PO VI…
Po vi me peshën e ditëve të munguara,
me çastet që rendnin përgjatë kalldrëmit të mallit…
Po vi me zjarrin që digjet në oxhak të shpirtit.
Po vi me shpejtësinë e frymës,
Me pulitjen e syrit,
me rrahjen e zemrës…
Po vi me çantën e emigrantit mbi supe,
që e mbart mbi shpinë,
si breshka zguallin..
Pak plaçka,
Shumë mall e lot…
Pak gjëra, për ju, të vogla fare…
çdo gjë për ju duket e vogël,
vetëm malli e mungesa është si mal.
Kur vi, kilometrat shkurtohen…
Mezi po pres t’ju rrok në qafë,
t‘ju ndiej erën…
Era ndeu krahët e saj,
për të më sjellë më shpejt…
Oh, ky mall që nuk shuhet kurrë,
një mall ku fundoset e zhytet dhimbja…
MIRË U TAKOFSHIM SHENJTËRIA IME!
Gurin e shtëpisë me vete e mora.
Mbrujtur me kujtimet e vajzërisë.
Mallin e shkrova në pragun e derës,
si sy vigjilent të më ruante nënën dhe babanë.
Mbi shpinë mora lotët e patharë të nënës…
Heshtja e babait flet me fjalët e zemrës.
Dridhërimën e motrave në sy e ula,
që lotin të ma fshinte.
Mungesën e aromës së shtëpisë
në shishkën e vitit e mbylla.
Të parfumosem me të,
ta ndiej veten si në prehrin e nënës,
si në krahët e babës.
Dielli ndrin fort sot.
Shkrin borën e akullt,
rrëzë luginës,
në shpatin e maleve.
Ndrin, po nuk më ngroh.
Asgjë nuk e ngroh largesën nga mëma, asgjë.
Nënë, më prit,
do të kthehem sërish te ty.
Do të kalojnë ditë, javë e muaj.
Do t’u gëzohemi ditëve me bisedat tona.
Valët shtrihen në thalb të zemrës
e rrahin me të njëjtin ritëm.
Ritëm i malltë.
Ju rrok me dashurinë time.
Ju shoh me sytë e zemrës.
Mirë u takofshim shenjtëria ime…
TAKIMET ME TY AT, JANË MALL!
Bisedat me ty tashmë janë heshtje
Malli gërryen fjalën,
lidh me penjtë e ditës mungesën tënde.
Mungesë e dhimbshme.
Boshllëk që shtyp me peshën e askundit.
Në ajër frymon fjala jote.
Në eter endet shpirti yt.
Në sy pikon loti i kripur e zhurit faqen.
Në buzë këndohet vaji i ikjes tënde…
E unë nuk di me ç’gjuhë të të flas,
që të më dëgjosh,
Të më flasësh si dikur, si miq të mirë.
Takimet me ty, At, janë pritje.
Ashtu si e prisje agun e mbrëmjen me shpresën e gjallnimit.
Unë të flas me gjuhën e shpirtit,
si vajza atit,
si “fmiu” yt,
që më përkëdhelje pa fund…
Takimet me ty, At, janë mall!
Mall që vetëm rritet!
SOT E PASHË TIM ATË NË ËNDËRR
Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I qetë, me një buzëqeshje në fytyrë.
Erdhi nga mungesa e ditëve të ftohta të dimrit,
të më ngrohë me dritën e tij,
të ma qetësojë shpirtin.
Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I zgjasja duart ta përqafoja,
si dikur, kur kthehesha në shtëpi
e rrotulloheshim në krahët e njëri-tjetrit
për t’u ngopur me mungesën e largët.
Ai më shikonte me sytë e tij të qelqtë
e më fliste me heshtjen e përkohësisë.
Jam këtu bijë!
Mos u step në hapat që hedh.
Lëvizi kokën,
sikur miratoi atë që zemra foli.
Sot e pashë tim atë në ëndërr.
Më shumë më dogji malli.