përkrah partizanëve për çlirimin e Kosovës dhe trojeve të tjera të ish Jugosllavisë. Gjatë viteve 1944-46 Kastriot Cani, bashkë me djalin e xhaxhait, Mehmet Babamusta (Dëshmor Kombi), u lidhën me organizatën antikomuniste ‘Fronti i Rezistencës’ dhe  bashkëpunuan me zbulimin anglo-amerikan për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Kreu i organizatës “Fronti i Rezistencës” Hamdi Frashëri u zbulua nga sigurimi i shtetit shqiptar dhe pushkatua. Djali i xhaxhit të gjyshit tim, Dill Cani, nënkryetar i organizatës u dënua me 101 vjet burgim të përjetshëm, dhe të tjerë u persekutuan dhe pushkatuan.

Xhaxhai im Qemal Babamusta duke  bashkëpunuar me djalin e xhaxhait Mehmet Babamusta (dëshmor i kombit) dhe vëllain e tij Isuf Babamusta, nëpërmjet Mustafa Gjinishit (djali i tezes së tyre) qenë pranë oficerave të shtabit anglez. Gjatë vititi 1943-44 Anglia dërgoi oficerë anglez pranë Shtabit të Përgjithshëm për të ndihmuar Shqipërinë gjatë luftës së II botërore. Në këtë kohë Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe më pas nga Gjermania naziste. Qemal Babamusta (nacionalist, veteran lufte) u arrestua në kohën e komunist, dhe u burgos në vitin 47.

Ndërsa babai im, Neki Babamusta (Mësues i Merituar) nuk pranoi t’i shërbente sigurimit të shtetit gjatë komunizmit për të cilët nga tronditja psiqike që iu shkaktua u shtrua në spital në Elbasan. Prindërit e mi u panë me sy të keq nga diktatura dhe u lanë pa punë disa herë. Në kohën e diktaturës mamin (Suzana) e quanin mbesa e spiunit të Cias amerikane. Ndërsa mua më refuzuan hyrjen në shkollën e mesme.

Me fillimin e proçeseve demokratike babai me shokë të tjerë krijoi Shoqatën Patriotike Kombetare me parudhën “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Shoqata kishte për mision: rivlerësimin e figurave patriotike dhe të persekutuarve, hulumutimin për Kosovën martire, përkrahjen e familjeve kosovare dhe forcimin e miqësisë SHBA-Angli-Shqipëri.

Familja Babamusta dhe Shoqata Patriotike me 15 mars 1992  pritën ambasadorin e parë amerikan, Reilson, në Kavajë. Ambasadori u shoqërua nga ish-lideri i opozitës z. Sali Berisha. Me propozim të babait qendrës së qytetit të Kavajës iu vu emri ‘Sheshi Amerika’.  Në Amerikë (1999-2004) prindërit punuan për forcimin e miqësisë Shqipëri-Amerikë dhe bashkëpunuan me radion Alba në Detroit, Michigan, për sensibilizimin e opinionit për çështjen e Kosovës (1999). Babai, Neki Babamusta është dekoruar tre herë, si mësues i merituar, për vlera patriotike dhe nga Kongresi amerikan.

Babai më tregon se në shtëpinë tonë në Kavajë, kemi strehur familje izraelite gjatë luftës në nëntor 1943 për 6 muaj nën lidhjen e besës. Po ashtu familja Babamusta ka strehuar edhe gjashtë ushtarë italian dezertor (tetor 1943) në kohën kur pushteti i Musolit u rrëzua në Italinë fashiste.

 

Keni  punuar për zgjedhjet presidenciale të Obamës  në 2008 dhe 2012 si drejtoreshë e fushatës në shtete të ndryshme në SHBA. Presidenti Obama ju nderoi dhe me një ftesë zyrtare për ceremoninë e inagurimit në Janar 2013 në Washington DC. Si ishte përvoja e juaj nga këtu?

Ermira Babamusta: Pasi përfundova trajnimin për fushatën, fillova punë në Florida si ‘field organiser’ organizuese në terren, më pas u zgjodha drejtuese e skuadrës (team leader) dhe më pas drejtoreshë “GOTV director” (GOTV – Get out the vote), ku kisha nën mbikqyrje 4-5 qytete në Florida. Po në 2008 më zgjodhën organizuese për 2008 Democratic National Convention, në Denver, Kolorado, me 75,000 pjesëmarrës, ku senator Barack Obama pranoi nominimin e partisë Demokratike.

