
Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku/
Zymer Ujkan Neziri (2023). Studime të folklorit, V, Gjurmë të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fondet arkivore të Harvardit dhe në disa vise të Ballkanit, 538 f. tekst (Tiranë, Akademia e Studimeve Albanologjike, 2023), ISBN 978-9928-394-19-4.
Vëllimi Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise të Ballkanit, është rezultat i një pune shumë serioze të profesor Zymer Ujkan Nezirit. Ky libër paraqet vijimësinë e përpjekjeve të tij të pesta që Eposi i Kreshnikëve të shndritet sa më mirë dhe të popullarizohet sa më shumë në qarqet albanologjike, sidomos në epikologjinë shqiptare. Ndahet në tri pjesë: Eposi i Kreshnikëve në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit (2002-2020); Rezultate të punës kërkimore në Ballkan për Eposin e Kreshnikëve (2012-2020); Portrete rapsodësh të njohur të Rrafshit të Dukagjinit.
Në pjesën e parë vlerësohet Koleksioni i Millmen Perit në Harvard, ku autori kreu kërkime shkencore pasdoktorale, sepse është kryevepër arkivore e Ballkanit dhe ndër kryeveprat arkivo-
re botërore. Prijnë katër punime për Eposin e Kreshnikëve në krahinat: Sanxhaku i Pazarit të Ri, Plava e Gucia, Rugova, Mërturi. Në pjesën e dytë autori paraqet rezultatet e punës së tij kërkimore në Ballkan për Eposin e Kreshnikëve, në vitet 2012-2020. Shkruan për krahinat e Eposit: Kraja, Malësia e Madhe, Llapusha, Drenica, Gostivari, Kërҫova, nga përpjekja e tij shu-
më e gjatë kërkimore, me rreth 300 ditë punë terreni në pesë shtete të Ballkanit. Edhe unë jam shumë krenar që isha pjesëtar për Kosovën Lindore i këtij projekti tejet të madh kombëtar dhe kontinental, me 15 vëllime të mbledhura e të incizuara dhe fitues i çmimit evropian (Europa Nostra, Madrid, 2016).
Në pjesën tretë, prof. dr. Zymer Neziri, tash edhe akademik i Akademisë së Shkencave të Evropës, Academia Europaea, flet për dy rapsodë të njohur të Rrafshit të Dukagjinit, Halil Beka dhe Bajrush Doda. Punimet në libër janë renditur sipas kronologjisë gjeografike dhe kanë bibliografi dhe rezyme në gjuhën angleze. Vepra është hartuar sipas kritereve të larta teknike-shkencore. Me këtë rast po shtoj se është nder që jam recensues i këtij libri shumë të rëndësishëm për epikologjinë shqiptare, ku jam vlerësues së bashku me studiuesit prof. dr. Nikolla Skalldaferi, prof. dr. Nebi Bardhoshi, prof. dr. Izaim Murtezani, dr. sc. Mikaela Minga.
Në fund, duhet thënë se prof. dr. Zymer U. Neziri, ndër epikologët e rrallë ndër ne e në rajon, tashmë i njohur edhe në qarqet ndërkombëtare, aktualizon edhe projektin e hershëm të tij, të vitit 2008, në Institutin Albanologjik, që Eposi i Kreshnikëve të renditet në Listën e UNESCO-s. Botues i këtij libri është Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Shënim: Festivali i 16-të ndërkombëtar “Drini poetik”, më 9.6.2025, pati në program 3 kumtesa për Skënderbeun, 7 përurime veprash dhe lexim i krijimeve letrare të autorëve nga shumë vise të Atdheut.