Ne foto: Aktorja Xhuljeta Kulla dhe mjeshtrja e grimit Zhaneta Petushi në një fotografi të kohëve të fundit/
Nga Zhaneta Petushi*/Chikago/
Shkakun për këtë shkrim ma dhanë dy mbesat e mia, Linda dhe Dora. Ato kanë ardhur të mitura në ShBA dhe natyrshëm e ndjejnë veten të rehatuara në jetën amerikane.Të dyja janë studente kolegji. Edhe ngaqë i kane mundësitë, edhe disi të nxitura nga unë, e ndjekin modën e këtushme hap pas hapi.
Shkuan një ditë për manikyrim dhe të kënaqura, u kthyen e rendën të më tregonin thonjtë e tyre të zbukuruar mahnitshëm. I njoh prej vitesh format e trajtimit të thonjve, me të gjitha ngjyrat, deri me ato më të egrat. Më më ra në sy menjëherë se kishte ndryshuar forma nga prerje të drejta, në forma ovale që përfundonin pak me majë sikurse vite më parë. Dhe përsipër, si gjithmonë, nuk harrohej zbukurimi me gurë me ngjyra të ndryshme, por shtuar ca lule e flutura në miniaturë. Mbeskat ndiheshin të lumtura dhe një e dy, soditnin thonjtë e tyre.
E mua kujtesa më shpuri thellë, te thonjtë e Xhuljetës, mikeshës sime të vjetër. Është një ngjarje me artisten e talentuar e të mirënjohur të skenës dhe ekranit, dekoruar me Naim Frashërin e Artë, e nderuar para ca vitesh me titullin Qytetare Nderi e Fierit.
Historia e pat zanafillën kur Xhulieta erdhi në televizion të interpretonte tok me fëmijët në koncertin e madh humoristik të Vitit të Ri 1988. Pasi i bëra grimin në përshtatje me rolin e saj, më ranë në sy thonjtë e prerë rrumbullak, e në rrënjët e tyre, në kufirin me mishrat, u shquhej një vizë e zezë, e hollë, por e dukshme, ama. Për të mos e lënduar i tregova Xhulit se tek lavamani kisha sfungjer, sapun dhe ujë të ngrohtë, që ajo të mund t’i lante duart. Ajo e kuptoi shqetësimin tim, por akoma më e shqetësuar ajo vetë, më tregoi se atë mëngjes i qe derdhur qumështi mbi furnellën e vajgurit. Fitilat e furnellës qenë shuar dhe ngallosur dhe asaj i qe dashur t’i pastronte, meqë do të gatuante drekën.
I kam larë thonjtë për një kohë të gjatë me ujë dhe sapun, – m’u qa
Xhuli, – bile i kam fërkuar edhe me furçë, por siç e sheh, bloza nuk m’u zhduk. Kam frikë se mos më shquhen në ekran.
Unë e qetësova edhe i thashë se edhe unë nuk besoja të viheshin re, ngaqë duart ajo do t i kishte në lëvizje dhe syri i shikuesve nuk do t’i ndiqte dot. Vetëm në një plan shumë të afërt, kamera mund ta tradhëtonte dhe t’ia nxirrte në pah konturet e zeza.
Rreth asaj kohe, Pëllumb Kulla, shkrimtari i mirënjohur, burri i Xhulietës, pat qenë thirrur në televizion për një intervistë në fushën e humorit. Ndër të tjera ai qe pyetur se nga i nxirte tipat dhe karakteret që i duheshin për krijimet e tij. Ai, pa një pa dy, zbuloi se karakteret e meshkujve që përqeshte, i merrte nga cilësitë e dukshme dhe të padukshme të vetë karakterit të tij. Por natyrisht, ato i frynte dhe i zmadhonte.
Servilët, frikacakët dhe trimat, – pat shpjeguar Pëllumbi, – i nxjerr nga
vetja. Pastaj i fryj se unë s’jam aq shumë servil, dhe sidomos nuk jam asnjëherë aq trim sa personazhet e mi! – e kish mbyllur ai rrëfimin për burimet e karaktereve të meshkujve.
Pastaj ai vazhdoi të rrëfente se të metat e grave i merrte nga ato që vinte re tek e shoqja. Edhe ato ai i fuste në avlemendin e ekzagjerimit.
Gruaja ime në orën gjashtë të mëgjesit, niset të ziejë një litër qumësht –
dha një shëmbull i shoqi i Xhulit. – Harron kapakun e tenxheres mbyllur, aq sa të derdhet ajka dhe t’ia mpiksë fitilat e furnellës së vajgurit. Bën ajo të pastrojë fitilat me koka të zeza, ndot rrobat! I fut rrobat e ndohtura në makinën larëse që të lahen, teksa ne, burrë e grua jemi në punë. Por ndërkohë, ajo e pakujdesëshmja, ka harruar jashtë mbi dysheme tubin e shkarkimit të makinës dhe përmbyt shtëpinë me ujë e shkumbë sapuni. Natyrisht, kur vjen nga puna zgurdullon sytë kur sheh hatanë e përmbytjes. Dihet pastaj: me thasë dhe lecka duhet hequr uji që ka pllakosur!…
Dhe së fundi atë intervistë ai pat mbyllur me gaz:
Vetëm në orën 11 të natës ime shoqe vjen në shtrat e rraskapitur, duke
thënë “ Shumë punë! Ah sa lodhemi ne gratë!” Lodhje? Atë ia besoj, pa sa për punë, atë ditë ajo kishte zierë vetëm një litër qumësht! Bile gjysmën e litrit, se gjysma tjetër pat qenë derdhur e pat shkaktuar zinxhir tërë punërat që kishte bërë ime shoqe radhazi!
Pikërisht ishte kjo intervistë që m’u kujtua atë ditë kur Xhuli qe ulur para pasqyrës së grimit në studjon time për t’u bërë gati për shou-n e madh televiziv të fëmijëve dhe më shfaqte shqetësimin për thonjtë…
M’u kujtua gjithashtu se asnjë familje shqiptare nuk pat shpëtuar pa provuar regjimin e gatimit me atë lloj furnelle me vajguri. Asaj times unë ia kisha vënë epitetin “e mallkuara”. Ajo nxirrte gaz e blozë që helmonte fëmijët e tërë familjen, Gjithçka në shtëpi, sende dhe njerëz, mbanin erën e tymit të saj. E kisha provuar këtë edhe kur hipja në autobusët urbanë: sa i afrohesha ndonjë gruaje ndjeja se flokët e saj mbanin erë vajguri, edhe unë përfytyroja se të njëjtën gjë ndjenin dhe ato kur më afroheshin.
Furnella përbëhej nga 10-12 fitila të trashë pambuku që futeshin në po aq tuba të ngushtë e të gjatë metalikë, që gjatë përdorimit ato konsumoheshin, shkrumboheshin e forcoheshin kaq shumë nga bloza, hynin brenda tubave sa ishte shumë e vështirë edhe duke përdorur lloj lloj grepash e telash për t’i nxjerrë sipër, pa lere kur lageshin si në rastin e Xhulit. Bloza dhe tymi i vajgurit kishin aq forcë ndotjeje, sa muret e banjës bëheshin sterrë. Ler, pastaj, enët që viheshin mbi to! Mjerë ne se ç’kemi hequr për t’i pastruar!
Mendova se nuk është keq që ti kujtojmë këto, që të vlerësojmë e të lumturohemi me ndryshimet në jetët tona, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Por edhe fëmijët, nipat e mbesat të bëhen me dije se si kanë jetuar gjyshërit e prindërit e tyre në ato dekada të vështira të shekullit të njëzetë.
E mora Xhulin në telefon që nga Chicagoja, sapo pashë që Pëllumbi e pat përfshirë intervistën që përmenda në shumëvëllimshin e tij “Teatri, kjo lojë magjepsëse” I kujtova thonjtë e saj me mbetje të blozës në atë vigjilje të Vitit të Ri. Xhuli e solli ndërmend mënjëherë.
– Ti, Zhani, a e pe atë koncert të fëmijëve?