Në 2012 administrata e Obamës më telefonoi dhe kërkoi të punoj për ta sërish në W Virginia, Ohio dhe Philadelphia, PA në rolin e drejtueses për monitorimin dhe trajnimin e vullnetarëve gjatë përgaditjes për proçesin e votimit. Me ftesë nga Presidenti mora pjesë në ceremoninë e inagurimit dhe darkën zhvilluar me 21 Janar 2013 në Washington DC. Ishte një manifestim historik dhe madhështor, të cilin e përjetova edhe në Janar 2009.  

 

Çfarë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?

Nocioni i suksesit ndryshon me konceptimin e njeriut dhe nocioni i rëndësive ose prioriteteve në jetën e secilit. Të tjerët konsiderojnë sukseset tek unë: puna në administratën e President Barack Obama, në OKB dhe Kongresin Amerikan, edukimin e lartë, Prishtina Press, vlerësimi nga Kongresi dhe senatorët amerikan, titulli “Gruaja e Kurajos” nga Instituti i Paqes “Kessel Peace Institute”, etj.  Unë besoj se nuk e kam arritur akoma suksesin që dua. Kur të jetë Shqipëria dhe Kosova mirë dhe të bashkuar atëherë do jem dhe unë mirë. Kur njerëzimi do mendojë për zhvillimin e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të mos ketë më luftëra atëherë do kem dhe unë paqe shpirtërore. 

Në nivelin personal vlerësoj maturinë, durimin, karizmatikën, inteligjencën, tolerancën, etjen për dije dhe zhvillim/përmirësim vetiak. Në aspektin shtetëror luftoj për të drejtat e njeriut dhe gruas, për paqe, zhvillim ekonomik dhe progres sidomos në Kosovë, forcimin e lidhjeve ShBA-Kosovë-Shqipëri dhe mbrojten e vlerave demokratike.

Kam jetuar në Francë (në 2010) ku dhe kam studiuar nëpërmjet EU (BE-së) dhe Universitetit të Strasbourg (Francë) dhe WVU në SHBA, me fokus “BE-ja dhe Sistemi Ligjor Evropian”. 

Pasi të mbaroj doktoraturën synoj të jem në departamentin e shtetit në ShBA ose në Shtëpinë e Bardhë. Në të ardhme e shikoj veten si ambasadore ose si politikane  me kandidaturë në Sh.B.A.

 Një diplomat kërkon të jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Si është nga natyra Ermira?

Ermira Babamusta: Mendoj se natyra e vërtetë e njeriut tregohet në momentet më kritike dhe vështira në jetë, të cilat unë mundohem të tregohem e qetë, e durueshme, karizmatike, e ndëgjueshme, inteligjente dhe e drejtë. Në synimet e mia jam kurioze, këmbëngulëse, idealiste në motivim por realiste në praktikë, e pandalur, largpamëse, ambicioze dhe humaniste. Çmoj kultura të vendeve të ndryshme dhe respektoj historinë e secilit vend. Në larminë globale vlerësoj mirëkuptimin midis shoqërive dhe taktikat diplomatike bazuar në përpjekje pozitive midis vendeve.  

 

Filed Under: Interviste Tagged With: diplomatja, Ermira Babamusta, Kosove, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FAIK KONICA, SHKRIMTARIT GUILLAUME APOLLINAIRE : “KAM VETËM KËTË GJË TË PËRBASHKËT ME STENDALIN…” (LETRA ORIGJINALE E 20 NËNTORIT 1904)
  • “Lübecker Volksbote”: SHQIPËRIA
  • PORTRETI I HARRUAR I YMER ELSHANIT, APO PAQJA TRAGJIKE E TIJ
  • NGA DEBATI REPUBLIKAN- DEMOKRAT NË FOX NEWS
  • Kalendar: 79 vjetori i lindjes së Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova
  • Epoka e artë
  • Festa e Flamurit 2023 – Washington DC
  • Baza gjeopolitike e aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe Turqisë – Libri i ri i Shaban Muratit
  • “THE INTERNATIONAL BEST POETSAND TRANSLATORS PRIZES 2023…”
  • Shqipëria, disa muaj pas pavarësisë, sipas një gazetari italian të kohës
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GREQI
  • Me ceremoni solemne shqiptarët e ngritën flamurin kuqezi në Bashkinë e Filadelfia
  • “Kosova në dokumentet amerikane 1945-1999”
  • PORTUGALIA SHTET MIK I KOSOVËS DHE SHQIPTARËVE, SHËN NËNË TEREZA  “NJË URË QË NA LIDHË”
  • GËZUAR 111- VJETORIN E PAVARËSISË, SHQIPËRIA E MADHE ETNIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT