Gezim Zilja/
Në hyrjen para pallatit, gjysmëhotel ku banoj u përballa me një çift të moshuarish dhe disa fëmijë të vegjël. Një thes i madh me patate, një tjetër me perime, nja dhjetë shalqinjë, një qyp me ullinjë, një kuti metalike me djathë, katër pula lidhur nga këmbët, dy lepuj në një kafaz me rrjetë teli dhe ca trasta kishin zënë sheshin para ashensorit. Mbi gjithë këtë bagazh qëniesh të gjalla, sendesh e ushqimesh vigjëlonte një qen stani, që kruhej gjithandej nga pleshtat që gëlonin mbi qimet e tij, më hodhi një vështrim armiqësor dhe hungëriti, duke nxjerrë ca dhëmbë të mëdhenjë, që të kallnin datën. Pas një ore në ballkonin një kat më poshtë dëgjova ca zhurma jo të zakonta. Në kafazin prej teli pulat po çukisnin të zilepsura ca kokrra misri. Lepujt të sistemuar te kafazi i tyre, mbi pulat përtypnin lakra. Qeni, lidhur me zinxhir në krahun tjetër, po hante në një tas alumini një lloj qulli që nuk dallohej mirë. –Epo,- thashë me vete, – kaq ishte kjo punë. Nga mesi i natës qeni filloi të lehte aq fort sa mund ta dëgjonin dhe qentë e fshatit nga kishte ardhur. Iu përgjigjën me të lehura një lukuni qensh endacakë, që po kalonin aty pranë. Koncerti vazhdoi gjatë dhe hera-herës dëgjohej zëri i përgjumur i të zotit: – Pusho Murrooo, hyyy të çaftë ujku! A të helmoftë ajo që di unë, dëgjove?- Aty nga ora katër e mëngjesit, kur nata fillon e davaritet e ia lëshon vendin ditës, Murrua, pushoi së lehuri dhe zëri i njeriut nuk u dëgjua më. Mendova se mund të duroja bashkë me banorët e pallatit, koncertin e Murros, që iu shtua kakarisja e pulave, era e padurueshme e urinës së lepujve dhe glasave të pulave. Nja dy ankesa që bënë banorët në polici për prishje qetësie nuk bënë punë. Madje polici që erdhi për verifikim doli i njohur me Çeçon, mori një bidon raki dhe u zhduk. Në det Çeçua nuk ishte larë ndonjëhere por as kishte ndërmend. E shoqja nuk dilte nga shtëpia, vajzat e vogla luanin gjithë ditën me ashensorin e ulërinin nëpër shkallët e pallatit. Nga dita e pestë dikush më kap për krahu, aty qe qoshja e pallatitit : – Jam Çeçua, turisti poshtë teje. Më uli me forcë në karrige, ndërsa i bënte me shenjë kamerierit, që solli dy gota bosh. Çeçua vinte i shkurtër, në mish të vet, veshur me një këmishë plot lule të verdha e palma jeshile, në gishta kishte dy unaza, në kokën mbuluar me kapele republike dilnin tufa flokësh si tel i sertë, të paqethura prej muajsh, pantallonat e modës, shumë të ngushta te kërcinjtë e shkurtër e të harkuar sa mund të kalonte lirisht topi i futbollit. Në këmbë kishte veshur atlete të shtrenjta, të kuqe. – Të njoh unë ty se kam pasur një keçe kur jeshe mësues. Jam na Matohysenaj. Tërvit më dërgoi djali paratë për pushime po unë me to bleva një lopë barsë. Sivjet më tha shko në filan vend se të kam paguar hotelin për dhjetë ditë. Mos më shiko ashtu, se rrobat më vijnë nga Anglia mua, mi dërgon djali.
–Si shumë “municion” kishe me vete,- e ndërpreva. -Po ja a derëzi, gjuna të blej zarzavatet e bulmetin, i kemi të gjitha në fshat. Kam marrë me vete fëmijët e vajzave, po ndonjë koqeve të freskët e duan ato? I dëgjon në mëngjes kur kakarisën pulat? Kënaqet njeriu! Lepujt, njerin e therra, tjetrin më vonë se ka lezet mishi i freskët. Murron e kam qënin e shtëpisë nuk mund ta lija. Ndërkaq nxori nga xhepi një shishe raki dhe më mbushi gotën. – Pije e kam bërë vetë. Do të të bije një bidon? Do ta jap lirë: tetëmijë lekë bidoni. Po ke dhe ndonjë shok që do…. Aty nga mesdita u ktheva nga plazhi. Një çift të moshuarish italjan që banon në pallat prej kohësh po mbanin një qenush, që angullinte plot dhimbje. Sa më panë filluan të më ankoheshin se një qen i egër, i ishte vërsulur qenushit të tyre dhe i kishte futur dhëmbët në qafë. Një i panjohur ( Çeçua mendova) kishte marrë qenin e egër dhe ishte ngjitur lart. – Durim!- u thashë italianëve.- Jeni ne Albani. Në ballkon turisti nga Matohysenaj i përpirë nga ethet e fitimtarit përkëdhelte e puthte qenin e vet: – Uuu të keqen Murro! Më nderove! Ia bëre mirë qenit të pipinos se vetë tu turr pari… Në darkë një çun problematik, (i fortë, thonw) që kishte hotelin aty pranë kishte vijëzuar sheshin midis pallateve dhe kishte vendosur një tra si postbllok. Kohw më parë gjysmën e rrugës së makinave e kishte kthyer në parking duke e bërë me një kalim. Djali që shërbente më kërkoi pesëmijë lekë për një natë. – Po unë banoj këtu,?! i thashë. – Nuk di gjë unë. Parkingun e kemi me leje. Pronari më tha asnjë pa pagesë… Dy orë më vonë gjeta parking më të lirë. Tani jam strukur në kat të katërt, ku ndihem relativisht i qetë. Kam filluar të ndihem ndihem i huaj, pa vlerë, me frikën se nesër mund të më ndodhin të tjera gjëra “të vogla” që më lodhin e mërzisin. Si ia dalin këta çeçot e “të fortët” të na imponohen me zakonet e tyre, të na kufizojnë hapësirat, të na prishin qetësinë, të bëjnë ligjin në transportin publik, në plazhe e dete, të na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm në vendin ku jemi lindur e rritur, e të kalojmë rrëzave si buburrecë për të shkuar në shtëpi!? Këta kanë pushtuar gjithë qytetin dhe kanë vendosur ligjet, rregullat dhe kulturën e tyre. Mos vallë duhet të pajisemi edhe ne me hunjë, thika e revolverë? Ndërkaq koncerti i Murros dhe qenve endacakë sapo ka filluar. E nesërmja do të jetë si e sotmja ndoshta edhe më keq….