I thashë se fëmijët e mi atë kohë ishin të rritur dhe nuk shikonin emisione të tilla. Aktorja më çuditi kur tha se vizat e zeza te thonjtë e saj – dhe të zmadhuar bile! – patën dalë në ekran. Dhe i pat parë e gjithë Shqipëria në festë. Ata kishin dalë gjatë interpretimit në një plan portret të një fëmije që qante pa pushim në rolin e tij. Xhuli e pat detyrën t’ia fshinte lotët dhe… hopa thonjtë!
Ti, Zhani, nuk arrite as të m’I hiqje as të m’i mbuloje vizat e mbetura.
Thonjtë e mi atë ditë ishin një bashkëpunim mes teje dhe furnellës!
Tek kujtonte Xhuli ndihej se si qeshte në telefonin e saj në Nju Jork. Tregonte se si kolegët e koleget e përgëzonin për interpretimin dhe në fund dilnin tek thonjtë me gjurma bloze! Kudo ku pat shkuar, miq dhe të afërt, komshinj dhe të panjohur, i jepnin përgëzime, por ajo priste me frikë se mos i përmendnin thonjtë. Gëzohej kur ata nuk ia zinin në gojë, por ajo e shpjegonte këtë nga mirësjellja e tyre, ose nga fakti që ata nuk i patën vënë re.
Po nuk kish se si të mos e vuante ajo vetë. Qysh në atë kohë e deri tani, edhe kur takohemi edhe në telefon, ne e kemi bërë atë ngjarje temën tonë të preferuar.
Tallu ti, tallu, – thotë Xhuli në mes të së qeshurës së saj të bukur. –
Të të kishte ndodhur ty, pa ta shikoje!
Nuk ka njeri në planet, i çfarëdo lloj kombësie, race e gjinie, që të mos kujdeset për paraqitjen e vet estetike. Sidomos gratë dhe vajzat i kushtojnë goxha kohë, mund edhe para kujdesit të trupit, fytyrës, flokëve, tualetit, manikyrit, pedikyrit. Sidomos tani që janë shtuar aq shumë teknikat dhe mjetet, të përhapura në tëra viset e globit. Femrat duan të jenë maksimalisht të bukura. Me ushtrime e operacione plastike korigjojnë trupin, hundën, sytë, heqin lëkurë nga fytyra për tu rinuar, pale pastaj trillet e tjera. Kam parë këtu vajza e gra që kujdesen për fytyrat aq sa duken perfekte, si kukullat e bukura.
Dhe nuk përjashtohen thonjtë, pjesë përbërëse e dorës e cila është një element shumë i rëndësishëm i bukurisë së gruas.
Aq më tepër që ne me duar flasim, – plotëson mendimet e mia
Xhuljeta. – Ka shumë njerëz e sidomos gra që, më shumë se për punët e shtëpisë duart u nevojiten për të folur! Vërtet, moj Zhani, si do të flisnim po të mos kishim duar, ëh?!…
*Zhaneta Petushi, mjeshtrja duarartë e grimit, një nga artistet më të veçanta që gjeneroi ekrani shqiptar i i televizionit dhe filmit në gjysmën e shekullit që shkoi. Puna e saj e palodhur në kanalin televiziv kombëtar ka lënë gjurmë të pashlyeshme; në filmat artistikë dhe dokumentarë, në koncertet e Viteve te Rinj, – ku ka qenë faktikisht udhëheqëse e punës me makiazhin e sa e sa artistëve në një varg të panumurt koncertesh zbavitëse në pallate sporti, koncerte të ndjekur nga mijëra e mijëra spektatorë. Petushi ka punuar në realizimin e gjithë llojeve të filmave, të shkurtër dhe të gjatë të gjinisë së komedisë dhe dramës. Dora e kujdesshme e Zhanit ka punuar me talent krijues përmbi fytyrat e artistëve më të mirë të skenës dhe ekranit shqiptar, që nga Kadri Roshi, Skënder Sallaku, Robert Ndrenika, Sandër Prosi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Yllka Mujo e shumë të tjerë…